Investigime

Uji i pijshëm, lufta e pa fituar e Bashkisë Tiranë

14 maj 2020/ Elisa Gjerani/ Esmeralda Keta/ Porta Vendore/ Tiranë

Uji i pijshëm mbetet ende lufta e pa fituar për Bashkinë e Tiranës, edhe pse prej 30 vitesh ka qenë kryefjala e çdo kryebashkiaku. Ndonëse në verën e vitit 2017, kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, kërkoi mes kundërshtive të forta rritjen me 40% të tarifës së ujit të pijshëm, i vendosur se kjo ishte skema për të pasur ujë 24 orë në ditë. Kur aplikimi i tarifës së rritur të ujit të pijshëm ka hyrë në vitin e tretë të zbatimit, Tirana jo vetëm që vazhdon të vuajë njësoj mungesën e ujit të pijshëm, por siç pranohet dhe në raportet e brendshme të UKT, shqetësim mbetet dhe cilësia e tij. Në kushtet e pandemisë globale që po kalojmë, zgjidhja e problemeve të furnizimit me ujë merr edhe më shumë rëndësi jetike për banorët, jo vetëm të kryeqytetit, por në të gjithë Shqipërisë.

Uji i (pa)pijshëm!

Në një vëzhgim që Porta Vendore ka kryer në disa zona të kryeqytetit, shumica e banorëve kanë pakënaqësi për ujin që rrjedh në çezmat e tyre, jo vetëm për furnizimin, por dhe për cilësinë e tij. Ata përpiqen të gjejnë një rrugë alternative për furnizimin me ujë të pijshëm, ku në shumicën e rasteve e blejnë, edhe pse kjo rëndon drejtpërdrejtë në xhepat e tyre.

Ollga ka lënë Korçën e bukur dhe prej vitesh është zhvendosur në zonën afër kopshtit Botanik në Tiranë dhe për të uji i çezmës është i pakonsumueshëm. “Nuk bën për t’u pirë, ka një aromë të fortë dhe është i rëndë. Në 7 vite që jetoj në këtë zonë, mu prish dushi, lavatriçja…të cilat kur i hapëm ishin plot me mbetje gëlqerore dhe sigurisht që gëlqerja që ky ujë krijon nuk i vjen nga depozita e pallatit”, shprehet ajo. E mbushur me dyshime, ajo ka zgjedhur tu drejtohet autoboteve. “Deri para pak kohësh na vinte autoboti çdo ditë para pallatit, dhe një bidon 5 litra e merrnim për 20 lekë të reja, pasi nuk kemi para ta blejmë në market. Shyqyr tani kanë filluar e na vijnë prapë autobotet”, rrëfen Ollga.

Banorët duke mbushur uji me bote. Foto: Esmeralda Keta

Por Ollga nuk është e vetmja banore që nuk ka besim tek uji i pijshëm që rrjedh në çezmat e banorëve të Tiranës.“Herë pas here uji vjen i turbullt dhe kjo për mua është shqetësuese. Jam ankuar edhe tek ujësjellësi, por asgjë. Uji vijon të vijë njësoj. Madje edhe ujin që gatuajmë e blejmë se kemi shumë merak”, tha Laura, banore e ish parkut të autobusëve.

Vera, banore në zonën e Porcelanit, po ashtu ujin e çezmës nuk e përdor për të larë enët dhe për të gatuar por as për ta pirë. “Për të pirë as që bëhet fjalë. Është si ndryshk kur del nga çezma dhe e blejmë tek autobotet. Fajin për ujin ia kanë lënë depozitave të pallatit, të cilat nuk e di nëse janë pastruar ndonjëherë. Në fakt e gjithë zona e porcelanit e blen ujin e pijshëm”, shprehet ajo.

Sa më shumë i largohesh lagjeve kryesore dhe qendrës së Tiranës aq më shumë fillojnë të shtohen problematikat. Në periferi ose në lagjet e reja të krijuara vitet e fundit për shkak të shtimit të popullsisë në kryeqytet, furnizimi me ujë normal e të pijshëm është një klishe.

“Uji në pallatin tim nuk pihej fare. Ndërsa mua ma tha këtë lajm, një ditë rastësisht nëpër shkallët e pallatit administratori. E kam konsumuar atë ujë për 2 vite rresht dhe kjo është e tmerrshme. Tani jam e detyruar që ta blej me bidon, pasi më duket disi më i kontrolluar se uji që vjen me bote”, tha Ervina, banore e një prej pallateve të Yzberishtit.

Sigurimi i ujit të pijshëm nga banorët duket si një ëndërr sa e afërt aq edhe e largët, sepse pavarësisht se uji rrjedh në çezmat e tyre, sërish ata nuk e konsumojnë.

“Ne kemi vite që e blejmë ujin, pasi ia bëmë njëherë privatisht analizat para disa vitesh si lagje dhe dolën keq, ndaj që atëherë vetëm ujë të blerë marrim, se gjoja është më i kontrolluar”, tha Venka, banore e zonës së Paskuqanit.

