19 maj 2020/ Arjola Hekurani/ Porta Vendore/ Tiranë
Pas më shumë se dy muajsh të mbyllur, baret e restorantet e kryeqytetit kanë hapur dyert për klientët e tyre, mes protokollit të rreptë të masave dhe klientëve të paktë e të shkujdesshëm. Përfaqësuesit e këtyre bizneseve tregojnë për Portën Vendore ditën e parë të rihapjes së bizneseve të tyre, ndërkohë që shpresat dhe skepticizmi për të ardhmen janë të shumta.
Qeveria kishte lajmëruar hapjen e lokaleve dhe restoranteve të hënën e datës 18 maji dhe ashtu ndodhi. Bizneset që me padurim kishin pritur rihapjen, sot përballen me klientelën e pakët, uljen e kapacitetit të tavolinave për shkak të respektimit të protokollit prej 2 metrash distancë, kostot shtesë të masave mbrojtëse, krizën financiare dhe reduktimin e stafit.
Ajo që u vu re në sajë të vëzhgimit që Porta Vendore kreu ditën e hënë në kryeqytet ishin tejmbushja e lokaleve të qendrës dhe zonave kryesore gjatë orarit të drekës, ku fluksi ishte i papërfillshëm në orët e para të mëngjesit të së hënës.
Shumica e lokaleve dukej se nuk ishin “prekur” nga protokolli i vendosur për masat anti-covid pasi ata kishin të njëjtin kapacitet tavolinash dhe nuk kishin marra masa në distancimin fizik të tyre. Ndërsa të tjerë e kishin marrë këtë urdhër të qeverisë shumë seriozisht duke mbrojtur stafin dhe klientët nga përhapja e Covid 19.
Në zonën e liqenit Artificial ka një sërë kafenesh që gjatë paradites së parë të rihapjes së tyre ishin gjysmë të mbushura. Të shijosh një kafe me pamje nga liqeni, na është dukur diçka e largët gjatë kësaj kohe. Çifte dhe familje kishin zgjedhur pikërisht “Lake View” për t’iu rikthyer sadopak normalitetit të munguar.
Shpëtim Noka ka 7 vite që punon si kamarier në këtë lokal. I pajisur me maskë dhe doreza të zeza, 40-vjeçari tregon për Portën Vendore se kjo është situata më e vështirë që ka kaluar në gjithë jetën e tij në këtë zanat, të cilin e ushtron prej 20 vitesh.
“Sot më duket se kam nisur zanatin për herë të parë. Ndërsa klientët më janë dukur copë-copë nga aspekti i stresit, i lekut. Situata nuk është dhe aq mirë, por mjafton që u hapëm, filluam punë të paktën se në shtëpi nuk rrihet”, tha Shpëtimi për Portën Vendore, duke shtuar se: “Klientët janë të paktë. Dikush s’ka lekë, por shumica kanë frikë të dalin, është normale. Unë personalisht nuk kam frikë se i kemi marrë të gjitha masat. Kemi lënë perimetrin e distancimit dy metra nga tavolina në tavolinë si dhe tek ne kamerierët, mbajmë distancë secili më vete”, tregon ai teksa i shërben kafen një klienti të sapoardhur në lokal.

Sa i përket zgjedhjes së këtij profesioni, ai i kënaqet bakshisheve, pasi mendon se nëse arrin t’i bësh hyzmetin punës, diçka do të dalë gjithmonë.
“Më pëlqen se e kam mësuar si zanat edhe orarin e pasdites e kam të lirë, rri me kalamajtë në shtëpi teksa puna është 7:00 me 15:00”, rrëfen Shpëtimi, teksa përfiton për të bërë 5 minuta pushim ndërsa bisedon me ne.
Por si shumë të tjerë as stafi i këtij lokali nuk ka përfituar nga paga e luftës. Ndërsa Shpëtimi, që tregohet gjithnjë i kujdesshëm me vendosjen e maskës, tregon se në këtë lokal janë të punësuar 12 persona që gjatë dy muajve nuk kanë marrë asnjë përfitim financiar.
