9 maj 2020/ Arjola Hekurani/ Porta Vendore/ Tiranë
Prej një jave pedonalja e Tiranës duket se i është rikthyer normalitetit, aty gjen artistë rruge që performojnë përpara kalimtarëve të shumtë, teksa këta të fundit nxitojnë duke respektuar rregullat e përcaktuara nga qeveria për ndalimin e përhapjes së Covid 19. Por çfarë i ka shtyrë këta artistë që të bëjnë “street art” në kohë pandemie? Porta Vendore sjell rrëfimet e dy personazheve, tingujt e të cilëve dëgjohen që së largu teksa merr rrugën drejt pedonales së Tiranës.
Gazment Suku, është 32 vjeç dhe prej 4 vitesh performon në rrugën e kryeqytetit i shoqëruar nga kitara e tij. Përpara se Covid 19 të mbërrinte në vendin tonë, ai dilte në zonën e Pedonales, Liqenit ose në Sheshin Skënderbej, teksa këndon bashkë shoqëruar me tingujt e kitarës, këngë të artistëve shqiptarë e të huaj.
“Kam nja dy javë që kam dalë sepse njerëzit i kam parë disi të stresuar nga kjo karantina dhe muzika të qetëson, besoj se ia kam arritur që muzika që këndoj t’i ketë qetësuar sadopak. Ndalojnë këtu, por e dinë rregullin që s’lejohet të afrohen. Vijnë, kontribuojnë me diçka, në shenjë mirënjohje. Edhe pse kam dalë këtu në këtë kohë më i rëndësishëm është respekti që marr se ai shpërblimi monetar për muzikën që bëj”, tha Gazmenti për Portën Vendore.
Gazmenti e bën për orë të tëra këtë punë, ndërsa tregon se ka pasur raste që ka kënduar edhe 4 orë pa pushim, ndërsa ka çuar më shumë të holla në shtëpi. Por ndërsa jemi ende në karantinë dhe me rregulla, Gazmenti respekton 2-orëshin e liri-daljes. Por pavarësisht se ai shprehet i kënaqur nga puna që bën, sërish nuk e mohon faktin që artistët e rrugës vlerësohen më shumë në Europë.

“Pas karantinës për mua ka qenë ndryshe, njerëzit janë më dorëlëshuar, jam habitur. Kam arritur atë qëllimin që unë doja, të kënaqesha. Po mjaftojnë për nevojat e mia personale e familjare.
Nusja ka punuar deri para Covid 19, por tani merr vetëm pagën e luftës, dhe për pjesën tjetër e mbaj unë familjen. Për momentin është e papunë, por gjithsesi jam i sigurt që pasi të mbarojë kjo situatë ajo do ta gjejë një punë për t’i ardhur në ndihmë familjes. E ndjeva që duhet të bëja diçka për familjen time ndaj kam dalë”, rrëfen Gazmenti ndërsa tregon se edhe këtu në pedonale këto ditë konkurrenca është evidente. Gazmenti e ndryshon repertorin e muzikës herë pas herë, pasi nuk dëshiron që publiku i tij të dëgjojë të njëjtat këngë, ndërsa artistët e tij të preferuar mbeten Alban Skënderaj e Flori Mumajesi.
“Para 4 vitesh pashë disa persona që bënin muzikë tek liqeni dhe kjo më motivoi edhe mua që të ecja përpara. Kitarën e kam mësuar në kishë. I kapa për një muaj gjërat kryesore të kitares. Njerëzit e preferojnë shumë këngën, por unë përpiqem t’i përshtatem publikut tim në mënyrën e përzgjedhjes së repertorit, sipas grupmoshave”, përfundon ai.
Vetëm pak metra më tutje ndodhet Fabio, i cili bën muzikë me violinë. Të dy artistët punojnë në të njëjtën rrugë, duke krijuar një harmoni muzikore të pazakontë dhe tejet optimiste për kalimtarët e kësaj rrugë, por duke respektuar njëri-tjetrin dhe duke mos interferuar në tingujt e muzikës së “rivalit” tjetër, i cili po ashtu ushtrojnë “street-art” në këtë rrugë të kryeqytetit.
Fabio Stoli është 25-vjeçari, i cili studion për muzikë dhe ka thuajse 10 vite që bën muzikë nëpër rrugët e kryeqytetit.

