Ngjarje/Personazhe

Mjekët që iu rikthyen profesionit, në luftë kundër covid-19

30 prill 2020/ Elisa Gjerani/ Eljona Ballhysa/ Porta Vendore

E ndërsa i gjithë vendi vijon të qëndrojë në karantinë, disi të zbutur së fundi; lufta kundër covid-19 vijon në vijën e parë të frontit me të njëjtën forcë, përkushtim e sakrificë. Janë të shumtë mjekët e infermierët që çdo ditë përballen me armikun e padukshëm, por janë të shumtë dhe ata që dëgjuan thirrjen e brendshme për të qenë në ballë të betejës dhe pavarësisht punës që kishin vendosën të veshin bluzën e bardhë në këtë kohë të vështirë për vendin, ndërsa të tjerë edhe pse në moshë pensioni dhe grup në risk, qëndruan në vijën e parë të “luftës” me armikun e padukshëm.

Më i spikaturi në këtë luftë ka qenë padyshim mjeku i njohur Dhimitër Kraja. Megjithëse në pension profesor Kraja ishte ndër të parët që nuk pranoi të qëndronte asnjë minutë me tepër në shtëpi dhe të gëzonte ditët e pensionit, por veshi bluzën e bardhë të mjekut, atë që e ka shoqëruar për shumë vite në spital dhe u përball në vijën e parë të frontit me Covidin-19. Profesor Kraja madje edhe pse u prek nga ky virus i padukshëm e kreu me sukses betejën e tij dhe doli i shëruar nga spitali, duke iu rikthyer sërish punës së përditshme, sikur asgjë s’ka ndodhur.

Ndër të parët që veshën bluzën e bardhë të mjekut ka qenë edhe Flamur Golemi. Pavarësisht se ai aktualisht mban postin e kryebashkiakut të Gjirokastrës, kjo nuk e pengoi aspak mjekun që të ishte pranë pacientëve në spitalin rajon të Gjirokastrës, “Omer Nishani”.

Fatmirësisht Gjirokastra nuk ka pasur raste të pacientëve me Covid-19, por në ditët e para të pandemisë kjo nuk mund të parashikohej dhe vendimi i Golemit ka qenë i menjëhershëm për t’u gjendur pranë pacientëve dhe kolegëve në spital. Ai thotë se pavarësisht përmasave të mëdha që mori sëmundja në Itali dhe parashikime që kishte për Shqipërinë, ai nuk hezitoi në asnjë moment që të vishte bluzën e bardhë dhe t’i drejtohej spitalit për të dhënë kontributin e tij.

“Para se të jem kryebashkiak, unë jam mjek dhe kam bërë një betim. Sa herë të ketë nevojë për ndihmën time si mjek në spital patjetër do jem i gatshëm. Madje, asnjëherë nuk kam humbur kontaktin me pacientët, me kolegët e spitalit ‘Omer Nishani’. Është një betim që unë kam bërë edhe patjetër që do të përgjigjem atje ku ka më shumë nevojë për mua”, shprehet kryebashkiaku Golemi për Porta Vendore.

Mjeku Flamur Golemi në ambientet e Spitalit të Gjirokastrës.

Ai thotë se asnjëherë nuk ka pasur frikë dhe me masat mbrojtëse ka asistuar situatën në terren, jo vetëm si mjek në spital, por edhe si kryebashkiak, duke ndihmuar shumë familje të Gjirokastrës.

“Së pari unë nuk kam pasur frikë në asnjë moment. I jam përgjigjur emergjencës që ditën e parë. Kam qenë pothuajse në çdo familje. Ajo që më është dukur e nevojshme në momentin e parë ka qenë asistenca me ndihma të familjeve në nevojë me paketa ushqimore. Mund të kem asistuar vetë në terren 700-800 familje. Nuk jam trembur në asnjë moment sepse ky është një armik i padukshëm për të gjithë. Nuk ka pasur asnjëherë vend për panik, por u krijua ajo ideja se do kemi shumë raste duke pasur parasysh nga ajo që pamë nga Italia, dhe tek të gjithë ka pasur një farë hezitimi. Personalisht unë nuk kam frikë dhe nuk kam hezituar, sigurisht duke marrë të gjitha masat si maska, doreza, masa mbrojtëse. Detyra ime është t’u përgjigjem njerëzve”, thotë okulisti Golemi, i cili madje edhe gjatë ditës së sotme ka qenë në spital dhe ka asistuat një pacient që kishte probleme me sytë.

“Të gjitha rastet që më janë paraqitur specifikisht me probleme me sytë normalisht që i jam gjendur. Edhe sot përpara se të mbaroja punën dhe të vija në shtëpi kisha një rast specifik të cilin e trajtova. Por fatmirësisht ne nuk kemi pasur raste në spital me covid-19 dhe situata është e qetë”, thotë Golemi në lidhje telefonike me Portën Vendore.

