8 maj 2020/ E. Gjerani/ Porta Vendore/
Dy ditë para përfundimit të afatit për nisjen e fushatës për zgjedhjet në universitete, Ministria e Arsimit ka reaguar, duke vendosur shtyrjen e tyre deri në një njoftim të dytë. Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë ka urdhëruar anulimin e procesit zgjedhor, një kërkesë e bërë prej disa ditësh, si nga Rektori i Universitetit të Tiranës, Mynyr Koni, por dhe nga shoqëria civile dhe studentët.
Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë (MASR) ka publikuar më 9 maj urdhrin e firmosur nga ministrja Shahini që një ditë më herët, por që nuk ishte publikuar, ndonëse ditët para nisjes së fushatës po kalonin dhe rektori i Universitetit të Tiranës deklaroi më herët, se nëse nuk pezullohen, ai do ishte i detyruar të zbatonte urdhrin e MASR.

Në urdhrin e vet, ministrja Shahini urdhëron “shtyrjen e datës së zgjedhjeve për autoritetet dhe organet drejtuese në institucionet publike të arsimit të lartë, për shkak të gjendjes së fatkeqësisë natyrore të shkaktuar nga pandemia e Covid-19, deri në një datë të caktuar nga Ministri i Arsimit, Sportit dhe Rinisë”.
Por, në këtë urdhër është lënë e hapur mundësia për një proces zgjedhor urgjent në një datë tjetër, e cila do të caktohet nga MASR. “Organet drejtuese të institucioneve publike të arsimit të lartë, të vijojnë me përgatitjen e zgjedhjeve, me qëllim zhvillimin e tyre menjëherë pas përcaktimit të datave përkatëse nga Ministri i Arsimit”, deklarohet në pikën 2 të urdhrit, duke lënë të hapur mundësinë se zgjedhjet mund të organizohen ndoshta në një kohë të shpejtë dhe pavarësisht anulimit i kërkon organeve drejtuese që të vijojnë punën me përgatitjet.
Publikimi i urdhrit nga MASR erdhi pikërisht sot, kur organizata Qëndresa Qytetare dhe disa studentë kanë paditur në Gjykatën Administrative ministren e Arsimit, Besa Shahini. Në padinë e dorëzuar ditën e sotme, ata kërkojnë anulimin e zgjedhjeve të 12 qershorit në Universitete , pasi studentët nuk do të kenë mundësi të marrin pjesë për shkak të masave të koronavirusit. Megjithatë, studentët, siç duket nuk kanë qenë në dijeni të urdhrit të nxjerrë që një ditë para padisë dhe kjo ka detyruar Ministrinë e Arsimit që të publikojë urdhrin.
Megjithatë, përfaqësuesi i organizatës, Rigels Xhemollari e cilësoi fitore urdhrin e ministres. “Vendimi i sotëm i Ministres është fitore e kauzës së ngritur nga Qëndresa dhe studentët prej një jave. Pasi i rezistoi të gjitha reagimeve dhe protestës sonë, pikërisht në momentin kulminant, aty ku do përballej personalisht me pasojat ligjore, Ministrja u dorëzua dhe shpalli shtyrjen e zgjedhjeve. Ky është një vendim, i cili i jep mundësi aktorëve, studentëve dhe stafeve akademike të ripozicionjnë pozicionin dhe peshën e tyre në këtë proces si dhe garanton debat dhe fushatë normale dhe siguron pjesëmarrje të plotë studentore”, u shpreh Xhemollari.
Për urdhrin e ministres Shahini reagoi dhe rektori i Universitetit të Tiranës, Mynyr Koni, i cili ka shprehur falënderimet për reagimin e MASR.
“Si Rektor i Universitetit të Tiranës, shpreh falënderimet dhe njëkohësisht përgëzimet e mia, për Ministren e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, për nxjerrjen e Urdhrit nr. 108 datë 08.05.2020, me të cilin, shtyhet data e zgjedhjeve për autoritetet dhe organet drejtuese në institucionet publike të arsimit të lartë, për shkak të gjendjes së fatkeqësisë natyrore të shkaktuar nga pandemia e Covid 19”, u shpreh Koni në reagimin e tij.
Pas përcaktimit të datave nga Ministri i Arsimit, Sportit dhe Rinisë, për hapjen e procesit zgjedhor dhe datës së zhvillimit të zgjedhjeve, Koni siguroi se autoritetet dhe organet drejtuese të Universitetit të Tiranës, do të vijojnë në mënyrë të menjëhershme me përgatitjen e zgjedhjeve, me qëllim zhvillimin e tyre sipas të gjitha hapave dhe procedurave ligjore, të përcaktuara në Rregulloren e Zgjedhjeve.
“Procesi zgjedhor që do të zhvillohet në Universitetin e Tiranës, do të përmbushë të gjitha parimet kushtetuese; do të zbatojë ligjin e arsimit të lartë 80/2015 dhe të gjitha aktet nënligjore në fuqi; do të jetë një proces transparent dhe gjithëpërfshirës”, përfundoi Koni në reagimin e tij.
Prej ditësh në vend ka nisur një debat për mbajtjen ose jo të zgjedhjeve në universitete për shkak të pamundësisë së studentëve për të marrë pjesë në këto zgjedhje. Sipas urdhrit të mëparshëm të Ministrisë së Arsimit, fushata duhet të niste më 11 maj dhe zgjedhjet të mbaheshin më 12 qershor. Ashtu siç ka raportuar edhe Porta Vendore ekspertët dhe Universiteti i Tiranës dolën kundër këtij vendimi, ndërsa Ministria e Arsimit nuk ishte prononcuar deri më sot, që publikoi urdhrin për anulimin e 12 qershorit.