Çdo qytetar që kërkon të lidhë një linjë të re energjie elektrike duhet të paguajë 22 mijë lekë të reja për lidhjen e re, pavarësisht mundësive ekonomike që mund të ketë, edhe nëse i përket shtresave në nevojë. Ky vendim i marrë nga Enti Rregullator është cilësuar nga Komisionieri për Mbrojtjen nga Diskriminimi cilësohet diskriminues për shtresat në nevojë dhe është kërkuar që të merren masa për ndryshimin e tij.
Vendimi i Komisionerit, i marrë më 7 prill të këtij viti ka ardhur pas ankesave të disa qytetarëve në Elbasan dhe në Korçë, të mbështetur nga aktivistët e Lëvizjes Rinore Egjiptiane, të cilët kishin kërkuar lidhjen e një linje energjie për banesa. Atyre iu kërkua që të paguanin tarifën prej 22,000 lekë të reja, ose në mungesë të pagesës saj, ata nuk mund të furnizoheshin me energji elektrike.
I pari që ishte ankuar ishte qytetari Z. A., nga Elbasani, i cili në ankesën e tij pranë Komisionerit, ka deklaruar se nuk është debitor ndaj OSHEE dhe është paraqitur pranë zyrave të OSHEE Elbasan për tu informuar mbi kushtet dhe dokumentacionin që nevojitet për tu furnizuar me energji elektrike dhe është vënë në dijeni se nevojiteshin 22.000 lekë, si dhe duhet të plotësonte një sërë dokumentesh. Në këto kushte, ai i ka shkruar sërish OSHEE-së për ta vënë në dijeni se ishte i varfër, pra i përkiste shtresave në nevojë që trajtohen me ndihmë ekonomie dhe nuk kishte mundësi të paguante tarifën. Por pas kësaj shkrese, ai nuk ka marrë më asnjë përgjigje nga OSHEE, kështu që këtë veprim e ka cilësuar diskriminues.
Po ashtu, për të njëjtën çështje janë ankuar dhe tre qytetarë nga Korça. Sipas ankesës, qytetarët janë shprehur se, që prej vitit 2014 janë akomoduar nga Bashkia Korçë tek ndërtesa e
ish-Konviktit të Shkollës Bujqësore. Fillimisht ata janë furnizuar me energji elektrike nëpërmjet
një kontrate kolektive, të lidhur me Bashkinë Korçë, të cilës i paguanin një shumë të caktuar,
fikse për furnizimin me ujë dhe me energji. “Në vitin 2017, pasi lidhëm kontratën e huapërdorjes me Bashkinë Korçë, nga ana e saj u mendua që ne të lidhnim kontrata individuale me OSHEE-në për furnizimin me energji elektrike”, shprehen ata, që sipas rregullores duhet të paguanin nga 22 mijë lekë të reja secili.
Komisioneri, menjëherë ka nisur hetimin e rasteve, nga ku ka konstatuar se qëndronte i njëjti problem për të katër qytetarët ankimues. Sipas komisionerit, OSHEE është e detyruar të veprojë sipas rregullores “Për lidhjet e reja në sistemin e shpërndarjes” të miratuar nga ERE për pagesën e tarifës, vendim që nuk përjashton asnjë qytetar. Në këto kushte, Komisioneri ka dalë në konkluzionin është ERE që diskriminon shtresat në nevojë me rregulloren e miratuar, dhe ka kërkuar ndryshimin e saj. “ERE të marrë masa për ndryshimin e pikës 4.3 të Rregullores ‘Për Lidhjet e Reja në Sistemin e Shpërndarjes’, për lidhjen e Kontratës për Furnizimin me Energji Elektrike, duke çliruar nga barra e pagesës së tarifës së lidhjes së re, aplikantët që trajtohen me statusin e ‘klientit në nevojë’, të cilët ndodhen në pamundësi financiare për ta realizuar atë”, vendosi Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi.
Në këto kushte, Komisionieri ka kërkuar që ERE, brenda 30 ditëve nga marrja dijeni e këtij vendimi, të informojnë Komisionerin lidhur me masat e ndërmarra. Sipas ligjit, nëse ERE nuk reflekton vendimin e Komisionerit, ky institucion ndëshkohet me gjobë, ndërkohë që ky ka afat 45 ditë për t’u ankuar kundër vendimit të komisionerit në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë Tiranë.
Porta Vendore kontaktoi dhe me Ervis Çotën, Drejtor Ekzekutiv i Lëvizjes Rinore Egjiptiane Rome në lidhje me këtë çështje sesi është vepruar nga ERE, duke qenë se kanë kaluar më shumë se 30 ditë nga dhënia e vendimit të Komisionerit. “ERE ka dërguar argumente kundër, pranë Komisionerit, që nuk është dakord me vendimin dhe ka shprehur se do e apelojë. Por deri tani nuk jemi në dijeni të jetë bërë apelim”, u shpreh Çota, ndërkohë që tashmë kanë mbetur 10 ditë kohë për apelim. Në rast se ky vendim nuk apelohet, atëherë hyn në fuqi automatikisht vendimi i Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi. Nëse ky vendim mbetet në fuqi, sipas aktivistëve, ky është një hap pozitiv për qindra familje të varfra shqiptare, të cilat nuk furnizohen me energji elektrike për shkak të pamundësisë ekonomike. Ata u shprehën se do të monitorojnë dhe advokojnë bashkë me familjet e varfra për zbatimin e këtij vendimi.
Më herët, LRE ka ngritur shqetësim dhe çështjen e kompensimit të energjisë elektrike për “klientët në nevojë”. Një peticion me 3200 firma nga qytetarët e aktivistët e shoqërisë civile i është dorëzuar qeverisë në muajin korrik të vitit 2019 për miratimin e VKM-së për “klientin në nevojë”, nga i cili do të përfitojnë ndihmë financiare për energjinë elektrike të gjitha familjet në nevojë, në bazë të Ligjit “Për Sektorin e Energjisë Elektrike”, të miratuar në vitin 2015. Peticioni u dorëzua pranë katër institucioneve: në Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë, në Ministrinë e Industrisë dhe Energjetikës dhe pranë Kryeministrisë, ku kërkohet miratimi i VKM-së, në zbatim të nenit 95 të ligjit për Sektorin e Energjisë Elektrike.