14 maj 2020/ Porta Vendore/ Tiranë
Këshilli Bashkiak i Tiranës ka vendosur në mënyrë të fshehtë shembjen e Teatrit Kombëtar. Mes disa njoftimeve për shtyrje të mbledhjes së këshillit bashkiak për marrjen e këtij vendimi, ku gjatë ditës së enjte qarkulluan skenarë se do të organizohej të premten (15 maj) ose të hënën (18 maj), këshilli bashkiak është mbledhur në fshehtësi të enjten pasdite, duke vendosur shembjen e godinës. Kjo ka sjellë reagime nga opozita, e cila e ka cilësuar vija e kuqe vendimin e këshillit bashkiak dhe u ka bërë thirrje qytetarëve për protesta në mbrojtje të godinës së Teatrit Kombëtar.
Këshilli Bashkiak i Tiranës ishte njoftuar fillimisht që të mërkurën (13 maj) se ditën e enjte do të mblidhej për të diskutuar disa vendime, ndër të cilat ishte dhe ai i miratimit të vendimit për shembjen e godinës së Teatrit Kombëtar dhe diskutimin për godinën e re. Por, në orën 09:50 të paradites së të enjtes (14 maj), këshilltarëve bashkiakë të Tiranës u ka shkuar një njoftim i dytë se mbledhja ishte për datën 15 maj të ditës së premte. Ashtu siç shikohet më poshtë dhe në email-in e dërguar tek një nga këshilltarët e Bashkisë Tiranë, i cili nuk pranoi të identifikohet, mbledhja do të zhvillohej në orën 09:00 të datës 15 maj në sallën e Këshillit Bashkiak për të shqyrtuar dy projektvendime, një prej të cilëve ishte për shembjen e godinës së Teatrit Kombëtar.
Por menjëherë pas qarkullimit të këtij njoftimi, aktivistët e shoqërisë civile, por dhe kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha organizuan një takim në godinën e teatrit. Kreu i PD u shpreh se nëse qeveria do ndezë zjarrin tek Teatri, flaka do të ndizet në institucionet e uzurpuara, në Surrel e deri tek qendrat tregtare.
“Mesazhi është i qartë dhe në kohë pandemie këta e kanë mendjen për të vjedhur. Qytetarët janë përballur me dhunë dhe me represion. Çdo hap për prishjen e Teatrit është një hap drejtë luftës me qytetarët. Unë u bëj thirrje të gjithë mbështetësve të opozitës dhe të gjithë qytetarëve se sot është një pasiguri për jetën. Nëse duan që të ndezin zjarrin tek Teatri Kombëtar, duhet të presin flakën në çdo zyrë shtetërore, ta presin nga Surreli e deri në qendrat tregtarëve të oligarkëve që vjedhin me këta. Teatri Kombëtar është vija e kuqe dhe akti i luftës do të ketë përgjigjen e merituar”, u shpreh Basha.
Nga ana tjetër, po të enjten, Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka dorëzuar një padi kundër VKM-së për kalimin e Teatrit Kombëtar në pronësi të bashkisë së Tiranë. “Përmes këtij akti, shqiptarët kudo janë, sot po rrezikohen të humbasin një pasuri publike me interes të lartë kombëtar. Me prishjen e tij, trashëgimia kulturore dhe identiteti kombëtar që mishërohet në këto godina, synohen të zhduken, dhe memoria jonë e përbashkët kolektive, të humbasë”, shprehet Presidenti në kërkesën drejtuar Gjykatës Kushtetuese.
Në vendimin që është publikuar në Fletoren Zyrtare, bëhet me dije se i jepet mundësi bashkisë që të ndërtojë godinën e re me standarde e kushte bashkëkohore.
Pas këtyre reagimeve, Bashkia Tiranë shtyu mbledhjen e këshillit bashkiak për orën 11 të datës 18 maj. Por, sërish mbledhja u rikthye për ditën e premte, duke shqetësuar kështu artistët dhe aktivistët në mbrojtje të Teatrit Kombëtar. Por, në orët e mbrëmjes, gjithçka u kthye përmbys. Në mënyrë konfidenciale, një vendim i këshillit bashkiak qarkulloi në media, ku deklarohej se mbledhja ishte organizuar ditën e enjte, datë 14 maj dhe ishte vendosur shembja e godinës së Teatrit Kombëtar.
