Vëzhgim/Analizë

Rrjeti 5G mes konspiracionit dhe ‘sundimit’ global

13 maj 2020/ Nikoleta Kovaçi/ Porta Vendore

5G po trondit botën! Për disa është e ardhmja, garancia, siguria, vetë jeta! Po, ama nesër. Ende sot s`ka testimet e duhura. Për të tjerë është frikë, pasiguri, kërcënim dhe, pse jo, mendje të ndryshme shkuan dhe shkojnë deri atje sa thonë: Është shkatërrim për mbarë njerëzimin!

Kina dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë pjesë beteje, sundimi ekonomik e përtej! Japonia vetëm sheh, dëgjon dhe pret! Pjesa tjetër e botës është thjesht spektatore! Asnjë ndikim! Madje as që merren në konsideratë. S`janë as numra në përllogaritjet e atyre që kanë çelësin e këtij ‘përbindëshi’ teknologjik! Ka nisur të lëshohet prej thuajse 7 muajsh! Vendet që e kanë pranuar pa e testuar duket se janë penduar. Shpërndarja e virusit mizor, Covid-19, që iu mori jetën mijëra njerëzve në të gjithë botën, që gjunjëzoi Italinë, Spanjën e tashmë po trondit edhe Amerikën, që doli andej nga doli 5G-ja, ka vënë në një pikëpyetje të madhe të mirën e këtij rrjeti gjigant. Bota shkencore është e ndarë në dysh: inxhinierë, pasanikë, njerëz pushtetesh dhe drejtues shtetesh gjenden në kahun e shpikjes së madhe, asaj që thuajse e çon dhe e beson jetën në ‘duart’ e një pajisjeje që kontrollohet nga një sistem valësh, dhe nga ana tjetër janë shkencëtarët që besojnë dhe argumentojnë mbi një rrezik të madh global kundër qenies njerëzore, madje shkojnë deri atje sa e konsiderojnë këtë rrjet si vrasës të kafshëve dhe shpendëve.

Në Britani, në Birmingam, pak ditë më parë, njerëz të rastësishëm filmuan zogj që ngordhnin nëpër rrugë! Atje thuhet se po instalohet me shpejtësi 5G-ja! Po ashtu italianët skeptikë dhe të tronditur nga humbjet e panumërta të jetëve njerëzore në Bergamo, Breshia e Venetto janë kthyer tek shpërndarja e këtij rrjeti në ato zona. Ata dyshojnë, po edhe flasin! Madje kanë shkuar deri atje sa katastrofën e kësaj kohe ia faturojnë pikërisht ekzistencës së këtij rrjeti. Fanatikët e teknologjisë çdo qasje të tillë e quajnë konspiracion. Jo vetëm në Itali, po kudo nëpër vendet ku 5G ka gjetur hapësirën. Edhe Zvicra, Austria, Belgjika, Holanda kanë reaguar. Madje grupe të caktuara individësh kanë formuar banda “kriminale” dhe po sulmojnë bazat duke i djegur.

Aktet e konsideruara terrorizëm.

Autoritetet shtetërore po i quajnë grupe ‘terroriste’! Po i gjurmojnë dhe godasin si të tillë, ndërsa mediat sociale të gjithë botës janë përfshirë në debatin e ashpër të domosdoshmërisë jetike të avancimit dhe mos nevojës së ekzistencës së këtij rrjeti, sipas tyre shkatërrues të imunitetit njerëzor!

Protesta në Zvicër për 5G

Po ne, (shqiptarët) ku jemi?!  

Me 30 tetor të vitit që lamë pas, Vodafone Albania dha një shfaqje ‘5G-je’! U quajt moment historik. U demonstrua live sesi do të jetë të ngasësh një makinë në të ardhmen, pa patur nevojën e një shoferi. Aty morën pjesë njerëz të njohur nga politika, biznesi dhe media. Transmetimi i shfaqjes u bë live nëpër mediat që e mundësojnë një praktikë të tillë, ndërsa u pa që kryeministri i vendit provoi i pari makinën pa shofer dhe pas rrugëtimit u shpreh i magjepsur nga shpikja më e fundit e teknologjisë.  Drejtori i Përgjithshëm i Vodafone Albania, Achilleas Kanaris, ndër të tjera tha: “Po nisim sot këtë rrugëtim të ri këtu, nga Tirana. Ajo që po dëshmojmë këtu sot është një projekt pilot, i provuar në shumë pak vende të tjera, duke e vendosur Shqipërinë në pararojë të këtij rrugëtimi”!

