Vëzhgim/Analizë

Qytetarët kërkojnë investime në rrugët dytësore, por bashkia financon sheshet

10 maj 2020/ Ola Mitre/ Porta Vendore/ Tiranë

Për vitin 2020 shpenzimet e Bashkisë së Tiranës për investime në rrugë do të pësojnë një rënie të ndjeshme në raport me 2019-ën. Sipas të dhënave të buxhetit, në total për programin “Urbanistika” planifikohet të shpenzohen rreth 1.27 miliardë lekë apo rreth 50% më pak në raport me një vit më parë, ku shpenzimet ishin 2.69 miliardë lekë. Megjithatë, vlera që parashikohet të shpenzohet për investime në rrugët e periferisë së qytetit është edhe më e vogël se kaq.

Lagjet me probleme

Në Rubrikën “Raporto” të Portës Vendore pak kohë më parë erdhi një ankesë. Viktor Papa banor i pallatit 210/1 në rrugën e Durrësit i tregoi Portës Vendore hallin e tij dhe të banorëve të tjerë të lagjes në lidhje me infrastrukturën rrugore në bllokun e pallatit ku jeton.

“Para dy e tre vjetësh, unë dhe banorë të tjerë të pallatit, herë pas here i kemi dërguar kryebashkiakut Veliaj kërkesa me email, në mënyrë që me fondet e Bashkisë të investohej për rikualifikimin urban të pjesës midis pallateve, ku ndodhet edhe pallati ynë. Por, deri më sot bashkia s’ka bërë asgjë”, tregon Viktori.

Në këto kushte, Viktori tregon që së bashku me komshinj të tjerë kanë vendosur ta rehabilitojnë vetë sipërfaqen midis bllokut të pallateve. Ata kanë përgatitur projektin ashtu sikurse thonë udhëzimet e Planit të Detajuar Vendor, por deri më tani nuk kanë ende një miratim nga pushteti vendor. “Bashkia ka miratuar nismën për hartimin e Planit të Detajuar Vendor për fazë e parë, dhe prej 18 muajsh vazhdon të zvarrisë hartimin dhe miratimin e saj. Nuk e kuptoj. Mirë, se ndoshta i mungojnë fondet për rikualifikim urban të kësaj zone, por pse bëhet pengesë me zvarritjet për miratimin e një PDV-së, kur ajo do vetëm një orë punë në kompjuter sepse 90% e saj është zonë e formuar dhe ka vend vetëm për dy ose tre pallate, ku pas miratimit, do jenë kompanitë private që me paratë e tyre do bëjnë edhe sistemimin e rikualifikimin urban rreth pallatit tonë?!”, tha Viktor Papa, banor i Rrugës së Durrësit.

Por, ky nuk është një problem që ndodh vetëm në Rrugën e Durrësit në kryeqytet. Jo më larg se Rruga e Durrësit, rruga që bashkon rrugën e Kavajës me Myslym Shyrin vuan gjithashtu mes baltës e pluhurit në ditët me shi.

“Jemi ankuar mi non na kanë thënë që do ta rregullojmë. Këtu po na rrëzohen kalamajtë, është e tmerrshme, s’mund të dalim natën se kemi frikë mos na shket këmba në ndonjë nga ato gropat e krijuara. Me thënë të drejtën ajo nuk na kushton shumë, mund ta bëjmë edhe vetë ne si banorë, se aq rrugë është por s’biem të gjithë në një mendje”, tha Lutfija për Portën Vendore.

Situata duket e njëjtë dhe në periferi dhe jo vetëm brenda vijës së verdhë. Në Astir, një zonë e ndërtuar viteve të fundit me pallate shumëkatëshe ku ende vijon të mbizotërojë kaosi, sidomos kur bëhet fjalë për infrastrukturën rrugore të disa rrugëve në lagje.

“E kam blerë shtëpinë këtu, në këtë bllok pallatesh 70 mijë euro. Atëherë kur e bleva mendova se gjërat do ndryshonin dhe rruga do të rregullohej, se për ne banorët e këtyre pallateve është shumë problem. Jemi ankuar por s’na i ka varur njeri. Presim fushatën tjetër tani se kjo iku dhe mesa di unë s’ka ndërmend njeri të vijë e të bëj këto rrugët e lagjeve në Astir”, tha për Portën Vendore Sidrita.

Zona e Freskut gjithashtu është një zonë që gjatë dekadës së fundit është populluar goxha. Shtëpitë me çmime të favorshme kanë bërë që shumë çifte të reja dhe jo vetëm t’i drejtohen kësaj zone për të jetuar. Por ashtu si në zona të tjera fundore të qytetit edhe aty banorët kanë probleme me infrastrukturën rrugore. “Kjo është e patolerueshme, rruga është skandal. Jemi në vitin 2020 dhe na duket vetja si në Kabul. Me pas frikë me dal, as asfalt, as ndriçim, asgjë”, tha Elvira, banore e bllokut të pallateve në hyrje të zonës së Freskut.

Rruga në hyrje të zonës së Freskut. Foto: Ola Mitre

Në bazë të vëzhgimit kryer nga Porta Vendore situata për sa i përket rrugicave e rrugëve në brendësi të lagjeve duket më e stabilizuar në qendër e në rrugët e njësive kryesore të qytetit.

Infrastruktura, problemi kryesor i dëgjesave publike

Shqetësimi për infrastrukturën në rrugët dytësore është ngritur herë pas here dhe në dëgjesat publike që organizon Bashkia e Tiranës. Për projektbuxhetin e vitit 2020, Bashkia Tiranë kreu një sërë dëgjesash dhe konsultimesh publike në 24 njësitë dhe 3 lagjet e Bashkisë së Tiranës, ku u paraqitën projektet e nisura tanimë.

