16 maj 2020/ Ola Mitre/ Porta Vendore/ Tiranë
Banorët e Tiranës përveç faturës zyrtare të UKT për ujin e pijshëm, paguajnë edhe një faturë shtesë, atë për blerjen e ujit që konsumojnë. Ndërkohë që, rreth 2 vjet e gjysmë nga miratimi i tarifave të rritura që do të shkonin për furnizmin 24 orë me ujë të pijshëm, investimi duket i largët, ndërsa afatet për arritjen e objektivit 5-vjeçar vihen në pikëpyetje.
Fitim Mandri, një banor i Laknasit në kryeqytet thotë se ndonëse në rubinetin e shtëpisë uji vjen disa orë, familja e tij nuk e konsumon. “Absolutisht nuk e pijmë. Është i ndotur, është i papijshëm”, thotë Fitimi për Portën Vendore. Ai jeton së bashku me familjen e djalit, që ka dy fëmijë të moshës 7 vjeç dhe 2 vjeç, çka e ka detyruar që ujin që i vjen në shtëpi të mos e konsumojë as për gatim. “Varet nga kushtet ekonomike, unë vetë nuk e përdor, dikur e kam përdorur. Ka të tjerë këtu në zonë që e përdorin”, thotë Fitimi.

Blerja e ujit për konsum dhe gatim e ekspozon familjen e tij ndaj kostove tejet të larta. “Një bidon 10 litra ne e blejmë 3 mijë lekë të vjetra. Në muajt e verës ne harxhojmë edhe 10-12 bidona ujë”, thotë ai, teksa shton se do të dëshironte shumë që uji i rubinetit të ishte i pijshëm. Ngjashëm me Fitimin, edhe Aliu që banon në po të njëjtën zonë thotë se ujin e rrjetit nuk e konsumon. “Nuk e përdorim për të pirë sepse i kemi bërë analizat dhe ka dalë jo i pastër”, shprehet Aliu. “Shpenzojmë rreth 15 mijë lekë të vjetra në muaj për të blerë ujë. Na rëndon kjo pagesë. Mirë do ishte që uji i rubinetit të pihej. Unë e gruaja jemi pensionistë”, shton ai.
Zona e Laknasit furnizohet me ujë nga stacionet e pompimit, duke marrë ujërat nëntokësore. Por vetë shoqëria e Ujësjellës Kanalizime Tiranë pranon se “stacionet e pompimit të ujërave nëntokësore sot nuk garantojnë një cilësi sipas standardeve te Komunitetit Evropian, pasi nuk ekziston asnjë zonë saniteti, rreptësie dhe mbikqyrje”. Siç edhe Porta Vendore raportoi dy ditë më parë: “Herë pas here këto burime dalin të ndotura me Esheria Coli”, thuhet ndër të tjera në dokumentet e një tenderi të shpallur nga UKT në muajin dhjetor 2019. Bërxulli është një tjetër zonë në kryeqytet që furnizohet me ujë nga stacionet e pompimit, ndërkohë që edhe këtu banorët detyrohen ta blejnë ujin që pijnë. Qamil Bresa që jeton në këtë zonë thotë për Portën Vendore se ka fëmijë dhe është i detyruar ta blejë. “Sa të duash shpenzojmë. Për të pirë e blejmë, ndërsa për të larë përdorim ujë pusi”, thotë ai.

