Vëzhgim/Analizë

Sezoni turistik, mes protokolleve të sigurisë dhe rritjes së çmimeve

4 maj 2020/ Elisa Gjerani/ Esmeralda Keta/ Porta Vendore/ Durrës

Ndërsa Ministria e Turizmit nxori dy ditë më parë protokollin e sigurisë anti-covid 19 që pritet të miratohet, sektori delikat i turizmit po përpiqet mes shumë paqartësive të bëhet gati për sezonin veror. Porta Vendore vëzhgoi disa nga bizneset në plazhin e Durrësit, si dhe pyeti një sërë ekspertësh mbi efektivitetin e këtij drafti. A do të sigurojë ai një sezon turistik në Shqipëri?

Protokolli i masave anti-Covid 19

Ministria e Turizmit dhe Ministria e Shëndetësisë kanë përgatitur një draft për diskutim në lidhje me masat që pritet të merren nga biznesi i turizmit për sigurinë anti-Covid 19 për sezonin turistik. Në draft theksohet se ky protokoll voluminoz do të jetë i vlefshëm vetëm pasi të miratohet, nëse situata e pandemisë globale në Shqipëri do të jenë nën kontroll.

“ Çdo njësi akomoduese duhet të ketë një koordinator anti-Covid-19, i cili do të trajnohet nga autoritetet kompetente për të gjithë procedurën dhe masat parandaluese qe duhet të ndërmarrë me qëllim trajnimin nga ana e tij të stafeve respektive. Koordinatori duhet të hartojë një rregullore të brendshme, në përputhje me këtë protokoll masash, do t’i caktojë detyra konkrete stafit si dhe do të marrë masa për furnizimin me mjetet dhe logjistikën e nevojshme. Në çdo rast, i gjithë stafi duhet të pajiset përgjatë gjithë periudhës së shërbimit, me doreza dhe maska mbrojtëse të higjienizuara”, thuhet në draft. Protokolli kërkon gjithashtu që të matet temperatura e vizitorëve në çdo hyrje ambienti, dhe në rast temperature koordinatori anti-Covid 19 komunikon menjëherë me përfaqësuesit e ISHP-së.

Në draftin që pritet të diskutohet në javën në vijim kërkohet gjithashtu dezinfektim i mjeteve të transportit dhe respektim i distancimit fizik. Ky distancim fizik nëse këtë vit do të kemi sezon turistik në vendin tonë, do të mbahet gjithashtu nga çadra në çadër ku hapësira nuk duhet të jetë më e vogël se 4 metra, si dhe 3 metra në tavolinat e restoranteve.

Bregdeti i Durrësit. Foto: Elisa Gjerani

Porta Vendore pyeti gjithashtu pranë Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit mbi situatën e sezonit turistik në Shqipëri, teksa pritet që dy javët e para të majit të shërbejnë si një periudhë testimi për vendin tonë, që shpreson të çelë sezonin turistik në qershor.

Kemi shpresën dhe besimin që do mund të kemi një riaktivizim të sektorit të paktën në muajin qershor. Gjithçka varet se si do të reagohet ndaj liberalizimit të masave dhe dy javët e para të majit do jenë një fazë përcaktuese”, thanë burime zyrtare të Ministrisë se Turizmit duke shtuar se: “Është duke u diskutuar me të gjitha strukturat e bareve dhe restoranteve që të kemi fasha të ndryshme të orareve të shërbimit, të mëngjesit, drekës dhe darkës, që pushuesit mos të jenë në të njëjtën kohë, në të njëjtin vend. Do ketë rregulla edhe për turizmin në sitet arkeologjike, turizmin malor, të aventurës”.

Situata e sezonit turistik duket thuajse e njëjtë kudo në vendin tonë. Ditët e fillim majit kanë nisur mes përgatitjeve për zbatimin e rregullave, rikonstruksionin e strukturave akomoduese në mënyrë që të jenë sa më të përshtatshme për turistin dhe dilemës së madhe nëse do të ketë një turizëm normal.

