9 maj 2020/ Eljona Ballhysa/ Porta Vendore
Të gjitha taksat e biznesit të vogël do të falen për vitin 2020. Kështu deklaroi kryeministri Rama më 20 prill duke theksuar se asgjë nuk do t’i merret biznesit të vogël për këtë vit, në mënyrë që t’i lihet kohë për t’u rimëkëmbur nga situata e krijuar për shkak të masave drastike ndaj Covid-19. Por si përkthehet kjo falje në terma konkretë e financiarë për vetë bizneset dhe si e shohin ekspertët e ekonomisë këtë premtim të Ramës, ndërsa pritet një paketë e tretë nga qeveria.
Rama: Falim të gjitha taksat e biznesit të vogël
“Të gjitha bizneset e vogla nuk do të paguajnë taksa deri në fund të këtij viti. E kemi thënë dhe e përsëris këtë. Për bizneset e vogla do të falen të gjitha taksat për këtë vit edhe nuk kanë punë fare as do u kërkojmë asgjë vitin tjetër. Çfarë iku, iku që të marrin veten plotësisht. Me këtë mbështetje, me hapjen dhe taksat që po falim nuk do të dalin keq, mbase do të dalin më mirë se të tjerët dhe e meritojnë se janë më të vegjël dhe më të dobët”, tha Rama. Aktualisht biznesi i vogël paguan tatim mbi fitimin e thjeshtuar në masën 5 % si dhe taksat lokale, të cilat sipas kryeministrit për vitin 2020 do të falen të gjitha. Pikërisht kjo deklaratë e Ramës cilësohet si një hap pozitiv në ndihmë të biznesit nga ekspertët e ekonomisë. Por vetë bizneset kanë skepticizmin e tyre lidhur me këtë falje.
Biznesi i vogël: Taksat e falura nga qeveria të pavlera
Tregu çam ka një javë që është hapur, por pronarët e dyqaneve të ndryshme që ndodhen në këtë treg tregojnë për Portën Vendore se xhiroja është zero ose minimale.
“Kam një javë që jam hapur, por situata është shumë e keqe. Kam pasur vetëm disa blerës të gjërave të vogla, xhezve, gota uji, etj, por që ato as të ngrenë e as të ulin. Ne e kemi biznes familjar tregtimin e enëve të kuzhinës dhe punojmë dy veta, unë me burrin, prej 15 vitesh, por ama nëse vazhdohet kështu edhe në javët në vijim nuk bëjmë dot lekët e qirasë së dyqanit jo më gjë tjetër”, tha Eva, e cila mban maskë gjatë gjithë kohës teksa është në kontakt me klientët. “Po ça falje taksash moj aman. E di sa kursej unë 20-30 mijë lekë të vjetra. Edhe pagën e luftës e çuam direkt te sigurimet. Ndërsa qiranë e dyqanit prej 40 mijë lekësh të reja e kemi paguar rregullisht se ne nuk mund të zihemi me njerëzit e tjerë”, tha ajo paksa e zhgënjyer.
Në tregun çam thuajse të gjithë janë të pajisur me mjete mbrojtëse, në hyrje mbajnë dezinfektant e alkool, ndërsa kanë vendosur edhe njoftimet paralajmëruese për sa i përket numrit të personave të lejuar në dyqan.
“Kam një javë që e kam hapur dyqanin, që në datën 27 prill dhe nuk e kam bërë sefte akoma. Shumë keq situata, ja i kam bërë të gjithë me ofertë vetëm e vetëm që të ketë ndonjë lëvizje. Ndërsa për taksat që po falen u gëzova shumë në fakt kur e mora vesh, por tani të shohim se sa e vërtetë është”, tha një tjetër tregtare për Portën Vendore.
