15 maj 2020/ Eljona Ballhysa/ Porta Vendore
Qeveria shqiptare dhe ajo greke arritën marrëveshjen për heqjen e vizave për punëtorët sezonalë shqiptarë në Greqi më 2 maj 2020. Në fakt, janë të shumtë shqiptarët e interesuar për të punuar gjatë këtij sezoni në vendin fqinj, por vijon ende të ketë mungesë informacioni dhe paqartësi për procedurat. Ndërkohë që kufiri me Greqinë është hapur ditën e enjte të datës 14 maj dhe kompanitë e transportit kanë filluar të marrin masat për të bërë transportin e organizuar të punëtorëve sezonalë drejt Greqisë.
Punëtorët sezonalë të paqartë për procedurat
Shumica e punëtorëve sezonalë kanë ende shumë pikëpyetje për mënyrën sesi do veprohet me ta, ndërsa thonë se mezi po presin të hapen kufijtë dhe të shkojnë në shtetin fqinj, pasi ka shumë kërkesa nga punëdhënësit grekë. Landi nga Cërriku e ka vendosur, e kishte vendosur që nëse nuk do merrej një vendim për hapjen e kufirit me Greqinë deri më 20 maj, atëherë do ta kalonte atë në këmbë. “Unë punoj në zonën e Verias në Greqi. Shkoj çdo vit atje, bëj punë të ndryshme. Punoj tokën, mbledh ullinj, tani në këtë periudhë mbledhim qershi. Ja kemi ngecur këto kohë për shkak të pandemisë dhe s’e di çfarë të bëj. Kemi ngelur pa lekë. S’kam me çfarë të mbajë fëmijët. Pronari në Greqi më kërkon. Hajde më thotë se po më kalben qershitë në pemë. Po është mbyllur kufiri. Unë s’di të bëj dokumente. S’kam bërë asnjëherë. Kam shkuar me muaj në Greqi, kam punuar dhe kam marrë lekët, jam kthyer. S’e di çfarë është kjo marrëveshja e qeverisë”, thotë Landi.
Ndërsa, Ndriçimi nga fshati Gjocaj i Peqinit thotë se ka aplikuar për punë në adresën https://www.punenegreqi.gr/, por ende nuk ka asnjë informacion se si duhet të veprojë. “Kam shumë dëshirë të iki, por ende nuk e kam një informacion të saktë se si duhet të veproj. Thjesht kam bërë një aplikim te kjo adresa punenegreqi.gr, por ende nuk jam i qartë se çfarë duhet të bëj. Di që pronari ku kam qenë duhet të bëjë disa dokumente, sepse ne që do shkojmë nga Shqipëria do bëjmë karantinë atje. Do na bëjnë analiza, teste se s’të pranojnë kollaj ata. Do flas edhe një herë me pronarin, sepse brenda majit unë duhet të shkoj se s’bën”, thotë Ndriçimi, i cili nuk ka asnjë informacion për marrëveshjen e qeverisë shqiptare me qeverinë greke për heqjen e vizave për punëtorët sezonalë. “Me thënë të drejtën unë kam vite që punoj në Greqi. Shkoj rri 3 muaj e kthehem, shkoj prapë. Punoj nëpër sera në një fshat në zonën e Edesës. Por asnjëherë s’kam marrë vizë”, thotë Ndriçimi.
Fatbardh Kola nga fshati Hajmel i Vaut Të Dejës ka marrë informacion dhe i duket një ndihmesë marrëveshja e arritur nga qeveria shqiptare. Madje, ai thotë se pronari i tij në Greqi është duke u marrë me dokumentet dhe ai shumë shpejt do të niset drejt shtetit fqinj.
“Me ndryshimin e ri, tashmë bëhet fjalë që në Greqi të lëvizim vetëm ne punëtorët e thjeshtë, që aktualisht gjendemi në Shqipëri. Edhe nëse kemi mangësi dokumentesh, mjafton të gjejmë një pronar në Greqi dhe përfitojmë lejen e punës për tre muaj. Pronari duhet të bëjë një pagesë fikse, merr dokumentin në zyrat e shtetit grek dhe na e dërgon neve. Kjo leje pune vlen nga qershori deri në gusht, por besoj se do të shtyhet për më tej. Pasi të bëjmë testin për koronavirusin dhe të dalim negativë, atëherë kalojmë pa problem. Kjo metodikë sikur më ngjan pak me planin gjerman, që nisi në marsin e kaluar. Pra, nëse një punëtor shqiptar ka një kontratë pune të vlefshme, procedurat bëhen më të shpejta. Kjo po ndodh tani me Greqinë dhe pa ambasada apo ecejake të tjera të panevojshme”, tregon ai për Portën Vendore.
Ai rrëfen për Portën Vendore se më parë kanë punuar ilegalisht dhe marrëveshja ndërmjet dy qeverive sikur i formalizon punonjësit shqiptarë që shkojnë atje.
