Vëzhgim/Analizë

Ndotja e ajrit u ul gjatë karantinës, por rreziku mbetet i madh nëse nuk vëmë mend

13 maj 2020/ Eljona Ballhysa/ Porta Vendore/ Tiranë

Matjet e ndryshme në Tiranë dhe në qytetet kryesore të vendit tregojnë se përgjatë periudhës së karantinës ajri është pastruar ndjeshëm. Është ulur niveli i ndotjes në të gjithë komponentët si në dioksid karboni, dioksid azoti, monoksid azoti dhe grimcat PM2.5 dhe PM10, duke shënuar ulje të ndotjes së ajrit, jo vetëm krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, por edhe me normat e BE-së. Të paktën kjo rezulton nga matjet e kryera nga Co Plan dhe nga Agjencia Kombëtare e Mjedisit. Por parashikimet nuk janë dhe aq pozitive, pasi pritet që menjëherë pas përfundimit të karantinës, ndotja e ajrit të jetë akoma më e madhe se më parë, ndërsa ekspertët drejtojnë gishtin nga ISHP, për më shumë matje e transparencë për ndotjen e ajrit.

Parashikimi, Co Plan: Në qershor, ndotja e ajrit më e madhe se më parë

Rodion Gjoka, drejtues i Njësisë së Mjedisit dhe Energjisë në Co Plan, prej gati 2 vitesh bën rregullisht matje të nivelit të ndotjes së ajrit në Tiranë dhe në qytetet kryesore të vendit, në kuadër të një studimi të mirëfilltë që do të publikohet në mes të muajit maj, ku siç thotë ai, pritet të përfundojë edhe periudha e karantinës. Gjoka tregon për Portën Vendore se ndalimi i qarkullimit të makinave, por edhe pezullimi i punës së bizneseve dhe një pjese të industrisë ka reduktuar ndjeshëm ndotjen e ajrit në vend. “Në krahasim me vitin 2019, për cilësinë e ajrit kemi nxjerrë mesataren për 5 komponentët kryesorë. Për dioksid karboni, dioksid azoti, monoksid azoti dhe grimcat PM2.5 dhe PM10. Në tërësi grimcat kanë qenë diku tek 35-40% më lart. Aktualisht janë 60% më ulët sesa vjet dhe 25 % më ulët sesa norma e BE që aplikohet dhe në Shqipëri. Kurse elementi ndotësi i dioksidit të karbonit që ka qenë edhe me shqetësues, pasi ka qenë 3-fish më i lartë se standardi në pikat kryesore të Tiranës, aktualisht paraqitet brenda standardeve në këto kushte që jemi”, tregon Gjoka.

Ai thotë se në Tiranë ndotësit kryesorë të ajrit janë transporti , pra qarkullimi i makinave, ndërtimi dhe industria e çimentos. “Këtu në Tiranë, 3 janë burimet kryesore të ndotjes së ajrit. I pari është transporti, i dyti është ndërtimi që me njëri-tjetrin shpeshherë bëjnë garë kush të zërë vendin e parë, dhe pastaj është industria e çimentos dhe bizneset e vogla. Përsa kohë janë mbyllur bizneset dhe trafiku është reduktuar, edhe ndotja ka rënë. Me rikthimin e tyre gjithçka do kthehet si më parë”, tha Gjoka për Portën Vendore.

Referuar të dhënave nga matjet e ajrit, katër janë zonat më të ndotura në Tiranë. “Historikisht kanë qenë 3 ose 4 zona kryesore, Kryqëzimi i 21 Dhjetorit, Vasil Shanto, Kryqëzimi i Rrugës së Elbasanit dhe rreth-rrotullimi te Ekonomiku. Aktualisht në seksionin ku kemi matur, te Zogu i Zi, te 21 -shi dhe te Vasil Shanto situata paraqitet brenda standardeve”, tregon Gjoka.

Por lajmi i keq është se menjëherë pas përfundimit të karantinës niveli i ndotjes do të kthehet ose aty ku ishim, ose edhe më i lartë, pasi bizneset dhe industria pritet të rikthehen në punë me ritëm më të madh për të plotësuar boshllëkun e kësaj pauze. Madje, sipas Rodion Gjokës, shtimi i qarkullimit të makinave gjatë ditëve të fundit ku ka pasur lehtësime të masave nga qeveria, kanë ndikuar në rritjen e nivelit të ndotjes së ajrit.

