Ngjarje/Personazhe

Tirana i rikthehet frenetizmit, edhe pse ende në gjysmë karantinë gjithçka i është rikthyer normalitetit

13 maj 2020/ Arjola Hekurani/ Porta Vendore/ Tiranë

Dy muaj pas shpalljes së masave të sigurisë kundër përhapjes së Covid 19, në rrugët e kryeqytetit duket se gjërat kanë ndryshuar, krahasuar me ditët e mes-marsit, kur thuajse të gjithë iu nënshtruan karantinës. Por teksa qeveria nga java në javë po liron masat shtrënguese dhe po bën hapa përpara drejt hapjes totale, në Tiranë njerëzit duket se i janë rikthyer normalitetit, të shkujdesshëm, me masa mbrojtëse e herë edhe në grupe me më shumë se 5 persona, ditët e javës janë thuajse njësoj.

E ndërsa në Tiranë, jeta po i kthehet normalitetit, sportistët, në mungesë të palestrave, kanë dalë në liqeni. Tanimë, pas një periudhe disajavore i bllokuar nga qeveria, liqeni artificial i është rikthyer frekuentuesve me kohë të plotë.

Rregullat strikte të pozicionuara pranë dyerve të bizneseve vijojnë të qëndrojnë me stoicizëm, duke “detyruar” sadopak sensibilizimine respektimin e tyre.

Mos më gjykoni! Kështu e fitoj bukën unë dhe familja ime. Ajo është një nga shumë ato që gjëmojnë në këto ditë gjysmë-izolimi kazanët e plehrave. Ajo është një nga fëmijët e rritur para kohe të rrugës së Kavajës.

Kërkojmë punë! Utopia e momentit, për 61 mijë persona të mbetur të papunë. Zyra e Punësimit pranë Pazarit të Ri.

Kafenetë qëndrojnë ende të mbyllura, teksa bëhen gati për rihapje. Rihapja e kafeneve pas gjumit letargjik, mezi pritet nga qytetarët.

Karantina dhe Covid 19 varfërojnë edhe më shumë shtresat vunerabël. Në rrugë, e moshuara i është dorëzuar lypjes.

Jepet me qira. Njoftimi me tipik i dyqaneve gjatë kësaj periudhe. Kriza e shkaktuar nga Covid 19 gjunjëzoi me mijëra biznese.

Policia bashkiake teksa monitoron situatën tek Sheshi Skënderbej. Sheshi është kthyer tanimë në mundësi argëtimi për shumë familje.

Rregullat janë bërë për tu thyer. Të rinjtë nuk e respektojnë rregullin: “Nuk lejohen grumbullimet mbi 5 persona”.

Distancim social?! Por me kë?! Punëtorët e pastrim gjelbërimit duke “shijuar” orarin e pushimit të drekës.

Një çift që ka thyer karantinën për të kryer pazaret e nevojshme. Mosha e tretë vijon të dalë, por shumica prej tyre janë me masa mbrojtëse.

Po punëtorët e ndërtimit a janë të imunizuar nga Covid-19?! Karantina nuk ka ndalur punimet në rrugë.

Distancimi fizik shpesh respektohet edhe në dyqanet e vogla të shërbimit, pavarësisht mungesës së shënjuesve.

Shitësit ambulantë dhe qytetarët luledashës. Covidi nuk i sfidon lulet!

Tregu çam mes uljes së çmimeve dhe humbjes së fuqisë blerëse.

Paçka se ende zonë e kuqe, kryeqyteti duket se ka nisur të shijojë normalitetin. Tashmë, parqet janë populluar me qytetarë.