Vëzhgim/Analizë

Rriten tarifat e bashkisë në Berat, por investimet zero: Paratë do të shkojnë për borxhet

6 maj 2020/ Erjola Azizolli/ Porta Vendore/ Berat                                                   

Nga muaji shkurt, familjet dhe bizneset beratase u përballën me tarifat e reja vendore, me një rritje nga 56-70% nga tarifa e mëparshme. Rritja e tyre u miratua pa shumë bujë në mbledhjen e fundit të Këshillit Bashkiak për vitin 2019, ditët e fundit të muajit dhjetor, ku u miratua paketa e re fiskale dhe që hyri në fuqi në muajin janar, pagesa të cilat kanë nisur të bëhen në sportele. Rritja e tarifave dhe taksave shkakton çdo ditë reagime qytetarësh, të cilat ankohen se ndërsa janë ulur të ardhurat, u rritën taksat. Nga ana e saj bashkia sqaron se ky ndryshim ka ardhur për shkak se tarifat nuk ishin ndryshuar e përshtatur me legjislacionin në fuqi, dhe as nuk reflektonin atë çfarë kërkon reforma territoriale.

Tarifa e shërbimit, e cila përfshin në një të vetme tarifën e Pastrimit, Gjelbërimit dhe Ndriçimit, është ajo që ka pësuar rritje në Bashkinë e Beratit. Këtyre tarifave u është shtuar dhe një tarifë e re, e paaplikuar më parë, siç është ajo e Infrastrukturës Arsimore (e cila më herët është aplikuar dhe në Bashkinë Tiranë). Deri në muajin dhjetor të viti 2019, vlera totale e tarifave vendore që një familje beratase paguante ishte 3000 lekë në vit, ndërsa me miratimin e paketës së re fiskale për vitin 2020, do të paguajnë 4700 lekë, 1700 lekë më shumë ose 57% më shumë se më parë.

Bashkia e Beratit, nëpërmjet një postimi të thjeshtë në faqen e saj zyrtare në Facebook, më 26 dhjetor të vitit të kaluar deklaroi se kishte miratuar buxhetin, ku theksi vihej në mbulimin e detyrimeve të mbartura prej 273 milionë lekësh. Shoqëruar me disa foto dhe pak informacion, publikimi i bashkisë ishte pohimi i fundit i miratimit të një buxheti, që me paketën e re fiskale, rrit tarifat vendore që qytetarët kanë nisur të paguajnë ndaj bashkisë.

Foto nga statusi i Bashkisë së Beratit në faqen zyrtare në Facebook, për miratimin e buxhetit. Postuar më 26 dhjetor 2019

Qytetarët e Beratit, kryesisht pensionistët dhe familjet me të ardhura të ulëta kanë nisur reagimet sapo janë përballur me pagesat e faturave të ujit të pijshëm, ku së bashku me vlerën e rritur të kësaj fature një vit më parë, panë se rritje kishin edhe tarifat vendore. Ato shlyhen së bashku me faturën e ujit të pijshëm, ndaj qytetarët reagojnë ndërsa paguajnë më shumë.

Fatura e ujit të pijshëm ku janë të përfshira dhe tarifat vendore. Muaji dhjetor, ku nuk ka pasur taksë arsimi dhe taksat e tjera kanë qenë më të ulëta.
Një faturë familjare e ujit të pijshëm në qytetin e Beratit, në muajin janar 2020.

Në sportelet e Kujdesit ndaj Klientit të Ujit të Pijshëm, që ndodhet në qendër të qytetit, pranë ish sheshit “Agjencia” një prej sportelistëve në kushtet e anonimatit, thotë për Portën Vendore se jo të gjithë qytetarët janë në dijeni të rritjes së tarifave, ndaj dhe reagojnë, sapo kryejnë pagesat.

“Po reagimet janë nga të më ndryshmet, por nuk mungojnë, sepse tani qytetarët paguajnë 1700 lekë (të vjetra) më shumë se një vit më parë, ndaj dhe kryesisht pensionistët shfaqin pakënaqësi. Mjafton që të rini këtu gjatë një dite për të parë reagimet”, thotë ajo për Porta Vendore.

