Vëzhgim/Analizë

Saga e të papunëve, në 30 ditë humbin punën 61 mijë persona

1 maj 2020/ Ornela Manjani/ Porta Vendore/ Tiranë                                             

Kur u duk se plaga e papunësisë në Shqipëri po shërohej, pandemia globale e Covid 19 mbërriti edhe në vendin tonë. Tremujori i fundit i vitit 2019 shënoi numrin më të ulët të papunëve në 20 vitet e fundit. Niveli i papunësisë zbriti në 11. 2%. Por tremujori i parë i vitit 2020 riktheu krizën më të madhe të papunësisë në vend. Në vetëm 30 ditë kanë humbur vendin e punës 61 mijë persona duke rritur papunësinë në vend me 37 %. Largimet masive nga puna erdhën për shkak të situatës së diktuar nga pandemia Covid 19.

Në 1 maj e njohur si dita e punëtorëve, e ka gjetur Tiranën pa protesta e manifestime nga ata vetë, ndërsa tek-tuk rrugëve e shesheve të kryeqytetit syri të zë punëtorë krahu ose mjeshtra që punojnë në të zezë edhe pse në kohë pandemie. Më të paktë në numër dhe me frikë nga policia ku herë pas here bën thirrje për shpërndarje të qytetarëve dhe shmangie të grumbullimeve në ambientet publike, ata kanë pikat e tyre, “Ushtari i panjohur” por edhe “Sheshi Shqiponja” janë dy nga stacionet e tyre të kahershme, në përpjekje për të ushtruar punën në të zezë, të keqpaguar e në pritje të ndonjë pune që do ti japë ca ditë bukë.

Prenga është nga Lezha. Ai ka 10 vite në Tiranë që punon si punëtorë krahu. Del edhe në këto ditë të vështira me shpresën se dikush do ti vijë ta marr për ndonjë rregullim ose merementin në shtëpi. Por ditët e punës sipas tij, janë gjithnjë e më të vakta, ku koronavirus ka shkaktuar krizën e saj edhe në sektorin e punës në të zezë.

“S’kam shkollë. 8 klasë kam mbaruar, por jam mjeshtër i ndërtimit, shtrim pllaka, hamall varet çfarë pune gjej, por i bëj të gjitha. Këto 2 muaj jemi shumë keq, pasi koronavirusi na izoloi. Tani kam nja 1 javë që dalë me copa por kthehem prapë duarbosh në shtëpi, pasi mesa duket askujt nuk i shkon mendja që të rregulloj shtëpinë në këtë kohë krize, edhe punët që kemi pas në dorë kanë ndalur. Shoh që shumë lokale e dyqane po përfitojnë nga rasti i karantinës për të bërë ndryshime ose riparime të ndryshme në strukturat e tyre, por s’na marrin neve ata sepse punojnë me skuadra e firma të certifikuara”, tregon i trishtuar ai, teksa bën që të ndezë një cigare, të fundit që ka. “Nuk po na del ndonjë punë as për të çuar një copë bukë në shtëpi e me heq paketën e cigares, ndërkohë që shpresa tek paketat e qeverisë nuk kam pasur fare. Ne jemi anonim, të lënë në harresë, pasi nuk figurojmë asgjëkund si të punësuar. Do të doja vetëm që kjo situatë të mbarojë sa më shpejt e njerëzit ti rikthehen rutinës siç kemi qenë më parë, duam të hamë bukë edhe ne, se nga shteti s’po presim që s’po presim gjë”, tha Prenga, ndërsa thekson se për të s’ka data në kalendar. “1 maj është njësoj si çdo ditë tjetër, jo vetëm këtë vit që kemi koronavirusin nëpër këmbë por gjithnjë. Unë kam protestuar duke dal çdo ditë në punë e duke menduar për familjen, kam dalë edhe në ditët festat kur është dashur”.

Prenga tregon se nuk ka frikë nga Covid 19, dhe se do të vijojë të dalë çdo ditë tek “Ushtari i Panjohur”, pa e humbur shpresën se e nesërmja do të jetë ndryshe.