Edhe një servis celularësh i tha Portës Vendore se taksa që është falur nga qeveria në fakt nuk paguhej fare nga shumica e bizneseve të vogla. “Unë vetë nuk e kam paguar fare ose paguhej në një masë të vogël, 5% i tatimit mbi fitim është i papërfillshëm për shumë biznese, sepse të gjithë ne ose nuk deklarojmë fare fitim ose deklarojmë vetëm rrogën tonë”, tha Nedi, pronar i një servisi celularësh, pranë hyrjes në tregun e Medresesë.
Shoqata e biznesit të vogël e të mesëm në fillim të pandemisë globale të Covid 19, më 15 mars parashtroi një sërë kërkesash për qeverinë, ku në to përfshihej edhe heqja e taksës vendore, gjë që nuk është realizuar nga bashkitë, pasi shumica e tyre thjesht kanë hequr ose shtyrë detyrimet e taksave vendore për dy muaj, përkatësisht mars e prill 2020, ndërsa Porta Vendore e ka pasqyruar edhe më parë në një shkrim dedikuar kësaj emergjence.
“Biznesi i vogël nuk ka taksa qendror,e por vendore dhe për këto të fundit na kanë thënë që nuk mund të ndërhyjë qeveria tek pushteti vendor, pasi është vendim i secilës prej bashkive. Për ne s’është ulur asnjë taksë fare, ndryshe nga ç’pretendon kryeministri. Ne si shoqatë kemi bërë një sërë kërkesash dhe përveç njërës siç është ajo e pagës së luftës, asnjë tjetër nuk është marrë në konsideratë. Gjithsesi ne do t’i rikërkojmë sërish qeverisë në ditët në vijim që të rishikojë taksat vendore, pasi ato na rëndojnë, jo ai 5 % që s’e paguan njeri”, tha Bujar Muço, nënkryetar i kësaj shoqate, ndërsa shprehet se edhe paga e luftës nuk është e mjaftueshme. “Edhe një kërkesë që i plotësoi biznesit të vogël s’ia bëri tamam. Ça do bëjnë njerëzit më 26 mijë lekë të reja, kur të gjithë ne, me pagën e parë të luftës, siç e morëm e çuam tek sigurimet se kishim përmbylljen e 3 mujorit.
Ndërsa për ato biznese të tjera që kanë përfituar nga 40 mijë lekëshi, sërish është një pagesë e papërfillshme, ngaqë i bie nga 10 mijë e ca lekë në muaj. Ne mendojmë që qeveria duhet ta stimulojë biznesin e vogël me mënyra të tjera, pasi jemi në vështirësi të mëdha për likuiditet”, tha Muço, i cili prej 20 vitesh disponon edhe një servis makinash si biznes të vogël. “Unë kam vetë 2 javë që kam dalë në punë dhe s’kemi asnjë klient që vjen për të rregulluar makinën”, sqaron nënkryetari i shoqatës së biznesit të vogël për Portën Vendore.
Muço shpjegon gjithashtu se taksat vendore janë sipas qyteteve ku 107 000 biznese të vogla operojnë dhe në krye të listës për taksat e larta janë qytetet kryesore si Tirana, Durrësi etj.
“Unë vetë kam bërë një llogari vjetore ku si biznes i paguaj shtetit, bashkë me tarifat e rritura të karburantit etj, 150-200 mijë lekë në vit. Edhe konkretisht i bie që Rama nga falja që pretendon nuk na ka lehtësuar më shumë se me 10-12% të kësaj shifre në total”, tha Muço për Portën Vendore, duke shpresuar në një paketë të tretë nga qeveria, që të mund t’i japë një shtysë më shumë biznesit në këtë periudhë të vështirë. Kërkesat që shoqata e biznesit të vogël do t’i përsërisë për qeverinë janë të njëjta.
- Qeveria të shikojë sektor pas sektori mundësinë e veprimtarisë ekonomike, e varur kjo nga situata në të cilën vendi do ndodhet për shkak të pandemisë.
- Qeveria të krijojë mundësinë e shtyrjes së pagesave, gjobave dhe detyrimeve fiskale të biznesit ndaj shtetit.
