7 maj 2020/ Bledi Gilaj/ Porta Vendore
Pandemia nga Covid-19 po shkakton një krizë financiare globale dhe shumë shtete kanë përgatitur paketa ekonomike për ndihmë ndaj bizneseve dhe qytetarëve, ku nuk ka mbetur mënjanë edhe Shqipëria. Që në momentet që u shfaq rasti i parë në Shqipëri, qeveria izoloi vendin, duke pezulluar çdo gjë. Por, kjo nuk pezulloi tenderët e shumtë publikë nga bashkitë e vendit, të cilat vijuan dhënien e fondeve publike dhe organizimin e tenderave. Më 31 mars 2020, Agjencia e Prokurimeve Publike doli me një njoftim për pezullimin e çdo prokurimi publik që nuk është emergjent dhe nuk ka lidhje me Covid-19. Megjithatë , edhe pas këtij urdhri, shumë bashki vijuan me shpalljen e procedurave publike, ndonëse nuk kishin lidhje me pandeminë, por duke i konsideruar emergjente. Porta Vendore ka analizuar disa nga këta tenderë të realizuar nga qeverisja vendore, që sipas ekspertëve në fakt nuk kanë qenë dhe aq emergjentë.
Tenderë më pak, por vlera më e lartë
Duke analizuar shifrat për tenderët e realizuar nga 61 bashkitë e vendit, referuar të dhënave nga openprocurement.al rezulton se për tre javë, nga data 10-31 mars, pra që kur u shpall rasti i parë me Covid-19 në Shqipëri, janë shpallur 287 tenderë nga 53 bashki, me vlerë totale 7.5 miliardë lekë. Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë rezulton se numri total i tenderëve të shpallur ka qenë më i vogël, por vlera në total e tyre ka qenë trefish më e lartë. Konkretisht për të njëjtën periudhë të një viti më parë, rezulton se 57 bashki kanë hapur procedurat për 585 tenderë, me vlerë 2.5 miliardë lekë.
Siç shikohet dhe në grafikun e mësipërm, numri i tenderëve për të njëjtën periudhë është më i ulët në vitin 2020, por fondi limit i vënë në dispozicion nga bashkitë është trefish më i madh, duke rritur kështu vlerën mesatare të një tenderi.
Por, shumë prej tenderëve te vitit 2020 nuk arritën të zhvilloheshin për shkak të ndërhyrjes së Agjencisë së Prokurimeve Publike, e cila më 31 mars 2020, pezulloi të gjitha procedurat e prokurimeve publike. Në një njoftim të APP u kërkua që të gjitha autoritetet kontraktore të pezullojnë procedurat e prokurimit, përfshirë këtu edhe procedurat e prokurimit me vlerë të vogël deri në një njoftim të dytë.
“Autoritetet kontraktore duhet të vijojnë procesin e prokurimit vetëm për ato procedura prokurimi që lidhen ngushtësisht me mbulimin e nevojave te dala në kuadër të situatës së shkaktuar nga pandemia Covid 19 dhe që konsiderohen të domosdoshme. Gjithashtu, të pezullohen edhe ato procedura prokurimi që janë në proces, objektet e të cilave nuk lidhen me situatën e shkaktuar nga pandemia, deri në një njoftim të dytë”, deklarohet në njoftimin e APP.
Kjo pati një rezultat të ndjeshëm në kursimin e fondeve publike, pasi vihet re se me këtë urdhër u kursye pothuajse 99 për qind e fondit që ishte vënë në dispozicion për prokurimet publike. Referuar të dhënave nga openprocurement.al rezulton se fitues ishin shpallur vetëm për 130 raste me një vlerë totale prej 74.8 milionë lekësh, duke anuluar kështu 157 tenderë me një vlerë prej 6.77 miliardë lekësh.
Bashkitë nuk ndalin vrullin
Me anulimin e procedurave tenderuese, bashkitë frenuan për pak ditë, por menjëherë iu rikthyen vrullit me lumë tenderësh. Nga verifikimi i kryer nga Porta Vendore rezulton se në periudhën 1-30 prill, 52 bashki në vend kanë hapur procedurat tenderuese për 194 tenderë, me vlerë totale 2.49 miliardë lekë të reja, ose afërsisht 20 milionë dollarë.
Objekti i tenderëve të hapur rezulton se është i ndryshëm nga tenderi në tender dhe nga bashkia në bashki, ndërkohë që Agjencia e Prokurimeve Publike kishte deklaruar më 31 mars se do të lejohen vetëm procedurat që kanë lidhje me pandeminë ose që janë situata emergjente. Por, ajo që vihet re nga këta 194 tenderë të shpallur për një periudhë afro 4-javore, rezulton se vetëm 12 tenderë janë shpallur për të përballur situatën e Covid-19, me vlerë totale 5 milionë lekë, ndërsa 182 tenderë të tjerë me një vlerë totale 2.44 miliarde lekë nuk kanë qenë tenderë të lidhur me situatën apo ermergjente.
