Vëzhgim/Analizë

Garancia sovrane, bizneset refuzohen nga bankat, punonjësit ngelen pa paga

21 maj 2020/ Ornela Manjani/ Porta Vendore/ Tiranë

Punonjësit e 310 bizneseve të mëdha nuk kanë përfituar deri tani nga asnjë prej paketave mbështetëse të qeverisë. Punonjësit e këtyre bizneseve janë në pritje të miratimit të kredisë sovrane në bankat e nivelit të dytë për të marrë pagën e muajin mars, ndërkohë që kemi hyrë në gjysmën e dytë të muajit maj. Janë 400 biznese që kanë aplikuar për kredi dhe vetëm 90 prej tyre kanë marrë përgjigje pozitive.

Bankat kanë dy kritere për të dhënë huanë. E para biznesi nuk duhet të jetë në listën e kreditorëve të këqij dhe e dyta, të mos jetë debitor në zyrën e tatim taksave. Kusht mbetet fakti se kjo kredi mund të përdoret vetëm për pagat e punonjësve. Vetëm në tre biznese të sipërmarrëses Donika Mici, presin pagën 1300 punonjës, të cilët nuk janë hequr nga listëpagesat e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, pasi ajo nuk i ka larguar nga puna. Mici ka marrë përsipër barrën qëtëmarrë një kredi dhe ta shlyejë me pas atë, vetëm për të mos lënë pa paga dhe për të mos larguar nga puna punonjësit e saj.

Në një prononcim për Portën Vendore, Mici pohon se ka aplikuar për kredinë sovrane që momentin e parë që doli formulari i aplikimit, por kërkesa e saj është refuzuar. “Kam aplikuar për tre shoqëri, të cilat janë të ndara me aktivitete të ndryshme. Unë jam administratore e vetme e tre shoqërive dhe banka vlerësoi riskun për të tria bizneset bashkë dhe jo të ndara, ç’ka me sa duhet na penalizoi”,thotë Mici. Në tre ndërmarrjet e saj presin pagën 1300 punonjës. “Unë kam 1300 punonjës që nuk kanë marrë as pagën e luftës dhe as 40 mijë lekëshin. Unë aplikova për kredi dhe përgjigjja nga bankat ka qenë ‘nuk përfitoni’. Na thanë që situata financiare është jo e mirë. Kërkojmë që qeveria të rishkojë edhe një herë marrëveshjen me bankat. Ne kemi riaplikuar për kredi dhe jemi në pritje të përgjigjes”,thotë Mici.

Edhe për kreun e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Nikolin Jaka, marrëveshja mes bankave dhe qeverisë për borxhin e sovranit nuk po funksionon. “Procedura e marrjes së kredive është e vështirë. Garancia sovrane nuk ka nevojë për kolateral. Kërkesat tona i kemi parashtruar me kushtet që vendosin bankat, por bankat po zvarrisin sipërmarrjen. Do të bëjmë gjithcka që ekonomia të mos shkojë në kolaps. Nuk duhet shkatërruar kurrsesi sipërmarrja e lirë, por duhet inkurajuar e unë shpresoj se sa të mbarojë pandemia, gjithçka do i kthehet normalitetit”,thotë Jaka.

Por ana tjetër e medaljes është se bankat kanë një këndvështrim tjetër mbi kredinë sovrane. Kreu i Shoqatës së Bankave, Silvio Pedrazzi, sqaron se edhe bankat kanë disa kritere që duhet tëndjekin. Madje, ai kujton faktin se duhet bërë shumë kujdes me dhënien e këtyre kredive, pasi ato janë para të taksapaguesve shqiptarë. “Marrëveshja mes bankave dhe qeverisë për garancinë sovrane parashikohet të përdoret vetëm për disa biznese, të cilat kanë një situatë specifike, të cilat janë prekur nga kriza e pandemisë. Nëse një klient nuk performonte mirë edhe para krizës së COVID-19 nuk mund të përfitojë nga kjo kredi. Nga ana teknike nuk ka Risk Zero. Risku mund të jetë shumë i ulët po s’mund të jetë zero. Këto janë para të taksapaguesve dhe duhet bërë kujdes. Garancia sovrane nuk është bankomat, as për bankat as për bizneset. Është një angazhim që merr qeveria dhe po flasim për paratë e qytetarëve”, thotë Pedrazzi. Interesat e kredisë do të paguhen nga buxheti i shtetit, dhe garanti është buxheti i shtetit.