“Protokolli është plotësisht i mundur, sidomos në strukturat e mëdha, hotelet dhe resortet me kapacitet mbi 100 dhoma, që edhe mjediset e jashtme, edhe ato të brendshmet, i kanë të bollshme. Disa prej tyre po eksperimentojnë ushqimin individual për shembull, ndonëse janë hotele që funksionojnë kryesisht me paketat bufe. Kjo bëhet për të mbrojtur njerëzit nga konsumi kolektiv. Ka shumë masa të tjera si këto, që po kërkojnë të zbatohen e të praktikohen, derisa të fillojë sezoni. Ndërsa sa i përket çmimeve ato mund të pësojnë rritje, por mund të ndodhi edhe e kundërta, për shkak të kërkesës së ulët”, tha ekspertja e turizmit, Flora Xhemani.

Disa hotele teksa po restaurojnë pjesën e jashtme të fasadës. Foto: Esmeralda Keta

Por a garanton protokolli i sigurisë anti-Covid-19 një sezon me rregulla që do të zbatohen në mënyrë rigoroze nga të dyja palët, biznes-turistë? Ekspertët kanë pikëpyetjet dhe skepticizmin e tyre lidhur me këtë çështje.

“Vështirë do të jetë me thënë të drejtën, sepse njerëzit nuk po i respektojnë as tani, e jo më vonë kur shpresohet që kurba e virusit të bjerë dhe rreziku të jetë më i vogël por një gjë mund ta them me siguri; gjobat dhe kontrollet nuk do ta ruajnë aspak më mirë popullatën, sesa vetë bizneset me rregulloren dhe me shërbimin e tyre”, tha Flora Xhemani, eksperte turizmi.

Për Fjorda Llukmanin, e pasionuar pas udhëtimeve, teksa po i kalon këto ditë izolimi në Dhërmi, në shtëpinë e mikeshës së saj, kemi para një verë të mbarë. “Do të bëjmë plazh e do ta shijojmë detit, unë jam optimiste”, shprehet Fjorda. Ajo sugjeron që vizitorët të mos kërkojnë vetëm detin e rërën, por të eksplorojnë edhe natyrën e fshatrave përreth.

Durrësi, një ndër destinacionet më të frekuentuara turistike në vend, duket se e ka të vështirë të ringrihet. I goditur dyfish, nga tërmeti i 26 nëntorit dhe tani edhe nga pandemia Covid 19, operatorët turistikë ende nuk e dinë nëse duhet të bëhen gati për sezonin veror apo jo. Pjesa më e madhe kanë nisur të kryejnë disa punime që kanë lidhje me mirëmbajtjen, e të tjerë, kanë nxjerrë edhe çadrat e plazhit për t’i riparuar. Në rast se del një vendim për hapjen e tyre, ata preferojnë të jenë gati. Pavarësisht rregullave strikte, disa nga resortet më të njohura të Golemit, kanë filluar të bëjnë oferta që për këtë fundjavë për klientët e tyre duke shtuar se ata funksionojnë duke respektuar të gjitha rregullat e sigurisë dhe shëndetit.

Haxhiu ka një hotel të vogël afër ish Mira Mare në zonën e plazhit në Durrës. Zona përreth është dëmtuar nga tërmeti dhe si pasojë lëvizjet janë të pakta. Edhe vetë Haxhiu i ka humbur shpresat. “Po çfarë të presim? Unë nuk jam fare optimist. Të paktën këta që i ka fut në karantinë përse nuk i solli edhe tek unë disa, që të marrim të gjithë diçka. Njëherë tërmeti, tani kjo. Ne nuk kemi fare shpresë”, na thotë ai, i cili nuk po bën ende asnjë përgatitje për sezonin e verës.

