Ngjarje/Personazhe

Hapet estetika dhe dentistët, si ishte dita e parë e “çlirimit” pas dy muajsh karantinë

11 maj 2020/Porta Vendore/ Tiranë

Pas dy muajsh karantinë, sot me urdhër të qeverisë dhe në masa të rrepta të respektimit të protokollit të sigurisë janë hapur parukeritë, estetikat dhe klinikat dentare. Mbyllja e tyre dymujore ka sjellë stres për shumicën e grave dhe vajzave, frekuentuese të parukerive dhe estetikave e për mijëra të tjerë që kanë dashur t’i drejtohen dentistit, por dhe për meshkujt për mungesën e një berberi. Por si është dita e parë e punës për profesionistët që i rikthehen punës pas dy muaj karantinë? Porta Vendore bisedoi sot me 4 personazhe, për të sjellë një panoramë të asaj që ndodhi nëpër këto biznese të domosdoshme e që i kishin munguar shumë klientëve, por edhe se si e shikon sektori i bukurisë të ardhmen e kësaj pune. 

Brikena Xhixha ka 13 vite që punon si estetiste-dermatologe. Ajo ka pritur e përcjellë me qindra personazhe publike, intelektuale dhe njerëz që kanë zbukuruar lëkurën dhe jetën me dorën e saj.

E afirmuar prej vitesh në fushën e estetikës, për Brikenën, dy muajt e karantinës ishin periudha me e gjatë që ka ndenjur larg nga profesioni i saj.

“Që kur kam filluar punën time maksimumi i pushimeve ka qenë një javë dhe padyshim kjo ka qenë një periudhë shumë e gjatë pushimi për mua. Por ndihem më e qetë me idenë që po rikthehemi në punë mbas një kohe të konsiderueshme. Gjithçka këtu mëështë bërë si familje”, thotë ajo për Portën Vendore, ndërsa shton se gjatë të gjithë kësaj kohe e kanë kontaktuar shumë klientë, për t’i thënë se sa i mungonte. “E gjithë kjo më ka emocionuar shumë, pasi ne kemi një klientelë të ngritur dhe mungesa është ndier tek ato po aq sa tek mua, e kjo gjë më ka bërë të ndjehem shumë optimiste”, tha Brikena.

E diplomuar dy vite më parë edhe për dietologji në Itali ajo tregon se profesioni i saj në thelb të çdo gjëje ka pasionin. “Profesioni për mua është një pjesë shumë e rëndësishme e jetës sime dhe të ushtroj atë që unë e kam pasion është të marrë frymë lirisht”, rrëfen Xhixha.

Por me rikthimin në punë, kanë filluar të lindin edhe ato pasiguritë e para të vogla për të ardhmen e biznesit të saj.

Pak e vështirë që t’i rikthehemi normalitetit, duhet kohë që të marrim ritmet e mëparshme. Shpresoj shumë që vendi jonë mos kalojë një krizë të mundshme, se nuk di çfarë emri do të ketë tek ne me varfërinë që kemi. Mendoj që viti në vijim s’ka për të qenë vit i shkëlqyer, por do jetë një vit që do kërkojë durim për të pritur kohë më të mira mbas gjithë kësaj ndërprerjeje”, tregon estetisja Brikena Xhixha, ndërsa thekson se nuk do të ketë rritje çmimesh në shërbimet e shumta që ofron përkundrazi: “Besoj se do ofrojmë paketa ku klientët mos e ndiejnë kohën që kanë munguar në punë apo që kanë pasur pagesa të reduktuara”, tha ajo për Portën Vendore.

Ndërsa sa i takon protokollit të masave të sigurisë për mos përhapjen e Covid-19 ajo na rrëfen se po i respekton me rigorozitet të lartë, siç ka bërë edhe para pandemisë globale.

“Ervo-nails” është një tjetër lloj estetiste, por ajo është e fokusuar në kurimin e thonjve, për të cilat duhet thënë se gjatë këtyre dy muajve në karantinë shumëkush çfarë nuk do jepte për të kuruar dorën. Interesi që kanë gratë dhe vajzat për këtë shërbim është i madh, ndaj edhe radha ka nisur. Ervina ka 5 vite që merret me këtë profesion. Edhe pse ka studiuar teknologji ushqimore ajo krejt papritur zbuloi pasionin e saj të madh për këtë punë, duke e kthyer më pas në profesion.