Fiqiri dhe Adile Hoxha, janë një çift pensionistësh në qytetin e Beratit, të cilët jetojnë vetëm me të ardhurat e pensionit të tyre, por pa ndihmën e fëmijëve, të cilët kujdesen për t’i blerë ilaçet çdo muaj, thonë se nuk do t’ia kishin dalë dhe këtë rritje tarifash nuk e kanë pritur mirë.

“E dinim që ishin rritur këto taksat (tarifat), uji u rrit ca muaj më parë, tani gjelbërimi, ndriçimi, se i kemi tek fatura, ishte dhe ajo taksa e re e arsimit, por këta as nuk pyesin nëse kemi mundësi ne t’i paguajmë ato faturat. Ne pensionist jemi, aq të ardhura kemi”, thotë Adile për Porta Vendore.

Fiqiri dhe Adile Hoxha, duke folur për Portën Vendore. Foto, E.Azizolli

Çifti mirëpret zhvillimin e qytetit dhe duan që nipërit dhe mbesat të rriten në një qytet të pastër dhe të ndriçuar, por rritja e taksave për ta nuk justifikohet me atë që ata shohin dhe prekin çdo ditë.

Por, çfarë ndriçim dhe gjelbërim flasim se nuk e kuptoj fare, ku kemi gjelbërim dhe ndriçim me rrugicë dhe lagje?! Ja kjo është e vetmja lulishte në të gjithë pjesën hyrëse të qytetit dhe pse t’i paguajmë më shumë ato taksat”, shprehet ai.

Pensioni për çiftin dhe mijëra të tjerëve si ta është i pamjaftueshëm për muajin, përfshi faturat për ngrohje, ujin e pijshëm dhe tarifat vendore, ndërsa përballen me receta ilaçesh çdo muaj.

Mos të kishim fëmijët që na blejnë ilaçet as për bukë nuk na dalin ato dy pensione të vegjël dhe këto taksat e reja vetëm sa na shtojnë hallet se ndonjë ndryshim në lagjen tonë, apo qytetin nuk po shohim”, shprehet kryefamiljari.

Reagimet e para në lidhje me aplikimet e tarifave të reja, i bëri kryetari i Partisë Demokratike, në degën e Beratit, Gazment Azizi, nëpërmjet mediave sociale, ndërsa pasuan qindra reagime qytetarësh.

Për të, Paketa Fiskale e vitit 2020 do të vështirësojë edhe më shumë jetën e qytetarëve dhe zhvillimin e aktivitetit të biznesit beratas, ndërkohë që ai shprehet skeptik dhe për taksën e shtuar të arsimit. Kjo tarifë do të aplikohet në vlerën prej 250 lekë për çdo familje beratase, 1 000 lekë për biznesin e vogël si dhe 5 000 lekë në vit për biznesin e madh.

Aplikimi i tarifës së re për infrastrukturën arsimore duhej të shoqërohej me seanca dëgjimore me qytetarët , duke bërë transparente investimet e domosdoshme për përmirësimin e kësaj infrastrukture. Nëse kemi parasysh faktin që numri i nxënësve është duke rënë në mënyrë të ndjeshme nga viti në vit dhe si rrjedhim një numër i madh shkollash janë mbyllur dhe priten të mbyllen në vazhdimësi, thotë Azizi për Porta Vendore.

Por, Bashkia e Beratit bën me dije se procesi i diskutimeve me qytetarët është bërë për buxhetin dhe pse nuk iu përgjigj interesit të Porta Vendore për të siguruar materialet e këtyre dëgjesave publike.

Është bërë maksimumi për t’ia shpjeguar banorëve dhe komunitetit të biznesit, jo vetëm në takimet e organizuar specifikisht për paketën fiskale, por dhe në çdo kontakt që kemi me banorët dhe bizneset”, thotë Ervin Demaj, kryetar i bashkisë, në përgjigjen zyrtare me email që dha për Porta Vendore, në lidhje me tarifat e reja.

Por, rritja e tarifave sipas kreut të Bashkisë ka qenë e detyrueshme dhe e pashmangshme.