Në muajin janar të këtij viti, ndërsa inauguroi linjën e furnizimit me ujë 24 orë të 130 pallateve në zonën e Selitës, kryebashkiaku Veliaj citoi sërish thuajse të njëjtën gjë që kanë bërë të gjithë kryebashkiakët e Tiranës: Që uji është i pastër, por infektohet në depozita. “Qytetarët duhet ta kuptojnë, me ligj, ne bëjmë testime çdo 30 minuta të ujit, shansi që uji nga Bovilla të dalë i ndotur është zero. Uji ndotet kur futet në pallat, turbullohet në një depozitë që ka dekantuar prej vitesh, lloj-lloj punimesh e çudirash që mund të kenë ndodhur aty, dhe kjo sjell ndotje në çezmë”, deklaroi Veliaj.

Autobotet me uji teksa shëtisin në Tiranë edhe gjatë mbrëmjes. Foto: Esmeralda Keta

Por Tirana nuk furnizohet vetëm nga Ujësjellësi i Bovillës. Ujësjellësi i Tiranës furnizohet nga tre lloje burimesh ujore: burime sipërfaqësore me impiant pastrimi si Bovilla, burime nëntokësore me ngritje mekanike; dhe burime me vetërrjedhje (Selita, etj).

Në dhjetor të vitit 2019, UKT hapi tenderin për të kontraktuar kompaninë që do të zgjidhë problemin e furnizimit me ujë 24 orë për 25 vitet e ardhshme. Në raportin e përpiluar nga Ujësjellësit Tiranë paraqitet një panoramë e situatës dhe përshkruhen gjithashtu se cilat janë pikat e dobëta ku duhet të ndërhyhet.

Në këtë raport teknik të UKT të vitin 2019, e që Porta Vendore e disponon, deklarohet se uji i pijshem nuk është gjithmonë i pastër, duke rënë në kundërshtim me deklaratën e Veliaj per sigurine e cilësisë së ujit të pijshëm në Tirane. “Burimi i Bovillës së vjetër është me kapacitet nga 150-450 l/sek me vetërrjedhje. Kohët e fundit për këtë burim mbetet problem turbullimi i tij, gjë që bën nxjerrjen jashtë pune të këtij burimi për një periudhë 60-90 ditë në vit”, thuhet në raportin teknik të UKT-së.

Për më tepër në këtë Raport deklarohet se “ “Stacionet e pompimit të ujërave nëntokësore janë jashtë kushteve higjieno – sanitare dhe nuk garantojnë një cilësi sipas standardeve të kërkuara nga Komiteti Evropian pasi nuk ekziston një zonë saniteti, rreptësie dhe mbikëqyrjeje. Kanë dhënë shenja të ndotjes në vazhdimësi si bakteri Coli e streptokoku fekal dhe nga ana tjetër prurjet e këtyre stacioneve kanë ardhur në rënie gjatë viteve si pasojë e shfrytëzimit të shtresave ujëmbajtëse pa kriter. Këto vendburime me sugjerimet e shëndetësisë duhet të dalin jashtë pune, prandaj nuk do të merren në konsideratë në bilancin e ujit për perspektivën 25 vjeçare”, thuhet në këtë raport, duke konfirmuar edhe dyshimet e banorëve të disa zonave për cilësinë e ujit të pijshëm.

Pjese nga Raporti Teknik i UKT i 2019.

Në një shkresë zyrtare që “Porta Vendore” i dërgoi ndërmarrjes së Ujësjellës -Kanalizime të Tiranës, në lidhje me cilësinë e ujit të pijshëm që vjen në çezmat e banorëve të kryeqytetit, kjo ndërmarrje ndryshe nga sa thuhet në Raport, garanton se ky ujë është brenda të gjithë standardeve. “Uji që shpërndan çdo ditë ujësjellësi i plotëson të gjitha parametrat për të qenë ujë i pijshëm”, na thotë UKT, institucion, i cili na vuri në dispozicion edhe setin e analizave të kryera përgjatë muajit janar 2020.

Por në këto fletë-analiza, konstatohen të dhëna që bien ndesh me deklaratën zyrtare të UKT. Në to vihet re se në shumicën e rasteve turbullira e ujit ka qenë në nivele mbi normën. Porta Vendore ia tregojë këto fletë analiza ekspertit të ujit Zef Maçi i cili konstatoi se: “Në disa raste në fletë-analizat e treguara uji ka turbullira, pra nuk është i tejdukshëm, kjo do të thotë se hera-herës këto nivele të turbullirës rriten për shkaqe të ndryshme, përfshi edhe rrjetin e amortizuar”, tha Maçi.

Analizat e sjella nga UKT janë të muajit janar 2020 dhe nisin nga 6 janari deri më 31 janar.

“Çdo ditë UKT kryhen analiza për 16 kampione për 7 parametra fiziko-kimike (ngjyra, era, shija, turbullira, amoniaku, nitrite, klori i lirë mbetës) dhe 3 parametra mikrobiologjik (Koliforme totale, Escherichia coli, Streptokoku fekal)”, përcjell në shkresën zyrtare UKT.

Porta Vendore kontaktoi me një nga Laboratorët privat në vend, i licencuar sipas standardeve ndërkombëtarë për kryerjen e analizave kimike dhe mikrobiologjike, dhe drejtuesi i këtij Laboratori deklaroi se një institucion duhet të bëjë një grup analizash mikrobiologjike e kimike prej 67 elementësh në mënyrë që të vendosë nëse uji është i pijshëm apo jo për popullatën. Por ujësjellësi nuk kryen as 1/6 e elementëve bakteriologjikë e fiziko-kimikë të ujit, pasi në total ky institucion analizon vetëm 10 prej 67 elementëve.