Ajo rrëfen për Portën Vendore se ditën e parë të rikthimit e ka pritur me ankth e entuziazëm.

Në të vërtetë ndihem e emocionuar, pasi më ka munguar shumë si punë. Vërtetë e dashuroj si profesion, pavarësisht se kam studiuar diçka tjetër këtë e kam pasur pasion, pasion i cili u rikthye në profesion. Nuk jam larguar kurrë për një kohë kaq të gjatë nga klientet dhe me thënë të drejtën kam pasur shumë telefonata. Më thoshin, por meqë dyqanin nuk e ke të hapur vijmë tek shtëpia jote s’ka problem, vetëm të na i bësh thonjtë se s’po e shohim dot më veten kështu, por unë si shumë të tjerë kam respektuar rregullat strikte të karantinimit”, tha Ervina, teksa po punon thonjtë e klientes së parë.

Ervina duke folur për Portën Vendore.

Kur e pyesim a ka pësuar një lloj krize ky sektor që ajo punon, Ervina nuk vonon të bëjë krahasimin e dukshëm për të para dhe pas karantinës. “Megjithëse oraret e javës së parë nga sot deri të premten i kam të zëna, sërish vë re se nuk është se është kërkesa si para Covid 19, kjo deri më tani që flasim, pasi siç dihet dhe njerëzit tashmë e mendojnë dy herë që të kryejnë shërbime të tilla, por pavarësisht kësaj ka shumë të tjerë, që mezi e kanë pritur hapjen tonë sepse duan të relaksohen dhe e presin si ‘anti-stres’ ardhjen tek estetisti”, thotë ajo për Portën Vendore.

Atë që thotë Ervina e konfirmon më së miri edhe klientja që është në procesin e kurimit të thonjve. “Sapo mora vesh nga televizori që do hapen parukeritë nxitova të lë oraret për sot, sepse e kisha të nevojshme. Mendoj se të gjitha ne që kemi qenë në karantinë dhe jemi lodhur me kujdesin ndaj shtëpisë, fëmijëve dhe familjes në këto dy muaj e meritojmë pak kohë e përkushtim për veten. Jam mësuar që e kuroj imazhin tim gjithmonë dhe më thënë të drejtën u ndjeja pak keq gjatë karantinës vetëm për këtë shkak, ndërsa pjesa tjetër ishte goxha argëtuese sepse të shpenzosh kohë me familjen është gjithnjë një gjë pozitive”, tha zonja rreth të 35-ve, ndërsa theksoi se nxitoi që të linte orarin e para, pasi i trembej fluksit që mund të kishte sot.

Por protokolli e thotë qartësisht se nuk lejohet më shumë se 1 klient në dyqan, ndërsa ky rregull paralajmërohet edhe nga broshurat e ngjitura në dyert e dyqaneve.

Protokolli më duket shumë i mirë dhe s’ka asgjë të tepruar, pasi unë shumicën e këtyre i kam zbatuar para Covid 19. Të vetmet gjëra ekstra kanë qenë maskat për klientët dhe veshjen e këpucëve. Të tjerat kemi qenë gjithmonë strikt për sa i përket sterilizimit të mjeteve dhe dezinfektimit të ambientit ku punojë, pas çdo klienti”, rrëfen Ervina, ndërsa thotë se nuk ka ndërmend të aplikojë rritje çmimesh. “Nuk do të rris çmime aktualisht, por nëse rritet kostoja e produkteve do të detyrohem pastaj. Megjithatë mendoj se do kemi vështirësi por do ia dalim me qetësi, vullnet dhe pune”, përfundon ajo duke qeshur.

Fare pranë saj në zonën e ish parkut të autobusëve takojmë edhe berber Amarildon. Kështu e thërrasin dhe e njohin të gjithë. Jo vetëm banorët e zonës por edhe më gjerë. Ai ka 8 vite që e ushtron këtë profesion. Ndërsa rrëfen që herë pas here gjatë kësaj periudhe ka bërë edhe ndonjë lëshim për qethjen e familjarëve ose të ndonjë klienti “Vip”.

