Vëzhgim/Analizë

Një vështrim i përgjithshëm mbi detyrimet e njësive të vetëqeverisjes vendore që lindin nga aktet ligjore të miratuara për parandalimin dhe menaxhimin e gjendjes së epidemisë të shkaktuar nga COVID-19

29 prill 2020/ Adela Kula/Porta Vendore

Në kuadër të parandalimit të përshkallëzimit të situatës të shkaktuar nga COVID-19 dhe menaxhimit të situatës, Qeveria ka nxjerrë një sërë aktesh ligjore. Këto akte ligjore, sjellin detyrime ndër të tjera edhe për njësitë e vetëqeverisjes vendore. Këto të fundit janë njësitë të cilat janë më afër qytetarëve dhe (mos)veprimet e tyre ndihen drejtpërdrejtë nga qytetarët.

Që në aktet e para të miratuara nga Qeveria me qëllim parandalimin e infeksionit të shkaktuar nga COVID-19, këto njësi janë përcaktuar si aktorët bashkëpunues për ndërmarrjen e të gjitha hapave sipas planeve të veprimit në situatë epidemie.  Kjo detyrë ju njihet që në Urdhrin nr.156/2, datë 11.3.2020 “Për shpalljen e gjendjes së epidemisë nga infeksioni COVID-19”[1].

Ndër masat e para të marra nga Qeveria ishin mbyllja e institucioneve arsimore publike dhe jopublike, si dhe mbyllja e çerdheve. Njësitë e vetëqeverisjes vendore janë të ngarkuara për zbatimin e këtyre masave. Deri tani rihapja e tyre nuk ka ende një datë të caktuar, pasi kjo masë është parashikuar të vazhdojë deri në përfundim të gjendjes së epidemisë të shkaktuar nga infeksioni COVID-19.

Ndër kufizimet e vendosura që në fillim të kësaj gjendje janë lëvizjet e mjeteve të transportit, lëvizjet e këmbësorëve, mbylljet e aktiviteteve publike dhe jopublike, si dhe anulimi i grumbullimeve masive në vende të mbyllura apo të hapura. Njësitë e vetëqeverisjes vendore kanë detyrim të drejtpërdrejtë në zbatimin e këtyre kufizimeve, si në mosmiratimin e lejeve për zhvillimin e aktiviteteve për të cilat nevojitet leja nga bashkia, ashtu edhe për kontrollin e vazhdueshëm për respektimin e këtyre masave.

Njësive të vetëqeverisjes vendore iu njoh e drejta për të ndryshuar kontratat që kanë me operatorët e pastrimit dhe transportit publikë për ofrimin e këtyre shërbimeve, me pëlqimin e këtyre operatorëve, sipas nevojave të krijuara nga situata emergjente për shkak të Covid-19. Këto kontrata duhet të miratohen nga këshilli bashkiak përkatës. Kjo e drejtë u parashikua në aktin normative nr. 5, dt. 17.3.2020 “Për një shtesë në aktin normative nr. 3, dt. 15.3.2020, të Këshillit të Ministrave, Për marrjen e masave të veçanta administrative gjatë kohëzgjatjes së periudhës së infeksionit të shkaktuar nga Covid-19”[2], të ndryshuar.

Duke konsideruar situatën aktuale dhe shpenzimet e tjera që mund të nevojiten për shkak të kësaj situate, një ndër parashikimet ligjore të akteve të miratuara është përdorimi i fondeve të trashëguara nga vitet e mëparshme nga njësitë e vetëqeverisjes vendore, sipas rregullave të përcaktuara nga ministri përgjegjës për financat. Kjo parashikohet në aktin normative nr.3, dt. 15.3.2020 “Për marrjen e masave të veçanta administrative gjatë kohëzgjatjes së periudhës së infeksionit të shkaktuar nga Covid-19”[3].

Në fillimet e kësaj periudhe Qeveria parashikoi edhe ditë pushimi për administratën shtetërore apo për një nga prindërit që punojnë në administratë dhe do kujdesen për fëmijën e mitur. Kontratat e studentëve ekselentë do të zgjaten deri në rekrutimet e reja. Gjithashtu, orari i vendosur për administratën në masat e marra në fillim ka qenë 08.00-13.00, duke iu përshtatur fashave të orareve të lejuara për dalje. Këto janë masa të cilat janë ndryshuar vazhdimisht nga Qeveria dhe do të jenë të ndryshueshme në varësi të gjendjes së epidemisë, si për fashat e orareve të lejuara, lejet që duhen marrë dhe koha e lejuar për të qwndruar jashtë. Sa më sipër, sjellin detyrimin edhe të njësive të vetëqeverisjes vendore për marrjen e masave për zbatimin e tyre.