Tarifa nuk ishin ndryshuar e përshtatur as me legjislacionin në fuqi të përditësuar, dhe as nuk implementonin atë çfarë kërkon reforma territoriale. Ndryshimi i tarifave bashkiake mbështetet jo vetëm në legjislacionin në fuqi, por dhe në parimin ekonomik, të barazimit të kostos së shërbimit me tarifat”, tha ai për Porta Vendore.

Me gjithë zërat skeptikë të opozitës, grupeve të interesit dhe qytetarëve, sipas kreut të bashkisë paketa e re fiskale është e mirë-hartuar.

Paketa e re fiskale është hartuar duke pasur në fokus katër elementë: qëndrueshmëri financiare, vëmendje për grupe të caktuara, një paketë sa më sociale, plotësimi i standardeve ligjore dhe përafrimi me koston e shërbimeve që banorët ose bizneset përfitojnë, mbështetje biznesit të vogël (zero tarifa lokale në hapjen e një biznesi të ri dhe prezantimi i statusit Zona në Depresion Ekonomik)”, shprehet ai.

Bashkia argumenton se së pari ka bërë ndryshimet më minimale të domosdoshme vetëm për tarifat vendore, duke iu referuar ndërtimit të një baze reale të dhënash statistikore të tarifë-paguesve, duke e përshtatur atë sipas llojit dhe kategorisë ekonomike (familje, biznes, institucione, ojf, etj).

Së dyti kemi ndërtuar një analizë të plotë ekonomiko – sociale të kostos së shërbimeve që ne ofrojmë, shërbimeve të shtuara që qytetarët kërkojnë dhe kapacitet financiar të vetë bashkisë. Së treti tarifat e ndryshuara, nuk i përcaktuam nisur vetëm nga nevoja ekonomike e bashkisë, por duke besuar që paguan kush shërbehet”, tha kryebashkiaku i Beratit.  Sipas kryetarit të bashkisë, bashkia me miratimin e paketës së re fiskale ka menduar dhe ka zbatuar lehtësirat fiskale.

Në Bashkinë Berat nga 33,154 familje, 6,936 prej tyre përfitojnë lehtësira fiskale nga paketa e re, ose në njësitë administrative Sinjë, Roshnik Velabisht dhe Otllak 47 % e familjeve përfitojnë lehtësira fiskale. Në njësitë administrative nga 10,606 familje gjithsej tarifohen 6,521 familje. Ndërsa, numri i familjeve përfituese në Lagjet 1,2,3 të Bashkisë është 2002 familje”, thotë ai.

Por, me gjithë lehtësirat fiskale për të cilat flet kryetari i bashkisë, sipas opozitarit Azizi, kjo paketë ka goditur dhe biznesin, të madh dhe të vogël. Këto tarifa janë edhe më të mëdha për biznesin.

Biznesi i vogël ka paguar mesatarisht rreth 16400 lekë në vit tarifa, ndërsa me paketën e re do të paguajë 25 500 lekë, pra 9100 lekë më shumë ose 56%. Biznesi i madh është ai që goditet edhe më shumë nga kjo Pakete Fiskale. Ky biznes ka paguar mesatarisht 40 100 lekë tarifa në vit, ndërsa tani do të paguajë rreth 68 000 lekë në vit, pra 28 000 lekë më shumë ose një rritje prej 70%”, thotë ai.

Tabela që pasqyron ndryshimet e tarifave për familjet në çdo rajon dhe biznes beratas.

Nga ana tjetër bashkia argumenton se me gjithë tarifat e reja, në Berat ajo janë më të ulëta, krahasuar me qytetet e tjera.

Një familje në bashkinë Berat paguan më pak në vlerë absolute krahasimisht me një familje në Gjirokastër, konkretisht minus 1700 lekë në vit, me një familje në Shkodër minus 550 lekë, dhe me pak se një familje në Korçë. Trajtuar në këndvështrimin e indekseve në % kemi: krahasimisht me Gjirokastrën  27 % më pak se një familje, në Shkodër 11 % më pak, dhe në Korçë 7% më pak, bashki këto të ngjashme në shumë drejtime”, thotë Demaj.