“Më kanë kërkuar shumë klientë që të qethen, më kanë thënë se do të vijmë dhe në shtëpi. Madje, me disa të njohur kështu kemi funksionuar”, tha Amarildo, ndërsa thekson se ka një radhë të paparë për qethje nga meshkujt.

“Kanë lënë orar shumë veta. Ka edhe nga ata që vijnë pa orar, por ua kemi bërë të qartë se nuk mund të rrinë në dyqan dhe se duhet të lënë orar, që mos të hamë dhe ndonjë gjobë. Se mirë se kemi kaq kohë pa punë, por hamë dhe ndonjë gjobë e pastaj dalim të falimentuar”, tha ai. Amarildo si shumë biznese të tjera të vogla përfituan nga paga e luftës, por ai sot i gëzohet faktit të rikthimit në punës, pasi vetëm me 26 mijë lekë nuk ja dilte.

“Kjo periudhë ka ndikuar negativisht në aspektin ekonomik, pasi paga e luftës nuk nxjerr as shpenzimet që kemi, jo më fitimet. Por shyqyr që mbaroi që të rikthehemi në normalitet, sipas kushteve të vendosura nga qeveria”, sqaron ai për Portën Vendore. Edhe në stinën e verës, dyqani i tij i vogël qëndron plot dhe koha më e gjatë që ai ka “braktisur” klientelën për plazhin, dhe ka mbyllur biznesin për maksimumi 5 ditë. Përsa i përket zbatimit të protokollit kundër Covid19, Amarildo tregon se e gjitha kjo do të rrisë kostot për klientët.

Mendoj se protokolli do të shtojë koston dhe ndoshta kjo nuk pritet mirë nga klientët, që do të thotë se mund të ketë rënie të xhiros ditore. Por dhe me humbje nuk mund të dalim. Po mundohemi që rritja të jetë proporcionale dhe mos të abuzojmë, pasi nuk duam që të humbasim dhe klientelën. Urojqë kjo periudhë do të kalojë shumë shpejt, ndoshta deri në muajt e parë të verës”, përfundon Amarildo, teksa vijon qetësisht punën me një klient të vogël.

Berber Armando me klientin e tij të vogël.

Edhe Biana është paksa skeptike për të ardhmen, teksa flitet që si në të gjithë botën edhe vendi ynë të pësojë krizë financiare.

Ajo ka 14 vite që punon si parukiere në zonën e Pazarit të ri, dhe rikthimi në punë e gjen plot me klientë edhe pse protokolli respektohet deri në një.

Rikthimi në punë për mua është gjëja më e mirë, sidomos të takoj klientet e mia. Pas kaq shumë vitesh në këtë profesion me shumicën prej të tyre tashmë ndjehemi shumë të afërta. Nuk isha shkëputur asnjëherë kaq shumë nga puna ime, përjashto këtu kohën pas lindjes së vajzës, dhe kjo dita e parë më duket si dita e parë e punës, plot emocione. Sepse na kishte kapluar frika se kur do hapen bizneset tona, kur do lejohen parukeritë, njerëzit që na pyesnin. E dua shumë këtë punë dhe shpesh herë për ti ardhur në ndihmë klientëve dal edhe orë e pa orë, mjaft që ato të ndjehen mirë”, rrëfen Biana për Portën Vendore. Shpesh sallonet e bukurisë bëhen burim thashethemesh e mesa duket kjo i ka munguar jo pak frekuentueseve të tyre.

“Po punoj me klientelën time të rregullt. Bazuar dhe në situatën e pandemisë që vendi ynë po kalon, si të gjithë sektorët edhe sektori i bukurisë do të ketë uljet dhe ngritjet e veta. Por pozitiv shikoj faktin se klientet janë shfaqura të interesuara për të lënë orare dhe uroj që dalëngadalë ti rikthehemi normalitetit. Mendoj se tani për tani është e rëndësishme që ti kthehemi punës, pastaj të mendojmë për rritjen e çmimeve”, përfundon ajo.