Zonat e pasigurta për cilësinë e ujit

Duke iu referuar dokumentit të UKT, zonat të cilat janë të pasigurta për cilësinë e ujit të pijshëm, pra puset, të cilat në raportin teknik kanë rezultuar me ndotje të Escheria dhe bakteri coli, furnizojnë me ujë të pijshëm Kombinatin që e merr ujin nga stacionet e pompimit Buka dhe Pema. Ndërkohë, Yzberishti, Yrsheku dhe Mëzezi furnizohen nga stacioni i pompimit të Bërxullit; Kodër Kamza dhe Instituti furnizohen nga stacioni i Laknasit dhe zona e Saukut, Liqeni i Thatë furnizohet nga partitari që është pusi i Pishinave.

Raporti teknik vë në dukje se zona e Yzberishtit, Yrshekut dhe Mëzezit që furnizohen nga stacioni i pompimit të Bërxullit “kanë problem me cilësinë e ujit dhe me fortësinë e tij, dhe në masterplan është parashikuar të furnizohet nga burime të tjera“.

Dokumentet e tenderit, evidentojnë si një zonë problematike edhe zonën e Qytetit të Nxënësve (Ose ndryshe Selita e vogël) që furnizohet me ujë nga stacioni i pompimit Pishina.

Edhe ky burim në perspektivën 20 vjeçare në kuadër të rikonstruksionit dhe të përmirësimit te furnizimit me ujë të zonave, duke mos plotësuar kushtet higjieno-sanitare dhe në kuadër të rritjes së performancës të kostos së ujit të pijshëm, është planifikuar të zëvendësohet dhe të marrë ujë nga Impianti i Trajtimit të ujit Bovillë”, thuhet në këtë dokument që sqaron se nga depo e Qytetit te Nxënësve furnizohet zona e Kodrës së Diellit, Zona e Fushës Misto Mame dhe Depo Misto Mame.

Tirana përveç këtyre burimeve furnizohet me ujë edhe nga stacionet e pompimit duke marrë ujërat nëntokësorë siç janë: Stacioni pompimit Laknas, Berxull, Pema, Buka, Pishinat, Coca –Cola, Kroi , Çokollata me kapacitet prodhimi në total nga 530-650 l/sek.

Vetë Bashkia përdor ujë të blerë

Vetë Bashkia e Tiranës harxhon çdo vit miliona lekë për të blerë ujin e pijshëm për punonjësit e saj. Ndonëse jemi në kohë emergjencash nga izolimi për shkak të Covid 19, Bashkia Tiranë ka hapur me datën 17 mars një tender për blerjen e ujit të pijshëm për punonjësit e bashkisë.

Shuma e vënë në dispozicion është 1.6 milionë lekë të reja, dhe do të shërbejë deri në fund të 2020.

Tenderi për të blerë ujë të pijshëm nga Bashkia e Tiranës, ndërsa garanton se uji i rrjetit është i sigurt, ka qenë në qendër të akuzave edhe nga opozita.

Në shtator të 2019, Ina Zhupa, zëdhënësja e Partisë Demokratike akuzoi Bashkinë e Tiranës se kishte shpenzuar miliona lekë për blerjen e ujit të pijshëm dhe publikoi edhe dokumentet.

“Referuar dokumenteve të tenderëve të zhvilluar 2 vitet e fundit , Bashkia Tiranë ka harxhuar rreth 28 milionë lekë për blerjen e ujit të pijshëm për administratën e bashkisë. Nëse uji i çezmave të Tiranës është i pijshëm me gjithë parametrat siç deklaron Veliaj atëherë pse bashkia dhe ai vetë paguajnë miliona lekë për të blere ujë të pijshëm për zyrat me paratë tona?!”, deklaroi Zhupa asokohe.

Ekspertët e ujit ngrenë alarmin

Analizat për cilësinë e ujit janë të shumta, por jo të gjitha kanë të bëjnë me të qenit e ujit të pijshëm apo jo. Kërkesa e parë për ujë të pijshëm është që ai të jetë i pastër bakteriologjikisht, pra të mos përmbajë baktere, të cilat dëmtojnë shëndetin e njeriut dhe shkaktojnë sëmundje deri vdekjeprurëse. Porta Vendore bisedoi me një sërë ekspertësh për këtë çështje sensitive, e cila është mbajtur e fshehtë për publikun. Por çfarë do të thotë një ujë që përmban baktere?

“Uji nuk është i pijshëm në mënyrë absolute nëse ka bakterin E. Coli , 0 duhet të jetë E. Coli, por nëse është 0.1 është shumë shqetësues. Dhe nëse është i infektuar me Streptokoku Fekal, pasi kjo e fundit do të thotë që ujërat e bardha janë përzierë me ato të zeza dhe ky është burim i padiskutueshëm infeksioni. Në këto raste duhet të ndërhyjë se s’bën kompania, për të hapur kanalizimin dhe për të parë se ku bashkohen këto ujëra. Nëse analizat bakteriologjike dalin keq, uji nuk është i pijshëm. Dmth e gjitha kjo është i tregues që nuk mund të bëhet asnjë lloj kompromisi, thjesht është i papijshëm uji”, tha një ekspert i uji të pijshëm, i cili për shkak të funksionit drejtues në administratë preferoi të mos identifikohej me emër, teksa shtoi se: “Nuk është e lehtë për ta rregulluar një ujë bakteriogjikisht të ndotur, pasi nëse ai rezulton me baktere atëherë nuk jepet leja higjieno-sanitare”.