“Domethënë shkonim 3 muaj te xhaxhai në Greqi dhe punonim në të zezë. Pa letra. Unë punoj bashkë me babin në Trikala, në fshat. Vjelim ullinj, punojmë në ndonjë serë me perime të ndryshme ose te fabrikat e ullirit. Zakonisht marrim 22-25 euro dita. Mezi po pres të shkoj se këtë verë situata nuk duket fare mirë në Shqipëri dhe e vetmja shpresë është të punojmë në Greqi. Sado keq që është ekonomia atje puna është me konstante se në Shqipëri. Tokat këtu i kemi thuajse të gjitha djerrë. Kemi blere një zetor dhe jemi penduar. Nuk ia vlen të investosh në asgjë”, thotë Fatbardhi.
Turi është një tjetër shqiptar që mezi pret të niset drejt Selanikut. Ai ka 10 vite që punon në bujqësi në këtë zonë. I rritur në fshatin Bradashesh të Elbasanit, ai mban familjen me këtë zanat. “Ja shikojë duart e mia kanë zënë kallo nga puna e rëndë që bëjë. Por kur krijon familje normalisht që përgjegjësia rritet, ndaj edhe unë jam detyruar të shkoj në shtetin helen 2 herë në vit. Jam përpjekur boll këtu të gjej një punë, edhe para koronavirusit, por Shqipëria është shumë e paqëndrueshme, ndaj nga një anë i gëzohem shëndetit tim dhe fizikut të fortë që më lejon të punoj në bujqësi”, thotë ai për Portën Vendore, duke theksuar se nevoja për punë çdo ditë po bëhet gjithnjë e më e madhe. “Edhe ato pak kursime që kisha na mbaruan gjatë periudhës së karantinës, ndaj tani shpresat e mia janë tek hapja e kufijve e nisjes drejt Greqisë. I kam dëgjuar lajme, dhe në fakt e prisja të ndodhte një marrëveshje e tillë që është e mirë për ne, sepse edhe qeveria nuk ka si të na sigurojë ushqim”, tregon Turi. Familja e tij përbëhet nga 3 vajzat dhe bashkëshortja, ndërsa dëshiron shumë një të ardhme me të mirë për fëmijët e tij. “Për mua nëse thonë nisu, që nesër iki. Vendin e punës e kam gati, me pronarin kam folur. Por edhe duhet të krijojmë një të ardhur për familjen se vjen shpejt shtatori, e fëmijët fillojnë shkollën , duan libra, veshje etj. Nuk kemi si t’ia sigurojmë ndryshe jetën fëmijëve, pasi vetëm unë punoj në shtëpi”, përfundon Turi për Portën Vendore.
Kurse Petrika, nga Pojani i Korçës. punon në Skidra (Skydra), një zonë rreth 200 km larg Korçës. Ai duket më i qartë në rregullat e vendosura, pasi ka vite që punon në bujqësi në Greqi dhe gjuha e shkruar e ndihmon për të mësuar të rejat më të fundit. “Që kur u bë marrëveshja, kontaktova me pronarin, i cili plotësoi dokumentacionin dhe shumë shpejt do të nisem. Tani janë frutat e stinës, si kumbulla, qershia dhe unë merrem me vjeljen e tyre. Punoj në Skidra, është një zonë mes Korçës dhe Selanikut. Kam 15 vite që punoj atje me sezone dhe kur kthehem në Shqipëri, merrem me ndonjë punë të vogël. Shpesh shkoj dhe me gruan, por sivjet do të shkoj vetëm, pasi kjo karantina nuk na ka lënë të mbyllim ca punë këtu në fshatin tonë dhe ajo duhet të qëndrojë këtej”, shpjegon Petrika. Shpesh herë, ai e ka bërë rrugën me makinën e tij dhe madje vinte çdo fundjavë në Shqipëri, por tashmë do i duhet të qëndrojë më gjatë për shkak të kushteve. “Nuk e di, nuk jam mësuar që të rri shumë larg familjes, pasi kushtet e punës kanë qenë të mira, kam punuar me siguracion në Greqi, madje edhe vizitat shëndetësore i kryej në shtetin fqinj, por do më duhet të rri më gjatë këtë herë, derisa të sqarohet kjo puna e kufirit”, përfundon ai.