1maj dhe papunësia në Shqipëri

Qindra ndërmarrje kanë hequr nga skema e sigurimeve punonjësit e tyre, ose po mbyllin aktivitetet, duke rrezikuar shtimin e ndjeshëm të numrit të të papunëve në vend. Shifrën për largimin e të papunëve gjatë periudhës së pandemisë e ka bërë të ditur për mediat drejtoresha e Përgjithshme e Tatimeve Delina Ibrahimi, e cila beson se pjesa më e madhe e personave që humbën punën për shkak të karantinimit mund të rikthehen sërish në vendet e tyre të punës pas kapërcimit të kësaj situate. “Ne kemi bërë një kalkulim të përgjithshëm të atyre që kanë dalë nga skema e sigurimeve shoqërore, të cilët do të mbështeten nga paketat. Deri në datën 10 prill ky numër ka qenë rreth 57 mijë, janë njerëz të cilët kanë përfituar nga paketa e parë, pasi ajo mbështeste jo vetëm të punësuarit aktual, por edhe të punësuarit e larguar nga skema për shkak të Covid-19. Pas 10 prillit, janë regjistruar edhe 4 mijë punonjës të tjerë të larguar duke e çuar numrin e përgjithshëm në 61 mijë”, sqaron ajo . Sipas të dhënave të INSTAT, që i referohen Anketës së Forcave të Punës, në fund të vitit 2019 në vend kishte rreth 160 mijë të papunë. Tremujori i parë i 2020, i ndikuar kryesisht nga muaji mars shtoi numrin e të papunëve me 61 mijë persona, duke e çuar numrin e të pa punëve në vend deri në 20 prill në 221 mijë persona, me një rritje prej 37%, në krahasim me fundin e 2019-s.

Eksperti i ekonomisë Sherefedin Shehu në një intervistë për Portën Vendore pohon se rritja e papunësisë në vend nuk është lidhur vetëm me situatën e pandemisë, por edhe me strukturën e ekonomisë shqiptare. “Papunësia është rezultat i rënies ekonomike nga mungesa e reformave strukturore si edhe ndikimi i tërmetit dhe pandemisë”, thotë Shehu. Në lidhje me rritjen e nivelit të papunësisë me 37 % në një hark të shkurt kohor, ish-anëtari i Komisionit të Ekonomisë vlerëson se ky tregues është edhe më i lartë po të merren në konsideratë të gjithë zhvillimet e kësaj periudhe. “Kjo shifër e papunësisë, është edhe më e lartë po të kemi parasysh nivelin e lartë të punësimit informal dhe të pa raportuar në shifrat zyrtare”, shpjegon Shehu. Ndërsa në lidhje me ndikimin e pandemisë në nivelin e lartë të papunësisë Shehu thotë se “Pandemia e ka përshpejtuar rritjen e papunësisë e cila kishte filluar, nga ulja e rritjes ekonomike dhe ndikimi i tërmetit. Pandemia gjithashtu ka detyruar një kategori biznesesh që të mbyllen dhe ka reduktuar kapacitetet e bizneseve të tjera. Këto të fundit kanë humbur klientelën ose atyre ju është ndërprerë zinxhiri ekonomik si rezultat i mbylljes së tregjeve apo kufizimeve të bizneseve të tjera. Edhe struktura e konsumit ka ndryshuar duke u përqendruar në nevojat bazë të jetesës dhe hequr dorë nga mallrat e tjerë të konsumit. Ky fenomen duket qartë në bizneset e hapura javën e fundit të cilëve duket se ju mungojnë konsumatorët”, shprehet eksperti Shehu për Portën Vendore

Por si mund të ulet niveli i papunësisë në vend? Stimulimi i bizneseve duhet së është zgjidhja e vetme për të rritur punësimin në vend. “Ulja e papunësisë luftohet vetëm me stimulimin e biznesit apo e thënë më thjesht me hedhjen e parave në qarkullim. Dhe kjo nuk bëhet me shpërndarje të parave fizike por me një plan real të mbështetjes së bizneseve nga qeveria si edhe me ndërmjetësimin e sistemit bankar. E thënë ndryshe duhen programe mbështetje të cilat injektojnë para në ekonomi dhe ato realizohen nëpërmjet një mbështetje me grante dhe kredi nga buxheti i shtetit. Edhe mbështetja e qytetarëve e nxit zhvillimin e biznesit, sidomos ato biznese që prodhojnë dhe shesin mallrat e nevojave të domosdoshme”, thotë Shehu.

