Vëzhgim/Analizë

Pushteti dhe financat ‘mbyllin’ gojën e televizioneve lokale

3 Maj 2020/ Julian Hoxhaj/ Porta Vendore

Pak ditë më parë, organizata ndërkombëtare Reporterët pa Kufij shprehej se Shqipëria ka bërë regres sa i përket lirisë së medias. Muajt e fundit, në Shqipëri është miratuar në kuvend dhe paketa anti-shpifje, e shumëkritikuar nga ekspertët si një mjet për të kufizuar lirinë e medias. Porta Vendore, në ditën botërore të Lirisë së Medias sjell një pasqyrim të situatës në mediat lokale, zëri i komuniteteve lokale. Në këtë shkrim, janë intervistuar pronarë të televizioneve lokalë, gazetarë, ekspertë të medias, studiues etj, të cilët tregojnë një panoramë të qartë të medias lokale në Shqipëri. A është e lirë media lokale të përmbushë misionin e saj? A është e pavarur? Nga financohet media lokale sot dhe sa e theksuar është censura ? A raportohen problemet reale të komunitetit në këto media? Cilët janë shkaqet e censurës dhe vetëcensurës në televizionet lokale? Të gjitha këto pyetje dhe të tjera, marrin përgjigje në shkrimin e mëposhtëm.

Mediave lokale vs format e financimit

Shqetësimi kryesor sot në media është censura apo vetëcensura, e cila ndikohet nga shumë faktorë të ndryshëm (për të cilët do të flasim gjatë shkrimit). Të pyetur nga Porta Vendore, pronarë mediash lokale, drejtues të tyre apo dhe gazetarë pranojnë format e censurës apo të vetëcensurës. Një pronar i një televizioni lokal në qytet bregdetar të jugut të vendit, Sarandë, që dëshiron të mbetet anonim, duke pranuar të flasë për Porta Vendore tregoi se problematikat e qytetit nuk raportohen shpesh. Sipas tij, kjo bëhet me arsyen që të mos dëmtohet biznesi i turizmit në qytet.

“Po flas për Sarandën, ne në televizionet lokale jemi shumë korrektë se psh nuk i hetojnë disa çështje se nuk duam t’i bëjmë dëm këtij qyteti, se jetojmë me turizëm, me hotele, me gjëra të kësaj natyre. Problematika ka sa të duash, po të duash të futesh, por nuk e kemi si model, si ta quajmë atë punë sepse mund të vijë një turist të shikojë që unë vete nxjerr ujëra të zeza, budallallëqe, e kujt i bëj dëm, e kupton”, tha ai.

Edmond Isaku, kryetar i Shoqatës së Mediave Lokale në Shqipëri, tregon gjithashtu të njëjtën situatë. Por, ai thotë se në shumë raste edhe kur mediat raportojnë problematikat në qytetet e tyre, pushteti lokal nuk reagon. Sipas tij, arsyeja lidhet me faktin se mediat lokale nuk kanë shikueshmëri në Tiranë, aty ku është pushteti qendror dhe ku mund të ketë reagim.

“Pushteti lokal as të vret, as të pret i thonë fjalë. As mish e as peshk. Kur vjen puna aty, thonë aman ti i imi, ky i joti, fondet janë nga qeveria, mundohet të kërkojnë favore, që: mos ma nxirr, mos ma bëj, e kështu. Mundohen nga larg të të mbajnë peng me paaftësi dhe harbutëri. Normalisht që kemi përplasje. Ka një problem, televizioni lokal ka një vështirësi tjetër, nga që është spektri i zhvillimit të aktivitetit në një zonë të vogël, shkalla e njohjes, njerëzve. Nëse ti do japësh një lajm sot e do e ndjekësh për tre ditë rresht, dhe ti jep përditë skandale, e këto nuk reagojnë, pastaj i bie vlera shumë lajmit. Administrata sot pret po e tha Klani, Topi, Newsi, me këto reagojnë, po e dhanë mediat lokale, s’e marrin parasysh. Sepse ne nuk na sheh Tirana, aty ku bën efekt”, tregon ai.

