15 maj 2020/ Brikena Metaj/ Porta Vendore/ Gjirokastër
Bizneset turistike në Gjirokastër po rrezikojnë falimentimin. Rreth 86% e prenotimeve të kryera përgjatë muajve të dimrit janë anuluar dhe pezulluar në hotelet, bujtinat dhe agjencitë turistike në Gjirokastër pas përhapjes së COVID-19. Anulimet kanë përfshirë të gjithë periudhën Maj – Qershor në masën 100%, ndërkohë që ritmi i anulimeve po prek edhe Korrikun dhe Gushtin në masën 60%.
Objektivat e operatorëve turistikë dhe Bashkisë Gjirokastër për këtë vit synonin një rritje të numrit të turistëve krahasuar me dy vitet e fundit, ku shifra shënoi rritje të vizitorëve. Por situata e përhapjes së virusit përmbysi pritshmëritë duke vënë në pikëpyetje ecurinë turistike të këtij viti.

Në një anketim të kryer nga “Visit Gjirokastra” me biznese nga të gjitha kategoritë si: hotele, bujtina, kampingje, restorante, ferma, operatorë turistikë dhe artizanë, rezulton se 64% e bizneseve në kushtet që dikton situata aktuale do të mund të mbijetojnë mesatarisht vetëm për 2 – 3 muaj (grafiku 1). Nëse kjo situatë vazhdon, mund t’i çojë në falimentim dhe mbyllje të biznesit. 36% e bizneseve përfaqësuese janë biznese familjare në pronat e tyre dhe do të detyrohen të përshtaten apo të bëjnë punë të tjera deri në përfundim të situatës.
Heviola Sherifi, koordinatore e “Visit Gjirokastra” tregon se 88% e bizneseve të intervistuara në Gjirokastër e kanë pezulluar aktivitetin e tyre, ndërsa 12% e bizneseve vazhdojnë të funksionojnë, pasi arrijnë të shesin produkte për tregun lokal.
“Për bizneset e pezulluara bllokimi i aktivitetit ka qenë total dhe me kosto të lartë për shkak të ndërprerjes së investimeve të parashikuara, mungesës së likuiditetit, nevojës për rikompensim të klientëve etj. Bizneset që ia kanë dalë ende të shesin produkte duket se po i përshtatin ato ndaj nevojave të tregut vendas”, shton më tej Sherifi.

Izolimi nxiti nevojën e bizneseve për gjetjen e mënyrave të reja alternative të tregtimit dhe operimit. Risi e kësaj periudhe është tendenca për të shtuar produkte të reja si dhe për të ndryshuar formën e ofrimit të tyre.
“34 % e bizneseve, kryesisht ferma të vogla, prodhues të vegjël dhe artizanë janë të interesuar të fillojnë programe të shitjeve online, pasi e shohin si të vetmen mundësi mbijetese gjatë periudhës së karantinës”, tregon Heviola.
Sektori dëshmon mungesë të theksuar të kapaciteteve dhe njohjes mbi teknologjinë e komunikimit online, ndërsa bizneset u gjendën të papërgatitura për të përballuar një situatë të tillë. Edhe pa situatën e pandemisë, vizibiliteti online i sektorit të turizmit, produkteve dhe eksperiencave ishte shumë i ulët dhe shumë biznese nuk e kishin konsideruar më parë se do t’u duhej krejt papritur të përshtatnin strategjinë e tyre për shitjet online.
“Megjithatë – vijon më tej Sherifi – 71 % e bizneseve janë të gatshme të bëjnë përpjekjet e tyre për të punuar përmes komunikimit online për ngritjen e produkteve dhe eksperiencave të reja, ndërsa 29% e bizneseve do të preferonin ndihmë të drejtpërdrejtë dhe asistencë për të rritur kapacitetet”.