Qazim Zifaj është kuzhinier në restorantin De Lux. Ai shprehet optimist për këtë sezon turistik dhe ka besim se situata do të menaxhohet mirë nga autoritetet dhe bizneset. “Ne po përgatitemi që të jemi gati, pasi mendoj se nëse miratohet protokolli i Ministrisë së Turizmit do të fillojnë njerëzit ta frekuentojnë Durrësin në fundjavë, qoftë edhe për një kafe a drekë, siç kanë bërë gjithmonë. Për sa i përket çadrave, ne gjithmonë kemi marrë dy parcela nga bashkia me hapësirë diku tek 1200 metra, që na ka kushtuar 4 milionë lekë të vjetra. Mirë do ishte që të kishte një reflektim dhe ulje taksash nga organi vendor për bizneset, pasi do të kemi njerëz më pak dhe duke respektuar rregullat e reja normalisht që edhe fitimi do të jetë më i vogël. Gjithsesi e keqja mendoj se iku dhe do fillojë hapja avash-avash”, tha kuzhinieri për Portën Vendore.

Bar-restorant De Lux duke u bërë gati për sezonin turistik. Foto: Elisa Gjerani

Por e gjitha kjo do t’i detyrojë bizneset që të rrisin çmimet, si e vetmja mënyrë për t’ia dalë në këtë situatë, ku rregullat janë të mirëpërcaktuara dhe kapacitetet e turistëve të reduktuara në maksimum. “Do të rrisim çmimet. Nëse nga 20 tavolina në lokal unë bëj 10, atëherë normal që do të ketë rritje të çmimit, pra në fund të fundit prapë konsumatori ose turisti do ta marrë faturën, ndaj e mira do të ishte të ekzistojë një lloj subvencionimi për turizmin nga shteti. Pasi dakord themi protokolli duhet zbatuar, por e gjitha është një kosto shtesë për ne, dhe si rrjedhim edhe për turistin qoftë ky vendas apo i huaj, i cili do të përballet me kosto më të lartë shërbimi”, tha Arturi për Portën Vendore.

Ndërsa përfaqësues të resortit “Grand Blue Fafa” shprehen se janë gati për të pritur turistë, pasi në muajt Prill-Maj kanë pasur prenotime nga grupe turistësh të huaj dhe vendas. “Mendojmë që turistët e parë do vijnë në fillim të Qershorit, pasi ende nuk janë mbyllur prenotimet, fluturimet dhe kemi një komunikim të përditshëm me agjencitë turistike, me të cilat kemi një bashkëpunim 5-6 vjeçar. Sigurisht që pandemia ka ndikuar negativisht shumë në industrinë e turizmit, pasi gjithçka u mbyll, strukturat, lëvizja në porte, aeroportet, kufijtë lëvizjet brenda vendit, të gjitha këto e çuan pikiatë këtë industri, kolaps total”, u shpreh “Grand Blue Fafa” për Portën Vendore.

Resorti “Grand Blue Fafa” në Golem.

Sipas përfaqësuesve të këtij resorti, ata janë duke negociuar me agjencitë turistike dhe Ministrin e Turizmit për të vendosur një protokoll të masave dhe të mënyrës se si do veprohet që nga pritja e turistvë, akomodimi, mënyra e shërbimit, baret-restorantet, plazhet etj.

“Kemi kërkuar që të njihemi sa më parë me këto masa dhe të përgatisim stafin, të blejmë të gjitha pajisjet që do të përdoren për tu mbrojtur nga Covid-19 dhe për të pasur një sezon sa më të mirë. Sigurisht që ne jemi ndërgjegjësuar që nuk do jetë një sezon si në vitet e tjera, por tani duhet të trajnojmë stafin që të shërbejë me rregulla të reja që janë detyruese për te gjitha strukturat hoteliere. Masat e reja na penalizojnë se na rrisin kostot, qoftë në shërbime dhe qoftë në sipërfaqe më të mëdha që kërkohen për mbarëvajtje me rigorozitet të respektimit të distancimit social dhe mendoj se duhet negociuar me pushtetin vendor dhe qendror për rishikimin e taksave”, thotë Meldisa Duka Menaxhere e resortit të njohur.