- Rimbursimin e plotë të pagës së punonjësve.
- Rimbursimin e detyrimeve për derdhjen e kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore.
- Shtyrjen e pagesave të energjisë elektrike dhe ujit si dhe taksave vendore.
- Për bizneset që pësojnë dëme nga kjo situatë, qeveria të gjejë forma për kompensimin e plotë të tyre.
- Të përjashtohen bizneset nga taksa e pronës deri në përfundimin e krizës.
- Të kompensohet e plotë pagesa e qerasë si dhe tatimit në burim i qiradhënësit, për të gjitha bizneset të cilat janë qiramarrës.
- Të shtyhen për një periudhë të caktuar nga ana e qeverisë deklarimet e bilanceve, për shkak të vështirësive të mbledhjes së dokumentacionit nga ana e kontabilistëve.
- Banka e Shqipërisë të injektojë para në treg për të ulur efektin e krizës.
- Zbutjen e normave të interesit duke i krijuar bizneseve mundësi më të mëdha kreditimi.
Falja e taksës për biznesit e vogël është njoftuar edhe në faqen e tatimeve.
“Tatimpaguesit e Biznesit të vogël nuk do të paguajnë këstet e Tatimit të Thjeshtuar mbi Fitimin për vitin 2020. Administrata tatimore informon tatimpaguesit, subjekte të Tatimit të Thjeshtuar mbi Fitimin, se ka hyrë në fuqi Akti normativ nr.19, datë 23.04.2020, i cili ndryshon Ligjin nr.9632 datë 30.10.2006 “Për sistemin e taksave vendore”, i ndryshuar. Sipas ndryshimeve të këtij Ligji: Këstet e parapagimeve të Tatimit të thjeshtuar mbi Fitimin, të vitit 2020, për tatimpaguesit subjekt i kësaj përgjegjësie tatimore, nuk do të paguhen”, thuhet në njoftim.
Ekspertët e ekonomisë: Falja e taksave, frymëmarrje, por e gabuar
Eksperti i njohur i ekonomisë Adrian Civici për Portën Vendore thotë se nisma e qeverisë për të falur taksat për biznesin e vogël është një hap pozitiv që lehtëson barrën e bizneseve të cilat gjatë periudhës së Covid kanë qenë të mbyllura dhe në kushtet kur nuk kanë shitur dhe nuk kanë fituar ata s’kanë para për të paguar. Kështu që falja e taksave, nëse rezulton të jetë e vërtetë ashtu sikurse kryeministri ka deklaruar shihet si një frymëmarrje për këto biznese. “Është shumë herë më mirë se vendimi i mëparshëm për shtyrjen në afat, në qoftë se do të falen një pjesë e taksave, tatimeve, ato që kanë detyrime fitimi, natyrisht që në kushtet kur biznesi nuk ka punuar, nuk ka se çfarë të paguajë, kjo është një lehtësim. Po ta shtosh edhe pagën e papunësisë, që ata mund t’i mbajnë punonjësit në punë, hyjnë tek ato masa që i kanë marrë edhe vende të tjera të BE-së apo edhe vende jashtë BE-së. Kështu që është masë pozitive”, shprehet Civici.
Edhe Selami Xhepa e mirëpret një vendim të tillë të qeverisë. “Është një masë pozitive, them që i kontribuon lehtësimit të kushteve për biznesin për të përballuar situatën. Është vendim pozitiv dhe i mirëpritur në gjykimin tim”, thekson Xhepa për Porta Vendore. Ndërsa një tjetër ekspert i mirënjohur i ekonomisë, Drejtuesi i Qendrës për Kërkime Ekonomike, Zef Preçi faljen e taksave e lidh me amnistinë fiskale dhe sipas tij në kushtet ku ndodhet vendi, amnistia fiskale është e gabuar, pasi krijon pabarazi ndërmjet bizneseve. Qeveria synon që brenda majit të miratojë amnistinë për formalizimin e kapitalit për të gjithë emigrantët dhe shqiptarët brenda vendit që i kanë të padeklaruara paratë e tyre, fryt i një pune të ndershme. Kjo ishte një nismë e njoftuar më herët nga kryeministri Rama, por që u shty për shkak të periudhës Covid-19. Sipas ekspertit të ekonomisë amnistia fiskale është një proces që kërkon konsensus të gjerë politik por edhe institucione të forta që do të parandalonin futjen e parave me origjinë kriminale në ekonomi.