Bashkia Gjirokastër zeron taksat dhe tarifat për bizneset në muajt Mars-Prill
Edhe bizneset turistike po përballen tashmë me mungesën e turistëve që rrezikon ta vendosë qytetin përballë vështirësive të mëdha financiare. Pesë operatorë në fushën e hoteleri – turizmit kanë ndërprerë investimet në zonën historike të qytetit. 22% e bizneseve shpresojnë tek riprenotimi, por nuk janë në gjendje të bëjnë parashikime për aq kohë sa varen nga vizitorët e huaj. 14% e bizneseve nuk kanë pasur anulime sepse nuk përdorin sistemin e prenotimit paraprak për shërbimet e tyre. Ata nuk shpresojnë që situata të ndryshojë së afërmi. Kjo kategori biznesesh varet nga vizitorët kalimtarë dhe ata që kalojnë eksperienca njëditore brenda qarkut.
Nisur nga kjo situatë, Këshilli Bashkiak Gjirokastër bëri të premten e kaluar rishikimin e paketës fiskale, duke miratuar disa ndryshime në ndihmë të biznesit vendas. Sipas vendimit të Këshillit Bashkiak bëhet zerimi i disa taksave dhe tarifave për muajt Mars e Prill.
Kështu bizneset gjirokastrite nuk do të paguajnë për këtë periudhë dymujore prej nisjes së izolimit, tarifat e pastrimit, ndriçimit publik, infrastrukturës, arsimit, kulturës dhe sportit, parkimit.
Subjektet që përdorin hapësirat publike për ushtrimin e aktivitetit, nuk do të paguajnë “Taksën për zënien e hapësirave publike” për periudhën janar – qershor 2020.
Subjektet që përdorin ambiente në administrim të bashkisë dhe që nuk kanë ushtruar aktivitet, përjashtohen nga pagesa e qirasë për muajt mars – prill.
Tregtarët ambulantë që ushtrojnë aktivitetin në tregun industrial nuk do të paguajnë qiranë për periudhën mars – prill.
Për të gjitha taksat dhe tarifat e tjera vendore, afati i pagesës së tyre do të shtyhet në datën 31 korrik 2020.
Bizneset turistike në vështirësi
Nevoja për lehtësimin e detyrimeve u bë e ditur edhe në raportin e “Visit Gjirokastra”, ku 83% e bizneseve kërkuan që ndihma prej institucioneve të jetë e orientuar drejt lehtësive për pagesën e qirave, sigurimeve shoqërore, faljen e taksave vendore, të paktën për periudhën e karantinës. Shumë biznese sidomos rurale kërkojnë subvencione ose grante që t’i mbijetojnë krizës.
Izolimi për t‘u mbrojtur nga Covid 19 pezulloi aktivitetin për shumë biznese dhe të punësuarit e tyre në të gjithë rajonin jugor. Por nuk munguan rastet si ai i një ferme të vogël kuajsh, që ndonëse aktiviteti është ndërprerë, mbyllja është e pamundur dhe i gjithë stafi është në punë.
Aureli, që merret me drejtimin teknik të fermës, thotë se grupet e klientëve që zhvillojnë ture të gjata do të duhej të vinin që në mesin e Marsit, por gjithçka është anuluar deri në fund të muajit Maj.
“Ne kemi klientë nga e gjithë Evropa dhe situata ka sjellë një bllokim të plotë të aktivitetit tonë. Kemi pasur anulime të prenotimeve disa prej të cilave ishin regjistruar që pothuajse një vit më parë” shprehet Aurel Kallfa. “Kjo na ka futur në vështirësi të mëdha financiare, pasi ne vazhdojmë të punojmë e të kujdesemi për kuajt, ndonëse nuk kemi ture me udhëtarë. Por stafi është i gjithi në punë dhe në fund të ditës secili prej tyre do të paguhet për punën e kryer”, shton më tej ai.

Përveç vështirësive financiare që duhet të përballojë tashmë biznesi me kushte të veçanta, Aureli thotë se stafit i duhet të punojë shumë për të ruajtur gjendjen fizike të kuajve që në kushte normale do të ishin në udhëtime.
“Kjo është periudha kur kuajt janë aktivë dhe ndiejnë nevojën të lëvizin. Situata është disi e vështirë për ta. Ne jemi në karantinë, por edhe kuajt janë në karantinë. Megjithatë nuk është kjo ajo që ata kanë nevojë. Ndaj ne jemi të detyruar që përditë të bëjmë ture të shkurtra për të mbajtur kuajt sa më aktivë. Është pjesë kryesore e trajnimit të tyre të përditshëm”, thotë Aureli.
Turizmi 2020
Ky sezon turistik do të jetë më i vështiri i viteve të fundit për Gjirokastrën. Në kohën kur zona njohu ritme të shtuara të kapaciteteve turistike dhe interesit për pjesëmarrje në këtë biznes, pandemia përmbysi gjithçka. Kryebashkiaku Flamur Golemi duket jo shumë optimist, por pohon se pavarësisht vështirësive, Bashkia ka nisur bashkëpunimin me operatorët turistikë për ofrimin e paketave lehtësuese me synim tërheqjen e turistit vendas, drejt të cilit do të orientohet turizmi i këtij viti.
“Ne i kemi nisur përgatitjet tona për sezonin turistik që në muajt Janar dhe Shkurt. Kishim parashikuar përgjatë këtij viti 365 ditë turizëm dhe në fakt qyteti u gjallërua pasi patëm zhvilluar një sërë aktivitetesh që arritën të tërheqin turistin vendas. Askush nuk e parashikonte një situatë të tillë që ka dhe do të ketë kosto në këtë lloj aktiviteti. Bashkëpunimi ynë me operatorët turistikë synon ofrimin e paketave më të ulëta krahasuar me tregun, për të tërhequr kështu turistin vendas, pasi duket se drejt tyre do të jetë qasja të paktën deri në fund të vitit”, shton kryetari Golemi.
Bizneset e turizmit dhe operatorët turistikë nuk u klasifikuan si përfitues të mbështetjes primare të qeverisë, ndonëse ata realizojnë të ardhura me peshë në të gjithë ekonominë e rajonit. Nëse ato nuk mbijetojnë, shumë të punësuar, bujtina, ferma, restorante dhe hotele do të pësojnë një kolaps zinxhir.
Sipas të dhënave të raportit të “Visit Gjirokastra”, 28% e numrit total të bizneseve (kryesisht artizanë, restorante dhe prodhues të vegjël) përfituan nga paketa e parë ndihmëse. 14% e bizneseve nuk kanë aplikuar për asnjë fazë, ndërsa 58% e tyre janë duke aplikuar për paketën e dytë mbështetëse.
Gjirokastra është një nga qarqet e paprekura nga Covid -19. Ky avantazh që i shtohet pasurive të shumta natyrore, arkitektonike e kulturore janë një dritë shprese për ato qindra biznese turistike në të gjithë qarkun, ku mbizotërojnë bizneset familjare dhe bujtinat që e kanë mbështetur të ardhmen e tyre në ecurinë e këtij biznesi ku kanë investuar gjithçka.