“Le të themi se rritja e nivelit të ndotjes është diktuar në këto ditë që është lejuar në masë qarkullimi. Me siguri që parashikimi është se do rikthehet ndotja, ndoshta edhe më fort se më parë sepse industria që është pezulluar gjatë kësaj periudhe do rikthehet më e fortë për të kapur afatet e veta. Ne parashikojmë që do të kemi rritje të ndotjes, ndoshta në fillim të qershorit mund të rikthehemi në kushtet që kemi qenë”, thotë Gjoka, i cili tregon se gjatë të premtes niveli i dioksidit të karbonit te 21-dhjetori dhe te Zogu i Zi ka qenë lehtësisht mbi standardet e lejuara.

I pyetur për idenë e hedhur së fundi nga kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, e të përforcuar më pas edhe nga Kryeministri Rama se pas përfundimit të pandemisë do të sanksionojë fundjavën pa makina, Gjoka thotë se ky vendim do të zbusë ndjeshëm për një ose dy ditë nivelin e ndotjes së ajrit, por nuk do të ishte zgjidhje.

“Ky është një koncept që është zhvilluar edhe para pandemisë. Kërkime të ndryshme dhe qytete të përparuara Europiane si Roterdami, Amsterdami, Londra e Milano që kanë pasur probleme me ndotjen e ajrit e kanë aplikuar këtë praktikë për të pasur ditë pa makina. Por me tej e kanë aplikuar ndarjen e qytetit në zona emetimi. Kemi zona me emetim të ulët, kemi zona me emetim zero. Mund të lejohen të kalojnë mjete që qarkullojnë me naftë apo ato që janë nën kategorinë euro 6. Kjo është një praktikë që në botë njihet. Kurse në kushtet e Tiranës unë mendoj se nuk mund të aplikohet në masë pasi ka një ekonomi që varet prej mënyra sesi lëvizin. Mirë do bënte se e kthen qytetin në më të jetueshëm, për fëmijët, për moshat e treta, për familjarët që duan të lëvizin. Edhe në termat e ajrit e zbut por s’do thosha që është zgjidhja. Absolutisht nuk është zgjidhja, por e zbut atë ditë dhe të nesërmen për të pasur një përqendrim më të ulët të nivelit të ndotjes”, tha Gjoka.

 

Agjencia Kombëtare e Mjedisit: Të ulet ndjeshëm qarkullimi i makinave

Edison Konomi, drejtor i Agjencisë Kombëtare të Mjedisit tha për Portën Vendore se agjencia ka kryer matjet të cilësisë së ajrit në datat 28 Mars -5 Prill 2020, përgjatë kohës kur vendi ndodhej në karantinë. Sipas të dhënave të Agjencisë Kombëtare të Mjedisit, vihet re ulje e vlerës së grimcave të pluhurit në ajër në më pak se gjysma e vlerave të lejuara. Pra ndotja e ajrit është përgjysmuar përgjatë ditëve të karantinës.

“Agjencia Kombëtare e Mjedisit ka realizuar monitorimin e cilësisë se ajrit urban për treguesin PM10 (grimcat e pluhurit me madhësi 10 mikron) në stacionet në Tiranë . Monitorimi është realizuar me pajisje manuale ku të dhënat janë regjistruar 24-orëshe në datat 28 Mars-5 Prill 2020. Nga të dhënat e monitoruara me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar (2019) është vërejtur një tejkalim i normës 24-orëshe prej 50 μg/m³ afërsisht me 20%, ku vlera me e ulët ka qenë 38.50 μg/m³, ndërsa vlera më e lartë 131.58 μg/m³. Ndërsa për të njëjtën periudhë (28- Mars-5 Prill) 2020 kemi një mesatare ditore nga matja 24 orare, më e vogël se norma, përkatësisht 43.54%, 27.04%, 48.88%, 38.66%, 35.38%, 29.08%, 41.9%, 32.12%, 25.6%, ku vërehet se në datat 29 mars dhe 5 prill janë vlerat më të vogla që përkojnë me ditën e diel”, sqaron kreu i Agjencisë Kombëtare të Mjedisit.