Flora Xhemani eksperte turizmi dhe drejtuese e Revistës Travel shprehet se thuajse të gjitha strukturat turistike janë duke u përgatitur tashmë për fillimin e sezonit, megjithëse nuk dihet ende një datë.

“Strukturat po bëjnë atë që bëjnë gjithmonë në këtë periudhë, pra përgatitjen për sezonin veror e njëkohësisht me këtë edhe përgatitjen e terrenit sipas masave te reja, të cilat po përpiqen t`i plotësojnë me rigorozitet, duke filluar nga dezinfektimi i mjediseve të brendshme e të jashtme, trajnimi i stafit, vendosja e çadrave dhe tavolinave në distancën e kërkuar etj. Shumica, për të mos thënë të gjithë, kanë sidoqoftë nevojë për një datë sepse kjo i ndihmon të organizohen më mirë për t`i bërë gjërat gati në kohën e duhur”, tha Xhemani për Portën Vendore.

Porta Vendore pyeti gjithashtu pranë Bashkisë Durrës për taksën e hapësirës publike që bizneset në bregdet i paguajnë bashkisë gjatë sezonit turistik në varësi të parcelave që disponojnë.

Kanë filluar aplikimet e bizneseve për hapësirat që duan të zhvillojnë biznesin e tyre kryesisht vendosjen e çadrave dhe shezlongeve, por ne nuk kemi marrë ende vendim nëse do të bëhet një ulje e tarifës së tyre për këtë vit në situatën e Covid-19. Presim një vendim final nga qeveria se çfarë do të ndodhë me këtë sezon turistik e më pas të mund të marrim vendim në këshill bashkiak, por nuk besojmë të ketë një reflektim uljeje për bizneset e zonës që aplikojnë për hapësirë publike në bregdet”, thanë burime zyrtare nga Bashkia Durrës.

Ekspertët: Na pret një sezon i vështirë turistik

Blerina Ago, eksperte turizmi, drejtuese e “Active Albania” e cila promovon turizmin në lëvizje, thotë se kjo nuk është krizë vetëm e kësaj vere, por do të ndryshojë rrënjësisht mënyrën e funksionimit të turizmit.

Do të jetë një verë e vështirë – thotë Ago. – Ne kishim parashikuar që në gusht gjithçka do të hapej, por tashmë ne kemi marrë anulime edhe për gushtin. Unë mendoj se këtë vit nuk do të kemi pushime të gjata, pasi një pjesë e madhe e atyre që kanë qëndruar në shtëpi, kanë “djegur” lejen vjetore dhe mendoj se do të kemi vetëm fundjava të gjata. Turistë të huaj nuk do të kemi, pasi kufijtë janë mbyllur, ndaj mendoj se do të jemi të gjithë në vështirësi”. Sipas saj, operatorët turistikë, por edhe vetë institucionet duhet të angazhohen dhe të jenë inovativë, e të gjejnë nënprodukte joshëse për turistët. “Mund të organizohen ture tematike në kantinat e verës, në agro-turizëm. Lagunat po ashtu mund të jenë një destinacion perfekt”, pohon Ago.

Ago mendon se pandemia do të rrisë shumë konkurrencën. “Nuk është krizë vetëm e kësaj vere, tani ne duhet të jemi të ndërgjegjshëm se konkurrenca do të jetë më e madhe mes vendeve të rajonit, për të tërhequr sa më shumë turistë. Ndaj duhet të jemi më kreativë. Ne duhet të tërheqim atë lloj turisti që na përshtatet”, pohon ajo. E megjithatë ajo thotë se operatorët turistikë në vendin tonë kanë shumë armë në dorë. “Ne kemi një natyrë që ofron gjithçka. Së pari duhet të edukojmë turistin që të mos shkojë vetëm në det, por nga ana tjetër Shqipëria preferohet për natyrën e paprekur. Ne ndodhemi në mes të epiqendrës së turizmit, Evropës dhe mund ta shfrytëzojmë qoftë duke bërë marketing që ne nuk jemi si radhët e gjata në Romë apo Paris, qoftë edhe për shkakun se për një periudhë të gjatë, destinacionet që do të preferohen do të jenë ato rajonale. Ndaj ne duhet të bëjmë një marketing agresiv te fqinjët tanë, siç janë grekët, italianët, malazezët, maqedonasit etj, pasi ata do të jenë turistët tanë”, na shpjegon Ago, e cila sapo ka publikuar një video ku promovon pikërisht natyrën e bukur shqiptare.

