Ngjarje/Personazhe

Romët e Gjirokastër në udhëkryq, apelojnë për ndihmë dhe hapjen e tregut

10 maj 2020/ Brikena Metaj/ Porta Vendore/ Gjirokastër

Izolimi i gjatë nga Covid -19 penalizoi rëndë shtresat më të ndjeshme të popullsisë. Prej më shumë se dy muajsh tregtarët romë në Gjirokastër kanë ndërprerë tregtinë e tyre të përditshme ndërsa apelojnë për ndihmë dhe hapjen e tregut.

Banorët e komunitetit rom i gjen të grumbulluar e të ulur përtokë në qendër të lagjes së tyre. Sapo merr kthesën majtas në thellësi të lagjes “Zinxhira”, asfalti mbaron dhe aty ku më shumë se dy dekada më parë kishte vetëm zall, sheh së largu grumbuj të çrregullt barakash të vjetra, shumica të ndërtuara me copa llamarinash, plastmase, dyer të vjetra. Në rrugët e pashtruara të lagjes, plot pluhur e baltë vrapojnë fëmijë këmbëzbathur, gra me fustane të gjata shumëngjyrëshe flasin me zë të lartë.

Në një prej shumë shtëpive të sajuara, një nuse e re po mbush disa bidonë të verdhë me ujë nga një llastik i gjatë, ndërsa pjesëtarë të tjerë të familjes rrinë të ulur në shesh pranë hyrjes kryesore.

Ruzana na tregon se familja e saj përbëhet nga 10 persona dhe ndërprerja e tregtisë ka vështirësuar jetën e tyre. “Ndihma ekonomike nuk na mjafton, jemi shumë veta në familje. Edhe ndihmat e bashkisë prapë të pamjaftueshme janë, mbarojnë ato e rrimë presim prapë. Ne duam të punojmë, të hapet tregu sa më parë”, thotë ajo.

Ruzana duke folur për Portën Vendore. Foto: Brikena Metaj

Fjalët e Ruzanës duket se u dhanë zemër banorëve të tjerë që në grup nisën nga ankesat, ndërsa më parë rrinin të tërhequr. Mes tyre nuk munguan zërat e mosbesuesve që shtonin stepjen e të tjerëve.

“Pse të flasim kot? Mos do t’ia dijë qeveria për ne? Kush mendon për ne romët? Asnjë”, thonë ata duke ngritur zërin të revoltuar.

Nënë Muzoja është 76 vjeçe. Ajo jeton e vetme, ndërsa fëmijët i ka në emigrim. “Kam një kasolle të vjetër dhe vetëm një pension 70 mijë lekë. Ç’të bëj më parë me ato lekë? Të blej ilaçe, të paguaj drita e ujë apo të ha bukë?”, tregon ajo.

Nënë Muzoja, pjesë e komunitetit rom në Gjirokastër. Foto: Brikena Metaj

Në të njëjtën situatë, i vetëm dhe pa pension është edhe Tahiri që kërkon një përkrahje nga shteti.

Tahiri duke folur për Portën Vendore. Foto: Brikena Metaj

Të dhënat nga Bashkia Gjirokastër tregojnë se në këtë komunitet janë rreth 10 persona që jetojnë të vetmuar, ndërsa numri i pensionistëve që nuk përfitojnë një pension shkon në 20 persona.

Pjesa më e madhe e banorëve të kësaj lagjeje merren me tregti. Ata dilnin rregullisht në tregun rom të gjërave të përdorura, një ndër më të frekuentuarit në qytet. Mbyllja e këtij tregu penalizoi jo vetëm tregtarët romë, por edhe blerësit e shumtë të tyre. Distancimi social largoi përfundimisht blerësit që shpesh drejtoheshin drejt banesave rome për të blerë.

“Kam marrë një kredi prej 2 milionë lekë të vjetra për tregti, për të blerë mall dhe tani malli rri në shtëpi. Si do ta shlyej kredinë? Deri tani hëngrëm lekët që kishim, tani nuk kemi më. Duam vetëm të na lejojnë të hapet tregu e të punojmë. Do të respektojmë të gjitha rregullat që duhen, me doreza e maska, vetëm tregu të hapet e ne të punojmë”, thotë Sulo Hajdini.

Sulo duke folur për Portën Vendore. Foto: Brikena Metaj

Janë jo të paktë romët që i janë drejtuar bankave për kredi. Një pjesë për të rregulluar banesat e varfra ku jetojnë, një pjesë për të vazhduar tregtinë në përgjigje të kërkesave gjithmonë në rritje të blerësve.

Të mësuar të jetojnë në kushte të vështira, kërkesat e tyre janë të pakta dhe brenda nevojave të arsyeshme.

Shikoni vetë ku jetojmë, pa rrugë, pa ujë, në baraka gjithë këta veta. Të paktën të na lënë të punojmë se ne tani këtë kemi vetëm. Disa kanë marrë kredi, por me se do ta shlyejnë kur nuk punojnë? Qeveria të kthejë kokën edhe nga ne romët”, thotë Besniku.

Vitet e fundit burimet e të ardhurave të shumë familjeve nga tregtia e rrobave të përdorura janë zvogëluar ndjeshëm si pasojë e rënies së kërkesës dhe rritjes së konkurrencës. Ajo pjesë e romëve që nuk merret me tregtinë e rrobave të përdorura, nxjerrin të ardhurat e tyre nëpërmjet grumbullimit të hekurishteve dhe kanoçeve.