Ndërhyrjet e politikës dhe biznesit gjithashtu janë fenomene, që mund të censurojnë publikimin e lajmeve në mediat lokale. Në Shkodër, drejtuesja e televizionit lokal, “Rozafa”, pohon këtë fakt, ndërsa tregon gjithashtu se tendenca për të qenë i pavarur dhe apolitik, ka bërë që të ardhurat e televizionit të jenë në vështirësi.

“Duke dashur se ne duam të mbajmë një standard të krijuar, nuk ka censurë nga pronari ose dikush tjetër, por mund të ketë ndërhyrje nga politika apo nga ndonjë parti ose ndonjë njohje e vogël me individë, sepse vetë pronarët kanë dashur të mbajnë këtë standard, duke qenë se është gjithçka me vetëfinancim”, shprehet ajo, ndërsa një gazetar i një media tjetër lokale në Shkodër ka gjykimin e tij lidhur me këtë situatë.

“Në Shkodër pronarët e medias janë biznesmenë të afirmuar në fushën e ndërtimeve , turizmit dhe transporteve, teksa përdorin pronësinë e medias për të reklamuar biznesin e tyre dhe pse jo për të ndikuar indirekt apo direkt media në fuqizimin e këtij biznesi. Një tjetër burim të ardhurash janë reklamat nga biznesi, apo njoftimet e vdekjeve dhe përvjetorëve, të cilat 2 media në qytet i kanë burim konstant dhe të pandërprerë të ardhurash prej thuajse 20 vitesh. Kujtojmë se fushatat elektorale janë një burim i padeklaruar të ardhurash, pasi subjektet politike apo kandidatet paguajnë për hapësirën e tyre televizive apo për spote elektorale”, tha një gazetare lokale e Shkodrës.

Ndërsa i pyetur për fondet në Tv Kukësi, një gazetar lokal i tha Portës Vendore se: “Media këtu jeton me lëmoshë dhe me fondet që mbledh kur pushteti vendor ka ndonjë fushatë promocioni, ndërsa gazetarët kanë frikë nga të fortët”.

Informacioni, gazetarët dhe pushteti vendor

Por sa i aksesueshëm është informacioni kur flasim për mediat lokale nga vetë gazetarët. Në këtë pikë gazetarët, me të cilët Porta Vendore kontaktoi ndahen në mendime.

Në Shkodër pushteti vendor ka zyra shtypi ku gazetarët i drejtohen për marrjen e informacionit apo kërkesës për intervista në sektorë të ndryshëm. Në Bashkinë Shkodër, gazetarët e kanë gjetur formën për të siguruar informacionin përmes burimeve dhe ndërhyrjet vijnë më shumë nga linja editoriale dhe vetëcensurimi që sjell kjo, sesa nga hermetizmi i informacionit në tërësi”, tha për Portën Vendore një gazetare lokale e qytetit të Shkodrës.

Por teksa informacioni ka intensitetin e tij, së fundmi vihet re një formë thuajse burokratike e informacionit zyrtar, ku gjithçka e këtij niveli kalon nëpërmjet kërkesave për informacion.

“Gazetarët lokalë nuk e kanë të vështirë të sigurojnë informacionin e duhur, por informacioni zyrtar është shumë i ngadaltë duke iu referuar shpejtësisë me të cilën operon media vizive dhe ajo online. Ka gjithmonë ndërhyrje që synon censurimin e lajmeve, por së fundmi ka një tendencë nga pushteti vendor për të rritur presionin ndaj gazetarëve, në mënyrë që ata të vetëcensurohen”, tha Gjergj Figuri, Kryetar i Unionit të Gazetarëve për qarkun e Lezhës.

Ndërsa pavarësisht se Porta Vendore u zotua të ruante anonimatin e gazetarëve të intervistuar, sërish ekzistonte një lloj frike tek disa prej tyre, kur flisnin për pushtetin dhe median në të cilën punojnë.