Çfarë ndryshon marrëveshja e re
Marrëveshja e re mes Shqipërisë dhe Greqisë parashikon punësimin sezonal me procedura të përshpejtuara për shtetasit shqiptarë, të cilët do të punësohen me të drejta të plota në Greqi. Në bazë të kësaj marrëveshje duke nisur nga data 4 maj 2020 të gjithë punëdhënësit grekë, të cilët janë të interesuar për punëtorë sezonalë dhe i kane identifikuar ata aplikojnë pranë kooperativave bujqësore, duke dërguar një sërë dokumentesh mes të cilave: fotokopje të pasaportës së punonjësit të ftuar për punësim; faturë pagese 100 euro për çdo punëtor (pagesë në bankë për llogari të shtetit grek); pagesë 80 euro për testin e Covid-it, e cila do të bëhet në bankë, për llogari të kompanisë së përzgjedhur për testin. Ndërkohë, udhëtimi i punëtorëve sezonalë do të bëhet me autobusë, me firmën e përzgjedhur nga shteti, e cila zbaton rreptësisht protokollet e sigurisë së caktuara prej qeverisë greke. Biletën e udhëtimit prej 30-35 euro do ta paguajë vetë punëtori shqiptar. Sakaq, është parashikuar që në autobus të gjithë punëtorët do t’i nënshtrohet testit për Covid-19, në pikën kufitare të Kapshticës dhe në vazhdim ato do të dërgohen në laboratorët e kontraktuar në Selanik. Deri në daljen e rezultatit të analizave, punonjësit do të karantinohen në njësitë e akomodimit të përzgjedhura prej kooperativës. Bazuar në marrëveshje nuk do të pranohen të kalojnë qytetarë në formë spontane, por vetëm në mjetet e kompanisë së autorizuar për transportin e tyre. Pra, kompania e udhëtimit rakordon lidhur me lëvizjen e punonjësve, dhe dorëzon listën e udhëtimit pranë organeve policore kufitare shqiptare dhe greke, të cilat kryejnë edhe kontrollet e sigurisë. Ndërkohë të gjithë qytetarët shqiptarë të interesuar për punë në Greqi, duhet të aplikojnë në platformën online www.punenegreqi.gr.
Ky është një proces që gjatë pajisjes me dokumentacionin e nevojshëm është falas dhe nuk do të ketë nevojë për pajisje me vizë punë.
Më herët, për të kryer punë sezonale në Greqi shtetasit e interesuar duhet të paraqiteshin në Zyrën Konsullore për të firmosur kontratën e punës, duke paraqitur një sërë dokumentesh të tilla si: certifikatë lindje të legalizuar nga Ministria e Punëve të Jashtme e Shqipërisë; dëshmi Penaliteti Greke (origjinale) me të cilën verifikohet gjendja penale e aplikuesit në Greqi; faturë pagese, jo vetëm për taksat e vizës (75 euro), por dhe për legalizimin e firmës së të huajit në kontratën e punës (30 euro).
Duke marrë parasysh gjithë këto procedura të komplikuara shumë punëtorë sezonalë shqiptarë zgjidhnin të punonin në të zezë dhe pa vizë punësimi në Greqi.
Kompanitë e udhëtimit: Interesi i lartë, kemi fluks telefonatash
Bazuar në marrëveshjen mes dy qeverive, transporti i punëtorëve sezonalë drejt Greqisë do të bëhet i organizuar përmes kompanive të udhëtimit. Një ndër ta është edhe kompania e transportit “Electro Dynamik Shpk”, e cila do të ndërmarrë transportin për në Greqi të punëtorëve dhe në bashkëpunim me autoritetet shtetërore.
Zonja Manushaqe, përfaqësuese e kompanisë së udhëtimit Electro Dynamik Shpk, tha për Portën Vendore se çdo ditë merr pafund telefonata nga punëtorë të interesuar për të punuar në Greqi. Ajo thotë se kompania po pret që t’i vijnë listat e njerëzve nga Greqia dhe më pas do të kontaktojë secilin prej tyre dhe do të shkojë t’i marrin në çdo qytet të Shqipërisë ku do të bëhet më pas edhe transporti i organizuar drejt Greqisë.
“Kemi shumë telefonata. Mua gjithë ditën s’më pushon telefoni. Njerëzit duan informacion, duan të ikin në Greqi, atje ku i pret pronari, i pret puna. Po ne akoma s’kemi informacion se kur do nisim transportin. Presim nga ministria të na thonë. Ne presim të na vijnë listat me emra nga Greqia. Të gjitha dokumentet bëhen në Greqi. Ne na vjen lista, i marrim në telefon, i themi ku ndodhen dhe shkojmë i marrë ku të jenë, në Shkodër, Elbasan, Lushnje dhe bëjnë transportin e tyre drejt Greqisë. Do bëhet transport i organizuar për të gjithë punëtorët. Ka shumë njerëz që nuk dinë si të veprojmë. Ne i këshillojmë që të flasin me pronarin në Greqi, pasi ai i bën dokumentet. Neve vetëm lista me emra na vjen”, sqaron Manushaqja.
Gjithsesi platforma ku qytetarët e interesuar duhet të aplikojnë ka një informacion bazik lidhur me këtë çështje ndaj volitet më shumë transparencë dhe informacion për të gjithë të interesuarit, me që të mos e humbasin këtë mundësi punësimi, e të përfundojnë në të zezë.
Sipas të dhënave, me anë të marrëveshjes mes Shqipërisë dhe Greqisë për sa u përket punëtorëve sezonalë në vendin fqinj, mund të përfitojnë 7-10 mijë shqiptarë, të cilët do të punësohen me procedura të shpejta me hapjen e kufijve.