Komuniteti rom teksa apelojnë për ndihmë nga shteti. Foto: Brikena Metaj

Tregu rom në Gjirokastër dhe përplasjet me bashkinë

Në fund të muajit shkurt tregtarët romë të Gjirokastrës u përplasën me bashkinë e qytetit për vendin e tyre të tregtimit. Prej disa vitesh tregtarët ushtronin këtë aktivitet në një prej rrugëve të lagjes “Granicë” që e lidh qytetin me rrugën nacionale. Bashkia e re vendosi ta largojë tregun prej andej për t’ua rikthyer atë qytetarëve dhe qarkullimit të lirshëm të mjeteve. Ky ishte edhe momenti i ecejakeve të tregtarëve romë. Ata u zhvendosën në një tjetër pikë të përcaktuar nga bashkia, por të pakënaqur, një pjesë e tyre zgjodhën si alternativë përfundimtare një shesh pranë rrugës nacionale Gjirokastër – Tepelenë. Ata investuan për ndërtimin e këtij tregu, sipas tyre me miratimin e bashkisë së qytetit.

Nga ana tjetër kjo e fundit deklaroi se ndërtimi ishte i paligjshëm. I pyetur nga Porta Vendore, kryebashkiaku Flamur Golemi u shpreh se sheshimi i tokës dhe vendosja e tregtarëve në anë të rrugës ishte e paligjshme.

Ne i kemi sqaruar tregtarët se ai është një ndërtim i paligjshëm dhe kanë nisur procedurat për ndjekje penale për zotërinë që pretendon se ka hedhur 12 mijë euro, por ndërkohë që nuk ka një leje ndërtimi nga bashkia. Ne nuk mund të lejojmë zhvillimin e një tregu në mes të rrugës. Territori që ata kanë zgjedhur është i rrezikshëm për qytetarët pasi ka qarkullim të dendur automjetesh, të cilave nga ana tjetër iu vështirësohet lëvizja”, u shpreh Golemi.

Bashkia e Gjirokastrës vendosi sistemimin e tregtarëve në një hapësirë pak metra larg tregut të dikurshëm, “një hapësirë e mjaftueshme dhe brenda standardeve” siç u cilësua nga kryebashkiaku Golemi. Brenda mesit të muajit Maj pritet të merret një vendim final mbi hapësirën e dedikuar tregut të romëve në Gjirokastër. “Ne do të përpiqemi të biem dakord me tregtarët, pa cenuar interesin e asnjërës palë” u shpreh kryetari Golemi.

 

Ndihmat për romët gjatë Covid -19

Rreth 200 pako me ndihma janë shpërndarë deri tani nga Bashkia Gjirokastër për familjet e varfra të komunitetit rom në Gjirokastër. Ushqime, detergjente, mjete të higjienës janë shpërndarë për komunitetin e varfër. Por ata sërish shprehen të pakënaqur. “Janë të pamjaftueshme. Nuk na arrijnë aq ndihma. Jemi pa bukë”, bërtasin ata.

Përfaqësues të komisionit të shpërndarjes së ndihmave në bashki pohojnë se prioritet i është dhënë familjeve me ndihmë ekonomike, por nëpërmjet paketave të ndihmës që kanë mundur të sigurojnë nga donatorët, është mundësuar edhe shpërndarja e pakove për pothuajse të gjitha familjet rome.

“Ky është një komunitet që ka vërtet nevojë për mbështetje dhe ne jemi përpjekur të gjendemi pranë tyre në këtë situatë të vështirë”, tregon kryebashkiaku Golemi. “Kemi kërkuar nga kryetarët e tyre listën e të gjitha familjeve në nevojë dhe vetëm tre ditë më parë kemi shpërndarë 60 pako me ushqime për këtë komunitet” vazhdon më tej ai.

150 familje rome janë ndihmuar nga Bashkia Gjirokastër gjatë kësaj periudhe. Skema e ndihmës ekonomike numëron 50 familje rome nga 73 familje që janë në skemën e pikëzimit.

Romët në Gjirokastër

Të vendosur në Gjirokastër prej viteve ’60 në lagjen “Zinxhira”, shumica e komunitetit rom prej rreth 1500 anëtarësh jeton në kushte mjaft të vështira, pa mjete higjienike, ujë të rrjedhshëm dhe infrastrukturë. Popullsia këtu jeton në një mjedis të mbipopulluar, ku në një shtëpi të vogël, me një sobë në mes jetojnë 10 persona. Shumica e familjeve Rome kanë të mesatarisht 5–8 fëmijë. Bashkia Gjirokastër ka vënë në zbatim disa politika sociale për fëmijët e komunitetit duke i përjashtuar nga tarifat ushqimore për çerdhe dhe kopshte.

Kriza ekonomike në Greqi vështirësoi edhe jetesën e këtij komuniteti që gjatë verës emigronin në vendin fqinj. Si pasojë, vitet e fundit u shënua një rritje e ndjeshme e tregtarëve romë në Gjirokastër. Nga 1500 banorë që ka kjo lagje, 200 familje merren me tregti.

Në mungesë të punës në sektorin formal, ata punojnë në sektorin informal, ku tregtia e rrobave të përdorura ka qenë burimi kryesor i të ardhurave familjare.

Gjatë verës ky komunitet emigron për të punuar në fermat e Greqisë. Të tjerët importojnë veshje, këpucë dhe pajisje elektrike të lira për t’i shitur në tregun e Gjirokastrës. Megjithatë, të gjitha këto mundësi që më parë ishin të hapura tashmë nuk ekzistojnë më për shkak të kushteve aktuale. Mbyllja e kufirit mbylli edhe rrugët e tregtisë për tregtarët e thjeshtë romë. Tashmë romët në Gjirokastër nuk kanë mënyrë për të siguruar jetesën, por ama një pjesë prej tyre mund të përfitojnë nga VKM-ja e datës 23.4.2020 duke përfituar një pagesë prej 16 000 lekësh të reja.