“Deri tani nuk ka vështirësi për marrje informacioni kjo falë dhe kryetarit të ri, që me sa ka treguar deri tani është treguar dashamirës në raste të ndryshme kundrejt gazetarëve”, tregon një gazetar i TV Pukës për Portën Vendore. Ndërsa në Elbasan, një gazetar shprehet për informacion të cungët që jepet me kursim hera-herës nga Bashkia Elbasan dhe institucionet e varësisë.

“Çdo media lokale ka editorialin e vet dhe redaksitë përkatëse gjithashtu, ka lajme që disa media i japin e disa të tjera jo. Por duhet pranuar fakti që vështirësi ka, pasi jo çdo institucion vendor mund të të japë informacion”, tha gazetari nga Elbasani.

Gazetarët në këto 6 muaj u përballën me dy periudha shumë të vështira, të cilat ishin njëra pas tjetrës, tërmeti i 26 nëntorit dhe pandemia nga Covid 19.

Në raport me marrjen e informacionit nga pushteti vendor dhe institucionet e tjera, në varësi të tematikës dhe specifikave të çështjes, gazetarët hasin dhe vështirësi jo të pakta. Ka hezitim, ”neglizhencë” të qëllimshme dhe më e keqja është vonesa e dhënies së informacionit të kërkuar zyrtar, duke cenuar shpesh një nga elementët bazë të informimit të publikut, koherencën, përcjelljen në kohë të informacionit dhe raportimin e temave të caktuara. Nuk mungojnë as ndërhyrjet. Madje së fundmi vihet re dhe tendenca e personave të caktuar pranë pushtetit vendor për të diktuar dhe ndryshuar qasjen e perceptimit të gazetarit mbi realitetet në komunitet, në varësi të interesit të pushtetit”, shprehet Vali Qyrfyçi, Kryetare e Unionit të Gazetarëve për Qarkun e Durrësit.

Megjithatë ajo çfarë shqetëson gazetarët edhe më shumë, janë marrëdhënie e punës dhe respektimi i kontratave nga vetë pronarët e mediave lokale.

Të drejtat e punës për gazetarët janë çështje të lirisë së medias dhe demokracisë. Në mënyrë që të mos cenohet pavarësia dhe paanshmëria e tyre, gazetarët duhet të kenë kontrata të rregullta pune, të cilat të ofrojnë mbështetje, mbrojtje shoqërore, po dhe kur kontratat ekzistojnë, ato janë më së shumti fiktive dhe nuk e ofrojnë mbrojtjen e dëshiruar. Për sa i përket kontratave të punës dhe pagimit të sigurimeve shoqërore-shëndetësore, situata, ashtu si në të gjithë vendin edhe në Durrës paraqitet e paqëndrueshme. Ka gazetarë të siguruar, ashtu siç ka dhe të pasiguruar. Profesioni i gazetarit është shumë stresues, kërkon volum dhe cilësi të lartë pune, ndërsa paguhet pak. Edhe kur kontratat ekzistojnë, ato shpesh janë formale dhe nuk reflektojnë kushtet reale të punës, pagën reale, nuk respektohen pushimet vjetore të përcaktuara në to etj”, tha Vali Qyrfyçi, duke vijuar se e gjithë kjo problematikë, nuk ka ende një zë të fuqishëm nga gazetarët dhe për gazetarët. E njëjta gjë ndodh, sipas Figurit, edhe në Lezhë. “70% e gazetarëve të Shkodrës janë të siguruar ndonëse nuk kanë firmosur një kontratë pune. Pjesa më e madhe ka vite që punon në media, ndërsa ata të cilët janë të pasiguruar janë kryesisht persona që shihen si të përkohshëm në atë media, si psh studentë apo persona të dypunësuar në shtet ose privat”, tha një tjetër gazetare që punon një nga televizionet lokale të qytetit të Shkodrës. Në Kukës gjithashtu situata paraqitet shqetësuese nga vetë gazetarët, të cilët punojnë totalisht në të zezë, pa kontrata pune dhe pa sigurime.

