5 maj 2020/Aurora Sulce/Porta Vendore
Qytetarët shqiptarë nuk paguajnë njësoj taksa dhe tatime për pushtetin vendor. Ajo që bëhet përcaktuese në barrën fiskale që rëndon mbi secilin prej nesh është se ku banojmë. Një raport i Qendrës Shqiptare të Taksimit, ALTAX evidentoi se më shumë taksa dhe tarifa për bashkitë paguajnë ata që jetojnë në qytet dhe më pak ata që banojnë në fshat.
Diferencat në rëndesën e barrës fiskale për frymë janë të dukshme në të 61 bashkitë e vendit (tabela më poshtë). Sipas raportit të ALTAX, Bashkia e Roskovecit mban vendin e 1rë, me pagesën më të lartë për frymë të taksave lokale, me një ngarkesë vjetore 52.5 mijë lekë për qytetarët (nisur vetëm nga popullsia e regjistruar në qytet) dhe 14.5 mijë lekë për frymë të gjithë banorëve, që janë pjesë e bashkisë Roskovec.
Shifrat në tabelën e mëposhtme hedhin dritë edhe për një tjetër tregues. Bëhet fjalë për barrën fiskale për frymë në raport me shpenzimet. E thënë ndryshe, sa paguan çdo rezident në qytet apo në fshat dhe sa shërbime merr ai mbrapsht. Të dhënat tregojnë se pavarësisht rritjes së barrës fiskale në shumë bashki, të ardhurat nuk mjaftojnë për të mbuluar shpenzimet. Kjo e bën pushtetin vendor të varur financiarisht nga qeveria, një varësi që fatkeqësisht vijon edhe pas reformës administrative territoriale. Për rastin e bashkisë Roskovec, shpenzimet për qytetarët janë 120.7 lekë/frymë, si dhe për banorët gjithsej të Bashkisë, ku përfshihet edhe fshati, janë 33.4 mijë lekë për banor.
“Bashkitë e mëdha, si Tirana që është në vend të 4t, Fieri në vend të 15të, Durrësi në vend të 28të, Shkodra në vend të 29të, Elbasani në vend të 31të, Vlora në vend të 34t janë treguesi i ngarkesës së qytetarëve dhe banorëve me taksa vendore për frymë në nivele që përfaqësojnë politikat vendore të këtyre Bashkive dhe qarqeve për ngarkesat fiskale të qytetarëve dhe banorëve të tyre brenda kufirit të një ngarkese që miratohet nga Këshilli i Bashkisë me 30% shmangie nga nivelet e miratuara në ligjin për taksat vendore”, theksohet në raportin e ALTAX.
Hartuesi i raportit, Eduart Gjokutaj shpjegon për Porta Vendore se pabarazia në barrën fiskale vendore për frymë vijon të jetë e dukshme, pavarësisht ndryshimeve në legjislacionin fiskal, të ndërmarra në vitin 2019. “Në analizën e taksave vendore që paguajnë banorët për llogari të pushtetit vendor, shikohet se politika fiskale e ka orientuar barrën fiskale kryesisht mbi individët që janë rezidentë në qytete dhe më pak mbi individët që janë rezidentë në fshat. Nisur nga fakti që 51% e popullsisë është me rezidencë fiskale në njësitë bashkiake të fshatrave, atëherë ky grup social i popullsisë është edhe më i lehtësuari nga barra fiskale e pushtetit vendor”.
Ndryshimet ligjore të fund vitit 2019 në sistemin fiskal (Paketa fiskale 2019), nga njëra anë synojnë të lehtësojnë biznesin e vogël, të vetëpunësuarit, por edhe shpërndajnë barrën e taksave më harmonikisht midis atyre që taksohen nga puna dhe atyre që taksohen nga kapitali. Nga ana tjetër, ndryshimet e politikës fiskale tentojnë të normalizojnë situatën në shumë sektorë të ekonomisë lokale. Këto ndryshime, njëkohësisht, rritin të ardhurat në disa bashki ku përfitimi është më i madh për ato kryesore, p.sh. Bashkia Tiranë, duke bërë të mundur ofrimin e më shumë shërbimeve me një cilësi më të lartë.
Në politikat fiskale lehtësuese në dy vitet e fundit në drejtim të barrës së taksave lokale është:“Tatimi i thjeshtuar mbi fitimin” për biznesin e vogël. Rritja e pragut të xhiros vjetore deri 14 milionë lekë ne vit për kategorinë tjetër të bizneseve që taksojnë fitimin me 5% në vit është një tjetër zhvendosje e barrës së këtij tatimi drejt bizneseve që fitojnë më shumë, duke lehtësuar kështu biznesin e vogël dhe sidomos të vetë punësuarit. Ndërkohë nëse shikojmë në nivele krahasuese shpenzimet e buxhetit në 2018 dhe 2019 ka një peshë në rritje te tyre ndaj PBB-se me 3% dhe 3.3% respektivisht, ndërsa te hyrat lokale janë respektivisht për vitet 2018 dhe 2019 sa 1.3% dhe 1.4% e PBB-së. Ky fakt tregon ende një nivel pamjaftueshmërie të ngarkesës fiskale vendore, e cila nuk arrin me burimet e veta te mbuloje as gjysmën e shpenzimeve te tyre”, shpjegon Gjokutaj.