Blerja e ujit për të pirë apo gatuar është normale në kryeqytet. Sipas ekspertit të ekonomisë, Panajot Soko aktualisht banorët e Tiranës paguajnë dy fatura për ujin. “Këto familje paguajnë faturën e Ujësjellës-Kanalizimeve që mesatarisht përllogaritet në 2 000-2 500 lekë në muaj dhe po kaq paguajnë shtesë për të blerë ujin që konsumojnë për të pirë dhe për të gatuar”, thotë Soko. “Ne jemi në kushtet e shklejes së kontratës që UKT ka me banorët e Tiranës, pasi kjo kontratë e detyron atë të sigurojë ujë të pandërprerë dhe të pijshëm”, shton ai. Edhe eksperti i ekonomisë, Enriko Ceko thotë se qytetarët detyrohen të blejnë ujë të ambalazhuar. “Kjo është një kosto shumë e madhe për familjet shqiptare, marrë këtu parasysh edhe të ardhurat e ulëta që kanë shqiptarët krahasuar me qytetarët e vendeve të tjera. Një person duhet të konsumojë rreth 1.5 – 2 litra ujë në ditë dhe të blesh këtë ujë është një kosto shumë e madhe, pasi është një produkt që është i domosdoshëm për jetën dhe i përditshëm. Pra, nëse një familje me 4 – 5 persona e ble ujin, minimalisht kosto është rreth 3.000 lekë në muaj, shtuar këtu edhe faturën e ujit”, thotë Ceko. Gjithashtu, sipas tij ekziston edhe një tjetër kosto e fshehur, për të gjithë ato familje që e kanë të pamundur të konsumojnë ujë të ambalazhuar, të cilët janë të ekspozuar ndaj sëmundjeve bakteriale. “Ky rrezik kryesisht nuk shfaqet sapo e konsumojmë këtë ujë por shfaqet pas shumë vitesh në formën e infeksioneve bakteriale dhe në formën e tumoreve dhe kancereve. Kuptohet që kjo është një kosto shumë e madhe shëndetësore, që në mjaft raste rezulton edhe me koston e humbjes së jetës”, thotë Ceko.
Kostot e fshehura për përballimin e faturave të ujit më herët ishin në vëmendje edhe të Entit Rregullator të Ujit, që i mbante parasysh kur miratonte tarifa të reja për shoqëritë e ujësjellës-kanalizimeve. Kështu, përveç kriterit të përballueshmërisë, që është në masën e 5% të të ardhurave të familjes, Enti e konsideronte këtë kriter të pamjaftueshëm për arritjen e konkluzioneve sa më të drejta në lidhje me përballueshmërinë. “Në të nuk merren parasysh edhe kosto të tjera shtesë që konsumatorët janë të detyruar të paguajnë për shërbimet e furnizimit me ujë dhe kanalizimeve, si blerja e depozitave dhe pompave individuale, shpenzimet e energjisë elektrike nga pompat, blerja e ujit për pirje me shishe etj, që i rrisin realisht këto kosto me mbi 150-250% të tarifës së aplikuar”, thuhej ndër të tjera në raportin e vitit 2016, të këtij dikasteri. Por, ky ka qenë edhe viti i fundit që këto kosto shtesë përmenden nga Enti Rregullator i Ujit, pasi në tre raporte pasardhës e më konkretisht ai i vitit 2017, 2018 dhe 2019, këto kritere nuk përmenden aspak te faktorët e përballueshmërisë.
Rritja e tarifave
Kostot shtesë paguhen nga banorët e Tiranës, teksa prej janarit të vitit 2018, hynë në fuqi tarifat e reja të Entit Rreguillator i Ujit për kryeqytetin, ku për abonentët familjarë tarifa u rrit me 20 lekë/m3, duke e çuar atë në 65 lekë/m3. Rritja e tarifave u argumentua me nevojën për investime, që brenda 5-vjeçarit do të mundësonin furnizimin 24 orë me ujë të kryeqytetit. “Justifikimet që u përdorën nga bashkia dhe UKT në atë kohë janë tërësisht të paqëndrueshme. Si fillim do të duhej të ishte kryer investimi në rrjetin e ujësjellësit për të mundësuar funizmin 24 orë me ujë të pijshëm e më pas t’u thuhej qytetarëve që ne ‘siguruam furnizim me ujë të pijshmë 24 orë e për pasojë do të duhet të rritim çmimin për të paguar kreditë që kemi marrë për të kryer investimin’”, thotë Soko. Ndërsa, sipas Cekos impakti i rritjes së çmimit të ujit nuk është dukur aspak në çezmën e banorëve të Tiranës. “Përderisa ne ende vazhdojmë që të konsumojmë para të tjera për blerjen e ujit të pijshëm dhe uji që vjen në çezmë nuk mund të konsumohet, atëhere duket që rritja e çmimit nuk ka dhënë rezultatet e pritshme”, thotë ai. Por, teksa kanë mbetur 2 vjet e gjysmë nga përfundimi i periudhës 5-vjeçare për furnizmin 24 orë me ujë, Shoqëria e Ujesjellës Kanalizime Tiranë nuk ka ende gati projektin dhe faturën e nevojshme që do të nevojitet për investimin. Ndërkohë që, ekspertët thonë se edhe në rastin e përgatitjes së projektit, ka edhe një sërë sfidash të tjera, sikurse janë gjetja e vlerës së investimit, kontraktimi i kompanisë që do kryejë punimet e deri te përfundimi i tyre. “Mendoj që periudha 5-vjeçare është e paarritshme, pasi tashmë kanë kaluar 2 vjet e gjysmë nga miratimi i rritjes së tarifës, ndërkohë që jemi në kushtet kur nuk kemi asnjë kontratë të nënshkruar. Praktikisht, vetëm procedura e përzgjedhjes së kompanisë që mund të kryejë investimin kërkon një kohë të konsiderushme, për të mos folur për kohëzgjatjen e punimeve. Prandaj, objektivi që në vitin 2023 të rrjedhë ujë i pijshëm në rubinetet e Tiranës është tërësisht i pamundur”, shprehet eksperti Soko. “Sot, jo vetëm që nuk kemi një kontratë të nënshkruar me ndonjë bankë apo investitor, por nuk jemi në dijeni edhe të ndonjë përpjekjeje serioze në këtë drejtim”, shton ai.