Golemi ndan ditët midis të qenurit mjek dhe kryebashkiak, ndërsa dihet që për shkak të hemorragjisë së bluzave të bardha, spitali i Gjirokastrës, e jo vetëm, ka nevojë për staf shtesë në këto ditë të vështira që po kalon vendi ynë.

 “Në asnjë moment nuk e kam lënë detyrën si kryebashkiak. Çfarëdo lloj problemi që ka pasur me dezinfektimin me ndihmën që duhet t’u japim stafit të spitalit ‘Omer Nishani’ u jemi gjendur. Po kështu edhe me emigrantët që kanë ardhur, rastet që kanë pasur nevojë për trajtim mjekësor, edhe këtë e kemi kryer. Por e rëndësishme është se ne nuk kemi raste me Covid në Gjirokastër dhe shpresojmë të vazhdojmë kështu deri në fund”, shprehet Golemi.

Ridigert Çokaj nga Lezha prej 15 vitesh arbitron ndeshjet e futbollit si arbitër i atashuar pranë Federatës Shqiptare të Futbollit. Por kjo nuk e pengoi aspak Ridigertin që t’i qëndrojë për disa kohë larg fushës së blertë dhe të veshë bluzën e bardhë të infermierit në luftë kundër Covid-19. Ai është infermier pranë urgjencës spitalore në Lezhë, ku ndryshe nga Gjirokastra ku nuk janë shënuar raste me Covid-19, atje ka pasur 14 të prekur dhe 3 prej të cilëve janë asistuar nga vetë Ridigerti.

“Jam infermier pranë urgjencës së spitalit Lezhë. Që do të thotë që jam në gatishmëri për të marrë njerëzit e sëmurë me ambulancë në shtëpi dhe për t’i sjellë në spital në Lezhë, për t’i shërbyer dhe normalisht nëse ka nevojë për t’i transferuar drejt spitalit në Tiranë. Unë si infermier kam asistuar rreth 3 persona me Covid-19. Kurse në urgjencë normal që ka pasur raste të tjera, sepse në Lezhë kanë qenë 14 raste me Covid-19, por deri tani për fat të mirë janë shëruar. Dje është shëruar edhe pacienti i fundit nga Lezha. Aktualisht nuk kemi asnjë të sëmurë”, thotë Ridigerti, i cili në vend që të stërvitet në fushën e blertë tani qëndron me orë të zgjatura në spital, ku ka pasur raste që qëndrimi ka zgjatur edhe dy turne në ditë.

Ridigert Çokaj, infermieri në Spitalin e Lezhës.

“Jam arbitër prej 15 vitesh pranë Federatës Shqiptare të Futbollit. Kjo që po kalojmë është një situatë e jashtëzakonshme. Unë jam mësuar çdo ditë me stërvitje, ndërsa gjatë fundjavës me ndeshje. Kjo periudhë është shumë e çuditshme. Tani ditët janë shumë të ngarkuara. Punojmë 12-13 orë me orare të zgjatura dhe jam gjithë kohës në gatishmëri. Jemi 100% të përkushtuar tani te spitali. Ndërsa arbitrimi dhe stërvitja është lënë në plan të dytë”, thotë ai ndërsa pohon që i mungojnë emocionet e futbollit.

“Normalisht më mungon shumë. Na mori malli që t’i rikthehemi emocioneve të futbollit, loja më e magjishme për mua. Me mungon stërvitja që bënim me grupin e arbitrave. Sepse në Lezhë jemi 18 arbitra dhe bënim çdo ditë stërvitje. Gjëra që tani s’i bëjmë dot. Normalisht këto më mungojnë shumë”, tregon Ridigerti.

Ai thotë se asnjëherë nuk ka pasur frikë ndaj sëmundjes dhe që në ditët e para ka qenë në terren për të dhënë kontributin e tij, ndërsa tani puna është kthyer në një rutinë të zakonshme.

“Frikë s’kam pasur aspak. Por duke e ditur që po përballeshim me një situatë të pazakonshme dhe të panjohur për ne, normalisht ishte një çikë stresuese në fillim, kur nuk dinim sesi të vepronim. Por me daljen e objektivave nga OBSH, masat mbrojtëse, etj. çdo gjë u kthye në rutinë të përditshme”, tregon Ridigerti, i cili uron që kjo situatë të kalojë sa më parë.

Burbuqe Ajazi është 68 vjeçe dhe megjithëse duhet të kishte dalë në pension prej 7 vitesh e gjysmë më parë, ajo vijon punën e përditshme si gjinekologe pranë Spitalit të Peqinit. Ka punuar aty 43 vite dhe punon edhe në këtë kohë koronavirusi. Me një energji të pashtershme, ajo tregon për Portën Vendore se pse ka zgjedhur të jetë pranë pacientëve dhe spitalit edhe në këtë kohë koronavirusi, megjithëse për moshën që ka ajo duhet të ishte na karantinë, pasi është target grup me risk të lartë.

