5maj 2020/ Esmeralda Keta/ Porta Vendore/ Shijak
I gjunjëzuar nga tërmeti i 26 nëntorit, në qytezën e vogël të Shijakut pritet të nisë gjatë kësaj jave prishja e 30 pallateve, 4 shkollave, pallatit të Kulturës dhe Xhamisë. Banorët e lagjes “Lugina”, një ndër lagjet më të prekura që aktualisht është shndërruar në një lagje “fantazmë”, pas lajmit se së shpejti do të nisë rrafshimi i pallateve, kanë zbarkuar sërish në pallatet e pabanuara duke çmontuar tenda e vetrata, e duke transportuar dyer e dritare.
Nexhi, kështu e thërrasin të gjithë në Shijak, është 62 vjeçe dhe jeta e ka përballur me sfida të njëpasnjëshme, ku e vetme ka mundur që thjesht dhe vetëm t’ia dalë të mbijetojë.
Është braktisur nga familja që në moshën 13-vjeçare. “Rrugëve jam rrit qysh kalama deri tani që u plaka. Nona më ka vdek e më ka lënë jetime që herët”, tregon Nexhi Zenuni teksa qëndron në stolin e pozicionuar prej 1 jave para shkollës 9-vjeçare në Shijak. Nexhi përfundon në rrugë, pasi edhe një dhomë që bashkia i kishte dhënë pranë shkollës, e humbi. Fadromat presin të “heshtura” e “kokulura” para oborrit të shkollës ku pritet të fillojë shembja e të gjitha ambienteve për t’i hapur më pas rrugë rindërtimit. “Më ka nxjerrë me dhunë policia bashkiake dhe prapë nuk është shemb akoma. Nuk kam asnjë ndihmë. Më kanë parë 100 herë që po jetoj aty te stoli ata të bashkisë, jo më larg se dy ditë më parë kaloi edhe kryetari vetë, s’do ta dijë njeri fare”, rrëfen Nexhi për Portën Vendore, ndërsa sqaron se nuk ka frikë nga virusi.

“Jam e sëmurë, jam me diabet, me ftohje, me 1 mijë probleme të miat. Mua nuk ka kush më jep gjë, pension s’kam , rrogë jo, me 20 mijë lekë asistencë jetoj unë. Më falin të tjerët ushqim të gatuar, dikush më jep 2 mijë lekë, dikush 5 mijë lekë që unë jetoj. Të mos jetë për çunat e Shijakut që më falin ndonjë gjë, unë vdes”, shpjegon Nexhi ndërsa hap një qese e na tregon 2-3 copa pastiço të ngrohtë, që ia ka sjellë një zonjë nga Shijaku për vaktin e drekës.
“Kam ndenjur 6 javë e izoluar në barake unë, nga virusi, pa ngrënë pa pirë. Më sollën vetëm një herë 3 pako miell, 3 vaj. Unë me diabet ku ha, ku pi? Uji me pi jo, sapun me la duart jo. Shyqyr pati gjetur tek plehrat nona një arkë me sapun 15-sh, përpara karantinës dhe i kisha marrë, e me ato jam larë, ato kam akoma që laj duart. Jam e vuajtur dhe jam duke vuajtur. Më tallën kur më sollën atë pako. Bëj petulla dhe ha më thanë. Për bashkinë unë kam vdekur, mua më kanë mbajtur kanoçet. Me atë karrocën kam dalë. Ajo është pasuria ime e madhe, e tundshme dhe e patundshme”, nënqesh me ironi e moshuara. Bashkë me Nexhin në këto dhoma të vogla prej 4 metrash katrorë kanë jetuar edhe familje të tjera, por që Nexhi na tregon se ata pranuan të shkonin aty ku bashkia i çoi të strehoheshin, në fshatin Hardhishtë.

“Nuk pranova të shkoj atje, s’kam takat të shkoj andej. Mbledh kanaçe unë, po tani kanoçet janë mbyllur. Ja kështu me këmbën e sëmurë dhe karrocën përpiqem t’ia dal për të mbijetuar”, na thotë Nexhi, teksa ecën çalë-çalë me shkop e herë pas here duke humbur edhe ekuilibrin për të na treguar se ku ka jetuar. Edhe para se të dilte në rrugë, Nexhi nuk ka pasur një tualet dhe është detyruar që nevojat t’i kryejë jashtë, në kushte rrethanore.