Escherichia Coli është një bakter që zakonisht gjendet në zorrë të njerëzve dhe kafshëve të tjera me gjak të ngrohtë. Infeksioni me E. coli zakonisht transmetohet përmes konsumimit të ujit ose ushqimit të kontaminuar, siç janë produktet me bazë mishi dhe qumështi i papërpunuar.

“Ka pasur raste të raportuara dhe të ndjekura në spitalin Infektiv në QSUT, por nuk i ka ndjekur më gjatë njeri. Me këtë rrjet të amortizuar që kemi dhe me këtë ujë me orar sigurisht që do të ketë infeksion nga uji”, tha mjeku infeksionist Pëllumb Pipero.

Simptomat e sëmundjes përfshijnë dhimbje barku dhe diarre, ethe dhe të vjella. Shumica e pacientëve shërohen brenda 10 ditësh, megjithëse në disa raste sëmundja mund të bëhet kërcënuese për jetën.

“Nëse uji i pijshëm është i ndotur nga Escherichia Coli dhe Streptocoçus faecalis do të thotë që gjendja higjienike e ujit është e rëndë dhe kemi një përzierje të ujërave të zeza me ujin e pijshëm sepse ujërat e zeza janë burimi i escherichia coli dhe streptokokut Fekal. Në këtë rast duhet ndërprerë furnizimi me ujë, duhet bërë dezinfektimi i menjëhershëm dhe zbuluar shkaku i ndotjes”, tha për Portën Vendore Artan Trebicka, biolog dhe pedagog në Fakultetin e Shkencave të Natyrës.

Ndërsa inxhinier gjeolog dhe hidrogjeolog Sazan Guri, shprehet se uji që na vjen nga ujësjellësi dhe na serviret si ujë i pijshëm në fakt nuk plotëson asnjë parametër për të qenë i tillë.

“Për mua ujërat nëntokësore nga 0-30 metra thellësi janë të papijshëm. Kjo sepse thuajse e gjithë sipërfaqja e vendit ështëe ndotur me pesticide në shkallën më të lartë, nga fabrikat e plastikës, mbetjet e ndryshme, ka erozion të fortë dhe nuk është e mbuluar nga shtresa mbrojtëse, ajo që quhet humus që ta mbrojë. Si pasojë, sa herë bie shi ato depërtojnë duke ndotur ujërat nëntokësorë. Ndërkohë, ujërat sipërfaqësorë ndoten nga plehu i blegtorisë dhe shpesh janë të pranishëm bakteri E.Coli ”, shpjegon Guri.

Ekspertët: Klori, i barabartë me helm

Ujësjellës Kanalizime Tiranë kryen kontroll të përditshëm në 23 pika të ndryshme në të gjithë qytetin e Tiranës për monitorimin e klorit të lirë mbetës në pikat fundore të rrjetit të ujësjellësit.

Pretendimeve dhe shqetësimeve të shpeshta të banorëve se ndoshta uji ka fortësi më të madhe se sa duhet dhe është më i rëndë, Ujësjellësi sërish e gjen përgjigjen te depozitat. “Arsyet se përse një familje zgjedh të blejë ujin që pi, mund të jenë nga më të ndryshmet, siç mund te jenë p.sh moskujdesi siç duhet për depozitat personale, por nuk mund të përjashtojmë as faktin e të qenit një zgjedhje personale. Uji që shpërndahet në rrjet nga ujësjellësi ka fortësinë që kërkohet sipas të gjitha parametrave dhe cilësinë e duhur”, sqaron ujësjellësi.

Depozitat në tarracat e pallateve në kryeqytet. Foto: Esmeralda Keta

Klori është një nga dezinfektuesit me spektrin më të gjerë kundër ndotësve mikrobiologjikë. Sidoqoftë, si shumë substanca të dobishme, klori gjithashtu ka edhe efektet negative e mund të krijojë probleme nëse përdoret me tepricë. Kjo ka bërë që OBSH të analizojë pasojat afatgjata të pranisë së klorit në ujë në shëndetin e njeriut dhe më pas të përcaktojë vlerat e parametrit të sigurisë për ujin e pijshëm. Në thelb, klorifikimi nuk është në vetvete i dëmshëm për shëndetin tonë, edhe sepse, duke e bërë ujin e çezmës të qetësohet për një kohë, klori avullon plotësisht. Problemi më i rëndësishëm për shëndetin tonë përfaqësohet nga nënproduktet e tij, në veçanti trihalometanet dhe derivatet e tjera të klorit organik.