Të performuarit në rrugë, siç tregon edhe ai vetë për Portën Vendore i ka munguar shumë gjatë këtyre dy muajve.
“Ka qenë një kohë e çuditshme për të gjithë, por të jetosh pa muzikë bëhet akoma edhe më e vështirë. Padyshim që më ka munguar shumë muzika në rrugë. Më kanë munguar edhe duartrokitjet e njerëzve që vinin e më shihnin teksa luaja violinë; fëmijët e vegjël që hidheshin e kërcenin kur dëgjonin tingujt e muzikës”, rrëfen Fabio, teksa ka ndalur për pak minuta muzikën që po luante në violinë. “Në fillimit të këtij muaji nisa të dal përsëri pasi situata gradualisht po stabilizohej e njerëzit mund të lëviznin pak më lirshëm. Ditën e parë që rifillova të dilja ishte si një mrekulli. Mezi e kisha pritur. Shumicën e kohës po luaja me sytë e mbyllur dhe po i shijoja vërtetë ato momente”, thotë me entuziazmin që e karakterizon Fabio.
Në shumicën e ditëve ai luan 1 orë e gjysmë ose 2 orë, por kjo është gjithnjë në varësi të njerëzve, pasi nëse ata duan të dëgjojnë më shumë, Fabio i lejon vetes një tolerim të vogël.
“Nuk kam frikë nga Covid 19 aspak. Këto 3 herë që kam dalë sërish të luaj, kam vënë re që njerëzit janë më të kujdesshëm për distancimin ndaj njëri-tjetrit. Ndryshimi i vetëm që ka ndodhur si pasojë e karantinës është vetëm fakti që më është shtuar akoma më shumë dashuria për muzikën. Jam munduar këto 2 muaj të krijoj këngë të reja apo edhe cover të këngëve të ndryshme dhe kjo gjë sikur e theu pak monotoninë e të qëndruarit në shtëpi për ditë të tëra”, shprehet Fabio, ndërsa shton se për fitimet e tij nuk ka ndryshuar asgjë, ato janë njëlloj si para pandemisë.
“Njerëzit që kalojnë duan të dëgjojnë muzikë të mirë. Madje, në këtë kohë akoma edhe më shumë. Është ilaçi më i mirë për gjendjen psikologjike. Dhe si rrjedhojë kanë të njëjtën dëshirë për të më ofruar atë që kanë në zemër. Qoftë një buzëqeshje, një fjalë të mire, para, apo duartrokitje”, tregon Fabio i emocionuar.
Pjesa më e madhe e këngëve që luan është muzike Pop, por edhe Country, Jazz, Balada, etj, ndërsa thekson se pedonalja është një nga rrugët e tij të preferuara për “street art” në Tiranë.
“Sigurisht që arti në rrugë është një mënyrë e mirë për të punuar. Nëse arrin të bësh muzikë të mirë dhe të jetë e pëlqyeshme për veshët e njerëzve, pa diskutim që do vlerësohesh mirë, gjë që do të jetë e kënaqshme për të përballuar shpenzimet. Pjesa më e madhe e njerëzve që kalojnë këtu janë familjarë, teksa kalojnë me fëmijët e tyre të vegjël, të cilët janë edhe ‘fansat’ që preferoj më shumë; të japin motiv për të vazhduar përpara”, tregon ai.
Fabio zotëron më së miri 3 instrumente muzikore, violinën, kitarën dhe fagotin. Ai synon që një ditë arti i tij të kalojë nga rruga, tek orkestrat profesionale. “Ka disa artistë të tjerë që luajnë në rrugë dhe që bëjnë muzikë të mirë, por konkurrencë aktualisht në Tiranë nuk shoh, pasi formati që unë kam është shumë ndryshe nga të tjerët, gjë që eliminon edhe konkurrencën, sepse njerëzit që dëgjojnë e bëjnë dallimin midis instrumenteve, llojit te muzikës, formatit te të luajturit, etj”, shprehet Fabio për Portën Vendore.
Gazment Suku dhe Fabio Stoli janë performuesit besnikë të Pedonales. Dashurinë dhe pasionin për muzikën, ata e ndajnë me qindra qytetarë që kalojnë në këtë rrugë.