Nisur nga numri i lartë i tenderëve që bashkitë po vijonin me procedurat e tyre, Agjencia e Prokurimeve Publike u detyrua që tre javë më vonë, pikërisht më 23 prill, të nxjerrë një tjetër njoftim, duke u kujtuar autoriteteve prokuruese se çfarë procedurash do të lejohen për tenderim.
“Njoftimi për pezullimin e procedurave të prokurimit i referohet të gjitha procedurave të prokurimit, përfshirë këtu edhe procedurat e prokurimit me vlerë të vogël, për ato objekte prokurimi, të cilat nuk lidhen ngushtësisht me situatën e pandemisë dhe për ato objekte që nuk janë te domosdoshme. Në këtë kuptim, sqarojmë se autoritetet kontraktore mund të vijojnë procesin e prokurimit (shpalljet e reja apo procedurat që janë në proces) për mbulimin e nevojave të dala në kuadër të situatës së shkaktuar nga pandemia Covid 19, dhe për ato objekte që janë të domosdoshme për mbarëvajtjen e punës së autoriteteve kontraktore, duke përfshirë objektet e prokurimit të lidhura me ofrimin e shërbimeve për komunitetin. Po kështu, duke pasur në konsideratë domosdoshmërinë e nevojave të krijuara nga tërmeti, procesi i prokurimit vijon edhe për procedurat që zhvillohen në kuadër të procesit të rindërtimit, sipas parashikimeve të Aktit Normativ nr. 9, datë 16.12.2019, të Këshillit Ministrave, “Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore”, miratuar me Ligjin nr.97/2019”, deklaroi në një njoftim publik, drejtoresha e përgjithshme e APP, Reida Kashta.
Duket se kjo deklaratë e re e APP, frenoi disi Bashkitë, dhe pavarësisht “oreksit” të tyre për të harxhuar fondet publike në kohë krize, më pak se 1/3 e tenderëve të hapur janë shpallur tender me fitues dhe vlera e harxhuar përbën afërsisht vetëm 1% të fondit limit që ishte vënë në dispozicion për këta tenderë. Konkretisht për periudhën 1-30 prill 2020 janë shpallur 194 tenderë, por vetëm 59 janë lidhur kontrata. Nga këto 59 kontrata të lidhura, rezulton se 8 prej tyre janë lidhur direkt si tenderë për shkak të pandemisë (shiko listën më lart), ndërkohë që 51 të tjerë janë me objekt tjetër.
Si i shikojnë ekspertët tenderët në kohë pandemie
Ekspertët ndajnë mendime të ndryshme për procedurat e ndjekura nga bashkitë mbi objektet e tenderëve të hapur për këtë kohë periudhë pandemie. I pyetur mbi tenderët e zhvilluar në muajin prill, kur nga 194 tenderë, vetëm 59 janë me fitues, eksperti i çështjeve vendore, Fatlum Nurja, vë në dukje se kjo mund të shkaktohet edhe për faktin se këshillat bashkiakë nuk kanë një protokoll sesi duhet të veprojnë bashkitë në raste epidemie.
“Tani unë nuk i kam parë të gjithë tenderët, por diçka e tillë është lehtësisht e verifikueshme. Fakti që ne nuk kemi një protokoll të miratuar nga Këshillat Bashkiak se çfarë duhet të bëjë Bashkia kur kemi: Epidemi lokale, Rajonale, Kombëtare apo Pandemi, situatë të emergjencës civile të shkallës së caktuar apo fatkeqësi natyrore, ne do shkojmë kështu me veprime dhe masa Ad Hock, me veprime që improvizohen dite pas dite sepse Bashkitë, Këshillat Bashkiakë, akoma nuk kanë arritur te pika që puna e tyre janë politikat vendore, planet e veprimit të qarta, të cilat vijnë në zbërthim të këtyre temave në nivel kombëtar. Pra një standard minimal kombëtar, Këshilli Bashkiak e adapton në nivel lokal. Qoftë edhe për rastin në fjalë, duke adresuar fondet e kontingjencës në këto drejtime. Por ne jemi në situatë, ku shumica e institucioneve vendore sillen si repart zjarrfikësesh që dalin në punë kur bie ‘zjarri’”, shprehet Nurja.
Por, eksperti i ekonomisë, Pano Soko është më i ashpër në këtë drejtim. Ai deklaron se procedurat që nuk janë emergjente dhe për shkak të pandemisë, duhet të bllokohen. “Në opinionin tim është një shkelje e hapur e rregullit të përcaktuar, për të cilat APP do të duhet të kishte ndërmarrë hapat e bllokimit të procedurave. Natyrisht pjesa më e madhe e tenderëve kanë lidhje me masat anti-pandemike, apo me blerje emergjente si shërbime ujësjellësi, dezinfektim etj., por ka dhe shumë tenderë jo emergjentë si blerje boje printeri, kancelari, riparim rrugësh etj.. Këto patjetër që duhet të ishin bllokuar nga APP”, deklaron Soko.
