5 maj 2020/ Bledi Gilaj/ Eljona Ballhysa/ Porta Vendore
Një nga problemet kyçe për shkak të izolimit të shumë familjeve në banesa gjatë pandemisë së Covid-19 ishte çështja e furnizimit me ushqime. Që në javën e parë, qeveria nga ana e saj, por edhe nga bashkitë nga ana tjetër publikuan shifra për shumë familje të ndihmuara me paketa ushqimore. Pikëpyetja që ngrihet pas 50 ditësh është sesa familje u ndihmuan realisht gjatë kësaj kohe dhe a u ndihmuan të gjithë?! Porta Vendore ka analizuar këto shifra, duke marrë të dhënat nga të gjitha prefekturat deri më 25 prill, duke qenë se shifrat ndryshojnë çdo ditë.
Pas shpalljes së pandemisë, deputetë, ministra, kryetarë bashkish, por dhe shumë funksionarë të tjerë publikuan foto dhe video duke shpërndarë ndihma për familjet në nevojë, ndërsa shifrat konkurronin njëra-tjetrën. Kjo situatë vijoi deri më 14 prill, kur kryeministri i vendit ka bërë postimin e fundit në lidhje ndihmat ndaj familjeve dhe individëve në nevojë.
“248 791 familje/ individë shumë në nevojë dhe pensionistë të vetmuar janë ndihmuar me ushqime e barna mjekësore deri tani”, shkruante Rama një postim me video në Facebook më 14 prill. Për të kuptuar më qartë kategorizimin e ndihmave të dhëna, duke qenë se kryeministri në postimin e tij ka përfshirë të ndihmuarit me ushqime dhe me barna mjekësore, Porta Vendore iu drejtua me një kërkesë Ministrisë së Mbrojtjes, si autoriteti i Emergjencave Civile sesa është shifra reale e familjeve të ndihmuara me pako ushqimore gjatë kohës së pandemisë.
“Deri tani janë ndihmuar në total 250 mijë familje, prej të cilave 171 mijë familje apo individë janë ndihmuar me pako ushqimore, 40 mijë familje apo individë janë ndihmuar me barna, dhe janë ndihmuar 10 mijë pensionistë”, deklaroi për Portën Vendore zëdhënësja e Ministrisë së Mbrojtjes, Albana Qehajaj, duke iu referuar shifrave të datës 15 prill 2020. Pra, sipas Ministrisë së Mbrojtjes, deri më 15 prill ishin ndihmuar me pako ushqimore 171 mijë familje. Të njëjtën shifër përmendi dhe ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka në një dalje publike më datë 23 prill.
“Ky program asistence në bashkëpunim të ngushtë me rezervat e shtetit, bashkitë, prefekturat, shërbimin social, sigurimet shoqërore dhe postën shqiptare deri më tani i ka ardhur në ndihmë 171.195 familjeve në nevojë me pako ushqimore në të gjithë vendin. 68.262 pensionistëve ju janë siguruar medikamente mjekësore të rimbursueshme dhe 82.793 familjeve, kryesisht pensionistë, me shërbime në familje sipas nevojave”, deklaroi Xhaçka më 23 prill nga salla e Kuvendit të Shqipërisë. Ajo që vihet re është fakti se nga data 15 prill deri më 23 prill, shifrat ishin të njëjta. Por pothuajse çdo ditë, kryeministri Rama ka publikuar të dhëna ditore për familjet që janë asistuar me ndihma nga bashkitë e vendit, edhe pas datës 15 prill, megjithëse nuk ka publikuar më, totalin e familjeve të ndihmuara. Nga shifrat e publikuara nga kreu i qeverisë vihet re se familjet e ndihmuara me ushqime janë rritur dhe pas kësaj date.
Pra, ndonëse shifrat janë shtuar nga data 15-23 prill kur raportoi ministrja Xhaçka në Kuvend, ato nuk u pasqyruan në raportin e saj. Duke parë këtë mosrakordim shifrash nga dy zyra të qeverisë, Porta Vendore kërkoi informacion më të detajuar dhe pranë institucioneve të tjera për të kuptuar sesa familje realisht janë ndihmuar me pako ushqimore gjatë karantinimit të detyrueshëm për shkak të pandemisë.
Zëdhënësja për marrëdhëniet me mediat në Ministrinë e Financave Violeta Shalsi tha se “Ministria e financave nuk merret me shpërndarjen e ndihmave, apo me të dhënat për bashkitë, por vetëm me pagën e luftës”. Ndërkohë, zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme, Ardi Bita konfirmoi se “të dhënat e plota dhe të koordinuara gjenden tek ZOS pranë Kryeministrisë”. Ndërsa burime konfidenciale nga kjo zyrë i thanë Portës Vendore se: “Nuk dihet sa të dhëna apo informacione ka Zyra Operacionale lidhur me këtë çështje”.