Me thënë të drejtën nuk e kam marrë me stres këtë periudhë, por kam qenë shumë e kujdesshme, ku kam përdorur maskat një përdorimshe dhe dorezat që i ndërroj disa herë në ditë. Edhe pas lindjeve kam respektuar të gjitha rregullat e OBSH, kur heqim veshjen e sallës së operacionit, ndaj deri tani falënderoj zotin që jam mirë “, tha ajo.

Burbuqja na tregon se jo vetëm gjatë kësaj kohe, por gjithmonë në këto 43 vite ajo ka bërë edhe mjeken roje duke asistuar në patologji të tjera.

Duke qenë vetëm unë gjinekologe, pasi nuk ka të specializuar të tjerë këtu, jam specializuar edhe në patologji të tjera. E bëj me dëshirë këtë punë, e dashuroj dhe e kam pasur pasion gjithnjë mjekësinë, që e vogël. Edhe në 1 të natës kur më kanë lajmëruar për punë ose për një urgjencë, gjithnjë kam vrapuar drejt spitalit. S’e kam fikur asnjëherë telefonin, dhe dera ime ka qenë e hapur në çdo kohë për pacientët”, tregon me entuziazëm ajo.

Vitet e fundit, Burbuqja jeton në Tiranë, por megjithëse në moshë të madhe kjo se ka ndaluar që të mësojë makinën e ta bëjë vetë vajtje-ardhje rrugën çdo ditë, kështu funksionon edhe në këtë kohë koronavirusi.

Shpesh i them kolegeve me shaka se jam shofere e re në moshë të vjetër” tregon ajo duke qeshur, ndërs rrëfen se gjatë kësaj kohe i ka parë vetëm nga ballkoni dy fëmijët e saj mjekë, si dhe nipërit e mbesat, ndërsa mban distancë fizike edhe me bashkëshortin në shtëpi.

“Çdo 6 muaj Ministria e Shëndetësisë e ka shtyrë vendimin për daljen time në pension, dhe në datë 2 mars me mbaronte vendimi ndaj meqë jemi në kohë Covidi sërish u konfirmua qëndrimi im në spital, por që gjithsesi më është kërkuar të bëjë gati dokumentet e pensionit, e të bëhem gati për ta lënë punën avash-avash”, tregon Burbuqja me një shenjë nostalgjie për gjithë këto 43 vite që ka shërbyer në Peqin, duke shtuar me krenari se: “Gjatë këtyre viteve nuk ka pasur asnjë vdekje foshnjore ose të nënave në maternitet. Kjo pasi në kohën kur unë kam mbaruar shkollën 4 vjeçare nuk ta jepnin kollaj diplomën, por si ndihmës mjeke gjinekologe kam pritur 180 lindje, që aq s’ka sot Peqini. Kanë qenë rregulla shumë strikte në atë kohë”, shpjegon ajo, ndërsa tregon që gjatë të gjithë kohës ka punuar pa bonuse, pasi Peqini nuk është përfshirë në këtë skemë të ministrisë. “Deri më tani nuk kemi marrë nga gjë nga shpërblimi prej 1000 eurosh që tha kryeministri, por besoj se nuk e ka pasur për rrethe,t por vetëm për vijën e parë të mjekëve të spitalit infektiv, pasi ata e kanë edhe peshën më të madhe dhe fluksin e punës”, përfundoi ajo.

Vetëm gjatë këtij viti Burbuqja ka pritur 5 foshnje në maternitetin e Peqinit, ndërsa uron që gjatë këtyre muajve të mbetur në detyrë të presë edhe shumë bebe të tjerë.

Një tjetër mjeke që duhet të kishte dalë në pension është edhe Sose Dema në Spitalin e Shkodrës, e cila kishte rreth 1 muaj që i kishte mbaruar kontrata 6-mujorshe dhe qëndronte në pritje të rinovimit të saj, rinovim i cili u bë në datën 18 mars, kur ndërkohë kishin nisur edhe rastet e para me Covid 19 në Shqipëri.

Unë jam 62 vjeçe dhe për moshën tonë bëhen kontrata 6-mujorshe. Mendoj se situata e Covidit më favorizoi që mu rinovua kontrata, pasi në spital ka me të vërtetë nevojë”, tha mjekja infeksioniste, duke theksuar se në këtë repart janë aktualisht 3 mjekë.

Sose Dema mjeke infeksioniste në Spitalin e Shkodrës.

Sosja rrëfen që tek ajo nuk ekziston kurrfarë frike përveçse kujdesit të madh. Të njëjtën rutinë ajo ka ndjekur edhe para koronavirusit.

“Ne jemi specialistë infektivi prej një jete. Kam 40 vite që punoj si mjeke infeksioniste dhe në këtë spital nga viti 1981 dhe jemi përballur edhe me epidemi të tjera gjatë punës tonë, ndaj nuk frikësohemi. Në shtëpi bëj jetë normale me burrin dhe djalin, po që sigurisht kam një kujdes të shtuar në marrëdhënie me ta, meqë ne si spital kemi pasur raste me covid, ku aktualisht kemi 4 persona në repart që po marrin kujdesin shëndetësorë”, tha Sosja për Portën Vendore.