19 maj 2020/ Porta Vendore/ Tiranë
Në gjithë vendin maturantët i janë rikthyer dje procesit të përgatitjes për provimet e maturës. Nga 31 mijë maturantë, 1500 prej tyre kanë preferuar të mos rikthehen në bankat e shkollës, por të punojnë individualisht dhe shkak është bërë frika nga përhapja e Covid 19.
Pas më shumë se 2 muajsh në karantinë, 500 institucione parauniversitare rinisën rrugëtimin e tyre me klasat e 12-ta, ku në 3 javë maturantët do t’i përkushtohen përsëritjes së lëndëve për 4 provimet kryesore.
“Nuk e kisha menduar që do ta zhvilloja mësimin në këtë mënyrë me maskë dhe doreza. Nuk e kishte menduar në fakt asnjëri nga ne besoj. Është pak e çuditshme të jesh maturant në këto kohë pandemie. Nuk mendoj se do dalim keq në provime përkundrazi unë së bashku me një grup nxënësish të tjerë nga klasa edhe gjatë kohës së karantinës kemi krijuar një grup të përbashkët ku ushtronim veten për pyetjet që mund të na bien në provime. Mendoj se ai maturant që ka qenë konsistent do t’ia dalë të shkëlqejë me rezultatet”, tha një maturante e gjimnazit “Ismail Qemali”, teksa bëhet gati për të hyrë në shkollë.
E pajisur me maskë mbrojtëse dhe doreza, ajo në fakt aspiron të ndjekë mjekësinë në Gjermani, dhe tregon që për të bërë realitet këtë ëndërr ajo ka kohë që ndjek gjuhën gjermane.
“Ëndërroj që të fitoj një bursë studimi jashtë sepse duke pasur rezultate të larta, ashtu siç thonë edhe prindërit, nuk dua që të humbas kot në Shqipëri. Për realizimin e kësaj ëndrre kam kohë që punoj, ndaj do të doja shumë që vërtetë ta finalizoja me sukses”, përfundon ajo.
Ashtu siç edhe Ministrja e Arsimit Besa Shahini ka artikuluar në daljet e saj publike, maturantët do të testohen në 4 provimet e maturës shtetërore vetëm për njohuritë e marra para datës 9 mars.
Shkollat siç edhe pritej janë kujdesuar për marrjen e të gjitha masave për distancimin fizik dhe social, ku nuk lejohen më shumë se 15 maturantë në një klasë, madje për realizimin në mënyrë të përpiktë të protokollit të masave kundra përhapjes së Covid 19, gjimnazistëve i janë vënë në dispozicion edhe ambiente të shkollave 9 vjeçare.
Elisabeta Filaj, Presidente e Shkollës “Sami Frashëri” u shpreh për Portën Vendore se rikthimi në shkollë për maturantë është një sfidë më vete.
“Të jesh maturant besoj se pavarësisht situatave gjithmonë do ndiesh pasiguri dhe emocione për tu përballuar me provimet. Fakti që jemi maturantë në një kohë pandemie, normalisht e shton shqetësimin tonë dhe nuk na lejon ta mbajmë fokusin vetëm te provimet”, tregon Elisabeta.
Pas shembjes së gjimnazit “Sami Frashëri” mësimi po zhvillohet në dy shkolla 9-vjecare; “Fan Noli” dhe “4 Dëshmorët”.
“Përpos mësimeve dhe njohurive që duhet të marrim, njëkohësisht duhet të kujdesemi në mënyrë të vazhdueshme edhe për shëndetin tonë. Kjo e shton edhe më tepër përgjegjësinë dhe detyrimin tonë si nxënës dhe qytetarë. Sa i përket mundësive të tilla, si mbyllja apo humbja e vitit, unë personalisht i kam konsideruar gjithmonë si skenarë absolutisht të padrejtë, por edhe të pamundur. Isha e sigurt që diçka e tillë nuk mund të ndodhte pa miratimin e nxënësve”, thotë ajo, ndërsa shton se masat janë të rrepta në mjediset e shkollës.
“Nxënësit janë të pajisur të gjithë me maska dhe doreza në mjediset e jashtme të shkollës, por edhe në klasa. Dezinfektojnë shpesh duart dhe mjediset ku qëndrojnë, por e vështirë është të ruash distancën e përcaktuar. Megjithatë, pavarësisht masave të cilat i shoh si të mjaftueshme sërish mendoj se shkolla është një terren i prekshëm nga Covid-19 dhe kujdesi e vigjilenca e gjithsecilit duhet të jetë maksimale”, tha Filaj.
