Vëzhgim/Analizë

Si kanë reaguar Bashkitë për situatën: masat dhe shpenzimet e bashkive gjatë Covid-19

30 prill 2020/ Bledi Gilaj/ Porta Vendore

Pandemia e Koronavirus ka diktuar sjelljen e të gjitha bashkive në vend sa i përket shpenzimeve, duke ndryshuar zërat për të përballuar këtë situatë, ku rezulton se pjesa më e madhe e fondeve gjatë kësaj periudhe ka shkuar për emergjencat civile,  ndërkohë që rënie të ndjeshme kanë pasur investimet për infrastrukturën rrugore.

Ku u rritën dhe ku u ulën shpenzimet e bashkive

“Bashki të Forta”, një projekt i Swiss Development Cooperation, ka bërë një pasqyrim të gjerë mbi aktivitetin e 61 bashkive në vend gjatë 7 javëve, që kur Shqipëria u izolua për shkak të Covid-19. Në raportin e fundit të saj, Bashki të Forta i ka kushtuar vëmendje edhe shpenzimeve të bashkive gjatë kësaj periudhe pandemie, ku vihen re se ku janë tkurrur dhe ku janë shtuar shpenzimet gjatë këtij muaji.

Burimi: Bashki të Forta

Sipas shifrave të publikuara nga Bashki të Forta, rezulton se shtim në shpenzime ka pasur në sektorët: Administrim, Planifikim dhe Menaxhim; në sektorin e parashkollorit dhe edukimit bazë; në shërbime publike; në Emergjenca dhe Mbrojtje Civile; në Menaxhimin e Mbetjeve dhe në Shërbime Sociale. Vlera totale e shtuar në këto sektorë rezulton se është 151 milionë e 337 mijë lekë. Ndërsa në sektorët e tjerë, si Infrastruktura rrugore, kulturë, sport, trashëgimi kulturore, uji i pijshëm, siç paraqitet dhe në tabelën më lart, ka pasur ulje të shpenzimeve në vlerën totale 148 milionë e 616 lekë. Diferenca ndërmjet programeve buxhetore ku janë rritur shpenzimet me ato ku janë ulur shpenzimet rezulton 2 milionë 720 mijë lekë. Pra, gjatë kësaj periudhe, 61 bashkitë në vend kanë rritur me 2.7 milionë lekë shpenzimet e tyre.

21 bashki rialokuan fonde për Covid-19

Situata e krijuar nga pandemia ka detyruar 1/3 e bashkive të vendit që të rialokojnë fonde për qëllim të Covid-19. Nga mbledhjet e këshillave bashkiake, 21 bashki në vend kanë rialokuar afërsisht 180 milionë lekë të reja pikërisht për Covid-19.

Nga tabela vihet re se Bashkia Lezhë ka alokuar vlerën më të madhe për Covid-19, konkretisht 83.8 milionë lekë, që përbën 46% të fondit total të alokuar nga 21 bashki. Bashkia Lezhë ndiqet me pak më shumë se gjysmën e vlerës nga Bashkia Durrës, e cila ka alokuar 45 milionë lekë për situatën e Covid-19. Ndërsa, bashkia që ka alokuar më pak para është ajo e Klosit me 343 mijë lekë.

Vetëm një bashki, ende pa mbledhur këshillin bashkiak

Një nga problemet e krijuara pas izolimit të vendit për shkak të Covid-19 ishte dhe ruajtja e distancimit social, duke vështirësuar mbledhjet e këshillit bashkiak. Duke marrë shkas nga kjo situatë e krijuar, bashkitë e vendit po asistohen dhe monitorohen në punën e tyre nga Bashki të Forta, projekt i mbështetur nga Ambasada Zvicerane, e cila në çdo javë nxjerr një raport në lidhje me funksionimin e bashkive. Në raportin javor të datës 14-20 prill evidentohet se lidhur me problemin e mbledhjeve të këshillave bashkiak, tashmë ka mbetur vetëm Bashkia Finiq, pa organizuar një mbledhje të tillë, pasi 60 bashkitë e tjera, kanë organizuar mbledhje online. Sipas të dhënave, nga këto mbledhje online të organizuara nga këshillat bashkiakë është arritur të merren 7 vendime, konkretisht 1 me skype dhe 6 me e-mail ose Whatsapp. Po ashtu është shënuar dhe një vendimmarrje me vendim qarkullues. “39 këshilla bashkiakë nga 60 kanë përdorur video konferenca (Zoom apo Skype), ndërsa pjesa tjetër përdor ende Whatsapp. Bashki të Forta ka asistuar drejtpërdrejtë 36 prej tyre në realizimin e mbledhjeve me video-konferencë. Gjithashtu Bashki të Forta ka dekurajuar përdorimin e vendimeve qarkulluese dhe po punon aktivisht me 21 këshilla të tjerë për të kaluar nga whatsapp në formate aktive me video dhe zë”, thuhet në raportin periodik të publikuar nga Bashki të Forta.