Në lidhje me arsyet që i kanë çuar bashkitë në hapjen e procedurave tenderuese të tilla, pavarësisht rekomandimeve të APP-së, Soko vë në duke se e gjitha ka ndodhur sepse bashkitë kanë kuptuar që situata buxhetore mund të precipitojë dhe ata mund të humbin shansin për të kryer blerjet e parashikuara. “Kështu që kanë përdorur artifica të ndryshme për t’iu shmangur kritereve ndaluese dhe për t’i kryer blerjet”, shton ai.
Ndërsa eksperti i çështjeve vendore, Fatlum Nurja shpjegon se në shumicën e rasteve, këto kontrata ‘blitz’ kërkojnë vendime këshillash bashkiakë, të cilët mblidhen minimalisht një herë në muaj, por ata e kanë pasur të pamundur të bëjnë ndryshime në buxhet. “Shumë këshilla bashkiakë i janë përgjigjur nevojave të administratës për ndryshime të tilla me mbledhje online në platforma të ndryshme, Skype, Zoom, apo Whatsapp. Një nga rolet e këshillave bashkiakë është ai i mbikëqyrjes së punës së administratës, duke iu referuar rregulloreve përkatëse të funksionimit të vetë institucionit, por sa këshilla e bëjnë atë?! Shumë pak…mos të themi aspak. Nëse këshillat do funksiononin ashtu siç thotë ligji, shumë shqetësime që lidhen me mënyrën e funksionimit të njësive vendore nuk do ekzistonin”, deklaron Nurja. Për të gjetur një zgjidhje mbi situatën e krijuar, Nurja thekson se kohët e fundit, nga Projekti Bashki të Forta janë draftuar një sërë rregulloresh për Këshillat Bashkiakë. “Këto rregullore u janë dërguar nga Agjencia Për Mbështetjen e Vetëqeverisjes Vendore të gjithë këshillave bashkiakë. Tani janë në dorën e tyre t’i aprovojnë dhe implementojnë në punën e tyre”, thotë Nurja.
Ndërkohë, eksperti i ekonomisë, Pano Soko shprehet se që e gjitha duhet t’i nënshtrohet një revizionimi të plotë për ta sjellë situatën në kornizën ligjore. “Situata buxhetore është e keqe. Nevoja për ndërprerjen e tenderëve ishte një obligim i situatës dhe jo një dëshirë. Qeveria ka marrë një vendim, i cili duhet zbatuar. Askush nuk mund ta shkelë atë, pavarësisht sa dakord mund të jenë apo mos jenë me të”, thotë Soko.
Ku po i harxhojnë bashkitë fondet publike
Ekspertët, duke pasur parasysh rekomandimet e APP, vënë në dukje që paratë publike duhet të shpenzoheshin nga bashkitë për situata emergjente. “Nëse bëhet fjale për blerje dezinfektantësh apo lidhje kontrate me kompani që do e bëjë të mundur këtë, jemi brenda. Nëse do bëhet fjalë për ndryshim kontrate shërbim pastrimi (për një periudhë të caktuar kohore) duke i dhënë terma reference bërjen e dezinfektimeve të mjediseve publike, jemi brenda. Por, nëse fjala vjen do të bësh një tender për blerje pemësh dekorative, apo instalime elektrike, apo blerje pajisje ngrohëse apo kondicionimi, natyrisht që janë jashtë”, shprehet Nurja.
Por sa e kanë respektuar bashkitë këtë rekomandim me veprimet e tyre për hapjen e procedurave tenderuese.
Porta Vendore verifikoi procedurat tenderuese të muajit prill, ku vihet re se gjatë kësaj periudhe 68% e fondit limit të vënë në dispozicion ka shkuar për tenderë mbi 100 milionë lekë dhe ka qenë për ndërtim ujësjellësish, siç ishin planifikuar para pandemisë. Konkretisht, gjithsej janë hapur 7 tenderë me vlerë mbi 100 milionë lekë, dhe që kapin vlerën totale prej rreth 1.7 miliardë lekë.
Ndërkohë, një pjesë tjetër e fondit, rreth 460 milionë lekë është vënë në dispozicion për tenderë (2-10 milionë lekë) që sërish nuk kanë lidhje me pandeminë, por që lidhen me funksionimin e bashkive në kohë normale, si rikonstruksion rrugësh, kanale vaditëse etj.
Pra nga i gjithë fondi limit prej 2.5 miliardë lekë i vënë në dispozicion gjatë muajit prill nga bashkitë, pjesa dërmuese tij (87%), konkretisht 2.16 miliardë lekë duket qartë se janë përdorur për tenderë që nuk kanë lidhje me pandeminë dhe emergjenca konkrete, por kanë qenë procedura të parashikuara më herët.