11 maj 2020/ Elisa Gjerani/ Porta Vendore/ Krujë
20 familje të komunitetit rom dhe egjiptian në Fushë-Krujë prej dy muajsh janë lënë në mëshirë të fatit, qoftë nga pushteti qendror ashtu edhe nga ai lokal.
Familjet e komunitetit rom dhe egjiptian në Fushë-Krujë sikur të mos u mjaftonin pasojat shkatërruese të tërmetit të datës 26 nëntor, pandemia globale e Covid 19 i fundosi edhe më shumë drejt skamjes e varfërisë, ndërsa aktualisht jetojnë në kontejner, dhuratë nga organizatat e shoqërisë civile. Kolonat e ish magazinën në të cilën ishin pozicionuar shtëpizat e vogla që më shumë i ngjasonin barakave, u dëmtuan rëndë gjatë tërmetit të nëntorit, duke i lënë këto familje të pastrehë.
“20 familjet rome nuk përfitojnë nga bonusi i qirasë. I kam bërë kërkesë bashkisë por deri më tani nuk ka ndodhur asgjë. Ndërsa 2 muajit e parë në janar dhe shkurt ja ka paguar një shoqatë qiranë e ish magazinës në të cilën nuk jetojnë më. Pasi pronari i pronës vijon ti marrë qira edhe pse ata nuk e shfrytëzojnë më ”, tha Fatmira Dajlani, aktiviste.

Porta Vendore e ka pasqyruar situatën e tyre të vështirë edhe më herët, kur mori premtim nga Bashkia Krujë për zgjidhjen e situatës së strehimit për të prekurit nga tërmeti, por deri më tani këto familje vijojnë të jenë njësoj si edhe më parë, pa asnjë shpresë. Janë gjithnjë e më të rrallë ata që i vizitojnë, sidomos në këtë kohë pandemie.
“Ti je e para që po na vjen, por ne ashtu siç na le në dhjetor ashtu jemi”, thotë Tefta, sapo më shikon tek porta kryesore.
“Një herë na kanë sjellë ndihma para ca ditësh nga bashkia. Kemi dy muaj pa ngrënë pa pirë, t’i e shikon vetë gjendjen tonë. Ti e sheh vetë si jemi duke vuajtur. Na sollën nja dy kg miell e dy vaj nga bashkia sa për të na mbyllur gojën”, tha Tefta Osmani, ndërsa thekson se po ia dalin me shumë vështirësi.

Më të rinjtë e këtij komuniteti merren me mbledhjen e kanoçeve. Ata tregojnë për Portën Vendore që për shkak të masave të ndërmarra nga qeveria për parandalimin e Covid 19, policia nuk i ka lënë të vijojnë mbledhjen dhe tregtinë e tyre, duke ua bërë jetën edhe të varfër.
“S’kam bukë të ushqej fëmijët. Ne ndjehemi të braktisur nga shteti. S’kemi frikë nga virusi, por nga varfëria e madhe që po na shkakton edhe më shumë kjo epidemia. Kur na kërkojnë të mos dalim, të na plotësojnë pra edhe kushtet minimale”, tha një tjetër pjesëtar i komunitetit rom.

Por kudo që të hedhësh sytë nuk mund të flasësh për distancim social, pasi dihet që ky komunitet jeton pranë njëri-tjetrit. Ndryshe nga kudo, këtu nuk sheh maska mbrojtëse, alkool, doreza, e dezinfektues. Madje edhe sapunin e gjen me pikatore, pasi siç shprehen edhe ata vetë, këto janë kushtet.

Më të vegjlit lozin të shkujdesur në oborrin e vogël, mbetur përpara kontejnerëve. Ata nuk e dinë çfarë është koronavirus dhe kanë pak informacion, ashtu sikurse të rriturit. E vetmja gjë që i intereson të gjithëve në këtë situatë, është ushqimi.

