Ngjarje/Personazhe

Sheshi “Omonia” në Fier nuk braktiset nga punonjësit e krahut as në kohë koronavirusi

6 maj 2020/ Mariglen Bita/ Porta Vendore/ Fier

Punëtorët që punojnë në të zezë padyshim që janë një nga grupet më vulnerabël, të cilët po përjetojnë vështirësi të shumta, lidhur kjo me situatën e krijuar nga Covid-19 . Masat shtrënguese e kufizuese të marra për ndalimin e përhapjes së epidemisë si edhe pasojat direkte në aktivitetin ekonomik e punën e përditshme kanë çuar këtë target-grup jo të pakët në numër, në kufijtë e mirëfilltë të mbijetesës.

Ndonëse puna e pasiguruar e shfrytëzuese është një problem që haset ende gjerësisht në shoqërinë tonë, ajo është më e dukshme aty ku kërkohet dhe ushtrohet hapur. Një vend i tillë është edhe i ashtuquajturi sheshi “Omonia” në qytetin e Fierit. Ai ndodhet pikërisht midis poliklinikës së qytetit dhe kishës Orthodokse. Emrin e ka marrë nga sheshi “Omonia”, në Athinë, i cili kujton jo pak dhimbje emigrantësh shqiptarë në fillim vitet ‘90, të cilët dilnin aty për të kërkuar punë, pa pretenduar më shumë se bukën e gojës apo mbijetesën. Po tashmë 30 vjet më vonë ne kemi sheshin tonë, ku dhjetëra punëtorë e nevojtarë vijnë përditë në këtë vend për të kërkuar punë.

Cilët janë punëkërkuesit e “Omonias”?

Punëtorët, të cilët kërkojnë punë për të siguruar jetesën janë më së shumti njerëz me të ardhura të pakta ekonomike dhe në shumicën e rasteve, dita e tyre e punës është burimi i vetëm për të mbajtur familjen. Pjesa më e madhe jetojnë me qira në periferi të qytetit të Fierit, ku qiratë janë pak më të ulëta, ndërsa ka edhe të tjerë që vijnë nga fshatrat përreth. Mungesa e një profesioni detyron mjaft prej tyre të shikojnë këtu mundësinë për të siguruar disa të ardhura. Të tjerë të lodhur nga vështirësitë e fatkeqësitë e jetës, kanë hequr dorë tashmë nga kërkimi i një pune fikse, pasi siç shprehen edhe vetë, kjo për ta është njësoj si të shohin ëndrra me sy hapur. Sipas punëtorëve, ky është një treg i ashpër, ku vendet e punës numërohen me gishtat e dorës dhe ku të diplomuarit shpesh bëjnë hamallin. Për ta, të kërkosh një punë fikse me kushte e sigurime është një iluzion.

Një punëtor që punon në të zezë duke iu shmangur patrullës së policisë. Foto: Mariglen Bita

Edi dhe Fatmiri janë dy punëkërkues, të cilët pothuajse çdo ditë dalin të kërkojnë punë. Ata shpresojnë që dikush të afrohet dhe t’u ofrojë një ditë pune, pasi vetëm kështu mund të çojnë diçka në shtëpi. Edi thotë se 4 vite, që kur ka dalë për të kërkuar punë këtu, nuk kanë qenë të pakta ditët kur është kthyer duarbosh në shtëpi. “Një ditë pune nuk shkon më shumë se 10-15 mijë lekë të vjetra. Kryesisht janë punë të rënda si hapje kanalesh, pastrime parcelash, krasitje pemësh, por edhe punë të ndryshme të rrezikshme, që punëdhënësit nuk kanë dëshirë t’i bëjnë vetë. Megjithatë, unë do të dal këtu sa të kem fuqi të punoj, pasi nuk kam zgjidhje tjetër”, tha Edi për Portën Vendore.

Punëtorët duke pritur në rrugë për punë. Foto: Mariglen Bita.

Fatmiri është gjithashtu një “veteran” në sheshin “Omonia”. Me një sërë detyrimesh financiare, me qira e halle të tjera mbi kokë, ai ka më shumë se 15 vjet që del të kërkojë punë . “Nuk jam vetëm unë në ditë të zakonshme, sidomos kur koha është e mirë, janë 50-60 burra që dalin këtu. Ka të rinj e të vjetër në moshë, por me një qëllim, të nxjerrim ditën e punës. Kur dikush na siguron disa ditë punë me radhë është një gëzim i madh për ne. Kam parë shumë gjëra këto vite dhe mund të them se pak gjëra kanë ndryshuar”, shprehet Fatmiri. “Madje mund të them se puna për ne ka rënë, ndërsa pagesa nuk ka ndryshuar. Sikur të mos mjaftonin hallet që kemi na erdhi dhe Korona . Tani është bërë më e vështirë. Ah, sa do të doja të më ecte puna, siç kam emrin”, përfundon ai, duke qeshur lehtë.

Covid -19 dhe informaliteti

Masat e kufizimit e lëvizjes, gjatë këtyre dy muajve, për shkak të pandemisë globale bënë që të ndërpritet edhe aktiviteti ekonomik e puna. Për shumë njerëz, kjo është një kohë dramatike, por për ata që sigurojnë një ditë pune në të zezë është edhe më keq. Ata nuk përfshihen ende në ndonjë paketë ndihme financiare nga qeveria. Më shumë se një zgjidhje, puna rastësore është një imponim nga rrethanat e jetës dhe mundësitë reale të punësimit. Këto kohë kanë qenë të hidhura për punëkërkuesit e “Omonias”. Kanë vuajtur në heshtje fatin e tyre duke pritur që diçka të ndryshojë dhe ata të kthehen në rutinën e zakonshme, por më kot. Kufizimet janë lehtësuar paksa dhe ata kanë nisur të dalin sërish në sheshin e njohur, por policia ka kaluar shpesh duke u thënë të shpërndahen e të respektojnë kohën e liridaljes. Ndërsa nevoja për punë dhe përpjekja e mbijetesës janë për ta, elementë më të fortë se kufizimi. Virusi do të kalojë pasi të bëjë ciklin e vet, por ata janë dhe do të jenë aty çdo ditë, duke ofruar krahët e tyre për punë. Siç dëshmojnë edhe ata vetë, në momentin kur policia kalon në shesh, ata fshihen për t’i shpëtuar asaj, ky proces ndodh disa herë në ditë.

Kriza e shkaktuar nga pandemia i gjen punëtorët e thjeshtë më të ndrydhur e të frikësuar për vendin e punës. Punëtorët e pakët që kanë zgjedhur sërish sheshin “Omonia” në Fier, shohin me sy të zmadhuar makinat që kalojnë duke pritur që dikush të vijë e t’i marrë për punë.

Ndërkohë që qeveria ashtu sikurse premtoi më datë 23.4.2020 nxori vendimin për ti ardhur në ndihmë punëtorëve në të zezë me një pagesë prej 16 000 lekësh të reja. Por kushti i VKM është se: “Dhënie  ndihme  financiare  prej  16  000 (gjashtëmbëdhjetë mijë) lekësh për aplikuesit e ndihmës ekonomike, të cilët rezultojnë aplikues që nga muaji korrik 2019 e deri në muajin prill 2020,  të  cilët  nuk  kanë  përfituar  ndihmë ekonomike dhe, aktualisht, nuk përfitojnë as nga fondi  6  për  qind  akorduar  bashkive,  përveç rasteve që janë përjashtuar nga skema e ndihmës ekonomike, sipas nenit 15, të ligjit nr.57/2019, “Për asistencën sociale në Republikën e Shqipërisë”, thuhet në VKM.