Vëzhgim/Analizë

Zgjedhjet në universitete, të gjithë kundër ministrisë. Ekspertët: Nuk ka zgjedhje pa studentët

7 maj 2020/ Elisa Gjerani/ Porta Vendore

Zgjedhjet për drejtuesit e rinj të universiteteve publike janë kthyer në një debat për shkak të pamundësisë së studentëve për të marrë pjesë në këto zgjedhje,  pasi sipas urdhrit të Ministrisë së Arsimit, fushata duhet të nisë më 11 maj dhe zgjedhjet të mbahen më 12 qershor. Ekspertët dhe Universiteti i Tiranës kanë dalë kundër këtij vendimi, ndërsa Ministria e Arsimit ende nuk e ka thënë fjalën e saj. Por Komisioni Institucional i Zgjedhjeve në Universitetin i Tiranës ka marrë vendimin të shpallë hapjen e regjistrimit të kandidatëve për rektor e anëtar senati që më 4 prill, duke shkaktuar kështu një kaos për procesin zgjedhor.

Në mes të muajit Janar 2020, ministrja e Arsimit, Besa Shahini pati njoftuar se zgjedhjet për Universitetet Publike do të mbahen më 8 maj, ndërkohë që fushata do të nisë që më 9 prill.  Konfirmimi i ministres u bë gjatë një dalje publike për mediat në kuadër të Paktit për Universitetin.

Në maj, skadon mandati i drejtuesve të Universiteteve publike. Para pak kam firmosur urdhrin për datën e zgjedhjeve për të gjitha strukturat e reja drejtuese dhe është data 8 maj 2020. Fushata fillon 30 ditë para, pra në datën 9 prill. Universitetet janë të detyruara të publikojnë dy muaj, pra 60 ditë para, rregulloren”, tha Shahini në atë kohë, ndërsa garantoi se zgjedhje do të  jenë të drejta dhe jo diskriminuese.

Por për shkak të pandemisë Covid-19, që në mars u mbyllën institucionet e arsimit të lartë dhe zgjedhjet u pezulluan. Më 26 mars 2020, Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë nxori një urdhër të dytë për zëvendësimin e datës së zgjedhjeve më 12 qershor, e fillimin e fushatës me 11 maj.

Më 14 prill, Universiteti i Tiranës nxori një tjetër urdhër, duke deklaruar se periudha zgjedhore pezullohet deri në përfundimin e gjendjes së pandemisë së shkaktuar nga infeksioni Covid-19.

Por Komisioni Institucional i Zgjedhjeve në Universitetin i Tiranës, ndërkohë kishte marrë vendimin të shpallë hapjen e regjistrimit të kandidatëve për rektor e anëtar senati. Sipas këtij vendimi, aplikimet për garën kishin nisur nga 4 prilli dhe përfundojnë me 8 maj, pavarësisht se në universitet nuk kishte asnjë student. Megjithatë, rektori i Universitetit të Tiranës, Mynyr Koni në një deklaratë për shtyp e ka konsideruar veprimin e personelit akademik të paprecedentë dhe në shkelje të ligjit të arsimit të lartë dhe siguroi studentët se shumë shpejt do të zhvillohen zgjedhje të ndershme.

Por, në vazhdën e masave ndaj Covid-19, më 30 prill, Ministria e Arsimit nxori një tjetër urdhër “Për marrjen e masave për mbylljen e vitit akademik 2019-2020 nga institucionet e arsimit të lartë, për shkak të gjendjes së fatkeqësisë natyrore, të shkaktuar nga pandemia Covid-19”. Në këtë urdhër, ndër të tjera, urdhërohet “krijimi i mundësive për kthimin në auditor të studentëve të viteve të para dhe të viteve të ndërmjetme të të gjitha cikleve të studimit, për përsëritjen e leksioneve, seminareve, apo punëve laboratorike, pas datës 25 korrik të vitit 2020 për një periudhë jo më pak se 4 javë”.

Në këto kushte, studentët nuk mund të kthehen në auditorë për të propozuar kandidatët për Senatin Akademik dhe respektivisht të marrin pjesë në zgjedhje.