Bazuar në këto të dhëna, Agjencia Kombëtare e Mjedisit thekson se në Tiranë sasia e lartë e grimcave të pluhurit në ajër vjen si pasojë e trafikut rrugor më shumë sesa nga shkaqet e tjera të tipit industrial që vërehen në vendet e tjera. Për këtë arsye, sugjerimi që bën kjo Agjenci është që të reduktohet ndjeshëm lëvizja me automjete dhe rritjen e numrit të ditëve pa makina.

“Situata e krijuar në këtë luftë me këtë armik të padukshëm duhet të na bëjë të reflektojmë për të ardhmen që përveç masave të marra nga Bashkimi Evropian, patjetër dhe vendi ynë për reduktimin e ndotësve të cilësisë së ajrit deri në 2050 me anë të Green Deal, të fokusohet dhe në pikat e mëposhtme: Reduktimi i lëvizjes se automjeteve, e cila do te sillte pashmangshmërisht reduktim të trafikut, transporti urban, përdorimi i mjeteve alternative të lëvizjes me ndikim të ulët në mjedis dhe shmangie e lëvizjeve pa arsye si dhe metoda e re duke punuar online janë një mënyrë shumë e mirë për të reduktuar numrin e makinave”, sugjeron Agjencia Kombëtare e Mjedisit.

Lavdosh Ferruni: Niveli i ndotjes dy-fish mbi normën e lejuar nga OBSH

Ambientalisti Lavdosh Ferruni ka kritikat e tij për ndotjen në këto kohë karantine. Ai tha për Portën Vendore se ka investiguar për rreth 1 muaj të dhënat që publikon aplikacioni Tirana Ime e Bashkisë së Tiranës për ndotjen e ajrit në Tiranë dhe thotë se niveli i ndotjes është dyfish mbi normat e lejuara nga OBSH. “Kam investiguar për 1 muaj e ca çështjet e ndotjes, nga të dhënat e aplikacionit Tirana Ime që menaxhohet nga bashkia. Kam bërë një krahasim me normën sipas standardit të OBSH, pra PM10 dhe PM2.5 dhe rezultojnë se PM2.5 është gati dyfish i normës së lejuar”, thotë Ferruni mbi monitorimin e tij.

“Nga një vrojtim i 117 matjeve prej 14 Marsit deri në 22 Prill të këtij viti pandemik në 4 pikat përfaqësuese të Tiranës PM 2.5 rezulton të jetë 2 herë më e lartë se norma e përcaktuar nga OBSH dhe në 7% të rasteve rezulton 4 herë më e lartë se standardi”, thotë Ferruni.

Aplikacioni Tirana Ime monitoron 4 pika kryesore të kryeqytetit, përkatësisht: Kryqëzimin e rrugës së Elbasanit, Sheshin Skënderbej, Kryqëzimin e 21 dhjetorit, dhe Laprakën.

Por ajo që thotë Ferruni mbi nivelin më të lartë të ndotjes që shfaqet në aplikacionin Tirana Ime, Rodion Gjoka, drejtues i Njësisë së Mjedisit dhe Energjisë në Co Plan ka një arsyetim të drejtë. Ai i tha Portës Vendore se ndonjëherë aparaturat e bashkisë kanë një mosrakordim. “Po ta shohësh me vëmendje, jo 2fish siç thotë Lavdoshi por janë edhe 5-6 fish më të larta në disa momente. Nuk di te them arsyen por besoj çështje teknike e aparatit që mat ndotjen. Ndofta duhen ri-kalibruar. Nëse do ishte ndotja serish 2-fish së pari do e kishim regjistruar ne me matjet tona ditore të shpërndara nëpër Tiranë. Pra të dhënat e pm janë nën nivelin e OBSH-së të dyja dhe nuk kanë diferencë me të dhënat e bashkisë, ndërsa no 2 është dyfish mbi normën e OBSH-së”, tha ai për Portën Vendore.

Porta Vendore gjithashtu pyeti pranë Bashkisë Tiranë mbi këto matje që kryen aplikacioni Tirana Ime dhe diferencën e tyre të të dhënave por nuk mori një përgjigje.

