Vëzhgim/Analizë

Dilemat e rikthimit në çerdhe e kopshte, ekspertët: Të ofrohet besim

18 maj 2020/ Ola Mitre/ Porta Vendore/ Tiranë

Ministria e Shëndetësisë po planifikon hapjen e çerdheve dhe kopshteve në datën 1 qershor, por një pjesë e prindërve ndjehen të pasigurt të dërgojnë fëmijët në këto institucione. Frika ekziston edhe te prindërit që janë të detyruar të punojnë, ndërkohë që ekspertët kërkojnë ofrimin e besimit nga ana e institucioneve shtetërore.

Enkelejda, një pedagoge që punon në një universitet privat po pret me padurim hapjen e kopshtit, që aktualisht është i mbyllur për shkak të epidemisë së shkaktuar nga Covid 19. “Nga data 11 maj unë kam nisur punën rregullisht, kemi studentët e viteve të fundit dhe ata që vazhdojnë programin master. Nuk ka asnjë koleg që mund të më zëvendësojë, ndaj e kam të vështirë të gjej një zgjidhje për vajzën. Kam edhe një fëmijë tjetër 10 muajsh”, thotë Enkeljeda për “Porta Vendore”. “Deri tani jemi rregulluar me bashkëshortin, por më tej do jetë e pamundur”, shton ajo. Për nënën e 2 fëmijëve, lajmi se institucionet e arsimit parashkollor mund të rihapen në datën 1 qershor është i mirëpritur, ndonëse frika nga COVID-19 është e pashmangshme. “Nëse hapet, patjetër që do e çoj. Frikë kemi, por jemi të detyruar për shkak të punës”, thotë ajo.

Enkelejda duke folur për Portën Vendore. Foto: Ola Mitre

Edhe Joana, nënë e dy fëmijëve thotë se “është pro një urdhri për hapjen e kopshteve”. “Do i dërgoj fëmijët, por patjetër duke u respektuar masat shëndetësore nga institucioni”, thotë Joana. “Kopshti ofron shumë për zhvillimin e çdo fëmije, që në shtëpi nuk është mundësia”, shton ajo. Bruna dhe Arbana janë gjithashtu 2 nëna që i kanë fëmijët në grupin e parë të kopshtit e që kanë vendosur të mos i mbajnë fëmijët në shtëpi, pavarësisht frikës. “Edhe fëmijët mezi po presin”, thonë njëzëri ato. Çerdhet dhe kopshtet u mbyllën menjëherë pas regjistrimit të rastit të parë me COVID-19 në vendin tonë, pra që në datën 9 mars, por të tjerë prindër thonë se pavarësisht vendimit që do të marrë qeveria, nuk do i dërgojnë fëmijët në institucionet arsimore. “Unë dhe bashkëshorti jemi në punë, por edhe nëse hapet çerdhja nuk do e çoj djalin. Kam frikë nga koronavirusi. Nëse hapen në 1 qershor do pres disa javë, të shohim si do shkojë e më pas do vendosim”, thotë Nevila, nënë e një djali 2-vjeçar që shkon në çerdhe. “Aktualisht djalin po na e mban vjehrra. Në fakt nuk është e lehtë sepse ajo është e moshuar dhe vuan nga disa sëmundje, por preferojmë këtë zgjidhje për momentin. Kemi frikë. . .”, shton ajo.

Nevila duke folur për Portën Vendore. Foto: Ola Mitre

Edhe Eri, babai i një djali 4-vjeçar thotë se kanë vendosur të mos e dërgojnë menjëherë në kopsht, por në varësi të situatës. “Si fillim do e mbajnë gjyshërit”, thotë ai.

Plani i ministrisë

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu ka deklaruar se nëse të dhënat do të jenë të qëndrueshme, bazuar në kriteret e përcaktuara nga Komiteti Teknik, nga data 1 qershor po planifikohet të lejohet hapja e çerdheve dhe e kopshteve publike dhe private. “Dëshiroj të ndalem këtu, duke theksuar nevojën e një vlerësimi të thellë dhe shumë të kujdesshëm të kushteve higjieno-sanitare për çdo strukturë të kopshteve dhe çerdheve dhe standardeve që duhet të plotësojnë për të mirëpritur fëmijët në këto institucione me rregullat e reja”, ka thënë Manastirliu.