Qëndrimi i Universitetit të Tiranës për urdhrin e ministres

Duke u nisur nga kjo, më 4 maj, rektori i Universitetit të Tiranës, Mynyr Koni, kërkoi nga Ministria e Arsimit Sportit dhe Rinisë rishikimin e urdhrit të datës 26 maj 2020 për shtyrjen e procesit zgjedhor dhe datës së zgjedhjeve për autoritetet dhe organet drejtuese në institucionet publike të arsimit të lartë në vend. Ndërsa Universiteti i Tiranës ka shkarkuar pedagogen e Fakultetit të Shkencave Sociale Majlinda Ketën, me pretendimin se pedagogia ka kryer një sërë shkeljesh që lidhen me masat e marra për periudhën e pandemisë së koronavirusit.

Në vendimin e rektorit Konit thuhet se Keta shkarkohet nga kjo detyrë, pasi në mënyrë të paligjshme dhe të paprecedentë nxori urdhrin për zgjedhjet në Universitetin e Tiranës.

Tashmë, që data 11 maj për hapjen e fushatës për zgjedhjet në universitetet publike po afron, Ministria e Arsimit, ende nuk e ka thënë fjalën e saj. Rektori i Universitetit të Tiranës, duke u nisur nga kjo, deklaroi publikisht se në këto kushte, ai do të shpallë datën e zgjedhjeve më 12 qershor sipas urdhrit të Ministrisë së Arsimit. “Autoriteti që ka të drejtë të shpallë zgjedhjet në universitet është rektori, pra unë. Ministrja Shahini e ka përcaktuar me urdhrin e saj, por që e ndryshoi atë për shkak të pandemisë. Edhe pse afati ndryshoi, urdhri i ri është që procesi zgjedhor të fillojë më 11 maj dhe dita e zgjedhjeve në UT të jetë më 12 qershor. Unë kam detyrim të shpall fillimin e procesit zgjedhor. Unë kam detyrim të bëj shpalljen, por jemi në pritje të urdhrit. Nëse ministrja nuk bën ndryshim urdhri, unë do shpall procesin zgjedhor për universitetin. Kjo është faza ligjore e procesit”, u shpreh ndër të tjera Koni në një intervistë për News 24.

Duke qenë se Ministria e Arsimit, ende nuk ka një përgjigje, më 6 maj, rektori Koni i drejtoi ministres Shahini dhe një letër publike.

Urdhri juaj nr.99 datë 26.03.2020 është i pazbatueshëm edhe për arsye të një Urdhri tjetër, të nxjerrë po nga ju, pikërisht të Urdhrit nr.104 datë 30.04.2020 ‘Për marrjen e masave për mbylljen e vitit akademik 2019-2020 nga institucionet e arsimit të lartë, për shkak të gjendjes së fatkeqësisë natyrore të shkaktuar nga pandemia COVID-19’, me të cilin keni urdhëruar se kur dhe se cilët studentë do të paraqiten në auditore, pra, e thënë ndryshe, keni urdhëruar se cilët studentë mund apo duhet të marrin pjesë në zgjedhje dhe të ushtrojnë të drejtën e votës, apo të drejtën për t’u zgjedhur, dhe cilët të tjerë, nuk duhet ta kenë këtë të drejtë”, shprehet Koni në letrën publike.

Sipas Konit, në fakt, të drejtën për t’u zgjedhur dhe për të zgjedhur, studentëve ia ka dhënë ligji i arsimit të lartë 80/2015 dhe Rregullorja e Zgjedhjeve, duke i caktuar ata si një nga dy trupat zgjedhore në institucionet publike të arsimit të lartë, për të zgjedhur rektorin dhe dekanin; apo edhe përfaqësuesit e tyre në Senatin Akademik, dhe për t’i përfaqësuar denjësisht ata në këtë organ kolegjial. “Pa dashur të zgjatem dhe të tregoj konkretisht në këtë letër të hapur argumentet ligjore dhe nënligjore, të cilët janë parashtruar të gjitha në shkresën e fundit nr.1551/1 datë 4 maj 2020, ajo çfarë dua të theksoj edhe një herë është fakti që, duke mos ndryshuar Urdhërin nr.99 datë 26.03.2020, jeni duke përjashtuar mbi 15 mijë studentë të Universitetit të Tiranës nga procesi zgjedhor dhe e drejta e tyre ligjore për të zgjedhur dhe për t’u zgjedhur”, shprehet Koni, i cili kërkon publikisht edhe një herë të ndryshohet  Urdhri nr.99 datë 26.03.2020, duke shtyrë fillimin e procesit zgjedhor dhe datës së zgjedhjeve deri në shfuqizimin e Vendimit të Këshillit të Ministrave për shpalljen e fatkeqësisë natyrore në vend si dhe të urdhrave të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale.