Edi Rama në promovimin e 5G në Shqipëri.

Për teknologjinë 5G kanë folur implementuesit. Kanë thënë se ky rrjet mundëson shpejtësi të lartë interneti dhe ka reagim deri në 100 herë më të shpejtë krahasuar me 4G-në ekzistuese. Madje në reklamimin e të mirave që ka ky sinjal u tha se përdorimi i teknologjisë 5G do të hapë siparin e përdorimit të një larmie teknologjish, duke përfshirë, robotikën e kontrolluar në distancë, makinat autonome, zhvillimin e bujqësisë, operacionet kirurgjikale në distancë etj. U tha edhe se ne ishim zgjedhur për këtë implementim njësoj si vendet e zhvilluara. Por askush nuk doli të fliste se çfarë është në të vërtet 5G? A është i mbrojtur konsumatori? Përveç të mirave të pafundme, a mos ka edhe ndonjë rrezik kjo lloj shpejtësie vale? A i ka Shqipëria kapacitetet e duhura për të realizuar shtrirjen e duhur dhe, sigurisht, për të kryer edhe matjet e duhura të rrezatimit që vijnë nga antenat? Të gjithë të intervistuarit, po edhe ata pak ekspertë që janë shprehur, bashkohen në një pikë: Ende nuk është testuar rreziku!

Në botën 5G

Inxhinieri Ledian Piperku, teksa tregon përparësitë e 5G-së thotë se do të jetë më pak i dëmshëm se sa 4G-ja edhe pse pranon se fillimisht 5G do të instalohet në valët e 4G! “Mund të them që nuk jam pionier i njërës anë apo tjetër (dmth i dëmshëm apo i padëmshëm). Thjesht mendoj në bazë të njohurive profesionale që po ekzagjerohet disi me epitetin ‘i dëmshëm’. Personalisht mendoj që kur flitet për diçka që bën dëm apo bën mirë duhet të specifikohet sa ‘dëm’ bën apo sa ‘mirë’ bën. Për argumentin 5G ka shumë artikuj në rrjet që flasin, po shumica e artikujve janë asnjanës dhe ka një përse: Sepse në realitet nuk dihet as për 4G nëse është i dëmshëm. Dmth nuk ka prova për dëmet e 4G, aq më tepër nuk mund të flasim për prova kundër 5G pasi është një teknologji akoma më e re dhe e pa provuar”, tha ai.

Antena në kashar, 3-4 G ku do instalohet edhe 5G-ja si fillim.

Piperku është, në fakt inxhinier Automatizimi dhe punon e jeton në Itali. Ai ka shumë për të thënë në drejtim të këtij ‘pushtuesi’ teknologjik, ndërkohë që kundërshton valën e shkrimeve që lidhin përhapjen e koronavirusit me shpërndarjen e 5G-së. Duke qenë njohës i mirë i fushës dhe i terminologjisë ai vijon të mbështesë idenë se rrjeti ekzistues ka frekuenca të njëjta me 5G por fuqia ose energjia që do të ketë 5G është shumë herë më e vogël. “Unë mendoj-thotë ai– që 5G është më pak i dëmshëm se 4G dhe ta shpjegoj përse. Unë e arsyetoj mendimin në bazë të njohurive teknike së inxhinierisë elektronike. Nuk jam mjek dhe ndoshta mund të gabohem në këtë drejtim, pra nga ana mjekësore. Por duke u përqendruar tek ajo që di, pra te teknika, për rrjetin 5G vala që do të mbulojë një zonë të caktuar nuk do të jetë si një re elektromagnetike, siç ndodh për 4G. Për 4G antena e montuar diku në lartësi mbulon një zonë të caktuar me valë elektromagnetike vazhdimisht dhe ne jemi gjithmonë në këtë re të padukshme elektromagnetike.”