Në Vendimin e Këshillit të Ministrave  nr. 236, dt. 19.3.2020 “Për marrjen e masave për ofrimin e asistencës në banesë ndaj shtresave në nevojë, në kushtet e epidemisë së shkaktuar nga COVID-19”[4] parashikohet ofrimi i asistencës në banesë ndaj shtresave në nevojë nga strukturat shtetërore, në kushtet e epidemisë të shkaktuar nga COVID-19. Në kuadër të zbatimit të këtij Vendimi, bashkitë, me kërkesën e Komisionit Qendror për Ofrimin e Asistencës, së bashku me institucionet e tjera përgjegjëse duhet të përpilojnë listat e subjekteve përfituese. Këto lista më pas i dërgohen elektronikisht Komisionit Qendror për Ofrimin e Asistencës dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Gjendjes Civile, e cila i dërgon konfirmimin institucioneve. Pas këtij konfirmimi, kryetarët e bashkive ngrenë komisionet e mbrojtjes civile dhe marrin të gjitha masat me personelin e tyre, si dhe me shërbimin e vullnetarëve për dërgimin e produkteve, ushqimore dhe joushqimore, te shtresat në nevojë. Këto komisione koordinojnë punën edhe me Forcat e Armatosura. Bashkitë duhet të përditësojnë çdo javë listat e subjekteve përfitues dhe t’ia dërgojnë Komisionit.

Masat administrative me karakter ndëshkues të vendosura gjatë periudhës së shkaktuar COVID-19 janë falur me anë të aktit normativ nr. 16, datë 17.04.2020 “Për faljen e masave administrative me karakter ndëshkues të vendosura gjatë periudhës së infeksionit të shkaktuar nga COVID-19”[5], duke vendosur detyrimin për të gjitha institucionet, përfshirë edhe ato të vetëqeverisjes vendore të marrin masat përkatëse duke përgatitur listat e personave ndaj të cilëve janë marrë këto masa dhe kthimin e gjobave, lejeve, licencave apo mjeteve të bllokuara.

Gjatë kësaj periudhe janë marrë masa të njëpasnjëshme në fushën e shëndetësisë. Organet e pushtetit vendor kanë detyrimin ligjor të mbështesin veprimtarinë e punonjësve të shëndetësisë, për zbatimin e masave për parandalimin dhe kontrollin e sëmundjeve infektive. Organizmat e vetëqeverisjes vendore kanë të drejtë të sinjalizojnë inspektim shëndetësor. Këto janë parashikime të ligjit 10138, dt. 11.05.2009 “Për shëndetin publik”, i ndryshuar[6]. Këto parashikime të përgjithshme sjellin detyrime në këtë periudhë epidemie, ku masat më të shpeshta janë marrë pikërisht në fushën e shëndetësisë duke synuar parandalimin e infeksionit COVID-19. Në urdhrat e Ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale për marrjen e masave parandaluese nga infeksioni COVID-19, njësitë e vetëqeverisjes vendore janë aktorët me të cilët organet përkatëse si  Shërbimi Social Shtetëror dhe Inspektorati Shtetëror Shëndetësor duhet të bashkërendojnë punën.

Njësitë e vetëqeverisjes vendore që në strukturat e tyre kanë këshilla, borde apo komisione, për periudhën nga data 1 prill 2020 deri në përfundim të gjendjes së epidemisë të shkaktuar nga COVID-19, por jo më shumë se tre muaj, nuk do të japin shpërblimet mujore përkatëse. Përsa i përket trajtimit financiar të punonjësve të vetëqeverisjes vendore, nuk ka efekte, pasi këto të fundit i referohen vetëm Kryeministrit, Zëvendëskryeministrit dhe ministrave, të cilët gjatë periudhës së gjendjes së epidemisë së shkaktuar nga COVID-19 deri në përfundim të saj, por jo më shumë se tre muaj, përfitojnë pagë mujore neto në masën 50% të pagës mujore neto aktuale. Kwto janw parashikime tw pwrcaktuara nw Vendimin e Kwshillit tw Ministrave nr. 4, datë 30.3.2020 “Për trajtimin e përkohshëm financiar mujor të disa funksionarëve dhe nëpunësve të administratës shtetërore, gjatë periudhës së gjendjes së epidemisë së shkaktuar nga COVID-19”[7].