Në dhjetor të vitit 2019, UKT hapi një procedurë prokurimi, që synonte që projekti dhe fatura përkatëse të ishin gati brenda 6-muajsh. Sipas këtij tenderi me vlerë rreth 68 mln lekë, UKT do të kontraktonte kompaninë që do të realizojë projektin, që duhet të zgjidhë furnizimin me ujë të pijshëm 24 orë të qytetit të Tiranës, për të plotësuar nevojat për sot dhe për një perspektivë 20-25 vjeçare. Gjithashtu, referuar dokumenteve të tenderit, projekti duhet te zgjidhë jo vetëm sigurinë e furnizimit me ujë 24 orë të abonenteve, por një ndër objektivat kryesore është eleminimi i ndotjeve të mundshme në rrjetin shpërndarës. Sipas specifikimeve, projekti për furnizimin 24 orë më ujë, duhet të zgjidhë edhe eleminimin e përdorimit të elektropompave në hyrje të ndërtesave, duke sjellë kursimin e një sasie të madhe energjie, si dhe eleminimin e sistemit të rezervuarëve të ndërtuar në tarracat e ndërtesave dhe në nëngodinat e reja shumëkatëshe. Afati për dorëzimin e ofertave është mbyllur në datën 10 shkurt, çka do të thotë se minimalisht deri në muajin gusht të këtij viti ne ende nuk do të kemi gati projektin
Në një vlerësim të përgjithshëm, Ministria e Infrastruklturës dhe Energjisë thotë se sektori paraqet një sërë problematikash, ndaj kërkohen edhe financime të mëdha për të arritur objektivat për furnizimin 24 orë me ujë në të gjithë vendin. “Sipas përllogaritjeve kosto e përgjithshme për investime në infrastrukturë arrin në rreth se 1,5 mld euro, ku kostot kapitale zenë 91% të totalit dhe kostot korente 9%”,thuhet ndër të tjera në draft-Strategjinë Kombëtare të Sektorit të Furnizimit me Ujë dhe Kanalizimeve, 2020-2030 të nxjerrë për konsultim publik nga MIE. Sipas të njëjtin dokument, duke marrë parasysh buxhetin vjetor 2023-2030 atëhere hendeku financiar përfundimtar është rreth 500 milion euro ose 30% e kostos totale të strategjisë. Ndërkaq, nisur nga fakti se tashmë rritja e tarifës në Tiranë është fakt, Soko sugjeron vetëm përdorimin e parave të mbledhura në destinacionin e duhur. “Nga praktika kemi mësuar që në momentin që ka rritje të çmimit nuk mund të ketë një kthim pas. Praktikisht, ulja e tarifës është e pamundur, por sugjerimi im do të ishte që paratë që janë grumbulluar që prej rritjes së trafisë të shpenzohet ashtu siç duhet. Të investohet në një plan që të synojë plotësimin e nevojave për ujë të pijshëm të kryeqytetit të paktën për një periudhë kohore 50 apo 60-vjeçare”, përfundon ai.