Për ta thjeshtëzuar diferencën mes 4G dhe 5G ai tregon shembullin e vendndodhjes përballë një antene aktuale që shpërndan 3G dhe 4G. Në lidhje me ketë ekzistencë antene dhe të dhjetërave të tjerave nëpër pallatet dhe ndërtesat e vendit, banorët kanë reaguar me dhjetëra herë. Kanë kërkuar largimin e tyre pasi ata besojnë se kanë patur probleme me imunitetin. Ndërsa inxhinieri konkretisht nis e bën edhe diferencën: Konsidero atë përballë pallatit. Ajo lëshon energji elektromagnetike vazhdimisht. Dhe ne themi: ka valë! Ajo antenë lëshon energji elektromanjetike me një frekuencë diku te 20MHz. Dhe mbulon të gjithë zonën, 360 gradë. Dmth ju jeni në ndikimin e asaj vale 24 ore, non stop. Për 5G nuk do të ndodhë kështu! Për 5G do të përdoren fillimisht antenat e 4G, por më pas do të përdoren antena shumë më të vogla të montuara nëpër semaforë!

Por në lidhje me valën që i duhet këtij sistemi shpërndarjeje, inxhinier Piperku ka shpjegimin e vet. Ai tregon se valët s`do të jenë më si ato të 4G por do të jenë rreze që kalojnë nga një antenë e vogël në tjetrën.  “Karakteristika që ka rrjeti 5G i lejon valës të transmetohet me antena të vogla dhe në distanca më të shkurtra. Valët nuk do të jenë re elektromagnetike mbuluese por rreze që shkojnë nga një antenë te tjetra, me një fuqi shumë herë më të vogël se 4G por më të shpejtë. Unë mendoj që ky është avantazh sepse njerëzit nuk do të jenë në ndikim elektromagnetik 24 orë, por vetëm kur flasim në telefon apo kërkojnë atë shërbim ndërlidhës. Gjithashtu valët 5G me frekuencë të lartë nuk janë në gjendje të tejkalojnë ndërtesat. Dmth njerëzit do të jenë të mbrojtur, por telefoni funksionon gjithsesi brenda ndërtesës sepse do të ketë ripetitorë të vegjël që marrin valën nga jashtë dhe e fusin brenda në harkun e 10 metrave si një valë Bluetooth (një valë Bluetooth funksionon në 5GHz frekuencë). Dhe e bukura është që vala futet brenda vetëm në momentin kur përdoruesi e kërkon nëpërmjet telefonatës apo internetit”.

Ai mendon se ne goditemi nga valë shumë herë më të rrezikshme. Vala ultraviolet, sipas tij, ka frekuencë më të lartë dhe sigurisht që është e dëmshme. Dhe këtu i vjen radha e shqetësimit të madh të njerëzve që lidhet me rritjen e sëmundjeve tumorale. Piperku mendon se duhen prova për tumoret që flasin njerëzit sepse nuk dihet realisht shkaku. Pra, sipas tij, ka kandidatë shumë herë më të rrezikshëm se sa rrjeti telefonik. Për të padyshim që edhe frekuenca GHz nuk bën mirë, sidomos kur jemi pranë antenës ku fuqia e valës është më e lartë, por me atë fuqi që projektohet për telefoninë nuk mund të jetë kurrsesi më e rrezikshme se një rreze kozmike nga e cila goditemi gjithë ditën dhe me një fuqi më të lartë ndoshta.

Pra ai nënvizon se: “Vala del me një fuqi nga antena dhe humb energjinë e saj deri sa arrin në telefon. Nuk them dot që nuk është e dëmshme, por do të jetë, sigurisht, më pak e dëmshme se sa 4G për mënyrën si do të projektohet. Njerëzit dhe gazetarët nuk i dinë detajet teknike…”