Ajo thotë se së bashku me draftin, institucionet duhet të kenë parasysh edhe një paketë subvencionuese. “Disa vende po diskutojnë mbështetje për turistët që vizitojnë vendet e tyre: ta zëmë nëse një italian zgjedh të pushojë në Itali do të përjashtohet nga disa taksa, duhet menduar një strategji edhe tek ne”, përfundon ajo.

Zak Topuzi, kreu i shoqatës së operatorëve turistikë, thotë se ekonomia shqiptare humbet çdo muaj 170 milionë euro nga mbyllja e këtij sektori. Sipas tij, ky do të jetë një vit në kufijtë e mbijetesës, prandaj nuk duhet menduar për fitim.

Ky vit do te jetë i vështirë, në kufi mbijetese. Në rastin më të mirë mendohet se do të punohet me kapacitete të reduktuara. Një pjesë e mirë e punonjësve të turizmit do ta humbin vendin e punës. Janë disa faktorë që do të ndikojnë, zbatimi i protokolleve të mbrojtjes ndaj Covid 19 do të kërkojë më pak punonjës, pamundësisë kohë (pushuesit vendas kanë përfunduar lejet vjetore), rënies së konsumit dhe kufizimit të lëvizjeve të moshës së tretë. Moto e turizmit 2020 duhet të jetë:Mos bëj biznes, por mos u zhduk nga tregu’, e thënë shqip; Mos mendo për fitimin, por duhet të mbijetosh’. Industria e turizmit dhe udhëtimit kaloi në kolaps total në mbarë globin. Shqipëria humbet çdo muaj 170 milionë euro nga mbyllja e këtij sektori. Është një humbje e madhe për një vend me ekonomi të ngarkuar me borxh të jashtëm të konsiderueshëm”, thotë Topuzi për Portën Vendore.

Sipas tij, industria e turizmit do të shkojë në faliment, nëse nuk hapen kufijtë. “Nisur nga një kontradiktë: tendencës për hapje nga qeveritë e vendeve të BE për rimëkëmbjen e ekonomisë dhe nga ana tjetër rekomandimit për ‘mbyllje e distancim’ që vjen nga OBSH për t’i shpëtuar një rikthimi të pandemisë në shtator, mendoj se për turizmin dhe udhëtimin, do të jetë një vit i vështirë. Sipas ekspertëve, do të kemi një turizëm tremujor, turizmi i brendshëm do të jetë mbizotërues, por pa një turizëm global industria nuk do të mund t’i shpëtojë falimentit”, sqaron ai.

Sipas tij, vendimi i qeverisë për të hapur lokalet në mes të majit është një sinjal pozitiv, por i pamjaftueshëm.

“Është një sinjal pozitiv sigurisht, por i pamjaftueshëm. Industria po përgatitet për një hapje graduale dhe të plotë pa të cilën nuk mund të mbijetojë. Në sondazhin më të fundit të TripAdviser, pyetjes bazë, si do të preferonit të udhëtonit në 3-6 muajt e ardhshëm, 60% iu përgjigjen se do të udhëtonin me veturat personale, që nënkupton se udhëtimet rrugore do të ishin forma e parë e udhëtimit për t’iu rikthyer turizmit. Shqipëria mund të përfitojë nga kjo situatë duke pasur parasysh se 80% e turistëve në vendin tonë vijnë në rrugë tokësore. Pika e dytë e fortë janë kategoritë e turistëve që vizitojnë vendin tonë rrugë tokësore, ku rreth 55% vinë nga Kosova, Maqedonia Veriut dhe Greqia. Operatorët, në bashkëpunim me grupet e tjera të interesit, po punojnë për të paraqitur disa oferta të plota që do të kenë kosto rreth 15-20 % më lirë. E gjithë strategjia do të varet nga kohëzgjatja e situatës së bllokimit të kufijve rajonale. Qeveritë respektive po punojnë të arrijnë një marrëveshje kalimi pa karantinim për të lehtësuar lëvizjen turistike ndërkufitare”, sqaron ai.