Klinikat dentare janë një tjetër kategori biznesi që iu rikthye punës ditën e sotme të datës 11 maji. Porta Vendore i është referuar edhe më parë me një artikull, rrezikut të madh të dentistëve në këtë kohë pandemie.

Elda Dervishi mes vrullit të punës gjen pak kohë për të na rrëfyer impresionet e ditës së parë të rikthimit në punë dhe sfidat e të ardhmes për këtë profesion.

“Këto dy muaj larg punës kanë qenë tepër të vështira ndaj dhe rikthimi në punë mezi është pritur si prej nesh, ashtu sikurse edhe prej pacientëve! Ka qenë një rikthim komplet ndryshe nga rutina jonë e zakonshme, një rikthim me kujdes më të shtuar dhe protokolle të reja pune. Telefonatat e vazhdueshme të pacientëve me urgjenca dentare e kanë shtuar mungesën që ndjenim ndaj punës dhe përgjegjësinë morale për t’i shërbyer atyre”, tregon Elda, ndërsa sqaron se puna e tyre tashmë është e ndarë në faza.

Faza e parë e rikthimit i është dedikuar urgjencave dentare, pacientëve me dhimbje dhe atyre që mbetën pa përfunduar trajtimet për shkak të shkëputjes së menjëhershme dhe futjes në karantinë. Kërkesat ndaj pacienteve për të marrë shërbim kanë qenë shumë të larta, por reduktimi i numrit të pacienteve që mund të trajtohen në një ditë e ka vështirësuar pak menaxhimin e rasteve”, tregon ajo për Portën Vendore.

Elda Dervishi duke folur për Portën Vendore.

Elda ka 8 vite që ushtron aktivitetin si dentiste, ndërsa karantinën e ka parë si kohën më të gjatë të qëndrimit larg profesionit.

Kjo ishte realisht koha më e gjatë e shkëputjes nga puna, për më tepër ishte një shkëputje që askujt nuk i kishte shkuar ndërmend, erdhi fare papritur, dhe akoma më të vështirë e bënte fakti që nuk dinim sa do zgjaste. Gjatë gjithë kohës se karantinës kemi qenë në kontakt të vazhdueshëm me pacientët, përveç këshillave që i kemi dhënë për të menaxhuar urgjencat, kanë qenë të shumta dhe telefonatat e mesazhet që ishin për të na përshëndetur ose për të pyetur për shëndetin tonë dhe të familjes”, rrëfen ajo e emocionuar për këtë fakt. Por me rikthimin në punë kanë nisur edhe vështirësitë e para. Çdo gjë duhet të jetë sipas protokollit të miratuar nga qeveria por sa të vështirë e kanë vetë dentistët aplikimin e tij?

Protokolli masave mbrojtëse është shumë i domosdoshëm, edhe pse krijon pak vështirësi në mbajtjen dhe praktikat gjatë punës me to. Ne i kemi marrë të gjitha masat dhe po e ndjekim me përpikëri. Por vazhdimësia e punës do të jetë e vështirë për shkak të protokollit të masave të marra si; veshje të papërdorura më parë, maskat FFP2 të cilat do të përdoren tanimë”, tha dentisja.

Por ashtu siç është artikuluar edhe në ditët e fundit në media, mendohet që ky biznes të ketë një rritje çmimesh për të justifikuar në një farë mënyre edhe kostot financiare të masave të marra.

 “Rritja e çmimeve do të ishte e nevojshme si pasojë e shpenzimeve të shtuara por për momentin nisur nga situata kritike në të cilën ndodhet pjesa më e madhe e popullsisë, ne do të sensibilizohemi dhe do mundohemi të mos rëndojmë edhe më shumë pacientët tanë”, shpjegon Elda. Por ashtu sikurse të gjithë të tjerët, ajo i trembet krizës financiare që do të kaplojë vendin tonë për shkak të pandemisë globale të Covid 19.

“Frika e një krize ekonomike është e madhe, pasi kjo ishte një tronditje e fuqishme për ekonominë e cila sjell një efekt domino tek të gjitha strukturat e saj”, përfundon Elda Dervishi.