Pro dhe kundër

Por domosdoshmërisë së përhapjes së këtij rrjeti i bashkohet edhe Pirro Xhixha. Ai ka drejtuar për disa vite kohë AKEP-in (Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare). Ai flet me siguri për faktin që nuk ka asnjë të dhënë që e dëmton shëndetin, ku sipas tij ky shërbim në vendin tonë duhet të jetë i mirëpritur. Në reagimin e tij ai aludon se konspiracioni nuk ka të bëjë me dëmin shëndetësor por me betejat tregtare. “5G është e ardhmja e kësaj bote globale. Vetë ekzistenca e koronavirusit tregoi që pa internet nuk do të ishim këtu ku jemi me informacionin dhe inovacionin shkencor. Pastaj konspiracionet dhe luftërat tregtare janë tjetër gjë. Nesër pa 5G nuk do të konceptohen zhvillimet botërore. Nuk ka asnjë të dhënë për dëmtime të shëndetit, se janë fuqi shumë të ulta transmetimi dhe të mirëstudiuara për emetimet. Çdo gjë tjetër është në rrafshin konspirativ dhe jo shkencor. Lufta tregtare pastaj është tjetër aspekt. Unë gjykoj që në varësi të mundësive financiare të kompanive celulare dhe këtu ky shërbim do të ishte një gjë e mirëpritur me shumë avantazhe. Normalisht nuk duhet të mbetemi jashtë zhvillimeve botërore. Siç e tregoi kjo kohë që 4G bëri të ishim të barabartë me të tjerët në këto zhvillime të fundit dhe të rëndësishme!”, tha ai.

Por janë një sërë mjekësh që janë parë ditëve të fundit të dalin në media dhe të pohojnë dyshimet që kanë në lidhje me shpërndarjen e 5G-së duke e lidhur me vrasësin e padukshëm të quajtur Covid-19! Ilir Allkja, epidemiologu i njohur në vend nuk di të thotë saktësisht nëse bën dëm apo jo ky rrjet teknologjik me valët e veta, por ai iu referohet reagimeve të shumta në të gjithë globin kundër kësaj teknologjie. Duke nënkuptuar thënien e vjetër shqiptare “ku ka zë, nuk është pa gjë” Allkja pranon se jemi pranë revolucionit teknologjik, ndonëse askush nuk di të thotë se sa i mbrojtur është njeriu përballë kësaj teknologjie. “Thuhet që frekuenca tejet e lartë dëmton mikrogjallesat, por edhe qelizat e shëndetshme tek kafshët e njerëzit. Përderisa vende të zhvilluara e kanë ndaluar, do te thotë që ka veprim. Duke gjykuar nga entuziazmi që ka shkaktuar teknologjia 5G tek qeveritë dhe industritë e disa vendeve, jemi pranë një revolucioni teknologjik”, tha ai.

Ne, pranuesit e heshtur!

Në Evropë shumë grupe kanë kërkuar aplikimin e një moratoriumi për 5G. 245 shkencëtarë kanë firmosur moratoriumin deri në gusht të 2019-s. Madje janë kërkuar edhe ndalime. Reagimet e ashpra nga popullatat e kohës së virusit vrasës kanë bërë që disa qeveri të mendohen në lidhje me shtrirjen. Tek ne është pranuar, ashtu siç pranohen të gjithë gjërat e huaja pa asnjë pengesë dhe dyshim! Prej janarit 2020, tri qendra shpërndajnë 5G, madje janë të miratuara edhe nga AKEP, ndërsa askush nuk di të thotë se Komisioni për Mbrojtjen nga Rrezatimi i ka kapacitetet e duhura të kryejë matje dhe të nxjerrë konkluzione për të shuar dyshimin e madh që po brenë njerëzit. Më herët Martin Pall, një ish-profesor i Universitetit të Shtetit të Uashingtonit tha se 5G do të shkatërrojë aftësinë riprodhuese të njeriut. Por beteja për posedimin e të dhënave mes SHBA-së dhe Kinës i zbehu reagimet e kundërshtarëve të kësaj teknologjie, të cilët kanë më shumë se një vit që ulërinin për goditjen që pëson imuniteti i njerëzve. Në vendin tonë drejtuesit e institucioneve përgjegjëse pretendojnë se antenat e telefonisë së lëvizshme nuk kanë asnjë lloj ndikimi negativ në shëndetin e popullatës! Por në institucione që presin ankesa gjenden me dhjetëra shqetësime, edhe kolektive, për vendodhjen e këtyre antenave që shpërndajnë 3G dhe 4G, por tani, për një periudhë të pacaktuar kohe do të shpërndajnë edhe valët-rreze të 5G-së, rrjetit që premton revolucion, që ka vënë në garë për supermaci fuqitë ekonomike të Botës po edhe në frikëra e dyshime të thella, shoqërinë njerëzore që duket e pafuqishme për tu mbrojtur nga ky kërcënues potencial i panjohur dhe botërisht e pranuar si i patestuar!