Qytetarët ankohen për ndihmat
Por, ndërkohë që institucionet raportonin shifra të ndryshme, shumë familje, sidomos nga komuniteti rom, kërkonin ndihmë dhe deklaronin se nuk kanë marrë asnjë pako ushqimore nga bashkia, ndërkohë që disa të tjerë ishin të pakënaqur me mënyrën e ndarjes së ndihmave.
Banorët e fshatit Topojë në Fier deklarojnë se 400 familje nuk kanë marrë asnjë ndihmë.
Po ashtu, rreth 1200 banorë të komunitetit rom në zonën e Nish Tullës në Durrës organizuan një protestë, duke deklaruar se nuk mund të qëndrojnë të mbyllur, pasi askush nuk është kujtuar për t’i ndihmuar. “Si të qëndrojmë të mbyllur ne, kur bashkia nuk ka menduar të na sjellë ndihma. Kemi telefonuar me dhjetëra herë dhe ende nuk ka ardhur askush. Karantinë kërkon kryeministri, por ne nuk mund të qëndrojmë në karantinë se mbahemi me hekurishte. Futemi nëpër koshat e mbeturinave të gjejmë ndonjë gjë për të mbijetuar. Çfarë sigurie do kemi nga virusi kur ne shkojmë në vendet më të rrezikuara për të mbijetuar, se në punë nuk jemi”, u shpreh Bilali për Portën Vendore.
Gjithashtu, romët e dy lagjeve të njësisë administrative në Levan shprehen të pakënaqur nga ndarja e pakove ushqimore. Sipas tyre, disa familje kanë marrë nga dy herë ndihma, ndërsa disa të tjera asnjëherë. Ndërsa Bashkia Fier deklaroi se “në dy ditë ka ndarë 450 pako ushqimore për komunitetin rom në Levan, Baktëz, Sektor Seman dhe Mbrostar”, por vetëm në Levan jetojnë 650 familje rome.
Situata me familjet që nuk kanë marrë asnjë ndihmë është pasqyruar dhe nga Porta Vendore, ndërkohë që dhe shumë familje të tjera, gjatë kësaj kohe pandemie kanë ngritur të njëjtin problem.
Përplasja me shifrat e prefekturave
Duke parë nga njëra anë shifrat e pushtetit qendror, por dhe ankesat e shumta të qytetarëve në media, Porta Vendore kërkoi informacion mbi ndihmat e shpërndara dhe nga 12 prefekturat e vendit, me qëllim për të pasur një paraqitje sa më të saktë të situatës. Nga 12 Prefektët, vetëm prefektura e Fierit nuk dha një shifër të saktë për ndihmat e shpërndara në 6 bashkitë e këtij qarku, ndërkohë që 11 prefekturat e tjera bënë një bilanc të të gjitha ndihmave të shpërndara gjatë kohës së pandemisë. Në totalin e ndihmave, siç paraqitet në tabelën e mëposhtme, u përfshinë ndihmat e dhëna nga bashkia, Ministria e Mbrojtjes dhe donacionet e ndryshme nga shoqatat dhe bizneset.
*Të dhënat nga prefekturat
Sa i përket Fierit, Porta Vendore mori përgjigje vetëm nga Bashkia Fier dhe Roskovec, kur rezulton se 2000 familje janë ndihmuar me pako ushqimore në Fier dhe 548 në Roskovec.
Duke iu referuar të dhënave të 12 prefekturave në vend rezulton se në total janë shpërndarë 111.536 pako ushqimore. Duke qenë se shifrat për pakot ushqimore ndryshojnë nga ditë në ditë, vlen për tu theksuar se pergjigjet e prefekturave kane mberritur ndermjet datave 18-27 prill, pra pas shifrave të marra nga Ministria e Mbrojtjes dhe atyre të publikuara nga kryeministri Rama. Në këto kushte vihet re se sërish ka një mosrakordim të shifrave për pakot ushqimore të shpërndara për familjet në nevojë. Sipas qeverisë, deri më 15 prill janë shpërndarë pako ushqimore për 171 mijë familje, ndërkohë që sipas të dhënave pranë prefekturave rezultojnë afërsisht 60 mijë më pak, duke shkaktuar kështu një kakofoni shifrash për ndihmat e shpërndara në rang vendi.
Kritika e aktivistëve dhe ekspertëve ndaj bashkive
Problemet me shpërndarjen e ndihmave janë vënë re dhe nga shoqëria civile, ndërkohë që ekspertët shprehen se bashkitë duhet të ishin treguar më luftarake për të kërkuar ndihmën e qeverisë
Aktivistët e Qendrës për Advokim Social po bëjnë që prej fillimit të kësaj situate, ndërmjetësimin e familjeve në nevojë me bashkitë përkatëse, ku nëpërmjet një pyetsori plotësohet një formular standard dhe unifikues për ndihmën që kërkon qytetari dhe bashkinë në të cilën ndodhet.