“Klorifikimi mbetet një nga metodat më të mira për dezinfektimin e ujit sepse, në një vlerësim midis rrezikut dhe përfitimit për shëndetin e njeriut, ekspozimi ndaj mikroorganizmave paraqet një problem shumë më serioz sesa prania e klorit dhe derivateve të tij në ujë. Në çdo rast, me kalimin e kohës janë identifikuar disa metoda alternative të dezinfektimit, të tilla si ozonimi, membranat e filtrit dhe teknologjia e rrezatimit UV, të cilat janë më pak invazive”, tha për Portën Vendore biologu dhe profesori Artan Trebicka, ndërsa citon edhe një studim të Universitetit John Hopknis mbi këtë çështje. “Përzierja e ujit me klorin, metoda më e zakonshme e dezinfektimit të ujit dhe e bërjes së tij të pijshëm, krijon nënprodukte toksike që nuk janë identifikuar kurrë deri më tani. Rezultatet e studiuesve u botuan në revistën Science Science & Technology dhe, megjithëse nuk vënë në dyshim përfitimet e klorit, ato tregojnë se si procesi i klorifikimit të ujit (i cili eliminon bakteret dhe viruset potencialisht vdekjeprurëse) mund të krijojnë nënprodukte të fenoleve potencialisht shumë të dëmshëm”, shton Trebicka.

Por ekspertët dhe njohësit e këtij sektori artikulojnë opinione të ndryshme sa i përket klorit, ku ndryshe nga Profesori Trebicka, Sazan Guri është më i prerë dhe kritik kur bëhet fjalë për përdorimin e klorit. Sipas tij, për të mbuluar ndotjen, Ujësjellësi përdor më shumë klor se sa është norma. “Kjo është e turpshme, pasi nga një mbrojtës i çastit, ai mund të kthehet në kancerogjen”, sqaron ai duke shtuar se tashmë janë të vërtetuara edhe shkencërisht dëmet që mund të shkaktojë në shëndet mbidozimi i klorit.

“Klori emrin e tij të vërtetë e ka helm. Ai futet në ujë për të neutralizuar ndotjen bakteriologjike. Sa më shumë klor të ketë uji, aq më i keq është ai dhe anasjelltas. A ka mundësi që klori të jetë 0, pasi në sasi të mëdha ai luan rolin e helmit”, thotë eksperti Zef Maçi.

Porta Vendore pyeti sërish një javë më parë pranë Ujësjellësit të Tiranës lidhur me këtë çështjeje ku ky institucion pranon shtimin e klorit me shfaqjen e Covid 19 edhe në vendin tonë por ai nuk shkon më shumë se 0,5 mg/l.

“Ju bëjmë me dije se që nga data 27.03.2020;  në të cilën kemi marrë një shkresë, nga Operatori i Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor (OSHKSH) ku u kërkohet të gjitha U.K.sh.a. që operojnë në Shqipëri  ti kushtojnë rëndësi të veçantë klorinimit të rregullt të ujit të pijshëm, si dhe në  pikat e kontrollit të rrjetit hidraulik të shpërndarjes së ujit  të pijshëm niveli i klorit të lirë mbetës të jetë në vlerën 0.5 mg//l;  vlera e nivelit të klorit të lirë mbetës që Ujësjellës Kanalizime Tiranë respekton  është 0.5mg/l,  në kuadër të masave lidhur me parandalimin e përhapjes së COVID 19.Ndërkohë që bazuar në VKM nr. 379, datë 25.05.2016, jashtë situatës së parandalimit të përhapjes së COVID19, niveli i vlerave të klorit të lirë mbetës është 0.3 – 0.5 mg/l”, thuhet në përgjigjen e UKT-së.

“Rruga” e Ujit

Burimet kryesore të ujit në Tiranë janë: burime me vetërrjedhje, si: Selita, Shën Mëria dhe Bovilla; Ujërat nëntokësorë me ngritje mekanike si: stacioni i Pishinave, stacioni i Laknasit, stacioni i Bërxullit, stacioni Pema, stacioni Buka, stacioni Coca – Cola, stacioni i Çokollatës dhe Kroi i Shën Gjinit; si dhe ujërat sipërfaqësorë me impiant pastrimi si Bovilla.

Më i hershmi është Ujësjellësi i Selitës, me vetërrjedhje, i cili furnizohet nga Mali me Gropa dhe është ndërtuar në vitin 1950. Ky burim me vetërrjedhje regjistron 230l/s prurje mininimale dhe maksimale 800-900 l/sek.

Burimi i Shën Mërisë, po ashtu furnizohet me ujë nga baseni i malit me Gropa dhe nëpërmjet një stacioni pompimi me ngritje mekanike në Qaf Mollë, uji bashkohet me burimet e Selitës mbrapa malit të Dajtit. Ky burim i ndërtuar më 1964, ka 640l/sek prurjet maksimale dhe 450 l/sek ato minimale

Edhe burimi i Bovillës së Vjetër është me vetërrjedhje dhe ka një kapacitet nga 150-450 l/sek. Ndërkohë që furnizuesi më i madh i Tiranës është impianti i Bovillës. Ky impiant furnizohet me ujë nga rezervuari i Bovillës me kapacitet volumi 80 milionë m3 dhe me volum përpunues 100 milion m3. Nga rezervuari i Bovillës në impiant furnizohet me kapacitet 1800 l/sek. Aktualisht projekti për furnizimin e Tiranës 24 orë me ujë, mbështetet pikërisht tek ky burim ujor, dhe projekti në fazën e dytë parashikon kapacitete përpunimi të këtij burimi, nga 1800l/sek në 3600 l/sek.

