29 prill 2020/ Ornela Manjani/ Porta Vendore
Mbi 8 mijë persona që u mbyllën në shtëpi për shkak të pandemisë COVID -19 humbën të drejtën për marrë pagën e luftës. Shuma prej 26 000 lekësh u miratua nga qeveria në paketën e parë mbështetëse për personat që u detyruan të mos shkojnë në punë për shkak të mbylljes së vendit në karantinë.
Qeveria kishte parashikuar të mbështeste me pagën e luftës 60 000 persona, aktiviteti i të cilëve u mbyll me Urdhër të Ministrisë së Shëndetësisë, por në përfundim të afatit për aplikim dhe pas shqyrtimit të kërkesave arritën të marrin 26000 lekë vetëm 52 mijë persona.
Ministria e Financave i konfirmoi Portës Vendore se kanë përftuar pagën e luftës 52 mijë punonjës në të gjithë vendin, nga 60 mijë që ishte parashikuar të mbështeteshin nga kjo masë. “Diferenca, pra 8 mijë persona janë skualifikuar nga kjo pagesë. Shkak për përjashtimin e tyre nga paga e luftës mund të jenë bërë gabimet gjatë aplikimit”, deklaroi Ministria e Financave, e cila shtoi se të gjitha kërkesat që janë refuzuar po rishikohen edhe njëherë nga Drejtoria e Tatimeve, e cila po bën edhe verifikimet e duhura”. Për të sqaruar fashën që nuk ka marrë ende asnjë lek edhe pse është “ngujuar” në shtëpi që prej 12 marsit, zëvendësministrja e Financave, Belinda Ikonomi pohoi se ka pasur shumë aplikime. “Administrata tatimore ka filluar rishikimin e të gjitha refuzimeve për të bërë edhe njëherë verifikimet nëse ka ndonjë mundësi që përsëri të jetë bërë ndonjë gabim dhe ai subjekti i refuzuar të jetë përfitues”, u shpreh ajo.
Ndërkohë, zëvendësministrja pohoi se këto persona mund të aplikojnë në paketën e dytë mbështetëse, e cila parashikon një pagesë prej 40 000 lekësh për të gjithë periudhën e karantinimit. “Aty do të njihen me të gjitha procedurat për të përfituar nga paketa e dytë. Do jetë formulari përkatës. Procedura është e thjeshtë. Ndërkohë, një thirrje për të gjithë këto biznese që nuk i ka shkuar ky e-mail, kanë të drejtë të ankohen dhe strukturat tatimore duhet patjetër të bëjnë verifikimet e duhura për të parë arsyen pse nuk i ka shkuar e-mail”, nënvizoi Ikonomi. Drejtoria e Tatimeve deri më datë 29 prill ka miratuar gjithashtu 80 mijë kërkesa punonjësish, ndërsa rreth 70 mijë persona e kanë marrë pagesën prej 40 mijë lekësh. Pagesë e cila jepet vetëm 1 herë, ndërsa sipas informacioneve konfidenciale nuk pritet të ketë një paketë të tretë nga qeveria për aq kohë sa bizneset janë duke u hapur.
Megjithatë, të vetëpunësuarit dhe përfaqësues të bizneset e shikojnë në këndvështrime të ndryshme mbështetjen ekonomike të qeverisë për të përballuar pasojat e pandemisë. L. M., 54 vjeçe ka një rrobaqepësi ku është e vëtëpunësuar. Ajo nuk ka arritur të marrë ”pagën e luftës” prej 26 000 mijë lekësh, pasi i është refuzuar nga sistemi. Po ashtu, ajo nuk ka një marrëveshje me qiradhënësin e ambientit ku ushtron aktivitetin dhe është detyruar ta shlyejë këtë detyrim edhe për muajin prill. 54-vjeçarja pret të përfitojë nga paketa e dytë e miratuar nga qeveria, e cila parashikon një pagesë prej 40 000 mijë lekësh për të gjithë periudhën e izolimit.
E.M me profesion fizioterapist i tha Portës Vendore që gjithashtu se ishte skualifikuar nga sistemi, ndërsa ka aplikuar dhe pret përgjigje për pagën prej 40 000 lekësh.