Epidemiologu pranë Institutit të Shëndetit Publik, Alban Ylli shpjegon se “në strategjinë e rihapjes është menduar që më prioritare për rihapjen janë institucionet e  arsimit parashkollor për shkak të nivelit më të ulët të riskut që ekziston te këto mosha”. “Ne e dimë që risku nuk është ‘zero’ te fëmijët parashkollorë, por gjithsesi ai është më i ulëti i mundshëm dhe nëse do duhet t’ia fillonim nga diku, kjo kategori duhej të ishte e para. Kjo është arsyeja përse është vendosur ky lloj aktiviteti ndër të parët”, shprehet Ylli për Porta Vendore. Paralelisht, Zhaneta Beqiri, drejtore e Qendrës Ekonomike të Zhvillimit dhe Edukimit të Fëmijës në Tiranë thotë se kërkesat e prindërve për hapjen e kopshteve dhe çerdheve janë të shumta. “Gjatë kësaj periudhe që ka nisur aplikimi i masave lehtësuese dhe prindërit po kthehen në punë, kërkesat e tyre te faqja ‘femijetetiranes.al’, në bashki dhe në ministri janë të shumta. Hapja nuk është vendimmarrje e jona, por ne jemi gjithmonë të gatshëm që të zbatojmë në mënyrë strikte çdo protokoll të Ministrisë së Shëndetësisë që do të garantonte shëndetin e fëmijëve në ambientet e çerdheve dhe të kopshteve”, thotë Beqiri për “Porta Vendore”. Sipas saj, Instituti i Shëndetit Publik ka kërkuar të shohë sesi e kemi ne rregulloren e pranimit dhe ky dikaster do të hartojë një protokoll, përsa i takon hapësirave apo nivelit të higjienës. “Nuk flasim vetëm për larjen apo pastrimin sepse larja, pastrimi, sistemim-gjelbërimi, dezinfektimi i depozitave bëhet gjatë gjithë kohës. Është ISHP që do të shprehet me një protokoll strikt për të garantuar shëndetin e fëmijëve”, shton më tej drejtorja.  Sipas Yllit, kryesisht protokollet për institucionet arsimore, konsistojnë në mbajtjen e distancës së arsyeshme për të minimizuar qarkullimin e infeksionit dhe në çështjet e higjienës dhe të dezinfektimit. “Në rastet e çerdheve dhe kopshteve, ku mundësia e ruajtjes së distancës është e vogël do të ketë një përgjegjësi më të madhe të edukatorëve të këtij cikli. Duhet të kuptojmë që nuk mundet të vazhdojë asnjë vend me masat e izolimit total. Risku ‘zero’ është i vështirë të garantohet, por minimizimi i riskut duket se është i sigurt në kushtet në të cilat jemi”, shprehet Ylli.

Edhe psikologët vlerësojnë  se data 1 qershor është e përshtatshme për të rinisur aktivitetin. “Besoj se ka ardhur koha për t’iu kthyer normalitetit. Duke vlerësuar rastet dhe rrezikshmërinë, patjetër që është një ekip që i merr vendimet , pra janë vendime të mirëmenduara, por edhe elementi i 1 Qershorit, një ditë simbolike besoj se do t’i ndihmonte fëmijët që të riktheheshin më lehtë: Le ta percetojnë si ditë feste”, thotë për “Porta Vendore” Valbona Treska, presidente e Urdhrit të Psikologut. “Por, edhe për nënat është një lehtësi për t’iu rikthyer punës”, shton ajo.