Ekspertët: Zgjedhje në qershor cenojnë të drejtën e studentëve

Qëndrimi i universiteteve publike mbështetet dhe nga ekspertët e Arsimit, të cilët shprehen se Ministria e Arsimit duhet t’i shtyjë ato, ndërkohë që sipas tyre, mohimi i të drejtës së studentëve për të marrë pjesë në zgjedhje është shkelje e të drejtave kushtetuese. Porta Vendore bisedoi mbi këtë çështje me pedagogun dhe ekspertin e arsimit, Ndriçim Mehmeti dhe përfaqësuesin e organizatës Qëndresa Qytetare, Rigels Xhemollari.

Vendimi i Ministrisë së Arsimit Rinisë dhe Sporteve, ose më saktë vendimi Rama-Shahinaj, është kronikë e një krimi të paralajmëruar. Le t’i referohemi aktit më të lartë juridik të shtetit shqiptar, Kushtetutës së Republikë së Shqipërisë. Më konkretisht: Neni 57 i Kushtetutës parashikon se ‘Autonomia e institucioneve të arsimit të lartë dhe liria akademike janë të garantuara me lig’. Neni 170, pika 6 parashikon se ‘gjatë periudhës së zbatimit të masave të jashtëzakonshme nuk mund të zhvillohet zgjedhje, mbahen referendum apo zgjidhet një President i ri’. Ndërsa, neni 175 parashikon se ‘gjatë gjendjes së fatkeqësisë natyrore mund të kufizohen disa të drejta, ndër të cilat e drejta e lëvizjes lirisht’ (neni 38). Shkojmë më tej dhe i referohemi aktit nënligjor që rregullon zgjedhjet në Universitetin e Tiranës, siç është Rregullorja e zgjedhjeve në UT, e miratuar me vendimin nr. 5, datë 10.02.2020. Në Nenin 38 ‘Pavlefshmëria e zgjedhjeve’ pika 1/b shprehet se:, ‘KIZ-i, kryesisht ose me kërkesë të kandidatëve, i shpall zgjedhjet të pavlefshme në një ose më shumë njësi kryesore, në rast se kanë ndodhur fatkeqësi natyrore të përmasave të atilla që kanë penguar pjesëmarrjen e zgjedhësve në votim’.  Po përse duhen patjetër zgjedhjet, në këtë kohë pandemie? Duket fare qartë që qeveria është e interesuar të ketë nën kontroll të plotë universitetin, pas humbjes së afërt politike, si një mundësi për përfitim material por edhe si presion të ‘botës akademike’, ndaj kundërshtarëve politikë, sa herë që të ketë nevojë”, u shpreh eksperti Mehmeti.

Ndërsa Rigels Xhemollari e cilëson “vendimin të nxituar dhe përjashtues për masën e studentëve, të cilët sipas urdhrit të po të njëjtës ministri nuk duhet të frekuentojnë universitetin deri në korrik 2020”.

Por sa e rëndësishme është vota e studentëve në procesin e zgjedhjeve në universitete?!

Sipas ligjit 80/2015 për arsimin e lartë pesha e votës së studentëve është 10%. E përkthyer kjo në vota në Universitetin e Tiranës, 1 votë pedagogu vlen sa 320 vota studentësh. Me aktin e KIZ të premten dhe me mos anulimin nga MASR do të kemi jo vetëm përjashtim të studentëve nga vendimmarrja por kthimin e procesit zgjedhor në një proces ku punëmarrësit votëbesojnë edhe për katër vite punëdhënësin pasi nuk do të ketë as fushatë e as debate. Eksperienca ka treguar që edhe pse vetëm 10%, studentët kanë vendosur fatet e disa drejtuesve të universiteteve në zgjedhjet e vitit 2016”, shprehet Rigels Xhemollari, përfaqësues i organizatës “Qëndresa Qytetare”.

