Ngjarje/Personazhe

Historia e gruas që pret të bëhet nënë: “Nuk dua të qëndroj në hotel, po numëroj ditët për të lindur”

8 maj 2020/ Anila Hoxha/ Porta Vendore/ Durrës

Këtë të hënë, datë 4 Maj 2020, hyri në fuqi urdhri për vetëkarantinimin në shtëpi të atyre qytetarëve që riatdhesohen në Shqipëri dhe që banesën e kanë në zonat e kuqe nga Covid 19. Për të tjerët që duhet të kthehen pranë qendrave të banimit në hartën e gjelbër të 18 bashkive, karantinimi do të jetë i detyrueshëm 14 ditë në hotel. Por, kjo ka shkaktuar pakënaqësi te shumë qytetarë të riatdhesuar, të cilët kërkojnë që karantinimin ta bëjnë në banesat e tjera, siç veprohet me bashkatdhetarët e tyre.

Për Sabaete Berishën, e cila sapo shkeli në Rinas u dërgua në një hotel në Shëngjin, këto rregulla janë disi të pakuptueshme. 25-vjeçarja thotë për Portën Vendore se është në muajin e nëntë të shtatzënisë dhe se pret nga dita në ditë të bëhet nënë për herë të parë. “Unë jam karantinuar me dy zonja të panjohura në një hotel këtu në Shëngjin, doktorët më kanë thënë që kam hyrë në ditët e mia. Nuk dua të lind e karantinuar në hotel. Kam frikë, dua të karantinohem në shtëpi në Thumanë”, thotë ajo. Gruaja mbërriti në Shqipëri më datë 30 prill pas kërkesës për tu riatdhesuar dhe dëshirës për tu bërë nënë në vendin e saj. Sabaetja tregon se qëndroi në Itali e mbyllur për 74 ditë, pasi pandemia e zuri atje gjatë një vizite tek e motra. Tani problemi i saj janë ditët e fundit të pritjes së ëmbël që Sabaetja dëshiron t’i kalojë në praninë e bashkëshortit dhe larg hotelit karantinë. “Kam nevojë për të ecur, por ushtarët nuk më lënë, e gjitha kjo është e vështirë”, shton gruaja për Portën Vendore që me tone shqetësimi kërkon ndihmë, me shpresën se dikush do ta dëgjojë sa më shpejt të jetë e mundur, përpara se asaj t’i vijnë dhimbjet e lindjes.

Ndërkohë në pistën e aeroportit të Rinasit, në orën 20.00 të ditës së diel u ul avioni i fundit me 120 shtetas shqiptarë, të cilëve për çështje orësh u shpëtoi mundësia që ndonjëri prej tyre të karantinohej për 14 ditët e ardhshme në shtëpi. Ata kaluan mes përmes një shiriti me oficerë policie, që u flisnin me shenja duke u treguar furgonët e transportit që i presin, për t’i dërguar drejt hoteleve në Durrës. Zyraja thotë se në avion ka njohur një grua të moshës së saj dhe se ky është udhëtimi i saj i parë ku asnjë anëtar i familjes nuk e pret në kthim. Duke qeshur shton se: “Këto janë rregullat, nuk u shpëton dot, me familjen do flas në telefon deri në fund të karantinës”.

Të riatdhesuarit në aeroportin e Rinasit. Foto:Anila Hoxha

E moshuara do mbyllet në një hotel në Durrës. Sikurse edhe pjesa dërrmuese e udhëtarëve të kthyer nga Italia. Nga ky grup vetëm dy nga pasagjerët e Air Albania, do të mbyllen në shtëpi edhe pse fasha detyruese do edhe disa orë të hyjë në fuqi. Të dy ata kanë aplikuar nga Italia duke shkruar në një adresë emaili të Ministrisë së Shëndetësisë shkaqet shëndetësore për të cilat nuk mund të mbahen në hotel, pasi edhe në vendin fqinj ndodheshin për arsye kurimi. Kërkesa është konfirmuar dhe identiteti i tyre i është përcjellë policisë kufitare për dijeni. Gjatë misioneve të riatdhesimit të nisura në fund të muajit mars, i njëjti lëshim u bë edhe për të shtetas të tjerë me probleme shëndetësore që për të njëjtin motiv u dërguan për tu mbyllur në banesë.

Ndërkohë Durrësi është caktuar si zona ku po mbahen më së shumti të riatdhesuarit, që deri më tani janë rreth 2500 persona të kthyer nga 18 prilli. Kjo shifër përfshin kthimet e qytetarëve gjatë fazës së dytë. Në të gjitha hotelet e karantinës ushtarët qëndrojnë në hyrje të ndërtesave. Në brendësi, çdo korridor ka karrige përbri dyerve të mbyllura , brenda të cilave qëndrojnë qytetarët e karantinuar. “Janë lënë aty si tavolina provizore, mbi të cilat vendoset ushqimi”, thotë njëri nga anëtarët e stafit. Në fakt, kjo procedurë kryhet për të shmangur kontaktin me të karantinuarit. Kur ata e përfundojnë vaktin i lënë sërish pjatat në karrige dhe punonjësit rikthehen për t’i marrë.

Karriget në korridoret e hotelit për tabakanë e ushqimit. Foto: Anila Hoxha

Meldisa Duka është menaxhere në njërin nga këto hotele. Nuk preferon ta citojë emrin e hotelit në Durrës, pasi siç shton ajo “kjo do të ndikonte tek qytetarët që duan të kryejnë rezervime për pushime”. Por zonja Duka e komenton kalimin e stafit në shërbim të të karantinuarve nën masa të posaçme edhe si një trajnim për sezonin e verës, i cili do të jetë ndryshe, jo tradicional, e gjithë kjo në respekt të distancimit nga Covid 19” . E pyetur nga Porta Vendore menaxherja tregon detaje të mëtejshme mbi stresin e të karantinuarve dhe nga ana tjetër pajisjen e stafit me maska, por edhe vendosjen në dispozicion të pajisjeve vetëm një përdorimshe.

“Pranuam t’i marrim dhe të bëhemi pjesë e këtij operacioni të ndërmarrë nga qeveria më shumë si shenjë solidariteti, sesa flitet për fitim, pasi 6 euro paguhet për person për tre vakte ushqim. Nuk mund të flitet për fitim në këtë rast. Megjithatë deri tani kemi pasur marrëdhënie korrekte nga ana e hotelit sipas kontratës së nënshkruar me Ministrinë e Turizmit. Të riatdhesuarit janë pak të shqetësuar për shkak të izolimit, të respektimit të disiplinës si dhe pamundësisë për të lëvizur. Stafi është i pajisur me maska dhe doreza gjatë gjithë kohës dhe kujdesi është më i madh. Ushqimi shërbehet me vasketa dhe pijet me gota një përdorimshe”, tha ajo.

Disa kilometra larg Durrësit në hotelin karantinë në Shëngjin, ndiqet e njëjta procedurë. Sidoqoftë për Sabaeten ditët e karantinës në hotel, nuk janë të njëjta si për të tjerët. Ajo ndjen se çasti i shumëpritur gjatë këtyre muajve po afrohet, por ka nisur të trembet pasi të afërmit nuk i ka afër.