“Ne këtu jemi dymbëdhjetë veta dhe asnjëri nga ne nuk e ka marrë pagën e luftës. Situata ekonomike paraqitet e vështirë për familjet tona, por na kanë ndihmuar familjarët tanë, vëllezërit, motrat por prapëseprapë nuk mbahet shtëpia me miell hua”, rrëfen Shpëtimi, teksa zhgënjimi i shquhet në sy.

Por njësoj si stafi i Lakë View është edhe stafi i Coko Bistro Bar. Edhe ata nuk e kanë marrë pagën e luftës, ndërsa kanë bërë edhe ankesën lidhur me këtë çështje pranë tatimeve. Menaxheri i këtij biznesi, Enri Jahaj, tha për Portën Vendore se kësaj problematike do t’i shkojë deri në fund, pasi punonjësit e meritojnë fundja atë pagesë të miratuar nga qeveria. Por si ishte dita e parë e punës për lokalet që janë të pozicionuar në zonën e bllokut?
Enri Jahaj rrëfen për Portën Vendore, se dita e parë e rihapjes nisi mes pritshmërive të larta e dilemave ekzistenciale për të ardhmen e biznesit që ai drejton.
“Dje kemi nis në orën 7, sepse matëm tavolinat edhe njëherë. Këto dy muaj na bënë mirë sepse rregulluam ca gjëra që në raste të tjera i bënim natën, psh rregullimin e bravave të dyerve, si dhe lyem etj. Praktikisht lokali u bë perfekt dhe është në fakt si ajo makina e bukur në garazhd por që ke frikë ta nxjerrësh se mos prishet rrugës, praktikisht edhe puna e klientëve kështu ndodhi. Pritshmëria ishte më e madhe për ditën e sotme, prisnim të kishte njerëz që në orët e para të mëngjesit, por njerëzit filluan të vijnë andej nga ora 10”, tregon Enri ndërsa thekson se sjellja e klientëve duket disi e shkujdesur mbi masat e marra anti-Covid.

“Ne kemi funksionuar gjithmonë me klientelën tonë të përhershme. Të shkujdesshëm janë, duhet t’i rikujtojmë sa hyjnë në lokal që të dezinfektojnë duar, të kenë distancën sociale etj. Duhet të marrim parasysh edhe këtë, që vijmë nga një dymujorsh stresues në vetvete, ndaj duhet të tregojmë edhe takt kur i flasim”, tha ai, duke theksuar se sa i përket protokollit të masave të ndërmarra janë bërë goxha shpenzime ekstra, pasi lokalet dhe restorantet sipas urdhrit duhet të masin edhe të shënojnë çdo ditë edhe temperaturën e stafit.
Në 10 vite që menaxhon Çokon ai se kishte menduar kurrë që do të menaxhonte një bar-restorant në kohë pandemie. Fundja e kush e kishte menduar se kjo ditë do të vinte?
“Nuk e kisha menduar kurrë. Sot ishte si dita e parë e shkollës, plot frikë, pështjellim e emocion. Gjithë nata e gdhirë pa gjumë. Si do jetë dita e parë, si do shkojë? I kam menduar të gjitha gjërat duke bërë check-listën me mendje dmth shumë përgjegjësi, shumë stres për të rifilluar në fund fare punën që t’i di të bësh”, rrëfen Jahaj për Portën Vendore.
Përsa i përket krizës ekonomike që pritet të prekë xhepat e konsumatorëve duke i bërë ata më të tërhequr e të kursyer kundrejt shpenzimeve të mëdha, Jahaj e nis diskutimin nga vetja, duke thënë se as ai vetë këtë verë nuk do të bëjë pushime.
“Duke punuar në mënyrë të reduktuar normalisht që do të reduktosh staf që ne e kemi trajnuar dhe e gjitha na kthehet në boomerang. Sido që ta kthesh ne jemi të humbur nga ana ekonomike, nga ana e stafit etj. Tkurrja në xhepat e konsumatorëve është që tani. Nëse më pyesni mua unë sivjet nuk do të bëjë fare pushime, po ashtu as stafi im”.