Jeta Pera, aktiviste pranë kësaj qendre i tha Portës Vendore se ajo që është konstatuar është fakti se pothuajse në të gjitha bashkitë ka probleme, pasi jo të gjitha familjet e referuara janë mbështetur me pako. “Në Durrës pritet një tender, ndërsa numri i vënë në dispozicion për qytetarët nga bashkitë , del i padisponueshëm”, tha Jeta për Portën Vendore, duke shtuar se gjatë këtij 1 muaj e gjysmë janë asistuar me shërbim 1339 persona, ku kërkesat parësore të tyre kanë qenë për ushqim, detergjentë e ilaçe.

Sipas të dhënave të kësaj organizate, një element tjetër që vihet re është fakti se 555 ose 41.45 % e qytetarëve që kanë aplikuar për ndihmë nëpërmjet një formulari të thjeshtë pranë bashkisë përkatëse, janë familje pa të ardhura dhe pa asnjë të punësuar në familje, ndërsa 266 ose 19,87% e personave që kanë aplikuar kanë qenë përfitues të ndihmës ekonomike.

Ndërsa numri më i madh i familjeve që kanë aplikuar për një nga llojet e ndihmave pranë bashkive janë nga Tirana, Fieri dhe Durrësi.

Por, sipas ekspertëve, bashkitë nuk kanë qenë realisht të përgatitura në këtë situatë dhe kjo duket se ka shkaktuar kaos si në shpërndarjen e ndihmave, ashtu dhe në përllogaritjen e tyre. “Bashkitë po punojnë përgjithësisht, megjithëse puna e tyre hera-herës është eklipsuar nga qeveria. Për ndihma të gjithë bashkitë kanë punuar me strukturat e tyre, nga bashkia më e vogël deri tek bashkia më e madhe. Si njohës i pushtetit vendor jam pak i shqetësuar për statusin e bashkive. Pasi këto institucione në lidhje me këtë situatë duhet të kishin një rol më komandues, më kontrollues të situatës. Duhet të ishin më në qendër të vëmendjes, pasi janë më afër qytetarëve”, tha eksperti Agron Haxhimali për Portën Vendore, duke shtuar se bashkitë nuk po tregon “luftarake” për fonde dhe mbështetje nga qeveria qëndrore.
“Kjo ka ndodhur në rajon, por këtu jo. Arsye pse është e qartë sepse janë të gjithë kandidatë të maxhorancës. Por kjo nuk i shërben të nesërmes, nuk i shërben qytetarit, pasi ky është rasti më i mirë që decentralizim. Qeveria duhet t’i mbështesë bashkitë më shumë dhe marrëdhënia institucionale duhet të jetë e bazuar në kushtetutë pavarësisht se janë në të njëjtin krahë politikë”, përfundon Agron Haxhimali, drejtues i shoqatës së bashkive.
Ndihmat për familjet e dëmtuara nga tërmeti
Ndërkohë një tjetër kategori e ndihmuar gjatë periudhës është edhe ajo e familjeve të dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit të vitit të kaluar. Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, Forcat e Armatosura të Shqipërisë gjatë periudhës së pandemisë Covid-19 kanë qenë të angazhuar në terren ku kanë marrë pjesë në operacionet humanitare. Zëdhënësja e Ministrisë së Mbrojtjes, Albana Qehajaj deklaroi për Portën Vendore se kjo ministri ka alokuar një fond prej 850 mijë eurosh. “Ministria e mbrojtjes nga ana e saj deri tani ka alokuar 850 mijë euro dhe ka ndihmuar 33 mijë familje që jetojnë në çadra. Ne u kemi dërguar atyre pako ushqimore gjatë periudhës Covid-19. Ne jemi përqendruar kryesisht në qytetet që janë prekur nga tërmeti. Pra në Tiranë, Durrës, Krujë, Fushë-Krujë, Laç, Lezhë e Kavajë”, bën të ditur zëdhënësja e ministrisë së Mbrojtjes Albana Qehajaj. Por edhe nëse kjo shifër i shtohet shifrës prej 111 mijë familjeve të ndihmuara me pako ushqimore të deklaruara nga Prefekturat, sërish ajo nuk kap shifrën e 171 mijë familjeve të ndihmuara me pako ushqimore, të deklaruar nga Ministria e Mbrojtjes, ndonëse vetë ky institucion i ka ndarë këto të dhëna në dy zëra. Megjithatë, i rëndësishëm mbetet fakti që familjet në nevojë në këtë kohë pandemie të marrin ndihmën e nevojshme, ndërsa shifrat e plota ndoshta do të rakordohen në përfundim të saj.