Fytyra flet më shumë se fjalët për hallet e saj, për vitet e (pa)jetuara të rinisë dhe pleqërinë që po i shkon mes rrugës e mbledhjes së kanoçeve. Me zërin që po i meket dita-ditës kërkon ndihmë. Dikush duhet të shtrijë një dorë për të.
Të gjithë në qytezë sapo i pyet për dëmet shkatërruese që solli tërmeti i 26 nëntorit të drejtojnë në Lagjen Lugina. Ajo që bashkon fatin e të gjithë këtyre pallateve të kësaj lagje është shenja e kryqit të kuq, dhe aty-këtu ndonjë tabelë e mbetur ende nga bashkia “Pallat i pabanueshëm”.

Është një pamje e trishtë që të kall datën. Shijaku i përngjan një qyteze fantazmë dhe banorët e krahasojnë me Kabulin.
Ani Voci, shoqëron me sy lëvizjet e fundit të komshinjve të tij, që po përpiqen të shpëtojnë gjërat e fundit, nga ajo që dikur ka qenë banesa e tyre. Shtëpia e tij private në lagjen “Lugina” është ndër të paktat që nuk ka pësuar dëme në këtë zonë, por ai ka mbetur i vetmuar.
“Që nga nesër në gjithë këto zonë do të mbeten në këmbë vetëm dy tre shtëpi private, përfshi edhe shtëpinë time. Të gjitha këto pallate do të rrafshohen. E si të mos trishtohesh”, na thotë ai, i cili i gëzohet faktit se këto ditë së paku ka pasur mundësi të shkëmbejë disa fjalë me komshinjtë e dikurshëm të tij.
“Kemi mbetur si majmunët në mes të xhunglës. Të gjithë janë larguar në shtëpi me qira pas tërmetit”, rrëfen ai për Portën Vendore.

Ngado që të hedhësh sytë shikon veçse pallate të zbrazura e të pajetë. Rreth 80 % e apartamenteve janë boshatisur, ndërsa zgavrat e dritareve janë prezentë kudo. Së largu dëgjohen trapanë e varre. Shkojmë andej nga na drejton zhurma.
Dyer, kasa dritaresh, zgara hekuri, mobilje të vjetra apo kuzhina po çmontohen me shpejtësi nga banorët, të cilët po punojnë pa pushim edhe pse është e ndaluar që të futen brenda banesave. Pamja të përngjan me atë të 5 muajve më parë, kur njerëzit largonin ç’të mundnin nga shtëpitë e tyre teksa hipnin në një dum-dum, në drejtim të shtëpisë me qira.

Si pasojë e tërmetit të 26 nëntorit, mbi 800 familje humbën banesën për shkak se të dëmeve serioze që pësuan pallatet, ndaj u përfshinë në bonuset e qirasë si të pastrehë. Ata kanë ngarkuar në krahë plaçkat që ditët e para pas tërmetit, por shumë prej tyre kanë ende çfarë të marrin.
“Po më vjen shumë keq kur e shikoj shtëpinë time, pallatin e lagjen në këtë gjendje. Por tani u mësuam e sikur s’na bën më përshtypje. Jam rikthyer për të marrë disa hekura për t’i shitur”, tregon një banor i pallatit 18 në Shijak, teksa mban një varre në dorë, e na porosit të mos i shkrepim foto.
Në mes të pronarëve të shtëpive fantazmë, ka edhe punëtorë krahu ose nga ata që “gjuajnë” hekurin për skrap, për të fituar bukën e gojës, sidomos në këtë kohë të vështirë.

Plot 19 pallate 5-katëshe në lagjen “Lugina” janë shënuar me kryqin e kuq dhe janë shpallur të pabanueshëm nga ekspertët. Të ndërtuar rreth viteve 80, ata nuk i rezistuan tërmetit të 26 nëntorit, ndaj që këtë javë do të nisë edhe procesi i shembjes së tyre, ku sipas edhe lajmërimeve nga Bashkia Shijak, banorët presin fadromat për nisjen e prishjeve. Pas marrjes së njoftimit, banorët, të cilët janë grumbulluar për të shpëtuar edhe gjërat e fundit nga shtëpitë e tyre shprehen optimistë.
“Më në fund do të nisë shembja, dhe kjo për ne është gjë e mirë sepse do të thotë që qeveria e ka seriozisht. Tani gjërat po futen në rrugë të mbarë, pasi deri më tani nuk e dinim se çfarë do të bëhej”, na thotë Besniku, i cili e ka shtëpinë në pallatin nr.15, por që prej fillimit të dhjetorit jeton në një shtëpi me qira.

Ai thotë se këto pallate kishin pësuar dëme gjatë tërmetit të 21 shtatorit, pas të cilit ai kishte investuar në shtëpi.
“Po e kemi marrë bonusin e qirasë dhe po paguajmë shtëpinë, të shpresojmë që nuk do të zgjasë shumë”, na thotë ai.
Por optimizmi që kanë disa nga banorët nuk ka mbërritur tek shumë të tjerë. Dhuratën e gjejmë teksa po bisedon me elektricistët e ardhur nga OSHEE, pasi pak më parë ka ndodhur një shpërthim elektrik në një nga banesat e braktisura që ndodhen në katin e pestë në një nga pallatet e shumtë të Luginës që mbart shenjën e kryqit të kuq.