Gjendja e fatkeqësisë natyrore për shkak të epidemisë së shkaktuar nga COVID-19 është shpallur me Vendimin e Këshillit të Ministrave nr.243, datë 24.3.2020 “Për shpalljen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore”[8] duke përcaktuar detyrime për institucionet publike, strukturat operacionale të sistemit të mbrojtjes civile, subjektet private dhe shtetasit. Kuvendi me Vendimin nr. 18/2020 “Për dhënien e pëlqimit për zgjatjen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore”, ka dhënë pëlqimin për zgjatjen e kësaj gjendje deri në datw 23.06.2020 dhe u miratua ky afat me Vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 342, datë 25.04.2020[9]. Detyrimet e drejtpërdrejtë të cilat njësitë e vetëqeverisjes vendore duhet të zbatojnë drejtpërdrejtë apo të jenë aktor bashkëpunues me institucionet e tjera, janë:

  1. të realizojnë plane masash organizative dhe administrative për përballimin e gjendjes së fatkeqësisë natyrore;
  2. të përdorin burimet financiare të parashikuara në buxhetin vjetor, si dhe të rivlerësojnë buxhetin e tyre vjetor, në përputhje me kryerjen e shpenzimeve shtesë të paparashikuara;
  3. të vënë në dispozicion burimet njerëzore e logjistike;
  4. të caktojnë objektet shtetërore në përgjegjësinë e tyre të administrimit, që mund të vihen në dispozicion për strehimin e popullsisë së evakuuar;
  5. të kufizojnë aksesin në ambiente publike, të cilat kanë një frekuentim të gjerë;
  6.  të ndalojnë tubimet, manifestimet dhe grevat;
  7. ë kufizojnë aktivitetet në minimumin e domosdoshëm për të gjitha organet publike;
  8. të vendosin në karantinë të gjithë personat e konfirmuar ose të dyshuar se janë të prekur nga COVID-19;
  9. të krijojnë dhe të sigurojnë zonat e karantinës me personel, të cilit t’i sigurohen të gjithë masat parandaluese për të evituar infektimin;
  10. të garantojnë kushtet dhe stafin e kualifikuar për kurim të specializuar në qendrat e karantinës;
  11. të pajisin të gjithë punonjësit e qendrave spitalore dhe shëndetësore me bazën e nevojshme materiale për shmangien e infektimit.

Përveç detyrave sa më sipër, njësitë e vetëqeverisjes vendore duhet edhe të marrin masa për mbikëqyrjen dhe kontrollin e zbatimit të masave nga subjektet private dhe shtetasit, për fushat e tyre të përgjegjësisë.

Një ndër strukturat specifike të njësive të vetëqeverisjes vendore që i lindin detyrime në gjendjen e fatkeqësisë natyrore është edhe ajo e mbrojtjes së fëmijëve. Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka miratuar Udhëzimin Nr. 253, datë 10.4.2020 “Për menaxhimin e rasteve të fëmijëve në nevojë për mbrojtje gjatë periudhës së fatkeqësisë natyrore, për arsye të epidemisë së shkaktuar nga COVID-19”[10]. Në këtë udhëzim përshkruhen masat dhe veprimet që duhet të ndiqen në rastet e menaxhimit të mbrojtjes së fëmijëve në nevojë gjatë kësaj periudhe fatkeqësie natyrore për shkak të epidemisë së shkaktuar nga COVID-19, e cila deri tani është parashikuar ligjërisht që të zgjasë deri në datën 23.06.2020.

Një masë lehtësuese që është marrë nga Qeveria kundrejt të gjitha njësive të qeverisjes së përgjithshme është moszbatimi i procedurave dhe afateve për përgatitjen e projekt-dokumentit të programit buxhetor afatmesëm  të parashikuara në ligjin nr. 9936, datë 26.6.2008 “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”. Ky parashikim është bërë me aktin normativ nr. 17, datë 22.04.2020 “Për përjashtimin e zbatimit të procedurave dhe të afateve për përgatitjen e projekt-dokumentit të programit buxhetor afatmesëm për vitin 2020”[11], si pasojë e situatës epidemike të shkaktuar nga COVID-19.

Një tjetër akt që prek drejtpërdrejtë njësitë e vetëqeverisjes vendore është akti normativ nr. 19, datë 23.04.2020 ,Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 9632, datë 30.10.2006 “Për sistemin e taksave vendore”[12], të ndryshuar. Ky akt parashikon plotësime dhe ndryshime në ligjin që përcakton rregullat për mënyrën e ushtrimit të të drejtave dhe të detyrave nga njësitë e vetëqeverisjes vendore, për vendosjen e taksave vendore, mbledhjen dhe administrimin e tyre. Ky akt përcakton se pagesat e kësteve të parapagimit të tatimit të thjeshtuar mbi fitimin në vitin 2020 nuk do të paguhen.