Sot ky biznes po punon aktualisht me 40% të kapacitetit. Ndërsa ashtu si përcakton edhe urdhri i Ministrisë së Shëndetësisë, tavolinat janë me distancë 2 metra nga njëra-tjetra. Por mes krizës dhe pasojave që po lë Covid 19, ai ka refuzuar me kokëfortësi që të reduktojë punonjësit . Por nëse situata vazhdon, nuk do reduktoje staf, por ditët e tyre të punës.
“Çështjet ekonomike e kemi në dy aspekte të ndara, pushteti qendror dhe lokal. Këtij të fundit i kërkojmë të heqë taksën e hapësirave publike. Në maj ne po nisim punën vetëm me 1/3 e hapësirës. I bie ose unë duhet të paguaj 1/3 e taksës ose duhet të ulet sepse unë po punoj me 1/3 e kapacitetit. Duhet të gjetur një formulë që t’i vlejë të dyja palëve. Kemi një takim me kryetarin e bashkisë këtë javë për këto problematike që ne kemi”, sqaron ai.

Shoqata e lokaleve dhe restoranteve menjëherë pas krijimit, ngriti fort zërin pranë institucioneve që të qeveria të mund të plotësonte disa nga kushtet e tyre të punës, kur të ndodhte hapja. Njëri prej tyre, që është lejimi i orarit të daljes deri në orën 21:00, Jahaj, i cili është njëkohësisht edhe përfaqësuesi i kësaj shoqate me rreth 150 biznese në total, e konsideron si një hap të parë tejet pozitiv.
“Një nga kushtet tona që ishte shtyrja e orarit, u arrit. Dje ishim deri në orën 21.00, me shpresën e madhe që javën që vjen do jemi deri në orën 22.00 dhe parashikimin se nëse edhe ecuria e Covid 19 do jetë e mirë, fillimi i qershorit do të na gjejë pa fashë orari, pa orën policore siç quhet, pra kemi një kthim në normalitet”, tha ai për Portën Vendore. Por përsa i përket protokollit, Enri parashtron disa probleme në menaxhimin e situatës me maska e doreza, kur vjen puna tek restorantet.
“Masat do të jenë, distancat do të jenë, përveç disa teknikaliteteve që nuk besoj se duhen. Psh dorezat kontaminojnë çdo gjë që kapim me dorë. Dorezat kontaminojnë çdo gjë, nëse kamerieri kap një produkt në bar-restorant që nga prodhimi, produkti kalon në 3 duar minimalisht, sikur një dorezë të jetë e kontaminuar imagjinoje çfarë ndodh në gjithë këtë proces. Plus pastaj nuk janë praktike. Unë jam gjithmonë partizan i duarve, më mirë të lahen. Edhe maskat psh në kuzhinë janë të panevojshme sepse kuzhinieri duhet të provojë gjatë të gjithë kohës, por gjithashtu as dorezat se duhen larë duar pas çdo produkti që prekin. Ndaj them që këto janë pak të ekzagjeruara se nuk bëjnë sens. Kamerierët me maskë ka edhe pro-të edhe të kundërtat e veta, por ok këto do t’i pranojmë”, tha Jahaj.
Shoqata e lokaleve dhe restoranteve u krijua një muaj më parë dhe në të janë atashuar biznese me lokacion në Tiranë, Durrës, Vlorë e Sarandë. Ndërsa siç tregon edhe përfaqësuesi i saj Enri Jahaj, Covid 19 i bëri mbarë në këtë unifikim të nevojshëm të këtyre bizneseve, pas 3 tentativave të shkuara dëm.
“Ne që tani i kemi ndarë prioritetet. Janë ato afatshkurtra anti-covid por edhe afatgjata, siç është rregullimi i këtij sektori. Ne jemi të gatshëm të paguajmë më shumë taksa, por ama të mos ketë më licenca pa fund në këtë sektor, por të jenë të kontrolluara, të mos i jepen më njerëzve që nuk e dinë se çfarë po bëjnë. Pra ne në këtë mes duam të futemi si rregullator se duke i ditur gjërat edhe nga brenda biznesit, duam që të mos ketë konkurrencë të pandershme”, përfundon Enri Jahaj për Portën Vendore.