Edhe pedagogu Mehmeti thotë se vota e studentëve nuk ka ndonjë peshë të madhe specifike, por sigurisht ka vlerë të madhe, nëse nisemi nga premtimet e Kryeministrit Rama dhe Ministres Shahini, për më shumë hapësira për studentët, në vendimmarrje, të cilat u jetësuan edhe në të ashtuquajturin “Pakti për Universitetin”. “Me përjashtimin de jure e de facto nga procesi i votimit të studentëve, praktikisht këta të fundit nuk kanë asnjë vlerë për jetën e universitetit dhe asnjë ndikim në vendimmarrjen e Universitetit. Studentët janë zemra e universitetit dhe se pa ta nuk mund të ketë as jetë akademike dhe as jetë studentore në një universitet, atëherë përse është ky nxitim për t’i përjashtuar me doemos? Studentët nga ana e tyre, kanë dërguar kërkesat e tyre Ministrisë së Arsimit, duke shprehur shqetësimin e tyre për shumë probleme përfshi edhe zgjedhjet, por ministrja Shahini ka heshtur dhe nuk është përgjigjur, duke e lënë zvarrë këtë çështje, derisa të harrohet dhe njëkohësisht të fitohet kohë që t’i vënë studentët para faktit të kryer. Qëndrimi i ministres Shahini tregon më së miri se sa rëndësi kanë për MASR dhe për Kryeministrin Rama, studentët, kur këtyre të fundit me vendimet dhe qëndrimet e qeverisë ju mohohet e drejta themelore që ka çdo individ, të drejtën për tu zgjedhur dhe për të zgjedhur”, thotë Mehmeti.

Votimi online i studentëve?!

Nga ana tjetër, gjatë këtyre ditëve është hedhur për diskutim dhe votimi online i studentëve, megjithatë, ekspertët janë skeptikë mbi këtë nismë dhe sipas pedagogout Mehmeti, kjo është pothuajse e pamundur.

Nëse i referohemi deklaratave të ministres për mësimin online në universitete, ajo nënvizoi se nga 120 mijë studentë vetëm 50 mijë kanë mundur të kenë kontakt online me pedagogët e tyre.  Pra më pak se gjysma e studentëve nuk kanë qasje në internet, si do të mund të jenë ata pjesëmarrës në votim? Kush do të administrojë votën e tyre? Cila është platforma që do të merret me këtë proces dhe a është e besueshme dhe e aksesueshme edhe nga të tjerë? Por edhe sikur të krijohen të gjitha kushtet infrastrukturore për një votim online, a parashikohet nga ligji 80/2015 “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në Republikën e Shqipërisë”, apo akte të tjera nënligjore ky lloj votimi? Nga ana tjetër, Rregullorja e zgjedhjeve në UT, e përmendur më lart, nuk parashikon në asnjë rast votimin online. Pra ai është i pamundur në kushtet e Shqipërisë dhe i pa mbështetur ligjërisht. Për më tepër studentët por edhe pedagogët nuk e ndjekin dot veprimtarinë e kandidatëve, të kenë mundësi të qartësohen për programet që ata kanë në lidhje me studentët dhe përmirësimin e jetës së tyre, të organizojnë debate me kandidatët etj. Të gjitha këto nuk mund të bëhen online. Votimi është procesi i fundmë, ku ai që shkon në këtë proces, shkon me një bindje thuajse absolute, përse duhet të votojë dhe çfarë përfiton në kuptimin e përmirësimit të jetës së tij. Kjo mundësi u është hequr studentëve, në kushtet në të cilat ne jemi”, shprehet eksperti Mehmeti.

