Vëzhgim/Analizë

Mijëra qytetarë, protestë për shembjen e teatrit. Ekspertët: Vendimi hynte në fuqi pas 10 ditësh

19 maj 2020/ Bledi Gilaj/ Porta Vendore/ Tiranë

Shembja e godinës së Teatrit Kombëtar ka nxjerrë ditën e hënë, datë 18 Maj 2020, në një tubim paqësor mijëra qytetarë, të cilët kanë shprehur indinjatën e tyre ndaj veprimeve të Bashkisë Tiranë, por dhe të policisë, duke dënuar dhunën e ushtruar ndaj artistëve dhe aktivistëve. Por kjo duket se është vetëm njëra anë e medaljes, e cila ka marrë vëmendjen publike, ndërkohë që rezulton se ndërhyrja në këtë godinë është bërë me një akt të pavlefshëm, pasi vendimi i Këshillit Bashkiak për shembjen e saj, nuk ka hyrë ende në fuqi. Po ashtu, vendimi është marrë pa konsultim publik.

Protestë, jo vetëm për teatrin

Qytetarë nga Tirana, por dhe nga shumë qytete të tjera, të mbështetur nga artistë, aktivistë, por dhe forcat politike, u mblodhën për të protestuar për shembjen e godinës së Teatrit Kombëtar. Qindra veta u mblodhën para pedonales së Tiranës, pranë Ministrisë së Brendshme, vetëm disa metra larg godinës së rrafshuar të Teatrit Kombëtar, i cili ishte rrethuar nga dhjetëra punonjës policie. Protesta e thirrur nga grupi i artistëve që kundërshtuan shembjen e Teatrit Kombëtar zgjati rreth dy orë e gjysmë, ndërsa në podiumin e improvizuar, folën aktorë dhe aktivistë.

Artistët deklaruan se do të vijojnë qëndresën dhe protestat, ndërsa regjisori Edmond Budina në fund të fjalimit njoftoi se protesta e radhës do të zhvillohet ditën e mërkurë në orën 17:30 duke e lënë pushim të martën për shkak të natës së Kadrit për besimtarët myslimanë.

Gjatë tubimit nuk munguan edhe incidentet e vogla me hedhjen e shashkave që sollën lëndimin e një tubuesi. Qytetarët kishin ardhur nga zona të ndryshme, ku nuk mungoi dhe një qytetar nga Greqia.

Unë kam ardhur direkt nga Greqia, vetëm për këtë protestë kam ardhur”, u shpreh një qytet për Portën Vendore, i cili deklaroi se ai nuk ka ardhur thjesht për Teatrin Kombëtar, por dhe për të shprehur zemërimin për politikat e ndjekura për emigrantët.

Kur mori pushtetin erdhi dhe na tha se ‘të gjithë emigrantët do të kenë konsullatën, do të ketë pasaportën atje, nuk do keni nevojë të vini në Shqipëri’, por asgjë. Para një muaji kam qenë këtu, i kam dërguar SMS se jam pa bukë dhe pa ujë, por nuk mora asnjë përgjigje. Goditjen më të madhe ka për të marrë nga emigrantët. Polici i Kapshticës nuk vinte vulën në pasaportë se thoshte do të shkosh në miting”, u shpreh i irrituar emigranti.

Por veç tij, kishte dhe nga ata qytetarë që ishin bashkuar thjesht për mbështetje ndaj artistëve. “Kam dalë për protestën, për teatrin. Jam gocë qytetare, kam vite. Ai teatër ishte tamam si muzeum, pse duhet ta prishte. Të bënte një teatër tjetër, pastaj të vepronte. Edhe ajo që është më e turpshmja, ndërhyrja në 4 të mëngjesit. Nuk kishte bërë vaki. Dhe pse?! Për të prishur Teatrin. Edhe serbi nuk e ka bërë që të tërhiqte femrat zvarrë. Ai, Erion Veliaj të vijë të rregullojë rrugët, jo të merret me teatrin, se ai teatër ka nxjerrë aktorët më të mirë. Ishte tamam si muzeum. Ai e shembi, ai ta rregullojë sërish teatrin”, tha Drita, një qytetare rreth 70-ve, që i ishte bashkuar protestës.

Por kishte dhe nga ata qytetarë, që iu bashkuan protestës vetëm për kuriozitet. “Unë kam ardhur për të parë”, iu përgjigj shkurt Portës Vendore një zonjë, e cila ishte gjithë sy e veshë nga podiumi që po ngrihej nga artistët.