Por, sipas Sazan Gurit, as Selita dhe as Bovilla nuk i kanë shpëtuar ndotjes, ndonëse janë dy furnizuesit më të mëdhenj të kryeqytetit. “Selita ka ujë të mirë se vjen nga shkëmbinjtë karstikë, por në vitet ’97-2007 në Malin me Gropa, nga ku buron Selita, janë djegur e asgjësuar mijëra ton municione luftarake duke e ndotur. Dhe sado që uji kalon në shkëmbinj karstikë, pjesën kimike nuk e filtron dot”, thotë ai. Sipas tij, Bovilla ndotet nga lumenjtë që e furnizojnë pasi sjellin me vete llumra, sedimente e ndotje pesticide nga tokat përreth. “Ndaj Bovilla ka një ngjyrë si jeshile, sepse ka shumë alga” , sqaron Guri.

Megjithatë, ky nuk është problemi i vetëm, mosfurnizimi me ujë 24 orë shkakton probleme të tjera. “Problemi më rëndësishëm për sa i përket standardeve është mundësia për të pasur ujë të pijshëm në mënyrë të vazhdueshme. Nëse nuk kemi ujë të pijshëm në mënyrë të vazhdueshme për 24 orë nuk mund të jemi brenda standardeve evropiane. Mungesa e ujit gjatë gjithë ditës kushtëzon përdorimin e depozitave familjare të ujit, të cilat janë jashtë të gjitha parametrave”, tha Portën Vendore biologu Artan Trebicka. Por, sipas të dhënave zyrtare, prurjet maksimale në gjithë këto burime janë gjatë periudhës mars-prill dhe ato minimale rezultojnë të jenë gjatë periudhës së verës dhe konkretisht në muajit gusht-shtator.

Po ashtu, sipas ekspertëve, tubacionet metalike, në mungesë të ujit, korozohen, duke krijuar ndryshk që uji e merr pastaj me vete dhe na e sjell tek çezmat e shtëpisë. “Në stacionet nëntokësore, në 99.9% të rasteve uji nuk ka ndotje bakteriale. Ndotja ndodh gjatë procesit të transportimit të ujit deri në rubinetin e konsumatorit, shkak për këtë bëhet amortizimi i linjës” tha eksperti Zef Maçi.

Furnizimi, me orar të kufizuar

Por ndërsa furnizimi me ujë 24 orë, ka qenë një premtim i përhershëm i të gjitha forcave politike që pas viteve 90-të, aktualisht Ujësjellësi i Tiranës deklaron  për Portën Vendore se “Orari mesatar i furnizimit me ujë është 12.5 orë në ditë”, ndërkohë pjesa tjetër kompensohet nga depozitat, të cilat banorët i kanë vendosur mbi pallate ose në katet e nëndheshme në pallatet e reja. Por as kjo nuk duket të jetë e vërtetë, pasi realisht Tirana, nëse nuk janë depozitat ka ujë mesatarisht 6 orë në ditë. Në dokumentin që “Porta Vendore” disponon janë të pasqyruar edhe oraret përgjatë të cilëve, ujësjellësi hap saraçineskat për të dërguar ujin në çezmat e banorëve. Vetëm zona që furnizohet nga depo e Pallatit të Brigadave ka ujë 24 orë, ndërkohë që Shkoza apo Yzberishti kanë vetëm 2 orë ujë në ditë. “Me një rrjet tubacionesh të amortizuar dhe shumë ndërhyrje në rrjet, reforma e ujit të pijshëm duket një sfidë e vështirë për Bashkinë e Tiranës. Përveç burimeve nëntokësore, aktualisht Tirana e merr ujin e pijshëm nga Selita, një burim me vetërrjedhje me prurje minimale 230l/sek me maksimale 900l/sek. I ndërtuar më 1950, ai bashkohet me ujin që vjen nga Shën Mëria, i ndërtuar më 1964. Po ashtu burimi i Bovillës, është me vetërrjedhje, i ndërtuar më 1974, me prurje 150-450l/sek. Edhe ky burim ka shfaqur probleme” , thuhet në raport.

Por ekzistojnë shumë zona, duke filluar që nga zemra e Tiranës siç është cilësuar edhe Pazari i Ri që furnizohen me ujë vetëm 6 orë në ditë. Banorët tregojnë se pa praninë e depozitave nuk mund të menaxhohet kjo situatë.

Gjithashtu në zonën e Brrylit banorët ankohen për numrin e pakët të orëve që furnizohen me ujë të pijshëm. “Janë vetëm 6 orë në ditë, as depozita s’na mbushet. Të jesh në qendër të Tiranës dhe të vuash për pikën e ujit në vitin 2020, është e pakonceptueshme. Nuk e di dmth, se duan të lahen këta njerëz, se duhet të gatuajnë s’do t’ia dijë njeri fare. Jam me dy pompa në shtëpi, një personale e një kolektive në pallat e prapë vuajmë gjithmonë për ujin. S’po marr pastaj fare në konsideratë cilësinë e ujit, po të na vijë njëherë deri tek rubineti”, tha Shaqja.

Nga ana tjetër, të shumtë janë banorët që e sigurojnë ujin e pijshëm duke e blerë me bidonë nëpër markete, që e marrin në botet që e tregtojnë ose që shkojnë në Dajt për të mbushur. “Ne e dinim që në fillim që blemë apartamentin që Astiri furnizohej me ujë pusi dhe e kemi blerë gjithmonë ujin e pijshëm, kurse për të larë e gatuar me filtra funksionojmë, s’kemi ç’të bëjmë. Gjithsesi mendoj se me kalimin e viteve situata duhet të përmirësohet, se tani kjo lagje është mbipopulluar dhe ka një numër të konsiderueshëm banorësh”, tha për Portën Vendore Sibela.