Media lokale dhe censura

Nëse pronarët e mediave janë biznesmenë, natyrshëm mund të jenë më të prirë të diktojnë politikat editoriale, ndërsa tek gazetarët censura apo autocensura është më e dukshme. Disa gazetarë, të cilët për arsye të ndryshme dëshirojnë të mbeten anonim, treguan për Portën Vendore se në mediat lokale censura dhe autocensura janë pjesë të punës së tyre. Ata tregojnë (pasi raportojnë dhe për mediat kombëtare) se të njëjtin lajm që e bëjnë për mediat kombëtare nuk mund ta bëjnë për mediat lokale, apo dhe e kundërta.

“Në median lokale jemi edhe ne të rezervuar sepse nuk duam t’i bëjmë keq qytetit ku jemi kupton, psh për sezonin turistik sepse e vras qytetin. Nuk kemi ndonjë problem që të na pengojnë nga bashkia ose ndonjë gjë tjetër. Por jemi edhe pak të ndjeshëm, se në fund të fundit qyteti me këtë turizëm mbahet”, tha një gazetare e Vlorës, e cila gjithashtu raporton për mediat kombëtare. “Unë gjithashtu punoj për një televizion kombëtar, dhe atje psh më thonë që këtë lajm nuk e nxjerrim”, tha ajo. Të njëjtin mendim ndan edhe kolegu i saj, i cili me mbylljen e Tv lokal ku punonte deri para shfaqjes së pandemisë, tani ka mbetur vetëm me një nga punët e tij, ku raporton për qytetin e Vlorës në një nga televizionet informative.

Por situata duket gjithandej e njëjtë, këtë e përforcojnë më shumë edhe gazetarët që punojnë në mediat lokale në veri të vendit.

Median lokale e njohin si media jo kritike, edhe ngaqë merret vetëm me lajmet lokale dhe këto kanë qenë gjithmonë në varësi të bashkive. E shohim që media lokale shpesh është përdorur si të thuash, si një hallkë për t’i mbrojtur më tepër. Në median lokale unë kam punuar vetë gjatë edhe nuk është ajo liri, sepse nuk dëgjohesh kur vjen fjala edhe nga vetë pronarët”, thotë një gazetar i një televizioni lokal në një qytet në veri të vendit. “Unë bëj një lajm për televizion kombëtar (ku punon gjithashtu si korrespondent) nuk e bëj dot për televizionin lokal”, thotë gjithashtu gazetari për Portën Vendore.

Të tjerë dëshmojnë fuqinë e pakët e gjithnjë në zbehje që ka media lokale sot përballë pushtetit vendor.

“Tv Lezha vijon të jetojë me të ardhura të pakta që vijnë nga shërbimet që kryen ajo (lajmërime vdekje ose ndonjë reklamë). Asnjë nga këto media nuk merr para nga pushteti vendor. Për shkak se media lokale në Lezhë funksionon pak, atëherë dhe frika është e vogël sepse i vogël është edhe prezantimi i problematikave që do të sillte shqetësim për pushtetin vendor. Portalet janë më shumë të lira dhe reflektojnë pikëpamjet e tyre, duke pretenduar se ai është realiteti”, tha Gjergj Figuri, Kryetar i Unionit të Gazetarëve për Lezhën.

Isaku është një nga pronarët më të vjetër të një televizioni lokal në Shqipëri. 22 vite më parë ai themeloi Tv Bulqiza, një televizion i vogël lokal që transmeton në Qarkun e Dibrës. Sot, Tv Bulqiza vijon ende të ketë transmetim lokal, ndërsa Edmond Isaku është zgjedhur dhe Kryetar i Shoqatës së Mediave Lokale. Ai tregon për Portën Vendore se pse media lokale ka humbur lirinë e saj. Sipas tij, faktori financiar është dhe mbetet kryesori.

“Problemi i televizioneve lokale, jo se nuk ka pasur fuqi shteti t`i fusë në xhep, por ndoshta nuk i ka interesuar shumë në krahasim me televizionet në Tiranë. Televizionet lokale janë lënë në harresë, janë braktisur nga shteti. Pjesa e reklamës shtetërore që jepet sipas zonave të mbulimit nuk është dhënë asnjëherë. Se edhe këto që e mbajnë veten për kombëtare janë lokale. Shteti iu ka rënë në qafë televizioneve lokale, duke mos u dhënë pjesën që u takon, ua ka vështirësuar jetën. Ka bërë politikën e eliminimit”, thotë Isaku. Ai shton se kjo ka qenë strategji për të çuar drejt falimentimit median lokale.