Çdo njësi e vetëqeverisjes vendore ka marrë masa të tjera përveç masave të cilat kanë detyrimin t’i zbatojnë. Secila njësi, bazuar në gjykimet përkatëse ka punuar në distancë apo ka shfrytëzuar mjetet teknologjike për zhvillimin e mbledhjeve; kanë lehtësuar taksat apo tarifat vendore; kanë shtyrë afatet e aplikimeve për të përfituar nga programet e mbrojtjes sociale që ofron bashkia. Përsa i përket mbledhjes së këshillave bashkiakë, në respektim të masave të përcaktuara nga Qeveria, bashkitë kanë preferuar kryesisht t’i zhvillojnë online. Në aktet e miratuara nga Qeveria përcaktohet se organet kolegjiale, gjatë kohëzgjatjes së gjendjes së infeksionit të shkaktuar nga COVID-19, realizojnë mbledhjet edhe nëpërmjet mjeteve të komunikimit elektronik. Bashkitë duke pasur në diskrecion miratimin e vendimeve të tilla, kanë reaguar në mënyra të ndryshme.

Të gjitha aktet e miratuara në kuadër të gjendjes së epidemisë të shkaktuar nga COVID-19 i gjeni në linkun: https://portavendore.al/dhomaeligjit/librari-ligjore/legjislacioni-per-situaten-e-krijuar-nga-covid-19/


[1] https://portavendore.al/wp-content/uploads/2020/04/Urdh%c3%abr-nr.156-2-dt.-11.3.2020-P%c3%abr-shpalljen-e-gjendjes-s%c3%ab-epidemis%c3%ab-nga-infeksioni-COVID-19_compressed.pdf

[2] https://portavendore.al/wp-content/uploads/2020/03/akt-normativ-2020-03-17-5_compressed.pdf

[3] https://portavendore.al/wp-content/uploads/2020/03/Akt-normativ-2020-03-15-3_compressed.pdf

[4] https://portavendore.al/wp-content/uploads/2020/03/VKM-2020-03-19-236_compressed.pdf

[5] https://portavendore.al/wp-content/uploads/2020/04/Akt-normative-nr.16-dt.-17.4.2020-P%c3%abr-faljen-e-masave-administrative-me-karakter-nd%c3%abshkues-t%c3%ab-vendosura-gjat%c3%ab-periudh%c3%abs-s%c3%ab-infeksionit-t%c3%ab-shkaktuar-nga-COVID-19_compressed.pdf

[6] http://qbz.gov.al/eli/ligj/2009/05/11/10138; http://qbz.gov.al/eli/ligj/2013/02/14/52-2013

[7] https://portavendore.al/wp-content/uploads/2020/04/Vendim-KEC-nr.4-dt.-30.03.2020-P%c3%abr-trajtimin-e-p%c3%abrkohsh%c3%abm-financiar-mujor-t%c3%ab-disa-funksionar%c3%abve-dhe-n%c3%abpun%c3%absve-t%c3%ab-administrat%c3%abs-shtet%c3%abrore-gjat%c3%ab-periudh%c3%abs-s%c3%ab-epidemis%c3%ab_compressed.pdf

[8] https://portavendore.al/wp-content/uploads/2020/03/VKM-nr.-243-dt.-24.3.2020-P%c3%abr-shpalljen-e-fatkeq%c3%absis%c3%ab-natyrore.docx._compressed.pdf

[9] https://portavendore.al/wp-content/uploads/2020/04/VKM-nr.-342-dt.-25.04.2020-Per-zgjatjen-e-fatkeqesise-natyrore_compressed.pdf

[10] https://portavendore.al/wp-content/uploads/2020/04/Udh%c3%abzim-nr.253-dt.-10.4.2020-P%c3%abr-menaxhimin-e-rasteve-t%c3%ab-f%c3%abmij%c3%abve-n%c3%ab-nevoj%c3%ab-p%c3%abr-mbrojtje-gjat%c3%ab-periudh%c3%abs-s%c3%ab-fatkeq%c3%absis%c3%ab-natyrore-p%c3%abr-arsye-t%c3%ab-epidemis%c3%ab-s%c3%ab-shkaktuar-nga-COVID-19_compressed.pdf

[11] https://portavendore.al/wp-content/uploads/2020/04/Akt-normativ-nr.-17-dt.-22.4.2020-P%c3%abr-p%c3%abrjashtimin-e-zbatimit-t%c3%ab-procedurave-dhe-t%c3%ab-afateve-p%c3%abr-p%c3%abrgatitjen-e-PBA-p%c3%abr-vitin-2020_compressed.pdf

[12] https://portavendore.al/wp-content/uploads/2020/04/Akt-normativ-nr.-19-dt.-23.4.2020-P%c3%abr-ndryshimet-p%c3%abr-sistemin-e-taksave-vendore_compressed.pdf