Ndërsa aktorja Juli Emiri, e cila ka qenë në tarracën e teatrit bashkë me kolegun e saj, Neritan Licaj, kur zbarkuan fadromat, ka pasur vetëm një mesazh për punonjësit e policisë që ndërhynë për shembjen e teatrit. “Për ata policë që s’janë policë por janë bandë, ndryshojnë numrat dhe fytyrat. Pa e kontrolluar godinën kanë sjellë fadromat. Kam qenë në tarracë kur erdhën 30 forca speciale. Tetari ishte në errësirë, i thashë që ka akoma njerëz brenda, por efektivi i policisë mu përgjigj ‘aty le të rrinë’. Kanë tentuar të na vrasin”, tha ajo.

Ndërsa Xhevdeti, i ardhur nga Durrësi shprehet se i është bashkuar protestës, pasi nuk duron dot më, teksa shkak për këtë revoltë të tij ka qenë teatri. “Kam ardhur se jam kundër prishjes që ka bërë Edi Rama. Në një kohë që ne jemi në kohën koronavirusit, që na kushtëzon nga shumë të drejta, ai ku e gjeti të drejtën për të prishur atë. Apo thjesht për të përfituar nga situata se nuk mund të dalin njerëzit në protestë. Njerëzve u ka ardhur aty ku nuk mban më dhe nuk pyesin as për koronavirusin dhe as për Ramën që është virus më i rrezikshëm se Covidi. Pse nuk priti dialogun ai. I thanë edhe shtetet e huaja, me dialog. Britania e Madhe erdhi dhe i tha, por ky është njeri i çmendur. Vjet prishi kodrën, tani prishi qendrën, se do ta hajë dhe këtë vend ai”, u shpreh Xhevdeti për Portën Vendore.

Njerëzit në protestë, bashkia flet për projektin e ri

Vetëm pak orë para se njerëzit të mblidheshin në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ende pa u qetësuar gjakrat për shembjen e godinës së Teatrit Kombëtar, Bashkia e Tiranës prezantoi projektin për godinën e re të teatrit. Vetë kryebashkiaku Veliaj në një komunikim publik mbrojti idenë se ndërhyrja ishte e drejtë dhe se teatri i ri do të jetë trefishi i teatrit ekzistues, që do të financohet me kredi.

Në terma të përgjithshëm bëhet fjalë për një tetar 8930 m2, pra janë trefish krahasuar me ekzistuesin dhe gjashtëfish nga ajo që ishte në hipotekë. 8930 metra do të bëhet. I vjetri në hipotekë pa shtesat ishte vetëm 1250 metra. Pra, metrat për teatrin e ri janë trefish me ekzistuesin dhe gjashtëfish krahasuar me çfarë realisht ishte në hipotekë. Do të kemi 4 auditorë; auditori kryesor me 650 vende; Black Box me 150 vende; Black box tjetër me 350 vende dhe kinema verore me 380 vende”, deklaroi Veliaj, duke prezantuar projektin për Teatrin e ri Kombëtar.

Sipas projektit, auditori kryesor i teatrit të ri me 650 vende, do të jetë në një hapësirë prej 750 metrash katrorë, ndërkohë që vetëm skena do të jetë 630 metra katrorë, e përshtatshme për të gjithë veprat artistike. “Ky projekt plotëson edhe ëndrrën e kahershme të aktorëve për ambiente ndihmësve. Në vend të kutive prej kartoni apo dollapëve plot myk, në dispozicion të aktorëve si ambiente ndihmëse do të jenë 520 metra katrorë, ndërkohë që 1795 metra katrorë do të shërbejnë si ambiente ndihmëse për skenën”, shpjegoi Kryetari i Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj.

Teatri është konceptuar të jetë edhe si zemra kulturore e Tiranës. Godina e projektit ofron edhe dy salla Black Box me 150 vende dhe 350 vende duke i dhënë shansin grupeve të ndryshme artistike, mes tyre edhe të rinjve, që të ngjisin në skenë veprat e tyre. Teatri do të ketë edhe një auditor të hapur në tarracë për në pranverë dhe verë me 380 vende, duke krijuar një hapësirë unike në qytetin e Tiranës, me të gjitha kushtet e nevojshme për realizimin e shfaqjeve teatrore.