Por, nëse reklama shtetërore është vetëm një aspekt, mekanizimi shtetëror për të kontrolluar median lokale duket më i sofistikuar. Sipas pronarëve të televizioneve, dixhitalizimi ka qenë një mekanizëm i përdorur nga shteti për të kontrolluar mediat lokale. Edmond Isaku, zbërthen atë që ka ndodhur me televizionet lokale prej nisjes së dixhitalizimit. Sipas tij, monopolizimi i frekuencave nga Televizioni Publik Shqiptar, duke i detyruar kanalet lokale të futen në këtë platformë, dashur pa dashur i ka vënë nën kontroll. Arsyeja, sipas Isakut, është e thjeshtë, “nëse ju flisni kundër qeverisë, të ndërpritet sinjali televiziv”.

Dixhitalizimi që u bë, duke i dhënë televizioni publik miliona euro, tarifat që u vendosën etj, u thanë mediave lokale që ne nuk ju heqim, por ju futuni te platforma e TVSH. Kjo ka qenë një strategji për t’i eliminuar komplet televizionet lokale. Kjo platforma shtetërore të ka në dorë, se të thotë ‘nëse flet ndaj qeverisë, hiqja sinjalin’. Dhe kështu të lë pa sinjal. Kjo është një strategji për ta komanduar pa shpenzime. Në Tiranë i komandon (televizionet) se shpenzon dhe u jep para, u jep tenderë, kurse këtu nuk shpenzon. Ne na fik sinjalin, na heq zërin”, thotë kreu i Shoqatës së mediave lokale.

Këtë gjë e konfirmoi dhe pronari i një televizioni në jug të vendit, i cili thotë se vetëm pak media kanë mundësi të përballojnë tarifat e dixhitalizimit. Sipas tij, shteti u ka hequr të drejtën e pasjes së frekuencave të tyre mediave lokale, ndonëse kjo ka qenë një e drejtë ligjore dhe e parashikuar në procesin e dixhitalizimit.

“Shikueshmërinë sa e kam pasur me valë nuk mund ta kem me kabllor, je i privuar për punën e reklamës, për emisionet. Psh defekti më i madh në vend është tani se në rrethin, qarkun e Vlorës ishte ligji që mund të jepej një frekuencë për çdo qark, të mblidheshin 4-5 televizione. Këtë proces, ne e kemi realizuar dhe ata e kanë lënë pa frekuencë”, tha pronari i një televizioni në Sarandë.

Por, për t`i shpëtuar ‘thundrës’ së kontrollit shtetëror, disa media lokale kanë zgjedhur që të futen në platforma private si rrjete kabllore apo dixhitale, duke shmangur frekuencat e transmetuesit publik. Kështu thotë drejtuesja e TV Rozafa në Shkodër, që pavarësisht se në këtë qark është ndërprerë procesi i dixhitalizimit për shkak të situatës nga Covid, tregon se për ta ky nuk është problem sepse kanë gjetur zgjidhje alternative edhe pse me kosto.

“Aktualisht në Shkodër është shtyrë procesi i digjitalizimit për shkak edhe të situatës Covid-19, kështu që ne akoma nuk kemi parë procedurat. Pavarësisht këtyre, ne jemi në shumë platforma dhe nuk e kemi këtë problem. Te platformat që jemi ne paguajmë, ose kemi kontratat tona”, tregon ajo.

Artur Rustemi, pronari i një televizioni lokal në Fier, i cili pak ditë më parë foli për Portën Vendore për krizën e medias lokale nga Covid19 tregon një tjetër anë të medaljes. Si një televizion i vjetër në treg, Tv Apollon ka kaluar shumë pushtete lokale e qendrore. Rustemi thotë se nuk ka pasur të tilla vështirësi apo presione, pasi shtrirja e transmetimit të televizionit të tij është rajonale. Kjo, sipas Rustemit i ka dhënë privilegjin të ketë më shumë pavarësi se mediat e tjera.