“Unë dhe motra jemi përkthyese, aplikuam për pagën e luftës dhe nuk na u miratua. Na u duk pa sens, dhe nuk kemi ndërmend të aplikojmë për paketën e dytë. Shkuam u interesuam dhe nuk na dhanë asnjë përgjigje tek tatimet për arsyen e refuzimit. Por di që kështu ka ndodhur edhe me biznese të tjera në Lezhë”, tha Ardita përkthyese. Rudina është e vetëpunësuar dhe disponon një biznes të vogël për mirëmbajtjen e makinerive të ndryshme, edhe ajo ndan të njëjtin shqetësim me të tjerët. “Paga e luftës më është refuzuar me argumentin që biznesi im lejohej të qëndronte hapur. Nëse s’duan të na i japin jam dakord, nëse se meritojmë jam po ashtu dakord por të paktën të mos shkojmë poshtë e lartë, mos të harxhojmë më kohë”, tha ajo. Një tjetër zonjë që Porta Vendore evidentoi, ishte Besa. Ajo ka një lavanteri të regjistruar si biznesi i vogël. “Unë kam aplikuar edhe për pagën e luftës prej 26 000 lekësh edhe për 40 000 lekëshin dhe asnjëra nuk më është miratuar. Na është refuzuar për herë të dytë për arsye që kemi qenë biznes i lejuar ndërkohë që gjithë muajin mars kemi qenë mbyllur”, tha Besa për Portën Vendore. Ndërsa disa ditë më parë shitësit ambulantë në tregjet e Fierit dhe të Pogradecit kërkuan pranë Drejtorisë së Tatimeve pagën e luftës, pasi sipas siç thonë vetë, kanë paguar taksa në mënyrë të rregullt, ndaj edhe e meritonin një pagesë të tillë nga shteti.
Edhe përfaqësuesit e dhomave të biznesit pohojnë janë në dijeni të shumë rasteve të personave që janë përjashtuar nga paga e luftës. Në një intervistë për Portën Vendore, kreu i Dhomës së Tregtisë, Nikolin Jaka pohon se është në dijeni të rasteve që janë përjashtuar nga kjo pagesë. “Në dijeninë time, shumë subjekteve të cilëve u është refuzuar ‘paga e luftës’ me argumentimin se aktiviteti i tyre nuk ka qenë i ndaluar me Urdhër të Ministrisë së Shëndetësisë, u është miratuar bonusi në vlerën 40,000 lekë. Ndaj të gjitha subjektet që janë refuzuar në paketën e parë, edhe nëse nuk kanë marrë ende përgjigje të ankesës së tyre nga Drejtoria e Tatimeve, duhet të aplikojnë për bonusin në e-filling. Individët e vetëpunësuar dhe bizneset e vogla me qarkullim vjetor deri në 14 milionë lekë, sipas vendimit të qeverisë përfitojnë pagë 26 mijë lekë si mbështetje për kapërcimin e vështirësive të krijuara nga masat parandaluese të përhapjes së COVID-19. Referuar vendimit, aplikimi për të përfituar ndihmë financiare bëhet nga subjekti i të vetëpunësuarit/punësuarit, por për përfitimin nga kjo paketë aplikimet janë mbyllur tashmë”, thotë Jaka. Sipas tij, këto subjekte duhet të aplikojnë në paketën e tyre.
“Më 21 prill 2020 janë hapur aplikimet për përfitimin e bonusit prej 40,000 mijë lekë, ku sipas qeverisë pritet të përfitojnë rreth 176,000 të punësuar. Lidhur me bizneset, mund të aplikojnë për të përfituar nga garancia sovrane e Paketës II për kapital qarkullues apo shpenzime për lëndët e para, ku interesat e kredisë merren përsipër nga ana e qeverisë”, pohon Jaka.
Ndërsa në lidhje me faktin se sa paketat e qeverisë iu përgjigjen nevojave të individëve dhe bizneseve për t’i mbijetuar pandemisë ekspertët kanë këndvështrime të ndryshme. Të vetëpunësuarit që janë detyruar të “lënë punën” dhe të marrin 26 000 mijë lekëshin shprehen se e kanë thuajse të pamundur të mbulojnë shpenzimet me këtë pagesë, por e vlerësojnë gjithsesi si mbështetje. I. M, 34 vjeçe, e cila ka një dyqan kinkalerish dhe është e vetëpunësuar pohon se paga e luftës mund të konsiderohet e mjaftueshme për kushtet në të cilat jemi të detyruar të jetojmë. Ndërsa Kreu i Dhomës së Tregtisë i cilëson si minimaliste paketat e qeverisë. “Të dy paketat e miratuara kanë kryesisht efekte në nivel social, me disa elementë në mbështetje të biznesit, si fondi i garancisë sovrane. Është shumë e rëndësishme që Qeveria të ndihmojë duke subvencionuar dhe ofruar mbështetje direkte tek një pjesë e bizneseve, me qëllim që të shmangë falimentimin e tyre”, thotë Jaka.