Po ashtu, godina e re do të ketë edhe depo për ruajtjen brenda të gjithë standardeve të materialeve të Teatrit, zyra administrative, hapësira teknike etj. Teatri do të ketë të inkorporuar edhe një hapësirë publike, ku do të jetë recepsioni për të dhënë informacione për artdashësit, ambiente të tjera ndihmëse, si dhe katering që mund të shfrytëzohet nga aktorët gjatë provave apo publiku para apo pas shfaqjeve që do të jepen. “Kur dikush tha pse do të ketë lokal, kur teatri aktual kishte 8 lokale, ishte pjesa më aktive, që e përdornin për kafe dhe raki ngrehinën e deri djeshme”, tha Veliaj. Kryebashkiaku shpjegoi se me çfarë financimi do të ndërtohet Teatri i ri Kombëtar. “Nuk i kemi lekët, por Teatrin do ta bëjmë me paratë e bankës. Ne marrim kredi nga BERZH-i dhe banka të tjera. Është praktikë normale. Po e bëjmë vetë, qeveria i jep bashkisë garanci sovrane dhe ne e marrim nga bankat dhe e bëjmë vetë. Besoj që në këto tre muaj do të punojmë me dy ekipe, ekipi financiar, që negocion kredinë dhe ai teknik për detajimin e projektit. Teksa shkojmë drejt detajimit, kemi mundësi që të bashkëpunojmë të gjithë për të hapur themelet brenda këtij viti”, tha ai.

Si u “gatua” shembja e teatrit dhe vendimi nul

Por çështja mbetet te shembja e Teatrit Kombëtar dhe veprimet e dyshimta të kryera nga Bashkia e Tiranës, e cila pretendon se ka zbatuar vendimin e këshillit bashkiak, një vendim që në dukje është përgatitur që në muajin qershor, kur ende mendohej se opozita do të merrte pjesë në zgjedhje dhe që duhej dhe vota e tyre për të miratuar vendimin në këshill bashkiak.

Bashkia e Tiranës, ende nuk ka publikuar procedurën sesi është marrë vendimi nr. 50 datë 14.05.2020 për shembjen e godinës së Teatrit Kombëtar, i cili u mor në fshehtësi të plotë. Porta Vendore, e cila ka ndjekur këtë çështje ka hulumtuar dhe më tej sesi Bashkia Tiranë erdhi deri te ky vendim. Sipas ligjit për vetëqeverisjen vendore, vendimi për shembjen e Teatrit Kombëtar dhe ndërtimin e teatrit të ri, parashikohet në nenin 54, pika e. Në këtë pikë deklarohet se “Këshilli bashkiak miraton tjetërsimin ose dhënien në përdorim të pronave të tretëve”. Por për të marrë një vendim të tillë, në nenin 55, pika 4, deklarohet se “Vendimet merren me jo më pak se tre të pestat e numrit të përgjithshëm të anëtarëve të këshillit për rastin e parashikuar në shkronjën “e”, të nenit 54, të këtij ligji”. Pra, sipas ligjit, këshillit bashkiak i duheshin 3/5 e votave për të miratuar vendimin për Teatrin Kombëtar.

Por çfarë ka ndodhur. Në muajin qershor 2019, ky ligj është ndryshuar nga Kuvendi i Shqipërisë dhe nuk është kundërshtuar nga askush, duke kaluar në heshtje. Me ligjin e miratuar në qershor 2019, në ligj është shtuar pika e/1 e nenit 54, në të cilin cilësohet bashkëpunimi me subjektet private. Ndërkohë, pika e/1 është vendosur me ligj që miratohet me shumicë të thjeshtë në këshillin bashkiak dhe jo me 3/5 e votave, duke shmangur kështu ndonjë ngërç të mundshëm në rast se opozita do të vendoste të merrte pjesë në zgjedhje. Sipas ekspertëve, ky nen bllokonte bashkinë që të merrte një vendim të tillë për Teatrin Kombëtar, pasi ai të kalonte nga qeveria në pronësi të saj.

Kjo procedurë i hapi rrugën Këshillit Bashkiak të Tiranës të merrte vendimin për shembjen e godinës së Teatrit Kombëtar. Por këtu rezulton se nuk është respektuar një tjetër pikë e nenit 55 të ligjit për vetëqeverisjen vendore. Konkretisht në pikën 6 të nenit 55 deklarohet se “Aktet e këshillit shpallen brenda 10 ditëve nga data e miratimit të tyre dhe hyjnë në fuqi 10 ditë pas shpalljes. Aktet me karakter individual hyjnë në fuqi në datën e njoftimit të tyre subjekteve që përfshihen në to”.