Frika për t’u rikthyer

Zhaneta Beqiri thotë se dezinfektimi i ambienteve duhet të përfundojë përpara nisjes së aktivitetit, në mënyrë që më pas vëmendja të shkojë të fëmijët. “Ne duam që  masat që merren brenda kuadrit tonë për higjienë maksimale dhe të jenë përfunduar para rikthimit, në mënyrë që kur të hapet shërbimi të fokusohemi vetëm tek fëmijët, sepse fëmijët e kanë shumë të vështirë përshtatjen. Janë 3 muaj shkëputje dhe do të duket si një rikthim në muajin shtator. E duam gjithë fokusin e edukatoreve, të stafit psiko-social, të drejtorisë, në ambientet e çerdheve dhe të kopshteve sepse rikthimi është shumë i vështirë”, shprehet Beqiri. Treska konfirmon se rikthimi i fëmijëve në kopsht do të jetë i vështirë, por sipas saj, problem janë edhe prindërit. “Ajo që unë shikoj si problem është frika e prindërve. Çfarë kemi komunikuar gjatë këtyre ditëve, janë prindër të cilët janë të frikësuar për t’i rikthyer fëmijët në kopshte apo çerdhe. Kjo është një situatë që ka një farë racionaliteti brenda, pra nuk është aspak e hiperbolizuar, duke qenë se jemi në kushte karantine prej 2 muajsh dhe e gjithë bota flet për këtë situatë”, thotë Treska. Po ashtu, sipas saj, vendi ynë ka pasur një mbivendosje të traumave. “Tërmeti dhe COVID-19 kanë qenë shumë afër me njëra-tjetrën. Vetë prindërit kanë qenë të ngarkuar me menaxhimin e situatave. Ndërkohë, tashmë nga jeta e mbyllur në karantinë duhet që t’i rikthehen normalitetit. Është proces adaptimi me një situatë të re: siç ishte proces futja në shtëpi, do jetë proces edhe dalja nga shtëpia. Të dyja marrin kohën e vet”, shton ajo.  Sipas epidemiologut Alban Ylli, hapja e çerdheve dhe kopshteve është një element thelbësor për rifillimin e punës. “Të gjithë prindërit që i kanë fëmijët e vegjël dhe duhet të punojnë e kanë të domosdoshme mbështetjen me këtë lloj shërbimi. Risku ‘zero’ nuk ka ekzistuar asnjëherë, por sërish njerëzit dilnin nga shtëpia dhe mund të çonin virusin te fëmijët e tyre. Por unë besoj se risku do të mbahet në nivele minimale gjatë periudhës së rihapjes”, thotë ai, duke shtuar se gjithsesi veprimtaria do të monitorohet për 2 javë, duke ndjekur nëse do të ketë ndonjë vatër apo incident dhe në dinamikë do të riadaptohet.

Institucionet duhet të japin besim

Sipas psikologes Treska, një nga mënyrat që do të ndihmonte prindërit të kalonin dilemën e ridërgimit të fëmijëve të kopshte e çerdhe është ofrimi i besimit nga ana e institucioneve shtetërore. “Qeveria duhet të bëjë shumë të qartë masat që ka ndërmarrë sepse ka të bëjë shumë sesa i sigurt ndjehet prindi në kushtet e çerdhes apo të kopshtit, sa do respektohen masat e sigurisë. Flas për dezinfektimin, për kontaktet fizike të fëmijëve, sepse është e pashmangshme që fëmijët të mos kenë kontakte fizike me njëri-tjetrin. Prandaj qeveria duhet ta qartësojë për çfarë masash bëhet fjalë, pasi kanë nevojë prindërit të marrin më shumë informacion lidhur me këtë situate”, thotë Treska. “Është e vështirë të japësh këshilla sepse emocionet dhe përjetimet janë nga më të ndryshmet nga njëri prind te tjetri dhe situatat familjare janë nga më të ndryshmet. Kemi prindër që kanë vazhduar punën, kemi dhe prindër që kanë qenë 2 muaj mbyllur. Ajo që them fort dhe që është edhe një nga udhëzimet që ka ardhur qysh në fillim nga Federata e Psikologëve është që duhet që specialistë të fushës të dalin e të flasin për situatën konkrete. Janë shumë më të besueshëm”, shton presidentja e Urdhrit të Psikologut, duke këshilluar dërgimin e fëmijëve në këto institucione dhe jo qëndrimin me gjyshërit. Në të njëjtën linjë është edhe Ylli. “Kontakti me gjyshërit është i pashmangshëm, por nuk mendoj se është zgjidhja më e mirë në këto momente. Nga pikëpamja epidemiologjike mund të ndjehen të rrezikuar nga kontakti i shpeshtë me fëmijët e tyre (jo me nipërit) dhe rreziku do të ishte më i lartë në kushtet e luajtjes së rolit të kujdestarit të fëmijës”, thotë ai. Sipas tij, prindërit do të duhet thjesht t’u japin këshilla fëmijëve të tyre sa të jetë e mundur dhe të bashkëpunojnë sa të jetë e mundur me edukatorët për respektimin e masave të arsyeshme të distancimit fizik dhe të higjienës. “Sa të jetë e mundur të minimizojnë kontaktin gjatë dhënies dhe marrjes së fëmijës me prindërit e tjerë, pra shmangien e grumbullimeve të panevojshme”, përfundon epidemiologu.