Sipas Topuzit, për të arritur në shifrat e 2019-ës, do të duhen tre vite. “Flasim për një krize likuiditeti që vjen nga falimentimi i pashmangshëm i një pjese të industrisë (sot 30% e linjave ajrore kanë shpallur falimentin) dhe agjencive të vogla, të cilat do të prishin zinxhirin e pagesave. Kjo bën të pamundur kthimin e parave nga anulimi i prenotimeve. Qeveria ka ndërmarrë disa masa për të ndihmuar sektorin e turizmit, si paga 40.000 lekë për punonjësit që u larguan nga puna, shtyrjen e tatimfitimit në vitit 2021. Kredia me interes 0 për likuiditet, investime e paga në paketën Rama 2, por që akoma nuk është e qartë për zbatim. Jemi duke pritur implementimin. Në situatën e rëndë që ndodhet industria, janë masa të pamjaftueshme”, tha Kreu i shoqatës së operatorëve turistikë.

Ai shpreson që qeveria shqiptare të përfitojë sa më shumë nga programi “SURE” të nisur nga Komisioni Evropian dhe fondit të garancisë pan-Evropiane të krijuar nga Banka Evropiane e Investimeve. “Qeveria duhet të jetë e gatshme të përfitojë nga këto grante, që shpresojmë të shpërndahen në kohë, jo kur industria të ketë prekur fundin e të jetë drejt falimentit. Një ndihmë e rëndësishme për industrinë do të ishte edhe ndërhyrja ligjore për të ulur taksën vendore që për momentin janë mjaft të larta”, përfundon ai.

Turizmi mban një peshë të konsiderueshme në ekonominë e vendit. Sipas INSTAT, aktivitetet e lidhura direkt me turizmin gjeneruan rreth 45 miliardë lekë vlerë të shtuar gjatë vitit 2018, duke kontribuar me rreth 2,8 % në PBB. Nga këto, 8.9 miliardë lekë u shpenzuan për akomodimin, 5.6 miliardë lekë për agjenci udhëtimi, shërbime prenotimi, makina me qira dhe 30.7 miliardë lekë për shërbime ushqimi dhe pije. Po sipas INSTAT, në 2017 në vendin tonë erdhën rreth 5.1 milionë shtetas të huaj, dëshirat dhe nevojat e të cilëve u plotësuan nga rreth 58 mijë të punësuar vetëm në aktivitetet e lidhura direkt me turizmin, që do të thotë se çdo i punësuar në këto aktivitete i shërbente dhe kujdesej për rreth 88 vizitorë të huaj.

Në vitin 2018, në gjithë vendin funksionuan 1.326 struktura akomoduese (hotele, motele, kampe, bujtina, streha malore dhe struktura të tjera për qëndrime afatshkurtra), dhe janë vënë në dispozicion rreth 17 mijë dhoma dhe rreth 38 mijë shtretër.

Për vitin 2019 kemi pasur rreth 6,4 milionë turistë ose 8.1% më shumë se në vitin 2018, të cilët mesatarisht kanë kaluar 4.3 net në Shqipëri dhe kanë harxhuar 52 Euro në ditë. Gjithashtu kemi pasur rreth 6 milionë shqiptarë që kanë udhëtuar jashtë, me një mesatare 5.9 ditësh dhe kanë harxhuar mesatarisht 46 Euro në ditë.