Masat e marra nga bashkitë

Bashkitë kanë marrë edhe një sërë masash për respektimin e distancimit fizik, duke shënjuar vendqëndrimet e qytetarëve në njësi të ndryshme. Bashkitë si Durrësi e Elbasani gjithashtu riorganizuan tregjet në zonat urbane, ku krijuan kushtet e masat e nevojshme mbi parandalimin e përhapjes së Covid-19.

Me fillimin e pandemisë së Covid 19 në vendin tonë, bashkitë filluan të asistonin familjet në nevojë me pako ushqimore, ku në dy javët e para të emergjencës Covid-19, bashkitë e vendit i janë përgjigjur situatës duke përdorur kryesisht fondin e emergjencës dhe atë të rezervës për të ofruar shërbime sociale-humanitare apo të dezinfektimit. “Me rritjen e kërkesës janë vënë re shkurtime të shpenzimeve të planifikuara nga fondet e destinuara për shërbime publike, kryesisht ujësjellës-kanalizime, infrastrukturë rrugore apo të ardhura të planifikuara nga një vit më parë”, thuhet në raportin e Bashki të Forta.

Aktivitet me shtrirje të gjerë nëpër bashki ka qenë dezinfektimi i rrugëve dhe i ambienteve të përbashkëta të banimit. Po ashtu, grupet e patronazhit dhe të vullnetarizmit janë të krijuara dhe funksionojnë në shumicën e bashkive të vendit . “Këto grupe kanë ofruar ndihmesë në furnizimet me ushqime, ilaçe apo edhe mbështetje psikologjike. Bashkitë përdorin forma të ndryshme për t’i ardhur në ndihmë qytetarëve, që kanë më shumë nevojë. Bashkëpunimi me institucionet e qeverisë qendrore dhe asaj lokale është i orientuar drejt vazhdimit të zbatimit të masave parandaluese të infeksionit, dhe së fundmi drejt përgatitjes për pritjen e emigrantëve të cilët do të karantinohen për 14 ditë”, thuhet në raportin e Bashkive të Forta.

Po ashtu, është ofruar këshillim psikologjik përmes rrugëve të ndryshme për fashat e grupeve në nevojë. Bashki të Forta po punon me një numër të konsiderueshëm bashkish që shërbimi psiko-social të ofrohet për grupmoshat 3-6 vjec, sipas praktikës së mirë të vënë në zbatim nga bashkia Durrës.

Aktivitete zbavitëse

Por veç këshillimit psikologjik, nuk kanë munguar në disa raste dhe aktivitetet zbavitëse. Bashki të Forta evidenton se në shumë bashki, si Lezhë, Vlorë, Klos, Dibër, Kukës, Pogradec, Përmet, Patos, Lushnje, Shijak, Ura Vajgurore, Bulqizë dhe Mat, janë organizuar konkurse që ndihmojnë të rinjtë dhe të rriturit në bashkëpunim me median lokale, apo duke zhvilluar aktivitete online nëpërmjet medias sociale dhe autoriteteve të kulturës. “Në Lezhë dhe Skrapar është shtuar dhe aktiviteti i leximit online. Biblioteka e qytetit ofron një numër librash online për shfletim”, thuhet në raportin e Bashkive të Forta.

Shërbimet publike

Megjithatë, në disa raste nuk ka munguar dhe ndihma për lloje te tjera shërbimesh publik. Konkretisht në Gjirokastër, Përmet dhe Memaliaj, bashkitë kanë ofruar transport për fermerët e vegjël që të tregtojnë prodhimet në tregjet e qytetit. Po ashtu, transport është ofruar për furnizimin me ushqime për dyqane në fshatra. “Disa nga shërbimet e tjera publike të ofruara nga bashkitë kanë qenë mbulim i shpenzimeve funerale për qytetarë pa të afërm dhe mundësi financiare; Transport falas për të sëmurët kronikë, në spitalet rajonale dhe numër telefoni të dedikuar për ata që kanë nevojë për këtë shërbim. Ndihmë për gjenerimin e autorizimeve të qarkullimit rrugor nga punonjësit e bashkisë për fermerët/blegtorët që nuk zotërojnë njohuri të teknologjisë së informacionit; Asistencë nga Zyrat e Bujqësisë për fermerët për garantimin e transportin e inputeve bujqësore si dhe koordinim me policinë duke ofruar listat e fermerëve në punë për garantimin e vazhdimit të aktiviteteve bujqësore/blegtorale”, deklarohet në raportin e Bashkive të Forta, por vihet re se këto shërbime janë ofruar vetëm në pak bashki dhe jo në të gjitha.