Bidonë me ujë në ballkonet e pallateve në zonën e Astirit. Foto:Esmeralda Keta

Zona e “Astirit pranohet si problematike dhe nga vetë Ujësjellësi i Tiranës.“Ndër vite zona problematike sidomos gjatë muajve të verës janë konsideruar Yzberisht, Astir e Kombinat. Kjo sepse rritja e dendësisë së banorëve në këto zona nuk ka ndodhur njëkohësisht me investimet që ish-komuna kryente në rrjetin e furnizimit me ujë. Brenda pak vitesh popullsia e kësaj zone u dhjetëfishua duke arritur në 100,000 banorë, ndërkohë që rrjeti shpërndarës nuk u zgjerua, për më tepër deri në shtatorin e vitit 2019 burim furnizimi për këto zona kanë qenë vetëm stacionet e pompimit, prurjet e të cilave janë shumë të ndikueshme nga kushtet atmosferike”, tha UKT në përgjigjen e saj për Portën Vendore.

Ersida Teliti, drejtore e qendrës “Konsumatori Shqiptar”, njëkohësisht edhe pedagoge e të drejtës së konsumatorit në fakultetit e Drejtësisë, në UT, thotë se ankesat për ujin e pijshëm nuk janë të rralla pranë qendrës së tyre. “Qytetarët ankohen më së shumti për cilësinë e ujit të pijshëm, ankohen për orarin e reduktuar të furnizimit me ujë të pijshëm, ankohen shumë për faturat pasi nuk iu shkon në shtëpi, por edhe për çmimin me të cilin faturohen,” thotë Teliti.

Sipas saj, çështja e ujit të pijshëm është mjaft delikate, pasi për të përballur ankesat duhet të kryhen verifikime. “Është një çështje e vështirë për tu ndjekur, pasi nëse qytetarët ankohen për cilësinë kjo vërtetohet vetëm nëpërmjet analizave, por ne nuk kemi mundësi t’i kryejmë. Ndërkohë ka edhe një problem tjetër që edhe vetë qytetarët në pjesën më të madhe tërhiqen nga ankesa, në momentin që ti i kërkon të dhënat për ta ndjekur ligjërisht”, tregoi Teliti për Portën Vendore.

Sipas ekspertëve, vendi ynë ende nuk është i fuqishëm për t’i dhënë një zgjidhje përfundimtare çështjeve shqetësuese të ujit të pijshëm qoftë me oraret e reduktuara, qoftë edhe me amortizimin e rrjetit, pasi kjo kërkon një investim të konsiderueshëm. “Për t’i sjellë ujësjellësit në gjithë Shqipërinë në gjendje të mirë duhet në total një buxhet prej 55 miliardë lekësh. Por kjo s’do të thotë që rrjeti i amortizuar nuk mund të riparohet në mënyrë të segmentuar, të hulumtohet aty ku shfaqet problemi”, shprehen ekspertët.

Kush mban përgjegjësi për furnizimin me ujë të pijshëm në cilësinë dhe sasinë e nevojshme?

Bashkëjetesa e ujit me bakteret ka qenë një problem ndër vite e banorëve të Tiranës. Qendra Res Publica publikoi studimin “Padia kolektive – mungesa e së cilës zhbën të drejtat mjedisore dhe ato të konsumatorëve”, ku ngrinte shqetësimin e pranisë së baktereve të Escherichia Coli dhe Streptokokut Fekal në ujin e pijshëm dhe nxiste gjithashtu padinë kolektive për një shërbim të tillë të cunguar që qytetarët merrnin në kryeqytet.

VKM nr. 379, datë 25.05.2016 për miratimin e rregullores “Cilësia e ujit të pijshëm” përcakton qartë kërkesat e cilësisë së ujit të pijshëm, me qëllim mbrojtjen e shëndetit publik nga efektet negative të ndotjes së tij, duke siguruar që uji është i shëndetshëm dhe i pastër.

Në nenin nr. 5 për kompetencat dhe detyrimet e qeverisjes vendore thuhet se pushteti vendor është përgjegjës “.. që uji, i furnizuar nëpërmjet çdo rrjeti shpërndarës, depozite apo rezervuari fiks apo të lëvizshëm, pusi kolektiv, brenda zonës së tij territoriale, të jetë i përshtatshëm për përdorim në pikën e ofrimit të tij te përdoruesi, sipas kërkesave të parashikuara në shtojcën I”. Ndërkohë, kjo shtojcë paraqet nivelin e vlerave mikrobiologjike ku Escherichia coli (E. coli) duhet të jetë në nivelin 0 tek uji i pijshëm.

Në nenin 6 të kësaj VKM-je thuhet gjithashtu se uji i pijshëm duhet të jetë i shëndetshëm dhe i pastër si dhe uji nuk përmban mikroorganizma, parazitë apo ndonjë lëndë tjetër, e cila në sasi apo në përqendrim, përbën një rrezik potencial për shëndetin publik.

Ndërsa institucionet ia hedhin topin njëra-tjetrës kur vjen puna tek përgjegjësitë, pavarësisht se konsumatori është ai që preket drejtpërsëdrejti nga kjo situatë e cila ka vite që ekziston, ekspertët shprehen se përgjegjësi ka një emër.

