20 maj 2020/ Ledjona Xheladinaj/ Porta Vendore/ Korçë
Voskopoja, fshati turistik në juglindje, si kurrë më parë është mbytur nga heshtja, pandemia i rrëmbeu gumëzhimat e turistëve, ndërsa i shkaktoi trishtim. E ndodhur pak kilometra larg Korçës, në stinën më të frekuentuar nga qindra turistë të huaj dhe vendas , fshati piktoresk ka mbetur bosh.
Teksa kemi udhëtuar drejt tij, sapo futemi në qendër, mysafirët e vetëm janë cicërimat e zogjve. Të takosh banorë në këtë situatë është tepër e vështirë. Sigurisht, mikpritja e voskopojarëve është virtyt që rrallë e gjen në zona të tjera, ndaj kemi vendosur të trokasim në portat e tyre për të biseduar në distancë se si po e përjetojnë këtë situatë. Dera e parë që u hap ndodhet në qendër të fshatit. Hava Mecollari, e moshuara e cila respekton me korrektësi masat e dhëna në këtë kohë pandemie, qëndron në distancë, teksa e pyesim si po e përjeton izolimin dhe heshtjen që ka mbërthyer Voskopojën.
“Mos më pyet se me dhemb në shpirt kur shoh këtë fshat të bekuar nga natyra dhe perëndia të jetë bosh. Asnjëherë nuk e kam parë në këtë gjendje. Ka dy muaj që është çdo gjë si në shkretëtirë“, thotë për Porta Vendore 69-vjeçarja.

Teksa e indinjuar shfryn ndaj instancave përkatëse se askush nuk ka shkuar t’i ofrojë shërbim edhe pse ishte premtimi i parë i dhënë nga qeveria, pohon se kushtet në të cilat jeton janë të vështira.
“Unë jam pensioniste dhe jetoj me atë pak pension. Djali ka një dyqan të vogël dhe e hap me orar. Shyqyr bukën e marr tek ai. Çfarë të hamë? Është varfëri e madhe. U tha që do ndihmohen pensionistët dhe të varfrit, por s’kemi parë asnjë deri më sot. Fjalë boshe. Fshatrat e tjerë janë ndihmuar, por vetëm Voskopoja, jo. Pse nuk kanë sjellë? Kemi kaq kohë mbyllur brenda dhe s’kemi të hamë”, pohon e moshuara teksa largohet drejt oborrit të vogël ku jeton.
Pak metra më tutje, një tjetër banor qëndron i ulur në një stol dhe nuk ngurron të flasë dhe me ironi ndaj ndihmave të ofruara.
“Ndihma e vetme është 1 litër vaj, dy pako makarona, një pako oriz dhe një sheqer. Çfarë janë këto turpe? Edhe ata që vijnë nuk janë për ndihma, por gjejnë njerëzit e dobët që gënjehen me këto lëmosha, që nesër t’i kërkojnë votën në shkëmbim të bukës. Ja kjo është e vërteta. Njerëzit nuk do vdesin nga pandemia, por nga uria”, thotë për Portën vendore, Pavlin Lulo.
Ankesat e banorëve janë të shumta, ku shqetësimin kryesor e zë varfëria dhe mungesa e shërbimeve.
Spiro Bebri është një tjetër banor që ne takuam në fshat. Pandemia ka falimentuar bizneset dhe ka thelluar varfërinë është ajo çka pohon 77-vjeçari.
“Varfëri e madhe. Nuk ble dot ushqimet që më do barku se nuk e përballoj dot. Pensioni është e vetmja e ardhur. Turizmi është mbijetesa kryesore për ne. Jeta po bëhet shumë e vështirë. Kjo pandemi po na zhyt më keq, na shojti komplet. Pas një viti do e shohim dëmin që ka shkaktuar, tani nuk e kuptojmë se po hamë rezervat”, përfundon Bebri.
Teksa Sofie Dhima, një tjetër banore thotë se kurrë nuk ka ndodhur një situatë e tillë ndërsa shton se në fshat nuk ka asnjë turist.
“Që kur ra virusi, këtu nuk ka asnjë turist. Ata e mbajnë me bukë këtë fshat, por ja çfarë na bëri kjo pandemi”, tregon duke turfulluar ajo.