Ndërkohë drejtori Ekzekutiv i Shoqatës së Bashkive, Agron Haxhimali evidenton anomalitë që ka politika fiskale e pushtetit vendor, ku ndryshimet e shpeshta ligjore pavarësisht se synonin përmirësimin e situatës, në të vërtetë kanë shkaktuar të kundërtën, kaos dhe padrejtësi në zbatim. “Si për çdo lloj taksimi, edhe me detyrimet vendore (taksa dhe tarifa) duhet të udhëhiqen dhe ndjekin parime, që përcaktojnë se taksimi duhet të respektojë parimet e drejtësisë, sigurisë, komoditetit dhe efikasitetit. Taksimi duhet të jetë në përputhje me kushtet e tatimpaguesve, përfshirë aftësinë e tyre për të paguar në përputhje me nevojat personale dhe familjare. Sot edhe pse kemi pasur disa përmirësime të kuadrit ligjor, organizativ dhe funksional të pushtetit vendor nga njëra anë dhe nga ana tjetër, kuadri ligjor për taksat dhe detyrimet vendore ka ndryshuar jashtëzakonisht shumë herë, sërish në nivel vendor procesi i taksimit në tërësi mbetet problematik, dhe sidomos pa një metodologji të qartë për taksimin midis tipologjisë së qytetarit/ rezidentit në zonat urbane dhe rurale, po kështu edhe për biznesin në zona urbane dhe rurale. Gjatë 30 viteve, arkitektura e taksave për qytetarët në Shqipëri dhe sidomos në nivel vendor, ka qenë e organizuar në mënyrë të papërsosur. Shumë herë madje, edhe brenda një viti ligje dhe akte mbi taksat vendore pësojnë ndryshime deri aty sa humbin memorien administrative dhe ligjore dhe kanë vështirësi në zbatime. Kjo e bën shumë të vështirë interpretimin dhe zbatimin. Rezultati për individët është kaosi dhe padrejtësia e pashmangshme në zbatim”, shprehet Haxhimali. Por ai shton edhe problemet që ka në praktikë zbatimi i ligjeve fiskale nga administrata tatimore e pushtetit vendor.
“Përveç kuadrit ligjor me probleme, një hallkë tjetër që e vështirëson taksimin vendor, qoftë në zona rurale apo urbane është praktika. Në praktikë nuk ka qasje te qartë, metodologji të qartë, të njohur nga qytetarët për çfarë duhet të paguajnë. Pra, është domosdoshmëri të mos kemi hendek midis praktikës dhe ligjit. Por akoma më e rëndësishme është që ky hendek të mos krijohet dhe thellohet nga neglizhenca apo kapaciteti i administratës. Kjo është e patolerueshme për bashkitë dhe drejtuesit e tyre”, deklaron Agron Haxhimali për Porta Vendore.
Drejtori Ekzekutiv i Shoqatës së Bashkive shpjegon se përse është krijuar hendeku në pagesën e taksave midis një rezidenti në zona urbane dhe rurale në një bashki. “Sigurisht që ka hendek dhe kjo është një situatë që ndodh kudo, në çdo bashki dhe në njësi vendore në vende të tjera. Të jetosh brenda një territori nën një qeverisje vendore nënkupton edhe detyrimet për taksa dhe marrje shërbimi. Sot pas reformës territoriale, edhe pse mjaft të diskutueshme dhe debatueshme, kemi 61 bashki që administrojnë territore të gjera dhe popullsi në zona rurale dhe urbane. Popullsia në zona rurale është diku tek 48% vs 52% në zona urbane. Në bashki të ndryshme ky raport është i ndryshëm. Në bashki të ndryshme paketat fiskale janë të ndryshme, kryesisht sa i përket nivelit, por edhe në llojshmëri. Pavarësisht nga natyra e taksave dhe tarifave që variojnë nga njëra bashki në tjetrën, nga niveli dhe lloji, ajo qe duhet mbajtur parasysh është që të mos dëmtojmë parimet. Zyrtarët vendorë para se të taksojnë, duhet të bëjnë një analizë të mirë të fuqisë paguese të qytetarëve kudo që jetojnë në juridiksionin e bashkisë fshat apo qytet. Gjithashtu, duhet të bëjnë edhe analizë të dëshirës për të paguar taksa dhe tarifa për qytetarët sipas zonave, ku ato kanë jetën e tyre sociale, ekonomike dhe politike. Nga analiza praktike dhe ligjore, si dhe nga paketat fiskale të bashkive rezulton se një individ që banon në zonë rurale paguan më pak sesa një që banon në zona urbane. Kjo vjen edhe nga përcaktimet ligjore qendrore, politikat fiskale vendore, si dhe nga raporti dhe volumi i shërbimeve që marrin qytetarët në territoret, ku jetojnë”, argumenton Haxhimali. Një logjikë që të çon në përfundimin se më me rëndësi është një taksim i drejtë sesa një taksim i barabartë.