Unë kam privilegjin që jam rajonal, dhe sot shikohemi në të gjithë Shqipërinë, mos të them në gjithë botën, por në të gjithë Shqipërinë po. Nëse unë kam direkt interes apo rreziqe nga pushteti lokal i qytetit tim, e le këtë mënjanë dhe kam 6 bashki të Fierit që nuk më pengon asgjë që ata të dalin e të mbajnë përgjegjësi në ekran, t’i japin llogari popullit. Është e vetmja armë e demokracisë që do të vdesë e fundit, nuk kanë fuqi ata që të na blejnë ne”, thotë ai. Por, dixhitalizimi, sipas tij ishte fillimi i fundit për shumë media lokale nga të gjitha pikëpamjet.

“Media lokale ka marrë goditje me ligjin e digjitalizimit. Ajo është groposje pasi me digjitalizimin, me një fjalë nga demokraci që të liberalizohesh, më shumë e mbyllën”, thotë Artur Rustemi për Portën Vendore.

Por duket se ka dhe një faktor tjetër që ka zbehur rolin e Televizioneve Lokale, portalet. Njazi Sako, administrator i Channel 7 në Gjirokastër tregon se tashmë është e kot të investosh në televizion lokal. “Futja e këtyre portaleve e ka zbehur një çikë dhe e anashkalon fare median lokale, sa ndonjëherë i themi vetes pse paguajmë kaq shumë detyrim te AMA. Është e kotë fare të paguash. Paguaj për të drejtën e autorit, paguaj për të blerë filma, telenovela, dokumentarë ose të prodhosh të bësh emisione, në një kohë kur të tjerët sulmojnë pa asnjë lloj detyrimi”, thotë ai.

Censura dhe autocensura sipas ekspertëve

Pronarët e televizioneve konfirmuan se faktori ekonomik është vendimtar në lirinë e medias. Këtë mendim e ndajnë dhe ekspertët. Ramadan Çipuri, profesor dhe studiues i mediave, pak kohë më parë ka bërë një studim për format e censurës dhe lirisë së medias në Shqipëri, duke përfshirë mediat lokale. Për Portën Vendore ai tregoi gjithashtu se faktori ekonomik është i rëndësishëm për të pasur liri, por shton edhe interesat e tjera të pronarëve.

“Shqetësimi im për mediat lokale nis që me qëllimin e hapjes së tyre nga pronarët që i administrojnë. Nga kontaktet që kam pasur me drejtues dhe pronarë të mediave lokale jashtë Tiranës, kam vënë re se në një pjesë e konsiderueshme e tyre janë ose zgjatime të bizneseve të caktuara, ose media që nuk kanë një synim të qartë për të vijuar me misionin që u takon. Në këto kushte, liria e mediave lokale është shumë më e kufizuar se ajo e mediave kombëtare. Arsyeja e parë është se mediat lokale sot janë të pafuqishme për të mbijetuar financiarisht. Atyre iu mungojnë reklamat, produksionet, stafi i specializuar, e shumë elementë të tjerë që mund të krijonin alternativa për burime financiare. Në këto kushte, ato detyrohen të bashkëpunojnë me aktorë të jashtëm, qofshin këto biznese, grupe të ndryshme interesi, apo edhe politikë. Së dyti, në vende të vogla, sidomos në qytetet shqiptare, ekziston një problem i madh që ka të bëjë me njohjet e njerëzve me njëri-tjetrin, rrjedhimisht edhe me lidhjen e interesave të tyre, por edhe të aktorëve të ndryshëm shoqërorë. Duke qenë kështu, media lokale e ka të vështirë të investigojë në çështje që prekin interesat e ngushta të individëve, por që cenojnë interesin publik”, thotë Profesor Çipuri.