Porta Vendore kontaktoi me ekspertë të pushtetit vendor mbi këtë çështje, duke zbërthyer këtë nen që nxjerr të pavlefshëm aktin mbi të cilin ka vepruar Bashkia Tiranë për shembjen e Teatrit Kombëtar. Në pikën e lartpërmendur deklarohet qartë se aktet e këshillit bashkiak hyjnë në fuqi 10 ditë pas shpalljes, por kjo nuk vlen për aktet me karakter individual, pasi ato hyjnë në fuqi në datën e njoftimit.

Vendimi për shembjen e teatrit u shpall më 14 maj dhe pyetja që lind është nëse ky akt është me karakter individual apo kolegjial, për të kuptuar nëse Teatri mund të shembej brenda 3 ditësh, siç ndodhi, apo duheshin pritur të paktën 10 ditë. Sipas Kodit të Procedurës Administrative, “Akti administrativ individual është çdo shprehje e vullnetit nga organi publik, në ushtrimin e funksionit të tij publik, kundrejt një apo më shumë subjektesh të përcaktuara individualisht të së drejtës, i cili krijon, ndryshon ose shuan një marrëdhënie juridike konkrete” (neni 3 pika 1 shkronja “a” K.PR. Adm.)

Ndërsa “Akti administrativ kolektiv është një shprehje e vullnetit nga organi publik, në ushtrimin e funksionit të tij publik, që i drejtohet një grupi subjektesh, anëtarët e të cilit janë të përcaktuar individualisht ose mund të përcaktohen individualisht mbi bazën e karakteristikave të përgjithshme, i cili krijon, ndryshon ose shuan një marrëdhënie juridike konkrete” (neni 3 pika 1 shkronja “b”). Siç del qartë dhe në Kodin e Procedurës Administrative, vendimi për shembjen e teatrit është një akt kolektiv, pasi i drejtohet një grupi subjektesh, pra jo subjekteve të përcaktuara individualisht. Pra, vendimi për shembjen e teatrit do të hynte në fuqi 10 ditë pas shpalljes së tij, pra në datë 24 Maj 2020, dhe cdo veprim per ekzekutimin e tij para këtij afati, cilësohet nga ekspertet akt nul.

Eksperti: Shembja e Teatrit, vendim i nxituar

Ky konstatim mbështetet dhe nga eksperti i qeverisjes dhe politikave vendore, Agron Haxhimali. Në një komunikim me Portën Vendore, deklaroi se e shikon veprimin e Bashkisë Tiranë me keqardhje shumë të madhe. “Është një veprim i nxituar. Lidershipi i bashkisë nuk duhet të pranonte këtë ‘dhuratë’ nga qeveria qendrore. Bashkia Tiranë kishte të gjitha mundësitë që t’i jepte zgjidhje tjetër kësaj çështje. Më shumë se veprimi i Kryetarit, qytetarët duhet të jenë të zhgënjyer nga veprimi i 61 burrave dhe grave, anëtare të atij këshilli që tradhtuan ato pak vota të qytetarëve që iu kanë besuar. Këshillimi me publikun edhe kur të kundërshtojnë, pjesëmarrja e publikut në vendimmarrje dhe transparenca do të bënin bashkinë shumë më të shëndetshme dhe llogaridhënëse”, deklaroi Haxhimali.

Duke vënë theksin te transparenca, eksperti i qeverisjes dhe politikave vendore vë në dukje se ligji për vetëqeverisjen vendore ka përcaktuar në nene të veçanta procedurën e organizimit të një mbledhjeje të këshillit Bashkiak. “Në nenin 17 deklarohet se mbledhjet e këshillit të bashkisë janë të hapura për publikun. Çdo shtetas lejohet të ndjekë mbledhjet e këshillit, sipas mënyrës së përcaktuar në rregulloren e këshillit. Edhe në kushtet e kufizimit dhe masave Covid 19, takimi konsiderohej i hapur edhe online. Sot teknologjia e mundësonte një proces të hapur madje dhe interaktiv dhe me record on. Kjo do ndihmonte shumë bashkinë për të shmangur çdo interpretim dhe do tregohej që bashkia ishte e hapur”, shprehet Agron Haxhimali, duke shtuar se “inkurajoj artistët dhe qytetarët e Tiranës të ushtrojnë të drejtën e tyre për informim sipas Ligjit 119/2014, neni 2, i cili parashikon të drejtën për tu njohur me procesverbalin e mbledhjes së këshillit, pjesëmarrjen dhe votimin”.