Madje, ai argumenton se futja e tarifës së re, ajo e infrastrukturës arsimore është mjaft e rëndësishme. “Vendosja e tarifës së re për shërbimin e mirëmbajtjes dhe përmirësimit të infrastrukturës arsimore, dhe në kopshte e çerdhe, jo vetëm që është një tarifë simbolike në masën 250 lekë në vit për një familje dhe 1000 lekë në vit për biznesin e vogël apo 5000 lekë në vit për biznesin e madh, por kjo tarifë, krahasuar me bashki më të vogla është më e ulët”, thotë ai.

Por dhe pse jo drejtëpërdrejt, kryetari i Bashkisë së Beratit pranon faktin se aplikimi i tarifave të reja ka qenë dhe i ndikuar nga situata ekonomike, në të cilën e ka gjetur institucionin.

Gjetëm një bashki që në kuptimin ekonomik, ishte në borxhe të krijuara nga mos likuidimi i faturave për shërbime dhe furnizime të pa paguara, për investime të kryera dhe të pa paguara dhe vendime gjyqësore për ekzekutime të pa paguara. Ky borxh shprehur në vlerë absolute, zyrtarisht e shprehur dhe në materialin e plan buxhetit të vitit 2020 në fund të vitit financiar 2019, është në vlerën 327,360,402 lekë”, thotë ai.

Borxhin, kreu i bashkisë e lidh me keqmenaxhimin në katër vitet e kaluara, gjë e cila sipas tij reflektohet, sot.

Gjatë pesë muajve të fundit Bashkia Berat është ballafaquar me sfida të ndryshme, të cilat vijnë si rrjedhojë e keqmenaxhimit në tërësi të bashkisë. Ne kemi bërë përpjekjet maksimale për të tejkaluar këto sfida dhe kjo është bërë e mundur falë mobilizimit të partnerëve dhe bizneseve lokale”, thotë ai.

Por, sipas Demajt problemet financiare për bashkinë do të kenë impakt dhe në vitet e ardhshme.

Problemi kryesor që vjen si rrjedhojë i keqmenaxhimit është abuzimi me buxhetet vit pas viti. Ky keqmenaxhim finaciar do të impaktojë bashkinë Berat në tre vitet e ardhshme. Detyrimet e trashëguara janë në vlerën 3,3 miliardë lekë, të cilat do të shlyhen nga buxhetet 2020-2022”, thotë ai.

Por, si të mos mjaftonin të gjitha këto, një lajm jo i mirë vjen për qytetarët dhe që lidhet me fushën e investimeve.

A e dini sesa janë investimet e reja në vitin 2020? Pothuajse zero. Sepse në vitin 2020 ne planifikojmë të paguajmë 2 miliardë lekë detyrime të trashëguara. Në vitin 2021 planifikohet të paguhen 850 milionë lekë dhe në vitin 2022 planifikohen afërsisht 500 milionë lekë. E gjithë kjo nga pikëpamja financiare ka qenë e përcaktuar, pasi bashkia dhe këshilli bashkiak i mëparshëm kanë përcaktuar prioritetet e bashkisë deri në 2022, që është detyrimi për të paguar borxhet”, shprehet Demaj.

Por, duket se Bashkia e Beratit në lidhje me investimet publike për këtë vit dhe ata pasardhësit i ka sytë tek donatorët.

“Pavarësisht limitimeve qe kemi në buxhetin e vitit 2020, ne qytetin do ta kthejmë në kantier ndërtimi nëpërmjet sigurimit të financimit nga Banka Botërore, BERZH dhe mbështetjen e qeverisë qendrore, duke implemtuar në qytet një sërë projektesh, tashmë të dakordësuara dhe me burime të sigurta financiare”, thotë ai.

Ajo që vihet re është fakti se tek tarifat e reja, rritje ka pësuar dhe tarifa e pastrimit për Njësitë Administrative: Sinjë, Otllak, Roshnik dhe Velabisht. Fshatrat e këtyre njësive administrative që pas ndarjes Administrativo-Territoriale, kanë probleme të mëdha në lidhje me menaxhimin e mbetjeve urbane. Ashtu si dhe Porta Vendore disa herë e ka analizuar situatën, brigjet e lumit Osum, kodrat dhe hapësirat mes fshatrave, kanalet e ujërave të larta, shpesh ndodhen të tej mbushura nga plehrat, ndonëse banorët e këtyre fshatrave paguajnë rregullisht tarifat.