Respektimi i të drejtave të punëmarrësve sidomos në sektorin privat ka qenë vazhdimisht në rrezik. Me një të rënë të lapsit, punonjësit janë larguar nga puna thuajse në çdo kohë, pasi në pjesën më të madhe të rasteve nuk nënshkruhen kontrata, që rregullojnë marrëdhëniet mes palëve. Pandemia nxori më shumë në pah mungesën e kontratave dhe respektimin e tyre. Gjatë kësaj periudhe punonjësit janë njoftuar thjeshtë me një mesazh për ndërprerjen e marrëdhënieve të punës, pa paralajmërim. Në lidhje me këtë fenomen Sherefedin Shehu thotë se në këtë situatë është detyrë e qeverisë të mbrojë qytetarët. “Edhe mund të ketë abuzime, në lidhje me largimet nga puna, por në këtë situatë është detyrë e qeverisë që të mbrojë qytetarët, përfshirë edhe të punësuarit. Bizneset janë plotësisht të justifikuar që të prishin kontratat me të punësuarit dhe mbrohen nga klauzola e ‘forcës madhore’ mbasi jemi në situatë të jashtëzakonshme. Por ndërkohë bizneset nuk janë të interesuara që të humbin fuqinë punëtore të kualifikuar. Prandaj duhet bashkërendim i qeverisë me bizneset që ata të mos aplikojnë prishjen e kontratave të punës por të mbështeten financiarisht për të mbajtur në punë fuqinë e tyre punëtore”, argumenton eksperti i ekonomisë Sherefedin Shehu .

Shoqëria civile dhe papunësia

Porta Vendore kontaktoi mbi këtë çështje edhe me Edison Hoxhën ekspert i çështjeve të punës pranë Qendra për të Drejtat në Punë CLR, një organizatë e specializuar për të drejtat në punë në Shqipëri. Ai tregon situatën e vështirë që po kalojnë punonjësit e sektorëve të fasoneritë, call-centerit, ndërtimi e minierës gjatë pandemisë së Covid 19. Virusi i ka shkaktuar jo pak dëme punonjësve të këtyre sektorëve dhe jo vetëm.

“Në sektorët privat gjendja është krejt ndryshe, e vështirë dhe nga dita në ditë nëqoftëse nuk do fillojmë të kemi një zbutje graduale të masave do të përkeqësohet edhe më shumë dhe do ketë pasoja të paparashikueshme për punonjësit dhe punësimin në vend. Sektorët privatë janë cenuar masivisht nga Covid 19 dhe mijëra punonjës kanë mbetur pa marrë pagën e tyre, qoftë edhe pagën minimale apo edhe pa mbështetje financiare nga paketat financiare të qeverisë. Sidomos të prekur janë punonjësit në fasoneri, shërbime tregtare e call center, që janë në listë pagesat e punëdhënësve por nuk janë paguar për shkak se puna është pezulluar dhe nuk kanë përfituar as nga paketat financiare të qeverisë”, Edison Hoxha nga Qendra për të Drejtat në Punë – CLR. Hoxha tregon se gjatë kësaj kohe kanë ofruar asistencë ligjore dhe përfaqësim ligjor falas për çdo punonjës që i është shkelur e drejtat në punë.

 “Ne jemi duke këshilluar dhe asistuar punonjës të cilëve nuk u jepet paga, nuk u sigurohen kushtet normale të punës, largohen padrejtësisht nga puna, kanë konflikte në vendin e punës për çështje të ndryshme, si dhe informojmë punonjësit për mundësinë e përfitimit nga paketat qeveritare dhe të drejtat e detyrimet punëmarrës-punëdhënës në kushtet e pandemisë”, tha Edison Hoxha për Portën Vendore, ndërsa thekson se të drejtat e punonjësve në Shqipëri janë gjithnjë në rrezik të madh.

Sipas tij, sektorët më të brishtë përsa i përket të drejtave të punës në Shqipëri janë disa: “Fasoneria ka probleme të mëdha me shëndetin në punë të punonjësve, sëmundjet profesionale (edhe pse zyrtarisht nuk ka të dhëna të sakta për këtë), pagat e ulta, punën me orare të tejzgjatura, mosdhënien e lejeve vjetore të paguara, mospagesë të raporteve shëndetësore, gjithashtu vështirësi në kushtet e punës dhe stresin e punonjësve vihet re edhe në sektorin e Call Center-ve. Ndërsa ndërtimi është një sektor me probleme të mëdha me informalitetin, qëndrueshmërinë në pagesat e punonjësve, kushtet e punës të mangëta. Minierat kanë probleme me sigurinë dhe shëndetin në punë ndërsa sektori publik vuan nga mungesa e qëndrueshmërisë në punë dhe largimet e padrejta nga puna”, përfundoi Hoxha për Portën Vendore.

Facebooktwittergoogle_plusredditpinterestlinkedinmail