Por ndryshe nga shumë biznese të tjera Tani, kamerier i një lokali pranë kompleksit “Delijorgji”, na tregon se dita e parë shkoi shumë më mirë seç e kishte pritur.
“Njerëzit mesa duket ishin të etur për kafe, pasi ishte si një ditë normale. Që në orët e para të mëngjesit kishte dyndje. Me sa duket ka tjetër aromë pirja e kafes në lokal. Edhe me bakshishe nuk dola keq. Këtu e mas unë punën. Kështu e masin në fakt të gjithë kamerierët që e bëjnë shërbimin tamam dhe presin atë bakshishin në fund nga klienti, që në fund të ditës vlen shumë për ne”, tha ai duke mos lejuar ti bënim dot një foto gjatë shërbimit.
Pronari i Vila 88, Agron Keçi gjithashtu tregon për Portën Vendore se gjithçka shkoi sipas pritshmërive të tij në ditën e parë të hapjes.
“Dita e parë brenda pritshmërive, kjo në raport me kohën në të cilën po jetojmë, por edhe për shkak të javës së fundit të agjërimit. Njerëzit kanë qenë të etur për të pirë kafe, megjithatë i shoh goxha të ndërgjegjësuar. Janë shtuar njerëzit që e marrin kafen e ujin me vete. Njerëzit e kanë marrë sensibilitetin. E kanë marrë dozën e frikës”, tregon ai duke qeshur.
Ajo që bie në sy në ambientin e jashtëm të këtij lokali janë shënjuesit e distancimit fizik, ndërsa Agroni na tregon se po punon me 70% të kapacitetit të tavolinave.
“Ne e kemi respektuar protokollin e Ministrisë së Shëndetësisë në mënyrë rigoroze, që nga broshurat e afishuara, nga shënjuesit e distancimit fizik, tavolinat e larguara, pajisjes me maska e doreza të stafit, dezinfektimet e duarve, madje deri aty kemi sajuar pagesën në arkë dhe dezinfektojmë edhe lekun cash që marrim e japim. Është një shtesë minimale financiare që ne kemi investuar për mbrojtjen e klientëve por edhe të vetes tonë normalisht, nuk është që vritet xhepi i një biznesi nga maskat e dezinfektantët”, sqaron zoti Keçi për Portën Vendore.

Me optimizmin që e karakterizon, pronari i Vila 88 mbi Pazarin e Ri, tregon se personalisht të gjithë këtë pushim dy mujor e pa në aspektin pozitiv, duke pasur më shumë kohë për t’iu dedikuar familjes.
“Në fillim kur nisi e gjitha kjo, nuk e mendonte njeri që kjo periudhë do të zgjaste kaq gjatë. Vinim nga një sezon i lodhshëm dhe ndaj unë e kam shijuar më familjen, me fëmijët me nonën time, se kisha nja një muaj rresht që nuk i shihja fare, se dihet që puna e angazhimet të marrin shumë kohë, dhe unë në gjumë i lija, në gjumë i gjeja, kur i thonë. Çdo e keqe e ka një të mirë”, rrëfen ai thuajse i përlotur.
U bënë plot 25 vite që ai merret me këtë biznes. Por ndryshe nga shumë pronarë të tjerë ajo që bie në sy në fjalët e Agronit është mirënjohje për stafin e tij, dhe mbështetja në këtë situatë të vështirë për financat e tyre. Ndaj ai tregon se ndryshe nga shumë të tjerë nuk ka reduktuar as staf e as pagë.
“Staf nuk kam shkurtuar. Madje stafi që kam duke nisur nga picajoli e deri te kamerierët më thonë, që shef na i ul rrogën s’ka gjë se ne e shohim se si është situata. Por jo nuk ia kam ulur, do reduktoj orët e punës, por jo rrogën pasi edhe ata kanë familje për të mbajtur. Janë gjynah”, thotë pronari shpirtmirë, megjithëse pranon edhe vetë që nuk mund ta kapi dot punën që kishte në 3 muaj dhe kjo për disa arsye.
