12 maj 2020/ Elvis Hila/ Porta Vendore/ Lezhë
Me zbutjen e masave kufizuese të lëvizjes, Ylli Zefi iu rikthye punës në kuzhinën e restorantit të tij, jo për të qenë në shërbim të klientëve të përhershëm, por për një mision mjaft të veçantë. Në këto ditë të vështira që po kalon vendi, kuzhinieri i njohur në Lezhë është vënë në dispozicion të njerëzve në nevojë dhe atyre që nuk e kanë ndaluar asnjë ditë punën, pavarësisht rrezikut nga Covid 19.
Ylli Zefi ka 25 vite që punon si kuzhinier, ndërsa tani po i vjen në ndihmë njerëzve në nevojë, bluzave të bardha, policisë, punonjësve të medias dhe të Shërbimit Social të Bashkisë Lezhë.
“Lokalin e kam mbyllur që prej vënies në zbatim të masave shtrënguese të qeverisë për mospërhapjen e koronavirusit. Me lehtësimin e masave jam kthyer në kuzhinën e restorantit dhe krahas porosive online, në këto kohë po gatuaj edhe për njerëzit në nevojë dhe ata që janë në ballë të punës në këto ditë të vështira”, thotë Zefi për Portën Vendore.
Nevoja për të qenë sa më pranë njerëzve në këtë periudhe të vështirë e ka nxitur të ndërmarrë këtë iniciativë, të cilën thotë se po e bën me mjaft dëshirë.
“Së bashku me stafin tim e nisim ditën herët, me qëllim që dreka të jeta gati për personat që përzgjedhim e që shkojnë deri në 100 në ditë. Pasi e bëj gati ushqimin e shpërndaj me makinën time. Për njerëzit në nevojë operoj në bashkëpunim edhe me Bashkinë Lezhë, sepse ata i kanë të evidentuara familjet në vështirësi ekonomike dhe që kanë nevojë për ushqim. Këtë punë po e bëj me mjaft dëshirë me aq sa kam mundësi, pavarësisht se nevojat janë shumë herë më të mëdha. Normalisht që kjo punë ka kosto dhe vështirësitë e veta, duke iu referuar edhe situatën që jemi, pasi po bëhen 50 ditë që lokalin e kam mbyllur dhe kjo do thotë mungesa të ardhurash për ne. Po deri sa të kem mundësi do të vazhdoj të kontribuoj sadopak në tejkalimin sa më lehtë të kësaj situate”, thotë kuzhinieri lezhjan Ylli Zefi.
Kjo iniciativë e kuzhinierit lezhjan është pritur mjaft mirë nga personat që jetojnë në kushte të vështira ekonomike. Ata thonë se periudha e gjatë e izolimit ua ka vështirësuar jetesën dhe në këtë situatë mbështetjen e shohin si mjaft të domosdoshme.
“Ne edhe më parë ishim në vështirësi të shumta ekonomike, por kjo kohë izolimi na ka sjellë edhe më shumë halle. Që prej vënies në zbatim të masave shtrënguese të qeverisë, kemi ngelur pa punë, sepse jemi të vetëpunësuar, duke bërë punë të ndryshme krahu dhe duke qenë që s’jemi as të siguruar, ne nuk përfitojmë as paketat e qeverisë. Kjo situatë na ka vështirësuar shumë jetesën dhe madje po vuajmë për bukën e gojës. Bashkia është munduar të na vijë në ndihmë me pako ushqimore, por edhe kuzhinieri Ylli Zefi na ka siguruar ushqim në këtë periudhe. Gjithsesi shpresojmë që kjo situatë të kalojë sa më parë dhe t’i rikthemi normalitetit sepse e kemi të domosdoshme të punojmë sepse ndryshe nuk mund të jetojmë“, thotë Man Sinani, banor i lagjes “Skendërbeg” në qytetin e Lezhës
Ndërsa një tjetër banor tregon vështirësitë qe i ka sjellë izolimi, teksa kërkon më shumë vëmendje dhe mbështetje.
“Me pak fjalë po mbijetojmë sepse nuk kemi të ardhura dhe shpresa e vetme është që t’i rikthehemi sa më parë normalitetit. Na kanë ardhur në ndihmë me pako ushqimore, ndërsa kuzhinier Ylli na ka sjellë shpesh herë gatime, por kjo nuk është e mjaftueshme. Nevojat tona janë shumë herë më të mëdha sepse nuk kemi asnjë mundësi për të jetuar në kushtet e izolimit i cili po zgjat shumë më shumë seç e kishim menduar,” tha Besnik Mikrezvani banor i Shëngjinit për Portën Vendore.

Një tjetër target-grup përfitues nga ushqimet e kuzhinierit janë edhe policët, të cilët kanë punuar në këtë situatë në terren dhe me orë të zgjatura pune.
“Ne s’e kemi ndaluar asnjë ditë punën. Vijojmë të qëndrojmë në terren me orare të zgjatura për të garantuar zbatueshmërinë e masave për mospërhapjen e virusit. Normalisht se kjo kohë ka qenë e vështirë për të gjithë sepse rreziku dhe frika e infektimit është e madhe, por deri tani falë zotit ia kemi dalë me sukses. Kuzhinier Ylli na ka suprizuar shumë, teksa me makinën e tij na ka sjellë ushqime të gatuara nga ai vetë, disa herë. Ky është një veprim që e vlerësoj shumë sepse se kisha menduar asnjëherë që dikush do mendonte për ne në këtë kohë që po kalojmë,” shprehet një punonjës policie.
Kryetari i Bashkisë Lezhë, Pjerin Ndreu thotë se bizneset kanë qenë një mbështetje e madhe për bashkinë në këtë periudhe të jashtëzakonshme të krijuar nga Covid 19
“Bizneset kanë qenë një mbështetje e madhe për ne në këtë kohë të pazakontë që po kalojmë. Edhe kuzhnieri Ylli Zefi është njëri nga ata persona që po na mbështet maksimalisht në këto kohë të vështira. Ai ka gatuar për stafin tonë, por edhe për shumë familje në nevojë”, thotë Ndreu, duke shtuar se në Lezhë janë ndihmuar 5 mijë familje në nevojë.
Prej afro një muaj në Lezhë nuk ka pasur raste të reja me COVID-19, ndërsa 14 personat e infektuar janë shëruar që të gjithë. Por pavarësisht shifrave pozitive, Lezha vijon të jetë zonë e kuqe dhe policia e ushtria vijojnë te jenë në terren për zbatueshmerinë e masave të vendosura nga Qeveria Shqiptare.