Ai evidenton dhe një tjetër element, të konfirmuar nga gazetarët e intervistuar nga Porta Vendore. Shpesh është më e lehtë të pasqyrosh një problematikë të një qyteti në mediat kombëtare, sesa në mediat lokale. “Kur bëhet fjalë për komunitete të vegjël, në Shqipëri dihet fakti se si krijohen lidhjet midis qytetarëve dhe aktorëve të ndryshëm shoqërorë. Nga kontaktet që kemi zhvilluar me gazetarë dhe drejtues të mediave lokale, shpesh herë pohohet se pasqyrimi i problematikave lokale është më i lehtë të bëhet në mediat kombëtare, se sa në ato lokale. Në shumë raste evidentohen edhe kërcënime ndaj gazetarëve apo drejtuesve të këtyre mediave, të cilët marrin përsipër të pasqyrojnë një problematikë të qytetit”, shpjegon ai.

Çipuri tregon se mediat lokale janë nën kontroll të pushtetit lokal në qytetet ku ato operojnë, çka sipas tij e vështirëson shumë punën e tyre për të raportuar në mënyrë të pavarur. “Në shumë raste, ata vetë nuk kanë mundësi të luajnë rolin e tyre si media dhe të monitorojnë qeverisjen vendore, por edhe afera të ndryshme që mund të ndodhin në aktorë të ndryshëm social. Nga ana tjetër, ata bëhen palë me qeverisjen vendore dhe borizan i aktiviteteve të bashkive në qytetet ku operojnë”, thotë ai.

Këtë fakt e pohon dhe Edmond Isaku, kreu i Shoqatës së Mediave Lokale, që sipas tij 20% e mediave kanë bërë kompromis me pushtetin lokal. “Personalisht nuk e kam vrarë mendjen për atë punë. Por në përgjithësi, 80% e mediave lokale nuk kanë rënë në grackën e kësaj strategjie, 20 % dihet që kanë përfituar ndonjë gjë, e kanë gabim dhe ato sepse do digjen. Kështu është”, tha ai për Portën Vendore.

Sipas Aleksandër Çipës, TV-të lokale që kanë shërbyer si gjobëvënës apo u kanë shërbyer interesave të pronarëve duhet të mbyllen dhe në treg të qëndrojnë vetëm ato që i shërbejnë qytetarëve.

“Është e natyrshme që do mbyllen ato media, të cilat funksionojnë mbi bazën e informalitetit dhe kanë ekzistuar si mjete gjobëvënie në shoqërinë e këtij vendi. Por ne po flasim për disa media të cilat kanë krijuar shkollën e tyre, kanë krijuar përvojat profesionale dhe i karakterizon nga kredoja e të qenit misionar i informimit dhe jo misionar i shërbesave individuale të pronarit. Ne jemi për këtë gjë. Do thuash ti, po si ndahet kjo nga besueshmëria te publiku dhe nga besueshmëria tek audienca? Çdo njeri i përshtatet mundësisë dhe të themi situatës së tregut sepse edhe kjo është një situatë kalimtare, nuk do të jetë e përhershme”, tha Çipa.

Për gazetarin dhe ekspertin e medias, Lutfi Dervishi, te gazetarët ka autocensurë, pasi nuk guxojnë të investigojnë aty ku ka interesat pronari. Sipas tij, që të garantohet liria e medias duhet të ketë një ambient që ta garantojë këtë. “Liria e medias do të thotë që gazetari e përdor lirinë me përgjegjësi, pa e barazuar me lirinë e shprehjes. Që të jetë i lirë gazetari nuk duhet të censurohet, vetëcensurohet dhe të marrë vendimet vetëm bazuar mbi ndërgjegjen profesionale. Që media/gazetari të jetë i lirë duhet që të ketë një ambient që e garanton dhe mbështet lirinë e medias. Më shumë gazetarët kanë vetëcensurë, pra nuk u shkon në mendje të shkruajnë/investigojnë, jo vetëm aty ku pronari ka bizneset e veta, por dhe aty ku mendojnë se janë interesat e pronarit. Mungesa e gazetarisë kritike/investigative flet për praninë e censurës/vetëcensurës”, tha Lutfi Dervishi për Portën Vendore.