Menjëherë pas publikimit të këtij vendimi, opozita dhe artistët u mblodhën tek sheshi i godinave, duke premtuar se do vijojnë të qëndrojnë gjithë natën. “Këshilli është i paligjshëm. Për sa kohë do të jetë ai njeri në krye të punëve, gjithë kjo vjedhje, gjithë kjo dhunë ka emrin e Edi Ramës. Ai do të mbajë përgjegjësi për të gjitha. Kryebashkiaku është uturaku. PD ka qenë pranë artistëve. Ata po mbrojnë diçka që po u ndodh të gjithëve. Do të kaloj këtu orë të tëra. Do të jem pranë tyre. Unë po solidarizohem me artistët. E qau shëndetësinë Rama në fakt që thotë vija e zjarrit është tek spitali. Vjedhja dhe batërdia vazhdon”, tha Basha.
Reagime pati dhe nga forca të tjera politike të opozitës, ku kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi shkoi më tej, duke deklaruar se vendimi i këshillit bashkiak është i falsifikuar. “Shkresa ka rrjedhur nga socialistë të ndershëm. Vendimi është firmosur pa u mbledhur Këshilli Bashkiak dhe ka pasur një falsifikim. Është një falsifikim i opinionit publik. Mua ka kanë thonë socialistët, sepse nuk mund të mbajnë këtë barrë mbi supe. Merrni kryetarin e Këshilllit Bashkiak dhe pyeteni, merrni dhe prokurorinë”, u shpreh Kryemadhi gjatë një lidhje me emisionin “Open” në Top Channel.
Por, ky vendim solli dhe reagime ndërkombëtare. Ish-parlamentarja europiane Doris Pack pati një reagim në Twitter, duke e dënuar këtë akt të këshillit bashkiak Tiranë para se të shprehet Gjykata Kushtetuese për kërkesën e dërguar nga Presidenti i Republikës, Ilir Meta. “Këshilli Bashkiak i Tiranës ka vendosur sot për shembjen e godinës së Teatrit Kombëtar. Veliaj do ta bëjë fakt para se të flasë Gjykata Kushtetuese. Ai duket se është agjenti i deleguar i Ramës. Europa Nostra duhet të reagojë”, shprehet ajo në postimin e saj në Twitter. Po ashtu, Europa Nostra ka reaguar me një tjetër kundërshtim ndaj këtij vendimi. “Ne qëndrojmë për trashëgiminë kulturore të Europës. Kjo është arsyeja se pse i kundërvihemi shkatërrimit ilegal të propozuar për Teatrin Kombëtar në Tiranë, një nga 7 vendndodhjet më të rrezikuara.
Teatri është i mbrojtur nga ligji kombëtar, nga shoqëria civile dhe nga ekspertët”, thuhet në postimin e Europa Nostra.
Po ashtu, Avokati i Popullit ka marrë një ditë më parë një kërkesë nga ana e “Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit”, një grupim qytetarësh të identifikuar si aktivistë që shprehin pakënaqësinë e tyre ndaj vendimmarrjeve të institucioneve shtetërore kundrejt godinës së Teatrit Kombëtar. Në dokumentin e dërguar, kërkohej nisja e hetimit administrativ dhe nxjerrja e rekomandimeve përkatëse nga ana e insitucionit të Avokatit të Popullit në lidhje me një Vendim të Këshillit të Ministrave për kalimin e pronësisë së Teatrit Kombëtar te Bashkia e Tiranës. Bazuar në këtë kërkesë, Avokati i Popullit tha se në mënyrë të menjëhershme ka nisur punën në lidhje me këtë çështje.
“Avokati i Popullit ka kërkuar nga Këshilli i Ministrave relacionin e këtij projektvendimi, procesverbalin e mbledhjes në të cilin është marrë ky vendim, si dhe informacion nëse është ndjekur ndonjë procedurë konsultimi me institucionet shtetërore apo me publikun përpara miratimit të tij. Avokati i Popullit po shqyrton nëse veprimet e institucioneve shtetërore janë kryer në shkelje të të drejtave të qytetarëve dhe shumë shpejt do të dalë me një qëndrim zyrtar për gjetjet nga ky proces”, thuhet në reagimin e Avokatit të Popullit.