Pandemia ka “ngrirë” jetesën në fshatin turistik, por më të ndjeshëm ndaj kësaj situate mbeten bizneset. Shtëpitë pritëse apo bujtinat në Voskopojë prej muajsh kanë pezulluar aktivitetin duke çuar drejt falimentit dhjetëra të tillë. Turizmi mban gjallë këtë zonë ndërsa Covid-19 ka ndryshuar rrënjësisht gjithçka aty. Janë me dhjetëra biznese të cilat “rënkojnë” nga rreziku i mbylljes përfundimtare. Shumë prej tyre janë kredimarrës për të ngritur aktivitetin. Të gjunjëzuar përballë kësaj situatë, ata apelojnë për lehtësira dhe ndihmë nga shteti.
Shpresa Bacelli është një ndër pronaret e një hoteli në hyrje të fshatit, ku pas urdhrit vijon të mbajë kyçur biznesin e saj familjar ndërsa ndihmat janë pothuajse zero.
“Kam restorant dhe hotel. Që kur u dha urdhri nga Ministria e Shëndetësisë e mbyllëm aktivitetin dhe vijojmë të jemi të mbyllur. U premtua paga e luftës, por nuk na dhanë, pasi sipas tyre gjasme ishte shtypur pajisja fiskale. Ky ishte thjesht një justifikim. Ne punojmë me sezon. Një ditë në javë apo dy ditë dmth vetëm në fundjavë. Punëtorët i siguroj vetëm për ato dy ditë që i marr në punë. Kështu funksionon në gjithë fshatin. Qeveria thotë e keni hotelin në punë, ndërkohë që ai më dënon nëse i çoj klientit ushqim në dhomë. Si mund të qëndrojë turisti nëse nuk i ofrohet shërbimi? Ky ose tallet me ne ose do të na hedhë hi syve. Si mund të vijë një turist në Voskopojë në këtë situatë? Nuk e di, por na ka lodhur shumë kjo situatë”, pohon për Portën Vendore Shpresa Bacelli.

Po ashtu, ajo tregon e shqetësuar se kanë pësuar një dëm kolosal ekonomik si pasojë e anulimeve nga turistët e huaj dhe vendas. “Është një dëm shumë i madh për ne. Kishim shumë pronotime nga të huajt, por na i kanë anuluar të gjitha. Mbi 10 data të mbyllura me turistë gjermanë, francezë, italianë, ishin por i anuluan. Edhe për festën e Pashkës ku kishin bum pronotimesh, u anuluan. Kjo po na çon drejt falimentit. Ne këtu jetojmë vetëm me turizëm, kryesisht atë familjar. Askush s’na mbështet. Lutemi të kalojë kjo situatë dhe të nisim punën sepse asgjë tjetër nuk na jep shpresë përveç punës tonë. Të lehtësohen pak rregullat sepse në të kundërt nuk do rimëkëmbemi kurrë. Na është dashur një jetë e tërë për të fituar besimin e klientëve. Do ia rinisim nga e para. Jemi në nivelin zero. Këtu janë më shumë se 20 biznese ku janë të punësuar dhjetëra banorë. Blegtoria dhe bujqësia janë pak të zhvilluara për shkak të klimës së ashpër. Kjo pandemi e ka gjunjëzuar sektorin privat”, thotë Bacelli.
Të falimentojnë bizneset në Voskopojë do të thotë të “zhduket” një ndër destinacionet më të frekuentuara të turizmit në zonën e Korçës. Pushteti qendror listoi lehtësira dhe mbështetje sidomos për sektorin privat në këtë kohë pandemie. Porta Vendore kontaktoi me Bashkinë e Korçës për masat që ka marrë dhe lehtësirat që do ofrojë ndaj bizneseve në zonat turistike.
“Konkretisht ne kemi ngritur Komitetin për zhvillimin e turizmit dhe me ta kishim nisur punën para pandemisë për hartimin e punës së një strategjie 10-vjeçare të zhvillimit të turizmit për Korçën 2020-2030. Por tani jemi në një kohë të re. Është momenti për të gjetur avantazhet konkurruese që Korça ka, dhe në këtë stad ku turizmi ka arritur në pika goxha të larta dhe është burimi i vetëm në disa lokalitete siç është Voskopoja për gjenerimin e të ardhurave dhe mbijetesës së këtyre familjeve, të ketë dhe një qasje të re”, tha Benila Terova , nënkryetare e Bashkisë Korçë për Porta Vendore.
Ndërkaq, Covid-19 ka mbyllur edhe dyert e objekteve të kultit. Në Voskopojë numërohen 4 kisha, ndërsa besimtarët janë detyruar të kryejnë ritet e tyre jashtë, pasi prej 2 muajsh kishat qindravjeçare janë të kyçura për shkak të pandemisë.