Ndërkohë, Jaka vlerëson masat e qeverisë në lidhje me përjashtimin nga tatim fitimi për bizneset me xhiro deri në 14 milionë lekë, ku kryesisht personat janë të vetëpunësuar.
“Në Shqipëri mbizotërojnë bizneset e vogla. Është marrë masa lehtësuese për t’i përjashtuar nga tatim-fitimi këto biznese dhe shtyrja e qirasë mujore për të gjithë qiramarrësit persona fizikë/juridikë me të ardhura deri në 14 000 000 (katërmbëdhjetë milionë) lekë në vit, por kjo masë nuk i shpëton nga rreziku i falimentimit. Bizneset kanë nevojë për ndërhyrje direkte të shtetit. Fillimisht me pagat e papunësisë, detyrimet e taksat që kanë këtë periudhë, likuiditet direkt për ato biznese që punojnë me kapacitete të ulëta, me qëllim që të jenë thuajse të përgatitura kur t’i rikthehen normalitetit”, thotë Jaka.
Sipas tij, është e rëndësishme që të mbështeten të gjithë sektorët jetikë të prekur të ekonomisë shqiptare, të tilla si turizmi, transporti, prodhimi dhe ndërtimi, sektorë të cilët janë ngushtësisht të lidhur edhe me sektorët e tjerë dhe që në fundore japin efektin e prekjes zinxhir të ekonomisë shqiptare.
“Bizneset po përballen me mungesë të klientëve, mungesë likuiditeti, pamundësi në pagesën e detyrimeve tatimore, problem me pagesën e pagave, rritje të kostove dhe ulje të prodhimit, mungesë të lëndës së parë dhe pasiguri ligjore për të ardhmen e tij. Situata e ringritjes do të jetë e vështirë, ndaj duhet patjetër të stimulohet ekonomia në këto çaste emergjente, të kthehet vëmendja dhe përqendrimi te turizmi vendas (i brendshëm), te nxitja e prodhimit dhe konsumit të produkteve vendase”, pohon Jaka.
Ndërsa eksperti i ekonomisë, njëherësh edhe kreu i Konfindustrisë, Gjergj Buxhuku, i vlerëson të pamjaftueshme masat që ka marrë deri tani qeveria për të mbështetur individët dhe biznesin në këtë kohë pandemie.
“Paketat financiare 1 dhe 2 deri sot me përafërsisht vetëm 100 milionë euro për periudhë tremujore, janë të pamjaftueshme për të siguruar likuiditetin minimal të ekonomisë kombëtare dhe përballimin e pasojave për shumicën e bizneseve, të papunëve dhe shtresave në nevojë”, thotë Buxhuku. Sipas tij, është detyrë e ekzekutivit, që të përcaktojë kategoritë e bizneseve, që kanë përfituar nga gjendja e jashtëzakonshme dhe të ndërtojë politika fiskale me qëllim shtimin e likuiditetit në ekonomi, rishpërndarjen e të ardhurave shtesë drejt qytetarëve, bizneseve të dëmtuara, shtresave në nevojë dhe të papunëve.
“Qeveria duhet të shpalosë një strategji shumë të qartë sesi do të nxirret vendi nga periudha e jashtëzakonshme në të cilën ndodhemi”, thotë Buxhuku, i cili shton se nuk ka një strategji për të kaluar në normalitet të zhvillimit të jetës ekonomike, aktivitetit të biznesit dhe të jetës së qytetarëve.
Konfindustria vlerëson se me qëllim zbutjen e pasojave të rënda në ekonomi, falimentimin e bizneseve dhe shmangien e krizave humanitare në kushtet e pandemisë Covid 19, është e domosdoshme, që ekzekutivi të ndërtojë dhe zbatojë sa më shpejt një paketë fiskale shoqëruese në nivel qendror dhe vendor. “Ne mendojmë se një nga parimet kryesore të ndërtimit të paketës fiskale Covid 19 të jetë balancimi i humbje-përfitimeve, që kanë pasur kategori të ndryshme biznesi gjatë gjendjes së jashtëzakonshme. Ndërkohë që një pjesë e madhe e bizneseve dhe qytetarëve po përballen me pasoja të rënda të krizës, ka mjaft kategori biznesesh, që kanë përfituar në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe tërthore. Është detyrë e ekzekutivit, që të përcaktojë kategoritë e bizneseve, që kanë përfituar nga gjendja e jashtëzakonshme dhe të ndërtojë politika fiskale me qëllim shtimin e likuiditetit në ekonomi, rishpërndarjen e të ardhurave shtesë drejt qytetarëve, bizneseve të dëmtuara, shtresave në nevojë dhe të papunëve”, u shpreh Buxhuku.