“Puna jonë këtu është edhe pak me sezon, sepse gjatë verës bie puna, ngaqë këtu afër ka institucione shtetërore, plus njerëzit shkojnë nëpër plazhe dhe bie puna. Pastaj një specifikë tjetër që ka lokali e që në fakt është disavantazh për këtë periudhë, është klientela që vjen për të parë ndeshjet. Klientët këtu janë goxha të vjetër, madje këtu nuk vijnë vetëm familjarët e zonës, por edhe nga zona të tjera të Tiranës, psh nga Uzina e Traktorëve, por edhe punonjësit e institucioneve këtu pranë, si Avokati i Popullit, Zyra e Punës, Instat etj. Është pozitiviteti ai elementi që neve na mban gjallë. Si kjo ditë, si për kohën, si për ekonominë, si për sjelljen e njerëzve mos ardhtë kurrë. Jo vetëm nga ana ekonomike por edhe tek mënyra e perceptimit të njerëzve”, përfundon pronari i Vila 88 Agron Keçi.
Vetëm pak km larg kryeqytetit, pranë Liqenit të Farkës, gjendet “La Fattoria Agro Farm”, një ambient ku banorët e Tiranës, por edhe turistë të huaj gjejnë relaksin e munguar duke shijuar peizazhin fantastik të shpërthimit të pranverës, gjelbërimin dhe liqenin, ndërsa i kënaqen edhe gatimeve të shijshme e ushqimit bio.

Por për pronarët e këtij biznesi, pavarësisht pozitivitetit që e kanë me tepri, sërish e ardhmja krijon skepticizëm për mbarëvajtjen e punës së tyre. “Sinqerisht jemi ndodhur përpara një situate të paprecedentë. Shpejtësia me të cilën është përhapur kjo pandemi, masat kufizuese nga organet shtetërore dhe rregullat që këto të fundit i imponuan bizneseve kanë pasur ndikim të shumanshëm në biznesin tonë. E ardhmja e biznesit sipas mendimit tim është akoma e pasigurt dhe jo e qartë. Por ky fakt nuk duhet të na dekurajojë për arritjen e qëllimit për të cilin është marrë gjithë kjo iniciativë. Ne po punojmë fort nga dita e hapjes që në respektim të rregullave të imponuara nga shteti, dhe në interesin më të lartë të bashkëpunëtorëve dhe klientëve tanë të arrijmë të konsolidojmë këtë projekt social që kemi ndërmarrë, bashkë me kolegun tim Fjorald Bundo”, tha Altin Kaziaj për Portën Vendore.
Në këtë vend njerëzit vijnë për disa arsye, pasi këtu gjenden edhe shumë kafshë e shpendë që të shoqërojnë gjatë kohës që drekon, madje edhe fëmijët kanë mundësi të njihen me to.
“Ne kemi një kategori klientësh shumë të apasionuar me biznesin tonë. Veç klientëve vendas kemi pasur dhe mirëkuptimin e klientëve të huaj, të cilët na kanë kontaktuar dhe janë interesuar për ecurinë e biznesit”, rrëfen Altini për Portën Vendore, duke theksuar se nga ky biznes në fakt ushqehen edhe shumë familje të tjera të zonës, produktet e të cilëve blihen nga Altini dhe Fjoraldi për të pasur gjithnjë ushqime bio .
Por megjithëse ky biznes është tërësisht në natyrë, sërish as këtu nuk kanë munguar rregullat strikte të protokollit për mospërhapjen e Covid 19. E megjithëse ai rëndon xhepin e biznesit, sërish rregullat mbeten rregulla.
“Protokolli i masave është një protokoll, i cili duhet shumë shpenzime dhe vullnet për ta respektuar në totalin e tij. Thënë kjo, interesi jonë parësor është sigurimi i kushteve për parandalimin e përhapjes së Covid -19”, përfundon Altini për Portën Vendore.
Gjithsesi, situata që po kalon biznesi duket tejet e vështirë, ku gjithçka shoqërohet nga pasiguria dhe kriza. Dhe duket sikur formula e suksesit në këto ditë pas rihapjes për lokalet e restorantet është pozitiviteti dhe besimi tek klientela e krijuar para se të vinte Covid 19.