Por kërkesat e tyre, përveç të ushqyerit, që po bëhet çdo ditë e më shumë i vështirë për tu siguruar, janë edhe çështjet shëndetësore.
Sabrie Osmani i tha Portës Vendore se nuk ka frikë nga koronavirus, pasi përpiqet që të mbajë distancën ashtu sikurse është thënë, por halli i saj është gjetkë.
“Kam plakun sëmurë, me trombozë. Më kanë thënë me ia pre këmbën. Kush për të na parë s’ka ardhur. Pa pension, pa gjë, ku do hajë nana?! Dal lyp. Skam zgjidhje tjetër!”, tregon Sabria për Portën Vendore.

“Po hamë makarona, oriz, edhe ato shyqyr. Na sollën edhe ilaç rrobash. Me ato jetojmë”, tregon e moshuara ndërsa shpjegon se jetesa në kontejner është e vështirë.
“Jetojmë 3 familje këtu, me një kontejner, se fëmijët e tjerë i kam të martuar. Na premtuan edhe për tërmetin që do të na jepnin strehim, por asgjë”, përfundon ajo.
Këtij komuniteti i mungon asistenca mjekësore edhe në këto ditë pandemie. I biri i Sabries i tha Portës Vendore se nuk kanë mundësi për t’i bërë operacion të atit.
“Në spital privat na kanë kërkuar 5 mijë euro për t’i bërë aq lekë operacion këmbën. Ne kërkojmë ndihmën e shtetit, të shoqatave, se as për ilaçe nuk kemi lekë. Ja aty shtrirë është prej dy javësh, nuk lëviz fare”, shprehet ai.

“Po hamë makarona, oriz, edhe ato shyqyr. Na sollën edhe ilaç rrobash. Me ato jetojmë”, tregon e moshuara ndërsa shpjegon se jetesa në kontejner është e vështirë.
“Jetojmë 3 familje këtu, me një kontejner, se fëmijët e tjerë i kam të martuar. Na premtuan edhe për tërmetin që do të na jepnin strehim, por asgjë”, përfundon ajo.
Këtij komuniteti i mungon asistenca mjekësore edhe në këto ditë pandemie. I biri i Sabries i tha Portës Vendore se nuk kanë mundësi për t’i bërë operacion të atit.
“Në spital privat na kanë kërkuar 5 mijë euro për t’i bërë aq lekë operacion këmbën. Ne kërkojmë ndihmën e shtetit, të shoqatave, se as për ilaçe nuk kemi lekë. Ja aty shtrirë është prej dy javësh, nuk lëviz fare”, shprehet ai.

Tana është 17 vjeçe dhe është pjesëtarja më e re e këtij komuniteti. Ajo është martuar dhe ka ardhur nuse vetëm dy javë më parë.
“Ndjehem mirë megjithëse u martova në kohë pandemie. S’kam frikë fare nga virusi. Në shtëpinë e re më kanë pritur shumë mirë, bëmë edhe një darkë të vogël, kur erdha nuse”, thotë e reja, ndërsa rrëfen se aktualisht në kontejner fle me bashkëshortin, vjehrrën, vjehrrin e dy kunatat.

Fatmira Dajlani, aktiviste pranë këtij komuniteti i tha Portës Vendore se nevojat e këtij komuniteti janë të mëdha.
“Ne si aktivistë i kërkuam Bashkisë Krujë që në momentin e parë kur filloi izolimi i njerëzve, që të ndihmonin këtë komunitet në nevojë, por kërkesa jonë u plotësua vetëm pasi kaloi më shumë se një muaj e gjysmë. Ky komunitet sot për sot ka nevoja të mëdha për ushqim, ilaçe e detergjentë”, tha ajo.

Në Fushë-Krujë numërohen rreth 140 familje të këtij komuniteti, por këto 20 familje që banojnë në kontejner janë grupet më në risk, ndërsa shpresojnë që zëri i tyre nuk do të bie në vesh të shurdhët. Problematikat e tyre janë të njëjtat e të pandryshueshme, strehim, punë dhe ushqim, ndërsa presin me pak shpresa e shumë vuajtje që Bashkia Krujë ashtu sikurse ka premtuar për zgjidhjen e çështjes së strehimit të tyre, të mund ta mbajë premtimin sa më shpejtë.