Si shumëkush tjetër, rezultatet e të cilëve kanë shkëlqyer gjatë të gjithë viteve shkollore edhe ajo mendon se me anë të punës dhe përsëritjes së vazhdueshme të njohurive vështirësitë zvogëlohen për maturantët, por megjithatë Elisabeta në rolin e presidentes së gjimnazit “Sami Frashëri” rrëfen se kjo nuk do të jetë e njëjtë për të gjithë maturantët.
“Një vit aspak i zakonshëm si ky, kuptohet që nuk do të ketë rezultatet e dëshiruara. Pavarësisht gjithë lehtësimeve që mund të bëhen , sërish mendoj se rezultatet e nxjerra nga ky vit nuk mund të quhen sukses,(të paktën për ne, maturantët)”, tha ajo.
Sa i përket nxënies së njohurive gjatë këtyre 70 ditëve në karantinë ku të gjithë nxënësit ishin në procesin online të studimit, ajo tregon për Portën Vendore anët pozitive dhe negative.
“Nuk e konsideroj kurrsesi një minus. Sigurisht, as ndonjë sukses në marrjen apo përvetësimin e njohurive tona dhe mendoj se nuk ngjason aspak me mësimin e zhvilluar në bankat e shkollës. Por na shërbeu. Na shërbeu të qëndronim në kontakt me mësuesit, na shërbeu të mos shkëputeshim plotësisht nga shkolla, na shërbeu të na mbante të angazhuar dhe të shëndetshëm mendërisht”, rrëfen ajo.
Aspirata e saj për universitet është të vazhdojë studimet në Fakultetin e Drejtësisë dhe të mbarojë shkollën e Magjistraturës.
Porta Vendore kërkoi nga dy gjimnazet në kryeqytet që të shikonte nga afër zbatimin e protokolleve të sigurisë të marra nga shkollat për mospërhapjen e Covid-19, por as shkolla “Petro Nini” dhe as “Ismail Qemali” nuk e lejuan një gjë të tillë, me pretendimin se leja jepet nga Ministria e Arsimit.
Porta Vendore kontaktoi me përfaqësues të MAS për këtë leje, por edhe aty mori refuzim. “Nuk lejohen vizitat brenda orarit mësimor. Kjo ndodh për disa arsye; së pari sepse nuk duam që maturantët të kenë kontakte me të tretë. Së dyti, duam që pas asaj karantine 2 mujore, pra që zgjati jo pak, maturantëve të mos i shkaktojmë stres”, tha zyrtari i këtij institucioni, duke shtuar se ne nuk ishim as të parët e as të fundit që dje në ditën e parë të rikthimit në shkollë, kërkonim një lejë të tillë.
Gjithashtu Porta Vendore pyeti gjithashtu përfaqësuesit e këtij institucioni për masat e marra nga drejtoritë e shkollave, respektimin e protokollit dhe mbarëvajtjen e procesit mësimor.
“Godinat për të pritur nxënësit u sistemuan duke respektuar gjithë protokollet shëndetësore të miratuara në Ministria e Shëndetësisë, në funksion të evitimit të çdo rreziku të mundshëm infektimi. Në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë është caktuar në çdo shkollë nga 1 personel shëndetësor, në gatishmëri të plotë për të monitoruar gjendjen shëndetësore të nxënësve dhe stafit. Çdo shkollë është pajisur me termometër digjital dhe një person i caktuar ka matur temperaturën e çdo personi që hyn në shkollë. Janë marrë masat që çdo person që do të hyjë në shkollë të jetë i pajisur me mjete dezinfektuese më bazë alkooli si dhe të jenë të pajisur me doreza dhe maska, si dhe materiale dezinfektuese për mjediset e përbashkëta”, tha Fiqiri Çifliku nga Drejtoria e Përgjithshme e Arsimit Parauniversitar në Ministrinë e Arsimit.
Të gjithë ZVAP-të dhe drejtoritë e shkollave kanë hartuar planin e masave për COVID-19. Ndërkohë, dezinfektimi i ambienteve është kryer nga bashkitë përkatëse.
“Mjediset e brendshme e të jashtme si dhe të gjitha klasat në institucionet mësimore kanë sistemuar bankat në 2 m largësi, duke vendosur numrat në secilën bankë për të gjithë maturantët, janë vendosur listat emërore të të gjithë maturantëve në derën e shkollës dhe në çdo derë klase, lista emërore e maturanteve sipas lëndëve me zgjedhje dhe gjuhës së huaj. Janë vendosur postera për informimin e maturantëve për rregullat e mbrojtjes nga COVID-19 sipas OBSH-së. Hyrja është e disiplinuar dhe maturantët ruajnë distancë në hyrje jo më pak se 2 m largësi”, shtoi më tej për Portën Vendore, Fiqiri Çifliku nga Drejtoria e Përgjithshme e Arsimit Parauniversitar në Ministrinë e Arsimit, duke theksuar se vendimi i rikthimit të maturantëve në shkolla është marrë nga komitetit i ekspertëve pas vlerësimeve që kanë bërë në lidhje me situatën e përhapjes apo virulencën e Covid-19.
