Ngjarje/Personazhe

“Plaku dhe Deti” dhe peshkatarët në Tale të Lezhës

2 maj 2020/ Gjergj Figuri/ Porta Vendore/ Lezhë

“Plaku dhe deti” është historia e romanit te Heminguejit, që e rikthyer në kohët e sotme do të përshtatej më së miri me historinë e peshkatarëve në Tale të Lezhës. Beteja e tyre nuk është për të sjellë në breg peshkun më të madh, që do të vendoste edhe për madhështinë e profesionit të tyre, por sot ata përballen me pamundësinë për ta shijuar detin dhe gjuetinë si zakonisht. Prej më shumë se një muaji e gjysmë, ata e kanë ndërprerë aktivitetin e tyre për shkak të Covid 19. Lundrimi në kërkim të peshkut, tani janë vetëm histori tavolinash dhe dëshirë për të folur për një zanat që ata e dashurojnë, në çdo periudhë dhe pavarësisht gjithçkaje.

Pas 36 viteve të kaluara në det duke peshkuar, Arben Preçi, tani mund të përdorë vetëm kallamat për një kohë jo më shumë se 2 orë, për t’u çmallur me zanatin që nuk e la për asnjë moment. Në breg të detit është takuar edhe me një tjetër koleg, me të cilin flasin për peshkun dhe për momentet e kaluara në det. Shpejt kjo temë mbyllet sepse shqetësimet janë më të mëdha dhe nevoja për të përballuar jetesën është më e rëndësishme. Krahas fitimit të munguar, këta peshkatarë po dëmtohen edhe për shkak të amortizimit të materialeve të peshkimit.

Arben Preçi tregon se janë më shumë se 1 milion lekë të reja material peshkimi, rrjeta e varka, që qëndrojnë në breg të detit dhe se rëra ka filluar ti mbulojë ato. “Nëse ato nuk futen në det, agjentët atmosferikë, dielli dhe rëra do t’i nxjerrin jashtë funksionit dhe nuk kemi se çfarë të bëjmë”, thotë Preçi nën një mërzi të plotë, duke shtuar se gjithçka që ata kanë pasur, prej një muaji qëndrojnë të paprekura, dhe pamja e rërës mbi to e tregon diçka të tillë.

Peshkatari Arben Preçi duke parë materialet e peshkimit. Foto: Gjergj Figuri

Sytë e humbur në thellësi janë një mundësi e mirë për këta peshkatarë që të çmallen me kaltërsinë që u falte deti dhe dëshirën e tyre për të zënë peshk, ashtu si prej shumë vitesh. Karantina nuk e ka kursyer edhe këtë sektor. Bllokimi i lëvizjes dhe mbyllja e restoranteve ka bërë që peshkatarët në Tale të mos kenë zgjidhje për të vijuar punën. Atyre nuk u lejohet që të lëvizin me mjete për të shkuar në breg të detit, dhe nga ana tjetër asnjë blerës nuk mund të vijë në kohën kur barkat e tyre dalin, që të kenë mundësi për të blerë.

“Mua më thonë të mos dal sepse do të gjobitem, por në fakt nuk del asnjë nga peshkatarët e tjerë. Më parë blerësit na merrnin në tel dhe ne shisnin ende pa zënë asgjë, por sot askush nuk na telefonon më sepse edhe ata nuk munden që të lëvizin. Blerësit tanë ishin kryesisht familjarë dhe restorante të vegjël, ndaj mbyllja si pasojë e Covid 19 e mbylli menjëherë edhe sektorin e peshkimit”, tregon ai.

Restorantet që më parë furnizoheshin tek këta peshkatarë tani kanë marrë pluhur dhe dyert e tyre janë të kyçura. Kjo pamje i trishton peshkatarët në Tale. Familjet e tyre nuk kanë më të ardhura dhe askush nuk di të thotë se çfarë dhe kur do të ndodhë lëvizja normale, që do tu mundësonte atyre rikthimin në punë. Preçi sjellë në kujtesë vështirësitë e tij:

“Unë me këtë punë mbaj familjen prej 6 anëtarësh, që tani nuk ka më të ardhura. Aktualisht po konsumojmë rezervat e akumuluara nga puna që kemi bërë si peshkatar. Ato pak para të kursyera për të dërguar fëmijët në shkollë apo për çdo të papritur na u desh që t’i përdorim tani. Nuk është aspak e thjeshtë që të përballosh 4 fëmijë në shkollë dhe plotësosh nevojat që ka familja sepse peshkimi artizanal nuk ka shumë para. Ne që vazhdojmë këtë profesion, kemi më shumë pasionin sesa impaktin e fitimeve. Nëse kjo situatë vijon gjatë, do të ndodhemi përballë vështirësitë edhe për të siguruar ushqimet bazë dhe do të jemi pjesë e mbështetjes me ndihma”, tha ai i trishtuar.

Peshkatarët në Tale të Lezhës. Foto: Gjergj Figuri

Peshkatarët që bëjnë gjueti artizanale në Tale të Lezhës janë të bllokuar nga masat e marra për të parandaluar përhapjen e  Covid 19. Duke iu referuar kësaj bllokade për ta, Arben Preçi, kërkon që të rishikohet edhe mbështetja e këtij sektori ose lehtësia për lëvizjen e kësaj kategorie dhe blerësve kryesisht. Ata kanë paguar detyrimet që i kanë shtetit dhe kjo është mënyra e vetme që ata kanë për të përballuar jetën. Përfshirja e tyre në paketat e qeverisë për të mbrojtur edhe këtë kategori nga situata e krijuar, shihet si alternativa më e mirë për momentin, duke shtuar se duhet krijuar lehtësi lëvizjesh dhe qarkullimi të mallit.

Varka e Arbenit në pritje të rinisjes së punës normale. Foto: Gjergj Figuri

Në këtë rast, peshkimi artizanal duket si më i ndëshkuari, pasi po përballet vetëm me humbje dhe ende nuk ka asnjë përgjigje se çfarë do të bëhet me këtë sektor. Nevoja që edhe bashkia të mendojë për ndërtimin e një markate peshku është kërkesa që shtrojnë në këtë situatë peshkatarët, pasi do të ndikonte në ecurinë pozitive të këtij sektori.

Arben Preçi  është vetëm një prej 14 peshkatarëve të zonës së Tales, që tani kanë mbetur pa punë dhe pa të ardhura.