“Instituti i Shëndetit publik është përgjegjës. Edhe kur bëhet një investim ai pyetet. Analizat kimike i ka vetë uji, ndërsa ndotësit bakteriologjikë vijnë për shkak të ndotjes së ujit. Ujësjellësi bashkë me ISHP-në e vendos se sa analiza duhet të bëjë në mënyrë periodike”, thanë ekspertët e ujit pyetur nga Porta Vendore.

Por dhe ISHP nuk e pranon përgjegjësinë, por ia hedh Drejtorisë së Shëndetit Publik. “Monitorimi i jashtëm është nën përgjegjësinë e strukturës rajonale të shëndetit publik, për të siguruar që uji i pijshëm në territorin e vet administrativ plotëson kërkesat sipas rregullores”, u shpreh ISHP për Portën Vendore.

Kjo amulli për përgjegjësitë mbi cilësinë e ujit të pijshëm për konsumatorët në Tiranë është kaluar në sitë edhe nga Kontrolli i Lartë i Shtetit. Ndonëse nuk flet për raste konkrete, KLSH ka lënë një sërë rekomandimesh. “Instituti i Shëndetit Publik të rrisë bashkëpunim me strukturat Rajonale të Shëndetit Publik, Ministrisë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës Kanalizimeve, shoqërive të Ujësjellës-kanalizimeve, Inspektoratit Shtetëror Shëndetësor, me qëllim që të sigurojnë, ofrimin e furnizimit me ujë cilësor të pastër e të vazhdueshëm për konsumatorët me ushtrimin e kompetencave dhe detyrave që ata kanë, në drejtim të: përmirësimit të kërkesave të cilësisë për ujin e pijshëm, monitorimit dhe përmirësimit të specifikimeve për analizat e parametrave të ujit të pijshëm”, këtë raport monitorimi që KLSH ka zhvilluar në fund të dhjetorit 2018.

Analizat e ujit të pijshëm – mision i pamundur

Në pamundësi për të marrë analiza të plota nga UKT, Porta Vendore tentoi të kryejë vetë një set analizash për të matur cilësinë e ujit të pijshëm në kryeqytet. Por pas një përpjekje katër mujore, ky mision rezultoi i pamundur, për shkak të ping-pongut të institucioneve që mund të kryejnë këto analiza.

Fillimisht Porta Vendore dërgoi shkresë zyrtare në fillim të muajit nëntor 2019 pranë ISHP ku i kërkohej të mbështeteshim për të kryer një set analizash biokimike, bakterologjike si dhe për praninë e metaleve të rënda në ujin e pijshëm. ISHP pranoi të kryente setin e analizave, por me kushtin që kampionet duhet t’i merrnim vetë. Drejtuesit e ISHP na treguan ligjin, sipas të cilit Instituti i Shëndetit Publik nuk mund të asistojë me specialistë në terren për marrjen e mostrave të ujit, pasi kjo përbën konflikt me funksionin që ata kanë. “Na sillni kampionet dhe ne sigurisht që do t’i kryejmë të gjitha analizat që ju kërkoni, por ne duhet të jemi të verbër përpara kampionit që na vjen. Pra nuk duhet të dimë asgjë”, na tha drejtoresha e ISHP-së, Albana Fico. “Ne jemi institucioni që kryejmë analizat dhe nuk mund të jemi edhe ai që marrim, pasi jemi në konflikt interesi”, përfundon ajo.

Sipas ligjit, që një kampion të konsiderohet i rregullt dhe të shmangë dyshimet për ndotje gjatë këtij procesi, mostrat e ujit duhet të merren nga tubacioni i rrjetit të ujësjellësit, nga një ekspert i Operatorit Shëndetësor Rajonal në prani të një inspektori nga Inspektorati Shëndetësor Rajonal, që mban procesverbal që mostra u mor në rregull. Pas kushtit të vendosur nga ISHP, shkresa u dërgua, rreth mesit të muajit nëntor 2019 pranë Operatorit Rajonal Shëndetësor.

Fillimisht na u premtua që do të mbështeteshim me një ekspert, por një muaj më vonë erdhi përgjigja zyrtare se nuk na mbështesnin dot me një ekspert që të merrte mostrat e ujit për analizim konform ligjit. Arsyeja sipas tyre ishte fakti që “pranë laboratorëve të tyre nuk kryheshin matje për metale të rënda dhe si pasojë nuk mund të kryenin analizat e kërkuara dhe si pasojë nuk na asistonin dot as me personel”. “Porta Vendore” zhvilloi edhe disa telefonata me përfaqësues të Operatorit Shëndetësor nëse ata mund të na asistonin në marrjen e mostrave në mënyrë që një set i analizave mikrobiologjike e bakteriologjike të kryheshin pranë laboratorëve të tyre, dhe ato për metale të rënda të dërgoheshin pranë ISHP, por sërish nuk morëm një mbështetje.

Duke qenë se Operatori Shëndetësor Rajonal, është institucioni që monitoron cilësinë e ujit të pijshëm çdo ditë në kryeqytet, “Porta Vendore” dërgoi në fillim të muajit shkurt 2020 një shkresë zyrtare pranë Operatorit për analizat që ata kanë kryer dhe monitorimin e cilësisë së ujit të pijshëm, por ende nuk ka një përgjigje prej tyre.