Në kuadër të konsultimeve publike bashkia realizoi intervista ku morën pjesë një total prej 1.162 të intervistuarish, 42% e tyre ishin femra dhe 58% meshkuj. Grup-moshat 36-45 vjeç kishin përqindjen më të lartë të pjesëmarrjes, konkretisht 27 %.

Nevojat dhe sugjerimet e ardhura nga qytetarët në këto dëgjesa varionin në funksion të zonave të banimit dhe problematikave të ndryshme që ata kanë paraqitur. Njësia administrative nr. 1, 6, dhe 9, janë ato që gjatë dëgjesave publike kanë kërkuar më shumë investime në infrastrukturë rrugore, pra mbi 50 % e të intervistuarve, ndërkohë që këto 3 njësi përbëjnë një shifër të konsiderueshme të qytetarëve të Tiranës, ku në total janë rreth 191 mijë banorë.

Buxheti për rrugët dytësore

Duke pasur në vëmendje kërkesat e larta të qytetarëve për infrastrukturën në rrugët dytësore, Porta Vendore verifikoi buxhetin e akorduar nga Bashkia Tiranë për ndërhyrje në rrugë dytësore. Sipas shifrave zyrtare nga Bashkia Tiranë rezulton se vlera totale e investimit arrin në 1.24 miliardë lekë, ndërkohë që pjesa tjetër është planifikuar për t’u investuar në sheshe e rrugë kryesore të qytetit. Megjithatë, për vitin 2020, nga 41 ndërhyrje të parashikuara si ‘ndërtim-montim’ vetëm 7 prej tyre janë rrugë që mund të konsiderohen si investime të reja, pasi pjesa tjetër janë vazhdim i kontratave që kanë nisur të zbatohen në vitet e mëparshme. Po ashtu, 6 prej 41 ndërhyrjeve janë financime për shtesa kontratash. Sa i takon investimeve që nisin këtë vit, është akorduar financimi për rikonstruksionin e rrugëve “Sabaudin Gabrani” dhe “Leka Madh”, i rrugës “Hamdi Cullhaj” si dhe ndërtimi i segmentit rrugor dhe pedonales nga sheshi “Frederik Shopen” deri te kryqëzimi me rrugën e “Kosovarëve”. Po ashtu, është parashikuar financimi për ndërtimin e rrugës “Xhon Belushi”, ndërtimi i rrugës që lidh rrugën “Liman Kaba” deri tek rruga “Muharrem Butka”, si dhe ndërtimi i rrugës pranë shkollës “Nënë Tereza” dhe rrugës “Tom Plezha”. Ndërkaq, për vitin 2020 do të nisë rikualifikimi i 2 blloqeve urbane, ku njëri është ai që kufizohet nga rruga Sami Frashëri- Abdyl Frashëri- Dëshmorët e 4 shkurtit dhe Dora d’Iistria, ndërsa tjetri përfshin rehabilitimin e rrugëve të bllokut që kufizohet nga rrugët “Leandro Zoto”- “Maria Kraja” – “Disha” – “Sadik Petrela”.

Edhe më i ulët është parashikimi për zonat rurale të kryeqytetit, ku për vitin 2020 është akorduar një financim prej 80 milionë lekësh. Për to nuk është parashikuar asnjë investim i ri, ndërkohë që gjithë projektet janë vazhdim i 2019-ës.

Eksperti: Mungesa e investimeve

Sipas ekspertit të ekonomisë, Enriko Ceko ka një mungesë të theksuar investimesh në rrugët dytësore të kryeqytetit. “Pjesa më e madhe e rrugëve në lagjet e Tiranës janë të shtrembra, të pashtruara dhe pa trotuar që është shumë i rëndësishëm për kalimtarin”, thotë Ceko për Porta Vendore. Eksperti thotë se investimet për rrugë janë të nënfinancuara, ndonëse buxheti i bashkisë është pesëfishuar në raport me periudhën përpara reformës së pushtetit vendor. “Deri para 6 vitesh, Bashkia e Tiranës merrte 24-28 milionë euro në vit. Gjatë këtyre 5 viteve të fundit, kjo bashki ka marrë 124-128 milionë euro në vit, ndërsa për 2020-ën pretendohet që buxheti i bashkisë të arrijë në 200 milionë euro”, thotë Ceko. “Por, ndonëse ka një rritje prej 5 herësh të shpenzimeve të kryeqytetit, nuk ka asnjë lloj rritje të investimeve në infrastrukturën në përgjithësi në kryeqytet dhe në përmirësimin e infrastrukturës rrugore”, shton ai. Sipas ekspertit, kjo situatë lidhet me keqmenaxhimin e fondeve publike.

Investimet në qendër

Paralelisht me rrugët e sipërpërmendura, në investimet e bashkisë për vitin 2020 është akorduar një vlerë prej rreth 93 milionë lekësh për fazën e dytë të rikualifikimit të sheshit Skënderbej, ndërkohë që vlera totale e investimit për rrugë kryesore arrin në rreth 316 milionë lekë. Më konkretisht, përveç sheshit Skënderbej parashikohet financim për rehabilitimin e Unazës së Mesme, rehabilitimin e aksit mbikalim-Kombinat si dhe financimi për shtesën e kontratës për rikonstruksionin e aksit nga Farmacia 10 deri te Oxhaku. Sipas Cekos, është e rëndësishme që këto investime të kryhen, por pasi të miratohen nga qytetarët. “Nëse qytetarët janë dakord që të bëhet sheshi Skënderbej, atëherë le të bëhet. Nëse qytetarët janë dakord që të shtrohet rruga e Kavajës, le të shtrohet, por ndërhyrjet nuk mund të lihen vetëm në dorën e zyrtarëve të bashkisë”, thotë ai.