Ndodhi

Shoqëria civile, protestë për Kodin Penal, përplaset me policinë, shoqërohen dy prej tyre

7 maj 2020/Porta Vendore/Tiranë

Disa aktivistë së bashku me dhjetëra qytetarë kanë mbajtur një protestë ditën e sotme në Sheshin Skënderbej, ku në fokus ishte kundërshtimi ndaj masave izoluese të aplikuara nga qeveria Rama. Por kjo protestë përfundoi në dhunë mes qytetarëve dhe policisë së shtetit, ku u shoqëruan edhe 2 prej protestuesve.

Me pankarta në duar, ku shënohej “Jo diktaturës”, protesta u çel nga studenti Klajdi Bello, një protestues i shumë kauzave dhe që është folur gjithnjë për implikimin e tij me krahun opozitar.

“Kemi tre vite që Gjykata Kushtetuese është inekzistente. Kemi një parlament topall me një opozitë që falënderon Kryeministrin. Nga nesër hyjnë në fuqi masat shtrënguese ligjore. Nëse ju keni dalë për 1001 motive nga shtëpia juaj, nëse iu kap policia do dënoheni me gjobë. Jo vetëm me gjobë, por edhe me 6 muaj burgim. Sepse nëpërmjet këtyre mekanizmave duan të rikthejnë diktaturën”, tha Klajdi.

Nga nesër hyjnë në fuqi ndryshimet në Kodin Penal, të miratuara nga Parlamenti gjatë seancës së 16 prillit e të dekretuara më pas nga presidenti Meta. Ndërsa shoqëria civile ka ngritur shqetësimin e saj mbi këto ndryshime, duke i cilësuar si cenuese të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut.

Kam dalë për të protestuar, pasi nuk jam dakord me ndryshimet e vendosura nga qeveria dhe për ta bërë këtë nuk kam nevojë për leje tek e-albania. Jam i lirë të dal nga ora 5:00-17:30”, i tha një nga protestueset policisë, që u afrua pranë protestuesve për t’i paralajmëruar për mbajtjen e distancës, që jo gjithnjë respektohet prej shumicës së tyre, ndërsa disave prej tyre iu kërkua edhe lejen e daljes.

Policia duke pyetur pjesëmarrësit për lejen e daljes.

Ndërsa Avokati Zaçe Islami nuk la pa përmendur skepticizmin e tij lidhur me Covid 19, ku sipas tij ky i fundi nuk ekziston.

“Ne nuk do t’i dorëzohemi këtij kryeministri, kësaj kandidature. Pa u bërë vaksina nuk dalim nga karantina. Ne i themi kryeministrit, zotëri tërhiqu sa s’është vonë. Koronavirusi është mashtrim. Harroje vaksinën. Harroje shtypjen që bëre deri tani”, tha ai, ndërsa apelon për mbrojtjen e të drejtave kushtetuese.

Protesta e qytetarëve në sheshin “Skënderbej”.

E në fakt pak minuta pas nisjes, protesta degjeneroi në dhunë. Policia e Shtetit tentoi të shpërndajë qytetarët me pretekstin që këta të fundit nuk kishin leje dhe nuk po respektonin distancimin social. Policia u provokua në disa raste nga vetë protestuesit, teksa bënin thirrje “Poshtë diktaturës” dhe “Rama Ik”, ndërsa të paktën 2 prej protestuesve janë shoqëruar me forcë nga ana e policisë.

Forcat e policisë duke neutralizuar njërin nga protestuesit.

Por pavarësisht kundërshtisë së vazhdueshme të qytetarëve dhe shoqërisë civile, nga data 8 maj janë së paku 10 veprime që përbëjnë vepër penale dhe dënohen me burg.

  1. Thyerja e rregullave në kohë epidemie, kur shkelësi ka marrë më parë masë administrative, dënohet me gjobë ose me burgim deri në gjashtë muaj
  2. Thyerja e rregullave në kohë epidemie, duke ushtruar aktivitet tregtar, dënohet me gjobë ose me burgim deri në dy vjet.
  3. Moszbatimi i urdhrit të dhënë nga organet kompetente për karantinim, dënohet me burgim nga dy deri në tre vjet.
  4. Shkelja e rregullave të karantinës nga personi mbartës i sëmundjes infektive, dënohet me burgim nga dy deri në tre vjet.
  5. Përhapja me dashje e sëmundjes infektive, dënohet me burgim nga dy deri në pesë vjet.
  6. Përhapja e sëmundjes infektive nga pakujdesia, dënohet me gjobë ose me burgim deri në dy vjet.
  7. Përhapja me dashje ose nga pakujdesia e sëmundjes infektive, duke shkaktuar pasoja të rënda për shëndetin ose rrezik për jetën e njerëzve, dënohet me burgim nga tre deri në tetë vjet.
  8. Presioni psikologjik ndaj bashkëshortes, ish-bashkëshortes, përsosnit bashkëjetues apo ish-bashkëjetues, ndaj personit në lidhje apo ish-lidhje intime me autorin e veprës penale, me pasojë cenimin e integritetit fizik, psiko-social dhe ekonomik të tij, dënohet me burgim deri në tre vjet.
  9. Dhuna dhe presioni psikologjik ndaj peronave gjini e afërt (të paralindur, të paslindur, vëllezër, motra, ungjër, emta, nipër, mbesa, fëmijë të vëllezërve dhe të motrave), ose krushqi e afërt (vjehërr, vjehrrë, dhëndër, nuse, kunat/ë, thjeshtri, thjeshtra, njerku e njerka), dënohet me burgim deri në tre vjet.
  10. Dhuna dhe presioni psikologjik i përsëritur ndaj të gjithë personave të rrethit familjar, përfshirë edhe personat në lidhje apo ish-lidhje intime, dënohen nga një deri në pesë vjet burgim.

Në një deklaratë të përbashkët, 30 organizata kanë evidentuar që ata vlerësojnë masat parandaluese të qeverisë për parandalimi e koronavirusit, që “kanë kontribuar në një numër më të ulët të shtetasve të infektuar në Shqipëri”, por shprehen se “dënimet

penale të propozuara në Kodin Penal janë jo proporcionale, nuk respektojnë parimin e humanizmit të parashikuar në nenin 1/c të Kodit Penal si dhe cenojnë liritë dhe të drejtat e shtetasve”.