“Falja e taksave dhe amnistia fiskale janë e njëjta gjë. Amnistia/falja bëhet në kohë kur ekonomia lulëzon, ndërsa ka si parakusht konsensusin e gjerë të pjesës së shoqërisë dhe të biznesit, që paguan rregullisht taksat, sepse ky proces krijon pabarazi ndërmjet bizneseve dhe qytetarëve, konsensusin e opozitës si garanci ligjore për të mos penalizuar në të ardhmen bizneset, që kishin fshehur taksat dhe që i futen në qarkullim për shkak të faljes/amnistisë, si dhe konsensusin e institucioneve financiare ndërkombëtare që garantojnë kreditoret e borxhit te vendit tonë. Po kështu, kjo politikë ndiqet kur vendi ka institucione të forta që parandalojnë penetrimin e parave me origjinë kriminale në ekonomi, gjë që nuk është rasti i vendit tonë. Përtej nevojës së qeverisë për të shtuar të ardhurat buxhetore, kjo nismë e faljes fiskale në ditët e sotme është tregues i presionit në rritje të grupeve kriminale që disponojnë shuma të mëdha parash të paligjshme, por edhe i oligarkisë që ka kryer evazion dhe qarkullon paratë e korrupsionit të elitës politike drejtuese të vendit. Kështu që unë e konsideroj si të dëmshme, të rrezikshme, si një kërcënim moral për shoqërinë shqiptare të diskutosh në këtë kohë për falje taksash/amnisti fiskale në vendin tonë”, shprehet Preçi.
Paketa e tretë ekonomike
Në raportin më të fundit, Banka Botërore vlerëson se Shqipëria duhet të përgatitet për një rënie në masën 6.9% të ekonomisë së saj këtë vit për shkak të ndikimit të pandemisë COVID 19. Më herët, Fondi Monetar Ndërkombëtar kishte paraqitur një prognozë për Shqipërinë me një tkurrje prej 5 përqindësh të Prodhimit të saj Bruto, por Banka Botërore mendon se shifra 6.9% përbën skenarin më të keq.
Për të shmangur këto parashikime pritet që pas dy paketave ekonomike qeveria do të miratojë dhe një të tretë, sigurisht për të ndihmuar qytetarët dhe bizneset që jo vetëm që të mos falimentojnë për shkak të periudhës Covid-19, por edhe të rimëkëmben. Adrian Civici propozon që në këtë paketë të tretë ekonomike qeveria të parashikojë më shumë likuiditet për të ndihmuar biznesin, të falë detyrimet, ose të ristrukturojë marrëveshjet me bankat për të shtyrë në kohë kreditë. Të gjitha këto masa, sipas tij, do ndihmojnë bizneset që të mos shkojnë në falimento por të përshtaten me periudhën e ri-ngritjes ekonomike.