Edhe Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, në daljen e tij publike, ndan një qëndrim thuajse të njëjtë me kreun e shoqatës së bankave. Guvernatori Gent Sejko ka sqaruar se dhënia e këtyre kredive kërkon një analizë të kujdesshme, duke theksuar se jo të gjithë klientët mund të përfitojnë 100 % nga kjo garanci.

Pas “përplasjes” mes palëve, Ministria e Financave mori të tjera “përgjegjësi” për të çliruar sa më shumë borxhin e sovranit. Ministrja e Financave, Anila Denaj, njoftoi bankat dhe bizneset se interesat e këtyre kredive do të paguhen nga buxheti i shtetit dhe se bizneset do të kenë mundësi të mos paguajnë principalin që në muajt e parë, por tre muaj pasi marrëveshja të hyjë në fuqi. Gjithashtu, Këshilli i Ministrave ka miratuar vendimin mbi rimbursimin e interesave për Garancinë e Huasë Shtetërore për të gjitha subjektet përfituese, në të gjitha bankat e nivelit të dytë. “Ky vendim do të reduktojë barrën e tregtarëve dhe shoqërive tregtare që përfitojnë nga kjo Marrëveshje Garancie, do të zbusë efektet financiare për sipërmarrësit në reagimin ndaj COVID 19,do të lehtësojë sigurimin e fondeve për vijimësinë e pagesës së punonjësve në sektorin privat”, ka deklarua rministrja Denaj.

Procesi i vlerësimit të kërkesave për kredi nga bankat tregtare vijon, ndërkohë që asnjë vendim nuk mund t’i vendosë bankat në kushte detyruese për të dhënë kredi. Punonjësit e bizneseve të mëdha duhet të presin derisa pronari i biznesit ku janë të punësuar dhe banka të nënshkruajnë marrëveshjen për të marrë pagën.

Duke hasur në këto vështirësi, qeveria miratoi dhe garancinë sovrane II, me vlerë 15 miliardë lekë, ekuivalent me rreth 150 milionë dollarë, e cila do të vihet në dispozicion të biznesit që ka nevojë për likuiditet. Skema parashikon ndarjen e këtij fondi tek 12 bankat tregtare që operojnë në vend, sipas përqindjes së mbulimit të tyre në treg, drejt të cilave biznesi i çfarëdolloj sektori mund të drejtohet për të kërkuar hua për kapital qarkullues, pagesa të ndryshme etj.

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj ka dhënë detaje, duke shpjeguar se në këtë garanci të dytë sovrane qeveria garanton 60% të principalit të çdo huaje, afat shlyerje deri në 5 vjet apo hapësirë për mos paguar principalin, në jo më pak se 6 muaj.Ministrja e Financave, thotë se kjo ofron mundësi financimi për të gjithë sipërmarrjet, tek të cilat ka ndikuar në aktivitet situata e pandemisë. Po ashtu nga kjo përfitojnë edhe sipërmarrjet me një historik pozitiv të marrëdhënies kreditore. Sipas Ministrisë së Financave, prej javës së ardhme bizneset mund të shprehin interesin pranë të gjitha bankave të nivelit të dytë.

Tashmë, biznesi shpreson që kjo garanci sovrane e dytë të zgjidhë problemet e konstatuara në paketën e parë, ku duket se dhënia e kredisë varet në kushtet që vendos banka. Krahasim midis garancisë së pare dhe të dytë është ky: garancia e parë është për pagat e punonjësve, të cilat kalojnë direkt te llogaritë e tyre, ndërsa garancia e dytë i jepet biznesit për kapitale qarkulluese dhe vendosin ata për çfarë e përdorin.