Gjithashtu një tjetër nen i shkelur në Ligjin e Vetëqeverisjes është ai për konsultimin publik i cili nuk është kryer nga Bashkia Tiranë. Neni 18 i këtij ligji specifikon qartë se:

Këshilli bashkiak ose këshilli i qarkut, përpara shqyrtimit dhe miratimit të akteve, zhvillon seanca këshillimi me bashkësinë, të cilat janë të detyrueshme për rastet e parashikuara në nenet 54, shkronjat “a”, “dh”, “e”, “f” dhe “k”, dhe 77, shkronjat “a”, “dh”, “e”, “f” dhe “k”, të këtij ligji.

Ndërsa për afatin 10 ditor, Haxhimali shprehet se pikërisht kjo periudhë do të shërbente dhe për monitorim. “Sipas nenit 55, pika 6, aktet e këshillit shpallen brenda 10 ditëve nga data e miratimit të tyre dhe hyjnë në fuqi 10 ditë pas shpalljes. Me 10-ditëshin e parë është korrekt. Ndërsa nuk është korrekt ta zbatojë pa mbushur 10 ditë. Është kjo periudhë që nevojitet që të kemi një monitorim, vlerësim, korrektim të aktit dhe çdo burokraci që në fund të kemi një dokument të maturuar nga çdo pikëpamje. Do gjykoja që rasti i shembjes kërkonte që bashkia të ishte më e ndjeshme dhe të mbante parasysh këto nene që imponojnë këshillime para miratimit të aktit për shembje. Bashkia do fitonte më shumë nëse do i dëgjonte mendimet e anëtarëve edhe për kohën e shembjes”, shprehet eksperti Haxhimali.

I pyetur se çfarë procedurash të tjera janë shkelur nga Bashkia e Tiranës me këtë veprim, Haxhimali përmend dhe nenin 53 për funksionimin e këshillit bashkiak. “Thirrja për mbledhjen e këshillit bëhet nga kryetari i këshillit dhe njoftimi për mbledhjen bëhet, si rregull, jo më pak se 5 ditë para datës së zhvillimit të saj. Njoftimi përmban datën e mbledhjes, orën, vendin dhe rendin e ditës. Ligjvënësi i ka menduar mirë këto detaje. Çdo pasaktësi përbën shkelje ligjore. Dhe çdo afat apo njoftim duhet të protokollohet dhe t’i vihet në dispozicion të interesuarve për vërtetësi. Pra duhen 5 ditë dhe jo më pak. Mbledhjet e këshillit pasqyrohen në procesverbalin e mbledhjes. Mënyra e mbajtjes së procesverbalit dhe e vërtetimit të tij përcaktohen sipas legjislacionit në fuqi. Siç thashë më sipër, qoftë takim online apo jo, në të dy rastet duhen rekordet të jenë të depozituara”, përfundon ai.

Në kallëzimin te SPAK, edhe afati 10 ditor

Shkelja e nenit 55 për afatin e hyrjes në fuqi të vendimit të këshillit bashkiak Tiranë është parashtruar dhe në kallëzimin e bërë nga Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit, e cila është depozituar pranë Prokurorisë Speciale SPAK, bashkë me disa shkelje të tjera të pretenduara prej tyre për shembjen e godinës. “Edhe shkelja e këtij neni është depozituar me kallëzimin e bërë pranë prokurorisë. Por tashmë presim vendimin e prokurorisë mbi veprimet e marra nga Bashkia e Tiranës”, deklaroi në një prononcim për Portën Vendore Adriatik Lapaj, avokati i Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit.

Po ashtu, Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit ka evidentuar në kallëzimin pranë prokurorisë dhe faktin se inxhinierët, të cilët kanë përgatitur vlerësimin teknik të gjendjes së godinës, se nuk kanë qenë të pranishëm në godinë dhe i ka kallëzuar për “shpërdorim detyre”. Një tjetër fakt i kallëzuar nga AMT është VKM për kalimin në pronësi të Bashkisë Tiranë, pasi sipas tyre vjen në kundërshtim me nenin 116 të Kushtetutës që përcakton hierarkinë e normave juridike.

Tashmë që Teatri Kombëtar është shembur duket se shpresa e vetme për artistët dhe aktivistët që e kundërshtuan është te hetimet e prokurorisë për shkeljet e konstatuara në këtë proces.

previous arrow
auto_proteste1589819_SAnWm
protesta_per_teatrin_58sJC
protesta per teatrin (1)(1)
protesta_per_teatrin_VHtWl
protesta_per_teatrin_qIfVB
protesta_per_teatrin_pweWV
protesta_per_teatrin_eCBv9
protesta_per_teatrin_B1CJF
protesta_per_teatrin_adJzM
protesta_per_teatrin_4eGn1
next arrow