I të njëjtit mendim është edhe Xhemollari. “Universitetet publike nuk arritën dot të ndërtojnë një platformë unike dhe serioze për mësimin online, jo më të krijojnë kushte për një votim online. Kjo është e pamundur teknikisht dhe ligjërisht”, shprehet ai. Sipas tij, përjashtimi i studentëve nga gara është mbështetur dhe nga pedagogët, pavarësisht pozicionit që kanë. “Pedagogët janë në një pozicion jo të favorshëm pasi ndodhen nën presionin e titullarëve të tyre të cilët duan të zgjidhen me urgjencë dhe të mbajnë ato poste edhe për 4 vitet e ardhshme. Por në rrugë jo zyrtare dhe jo publike shumë pedagogë janë sensibilizuar me këtë problem jo vetëm për përfshirjen e studentëve por edhe për një garë, debat dhe zgjedhje të lira dhe të ndershme”, deklaroi Xhemollari.

Sipas tij, organizata e tij ka marrë disa hapa kundër këtij procesi. “Ne së bashku me studentët kemi zhvilluar si fillim një protestë në rrjetet sociale, ku u përfshinë qindra studentë, më pas kemi dërguar letër me 130 studentë mbështetës, Ministres së Arsimit për të anulluar zgjedhjet dhe gjithashtu i kemi drejtuar një kërkesë Komisionit Parlamentar të Edukimit dhe Mjeteve të Informimit Publik për të thirrur në seancë dëgjimore ministren e arsimit dhe për të dhënë shpjegime mbi këto zgjedhje. Hapi i radhë do të jetë gjykata adminsitrative ku me anë të një padie do synojmë të bllokojmë zgjedhjet ne UT. Qëndresa për zgjedhje të lira dhe të ndershme në universitete do të vazhdojë deri në fund!”, u shpreh përfaqësuesi i Qëndresës Qytetare.

Mos-votimi i studentëve nxjerr zgjedhjet të pavlefshme

Pedagogu dhe eksperti i Arsimit, Ndriçim Mehmeti shpjegon se nëse zgjedhjet do të kryhen pa pjesëmarrjen e studentëve, ato do të jenë të pavlefshme dhe shumë lehtë mund të atakohen si në rrugë gjyqësore, por mund të mos dekretohen dhe nga Presidenti i Republikës.

Nisur nga përmbajtja e Nenit 170, pika 6 e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe Neni 38, pika 1/b  e Rregullores, ne jemi saktësisht në kushtet e pamundësisë së vlefshmërisë së zgjedhjeve në Institucionet e Arsimit të Lartë, në Republikën e Shqipërisë. Edhe në rast se këto zgjedhje zhvillohen, do të jetë e vështirë të certifikohen nga Presidenti i Republikës dhe organe të tjera, pasi në përputhje me bazën ligjore që përmendëm, por edhe më akte të tjera nënligjore, çdo kandidati, apo studentëve u lind e drejta të ankimojnë këtë proces të gjymtuar dhe fasadë në kushte të jashtëzakonshme. Në bazë të Vendimit të Këshillit të Ministrave, për zgjatjen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore deri më datë 23 qershor 2020 si dhe referuar parimeve të sanksionuara në Kushtetutë, zgjedhjet duhet të shtyhen. Por edhe sikur ato të bëhen, mund të rezultojnë nul”, shprehet Mehmeti. Sipas tij, në rast se zgjedhjet kryhen në këto kushte dhe legjitimohen, atëherë autonomia e universiteteve ka vdekur, duke dhënë shembullin se qeveritë mund të përdorin sa herë të kenë nevojë universitetin për qëllimet e tyre. “Këto do të jenë të parat zgjedhje që zhvillohen në gjithë botën në kushtet e pandemisë dhe një situate të jashtëzakonshme të shpallur me ligj. Uroj shumë që bota akademike të bëhet barrierë për të mos lejuar shkeljen e dinjitetit të tyre njerëzor dhe profesional”, deklaroi Mehmeti.

Por në kushtet që Ministria e Arsimit ende nuk e ka thënë fjalën e saj, ndërkohë që rektori i Universitetit të Tiranës ka deklaruar se ai është i detyruar të fillojë procesin zgjedhor, nëse urdhri nuk anulohet, tashmë mbetet të pritet deri më datë 11 maj, nëse do të ketë një reflektim nga autoriteti qeveritar për shtyrjen e zgjedhjeve deri në përfundim të gjendjes së fatkeqësisë natyrore.