“Duke pasur parasysh që dy paketat e para, pavarësisht se edhe ato kanë pasur disa elementë për biznesin, kanë qenë kryesisht paketa sociale, paga e luftës dhe paga e papunësisë, normalisht duke ndjekur edhe logjikën e vendeve të tjera, paketa e tretë është paketë ekskluzive për biznesin dhe bizneset kanë bërë një sërë kërkesash për ta vazhduar edhe pagesën e papunësisë, qoftë edhe të pjesshme, edhe për të përfituar nga garancia e kredisë, nga ai fondi sovran prej 150 milionë dollarësh me kushte më lehtësuese, por dhe njëkohësisht të hyhet brenda në sistem ose të gjendet një mënyrë për t’u furnizuar më shumë likuiditet direkt nga qeveria. Është gjithë kjo paketa e faljes së detyrimeve që ato kanë, mund të jenë reduktime edhe në muajt e ardhshëm përveç faljes për pagesat që kanë, ristrukturimin në marrëveshje me bankat e kredive për t’i shtyrë në kohë dhe për t’i ristrukturuar. Mund të jetë një sistem, siç e bëri Italia me kredi të vogla prej 25 mijë eurosh për çdo biznes që do ta marrë me kushte zero. Pra, paketa e tretë nënkupton faktin se do të jetë ekskluzivisht që biznesi ose të funksionojë qoftë edhe minimalisht ose të konservohet pa shkuar në falimentim, që kur të fillojë periudha e ringritjes ose e hapjes së plotë të mund ta rimarrë ritmin. Sepse po i çove deri në atë pikë që nuk kthehen dot më mbrapsht pastaj do të jenë falimentime masive dhe nuk i përballojmë dot”, shprehet eksperti Civici.
Eksperti dhe pedagogu i njohur Selami Xhepa thotë se në radhë të parë me paketën e tretë ekonomike qeveria duhet të mbështesë dhe të ndihmojë të gjitha grupet që nuk kanë përfituar nga dy paketat e para, por edhe të zgjerojë mundësinë për më shumë likuiditet. “Në radhë të parë, mendoj që duhen mbështetur të gjitha grupet e tjera që nuk kanë përfituar, pra të gjithë individët, familjet, të cilët nuk kanë qenë përfituese nga paketat e para, kryesisht ato që kanë qenë në sektorin informal apo ato që kanë qenë me punë part-time. Kështu që duhet që paketa e tretë të arrijë të gjithë ato grupe vulnerabël të shoqërisë, të cilët kanë qenë të përjashtuar deri më tani dhe së dyti, patjetër që mendoj se për biznesin, pa e ndarë i madh e i vogël, sepse biznesi është biznes, mendoj se duhet të zgjerohet mundësi për akses në likuiditet. Pra mundësia për kreditim me norma interesi të subvencionuara edhe me garanci sovrane për kreditë mendoj që duhet të shtohen edhe më shumë. Kjo mendoj unë që duhet të jetë pjesa më e rëndësishme e kësaj pakete, pra rritja e likuiditet dhe mundësisë për të gjitha llojet e biznesit për të përfituar nga kreditimi me normat e ulëta të interesit”, shprehet Xhepa për Portën Vendore.
Për Zef Preçin kryefjala e paketës së tretë duhet të jetë mbështetja për të shpëtuar vendet e punës. Sipas tij është shumë e rëndësishme që biznesi të sigurojë para për likuiditet, por nuk duhet të bazohet vetëm te paga, por edhe tek ruajtja e fuqisë punëtore. “E para, duhet të përfshihen të gjithë ata të punësuar që humbën vendin e punës pavarësisht nga madhësia e biznesit, të papunët e regjistruar në zyrat e punës, si dhe të punësuarit informalë që kanë humbur vendin e punës për shkak të gjendjes së fatkeqësisë natyrore. Së dyti, bizneset duhen mbështetur, jo vetëm për rrogat, por edhe për nevoja të tjera për likuiditete që ato kanë në këtë periudhë. Ndihma ndaj bizneseve të mëdha duhet kushtëzuar edhe me mbajtjen në pune të të punësuarve, domethënë bizneset që do të arrijnë të mbajnë të gjithë të punësuarit në punë për një periudhë për shembull njëvjeçare mbas krizës mund të stimulohen me falje të pjesshme apo të plotë të kredisë”, shprehet Preçi për Portën Vendore.