Ndërsa disa ditë më parë Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erjon Veliaj, deklaroi në Report Tv se duke u nisur nga fakti se ndalimi i qarkullimi të makinave ka ulur ndjeshëm ndotjen në Tiranë, pas pandemisë do të sanksionojë në Tiranë fundjavën pa makina. Ai tha se duhet të vendosim në balancë stilin e jetesës për të mbrojtur natyrën.

Gjatë kësaj periudhë qyteti ka qenë më i pastër, më i kthjellët dhe kemi kuptuar se ndotësi më i madh janë makinat. Në Tiranë bëhen 800 mijë segmente me makina në ditë kot. Pra 400 mijë prej tyre bëhet vetëm për distanca të shkurtra, për të shkuar te kafja, në dyqane, në farmaci, apo parukeri që mund ta bëni shumë mirë në këmbë ose biçikletë. Kemi kuptuar se stili i jetesës mund të përshtatet me mirë me këtë dashuri për natyrën. Ajo që na u desh të bënim për 5 vite, sot u arrit në 5 javë dhe ditët pa makinë nuk janë të pamundura dhe nuk është e pamundur që fundjavën të lëvizim në këmbë apo me biçikleta. Në momentin që do i rikthehemi jetës normale do sanksionojmë fundjavën pa makina por jo më nga halli por për një shëndet me të mirë e ajër më të pastër. Kur të kthehemi në normalitet do ta sanksionojmë si një rutinë që na bën mirë ne”, tha Veliaj.

A kryhen në Shqipëri matje sipas standardeve?

Ish eksperti i ISHP-së për ndotjen e ajrit Agron Deliu, i tha Portës Vendore se matjet dhe monitorimi për këtë problematikë duhet të ketë më shumë vëmendjen e institucioneve përgjegjëse, e të mos kryhen vetëm raporte sipërfaqësore për këtë problematikë që merr çdo vit jetë njerëzish.

“Një javë para karantinës unë dola vetë nëpër kryqëzimet e Tiranës, që konsiderohen më të ndotura si pasojë e trafikut të rënduar në këto akse dhe bëra ca matje me aparatin tim. Shifrat e pm10 dhe pm 2,5 ishin tejet shqetësuese dhe mendova që t’i bëja publike, por edhe kjo është e kotë pasi nuk merret njeri seriozisht me mjedisin dhe ndotjen në vendin tonë. Në një vend si i yti kur jemi në luftë ekzistenciale, këto probleme duken si abstrakte, ndërkohë që çdo vit ndotja merr mijëra jetë njerëzish, madje më shumë se aksidentet rrugore”, thotë Deliu ndërsa thekson se : “Deri në vitin 2012-2013 ISHP ishte institucion referues, derisa stafeta për matjet e ndotjes në qytete i kaloi Agjencisë Kombëtare të Mjedisit, e cila akoma nuk ka nxjerr raportin për vitin 2019. Fondet gjithashtu që u ulën ndjeshëm. Ndërsa stacionet e operimit janë të amortizuar e të pakalibruar e nuk maten gjatë periudhës më të madhe të vitit. Një matje e mirë e ajrit është kur ne matim 75% të ditëve në një vit, që matje të konsiderohet e saktë e që të dilet në një konkluzion”, sqaron eksperti i ajrit, Agron Deliu.

Tirana, ndryshe nga rrethet disponon edhe një stacion matjesh të lëvizshëm, por edhe ky stacion sipas ekspertëve nuk vihet në punë gjatë të gjithë kohës, por vetëm me raste.

“Duhet të kryhen më shumë matje nga institucionet përgjegjëse, ISHP-ja gjithashtu dhe të merren masa konkrete. Por këtu çdo gjë është retorikë. Këtu vazhdon ndotja. Dhe ne matim për fat të keq vetëm 2-3 javë në vit që është e pakonceptueshme dhe kjo ndodh për shkak të mungesës së fondeve”, përfundon Deliu për Portën Vendore.

Porta Vendore kontaktoi gjithashtu Institutin e Shëndetit Publik për situatën e ndotjes në Tiranë dhe të dhënat që ky institucion disponon, por përfaqësues të këtij organi thanë se: “Kemi shifra, por për momentin është e pamundur t’i dispononi, pasi stafi i ISHP-së për shkak të pandemisë së Covid 19 ka një ngarkesë shumë të madhe, por matje bëhen në mënyrë të vazhdueshme”, tha në prononcimin e tyre burime zyrtare nga ky institucion.