“Më pikon në shpirt kur e shikoj kështu, të braktisur dhe pa asnjë banor apo ato kafet e mëngjesit që e kishim bërë zakon. Këtu kam kaluar një pjesë të madhe të jetës sime, por të shpresojmë që gjërat të fillojnë të ecin, pasi ne aktualisht jemi me qira, por bonusi i qirasë edhe sa do të zgjasë? Çfarë do të bëhet me ne pastaj?”, na thotë Dhurata e cila është skeptike, që procesi i rindërtimit të përfundojë përpara një periudhe 2-vjeçare.

Agimi po përpiqet të largojë gjërat e fundit nga shtëpia e djalit. Të gjitha kursimet e jetës i investoi në këtë apartament të vogël, të cilën ia bleu djalit tre vite më parë për 25 mln lekë (të vjetra). Pjesën më të madhe të orendive i kishte larguar prej kohësh, por tani po përpiqet të shpëtojë gjithçka tjetër të mbetur.

“Këtu është pasuria e të gjithë jetës sime, po përpiqem të marr ç’të mundem, pasi çdo gjë është bërë me lek”, na thotë ai, i cili ngjitet në apartament e zbret me disa kasa prej hekuri të dritareve.
“Sigurisht që nuk kam ku ti përdor, por do ti çoj ti shes për skrap”, – na thotë ai, ndërsa ngarkon një kamionçinë të vogël.

Gjithçka në pallatet e shënjuar duket njësoj. “Ato dritaret që janë me grila të mira, pronarët janë në Itali dhe nuk janë dukur fare”, shprehet Beni, teksa rrëfen se ka ardhur të ndihmojë një shokun e tij si hamall.

Ndonëse e kanë të vështirë të ndahen nga shtëpitë e tyre, banorët kanë filluar e ëndërrojnë për shtëpitë e reja.
“Këto ishin pallate shumë të vjetra dhe pa kolona. Një pjesë kanë dalë nga themelet fare…na kanë thënë se këto do të ndërtojnë një kompleks të bukur pallatesh, me kënd lojërash, me rrugë e me lulishte. E rëndësishme është që do të kemi shtëpi të re, se këto mbanin shumë lagështirë” na thotë një tjetër banore e kësaj lagjeje, e cila sqaron se pritet që fadromat për prishjen e këtyre pallateve do të duken me datë 5-6 maj.

Ndërkohë, bashkia ka bërë gati planin vendor se si do të ndërtohet zona, projekt i cili synon ta rivitalizojë dhe t’i japë një pamje krejt tjetër kësaj zone, duke ruajtur hapësirat mes pallateve, por duke i përshtatur ato me kodet e reja të ndërtimit.

Dëme të konsiderueshme Shijaku ka pasur edhe në institucionet arsimore. Shkolla “16 shtatori” është shembur nga IKMT rreth një javë më parë, por inertet ende qëndrojnë pirg, duke rrezikuar jetën e fëmijëve që dalin të luajnë aty pranë saj.
“Kjo është pamje e trishtë, të shikosh rrënojat e shkollës ku kanë studiuar fëmijët e tu, e ku ke shërbyer për të gjithë këto vite nuk është e lehtë, më besoni”, thotë Arturi, roja i shkollës, ndërsa thekson se: “Rri pothuajse gjithë kohën këtu, sepse kam frikë se mos ndonjë nga fëmijët e lagjes kapërcen gardhin e vogël të shkollës dhe krijon ndonjë incident në inertet e mbetura nga 4 katet e saj, të cilat ende nuk janë hequr, megjithëse ka kaluar rreth 1 javë që nga momenti kur IKMT-ja ndërhyri në këtë institucion arsimor”, shton ai për Portën Vendore.
Sipas Arturit, baza materiale është larguar me kohë, por ai tregon me trishtim faktin se shumë libra nuk u arritën të shpëtoheshin. “Pranë rrënojave kam gjetur disa libra, të cilat i kam vendosur veçmas. Me vjen shumë keq që gjithë ajo pasuri në bibliotekën e kësaj shkolle humbi, dhe nuk u arrit të shpëtohej”, përfundoi Arturi.
Në Shijak ka edhe së paku dy shkolla të tjera të dëmtuara gjatë tërmetit të datës 26 nëntor 2019, të cilat presin ndërhyrjen e shtetit.