“Fakti që në ditë e parë frekuentimi ka qenë shumë i lartë nga maturantët dhe stafet tregon se kjo gjë është kaluar me sukses”, tha Çifliku.
Por çfarë vlerësojnë ekspertët e arsimit për rikthimin në shkollë në këto kushte. Ndriçim Mehmeti tha për Portën Vendore se rikthimi i maturantëve në bankat e shkollës është “shpëtim” për vitin e maturantëve.
“Është një rikthim për të ‘të shpëtuar’ vitin për maturantët, kur kanë humbur më shumë se 14 javë shkollë. Gjithsesi, rikthimi i tyre do të shfaqë probleme sepse një pjesë e maturantëve që janë në zonat rurale apo në periferi, nuk kanë mundësi dhe mjete transporti që të lëvizin. Pra atyre do t’iu pamundësohet që të vijojnë rregullisht mësimin. Kjo është një shkelje e pastër e të drejtës për arsimim të shtetasve shqiptarë, sanksionuar në nenin 57 të kushtetutës si dhe të konventave për mbrojtjen e fëmijës”, sqaron eksperti Mehmeti duke shtuar se :“Përsëritja e vitit, mund të kishte një kosto të madhe dhe nuk do të gjente aprovimin e prindërve. Por duhet të mendohej shumë më përpara sesi do të bëhej rikthimi, mundësia që TV Shqiptar të ishte me më shumë kanale në ndihmë të maturantëve”.
Por ndryshe nga gjykimi që ka MAS për masat e marra nga shkollat, Mehmeti tregon pamjaftueshmërinë e tyre për maturantët dhe rrezikun që i kanoset nxënësve duke frekuentuar këto ambiente.
“Nuk kemi një raport të institucioneve përkatëse në lidhje me higjienën e shkollave. Ka shumë shkolla që nuk kanë ujë të rrjedhshëm për 24 orë. Po ashtu jemi në një periudhë shumë të nxehtë dhe nuk dihet sesi do ta përballojnë nxënësit. Atyre nuk u lejohet ushqimi etj. Nuk jemi të sigurt sa i takon procesit të higjienizimit, që duhet të ishte pjesë e punës së bashkive në vend. Pra ka shumë arsye të besojmë se mund të rrezikohemi nga kushte e higjienës në shkollë dhe në mjedisin rreth saj. Mbyllja e dyerve ndaj mediave dhe prindërve për të parë kushtet lë shumë për të dëshiruar. E ripërsëris. Dje në shkolla duhet të ishin inspektorët e higjienës dhe jo të Zyrave Vendore të Arsimit Parauniversitar. Asnjë prej autoriteteve arsimore nuk është në gjendje të gjykojë për vlefshmërinë e masave higjienike, prandaj po i fshihet mediave situata reale në shkolla”, thotë me tone kritike eksperti i arsimit.
Ndërsa Ministria e Arsimit lidhur me këtë çështje thotë se po raportohet në kohë reale për çdo problematikë që lind.
“Ditën e djeshme çdo punonjës i strukturës ka qenë në terren për monitorim të procesit dhe na rezulton se nuk ka pasur asnjë problem. Sigurisht nëse do konstatohen raste të mos respektimit të protokolleve do të ketë edhe masa proporcionale në varësi të shkeljes së konstatuar rast pas rasti ,për stafin apo për nxënësit maturantë ,masa të përcaktuara në rregulloren e Institucioneve Arsimore”, tha zyrtari i MAS.
Por ajo që i shqetëson prindërit, maturantët dhe ekspertët e arsimit në gjithë këtë situatë janë notat, rezultatet e 4 provimeve të maturës që do të shënjojnë të ardhmen e gjithsecilit prej maturantëve.
“Kam dyshime të forta se në këtë situatë do të përfitojnë nxënësit me arritje të ulëta dhe do të ndëshkohen nxënësit me arritje të larta në mësime. Por gjithsesi kjo mbetet për tu parë. Mënyra e testimit ka shumë pak rëndësi në krahasim me sa dhe si do të mund të rikuperojnë maturantët kohën e humbur prej kaq javësh në izolim për shkaka të Covid-19, të supozuar se do të bënte namin në vendin tonë. Në fund të fundit do të ketë probleme shumë të mëdha që do të shoqërojnë maturantë në universitete për shkak të dijeve të munguara. Po ashtu një problem i madh mbeten shkollat profesionale dhe diplomimi i tyre, kur një nga lëndët është teori dhe praktika profesionale”, sqaron ai për Portën Vendore.