Ngjarje/Personazhe

Dita e zakonshme në një situatë të jashtëzakonshme e profesionistëve të terrenit

29 prill 2020/ Erjola Azizolli/ Porta Vendore/ Durrës

E ndërsa kërkohet qëndrimi në shtëpi, si një ndër masat për parandalimin e përhapjes së koronavirusit, disa profesionistë, punën në terren e kanë pjesë të jetës së tyre. “Qëndro në shtëpi” për ta është frazë e panjohur, ndërkohë që pjesën më të madhe të së përditshmes, e kalojnë jashtë shtëpisë, për shkak të profesionit. Një mjek infeksionit i shëruar nga Covid-19, një gazetar lokal, një punonjës rendi dhe një punonjës shërbim pastrimi rrëfejnë për Portën Vendore, përditshmërinë e tyre në një situatë të jashtëzakonshme.

Shqipëria, është futur në javën e gjashtë të karantinimit dhe regjistroi deri mesditën e së shtunës, 25 prill, 712 persona të prekur me COVID-19, por shumë profesionistë vijojnë punën e tyre, që në këto ditë është kthyer tashmë në një mision.

Porta Vendore ndoqi nga afër, pak nga jeta e tyre e përditshme profesionale. Atë të një mjeku infeksionit, një gazetari lokal, një punonjës rendi dhe një punonjësi shërbimesh pastrimi. Ata kanë profesione të ndryshme, por i bashkon jo vetëm Durrësi, qyteti ku jetojnë dhe punojnë, por dhe puna e përditshme jashtë shtëpisë, ku përballen jo me pak vështirësi, por dhe me frikën se nëse infektohen vetë mund të prekin dhe familjarët, frikë, e cila i shoqëron çdo ditë.

Unë jam mjek infeksionit dhe kur u preka nga koronavirusi vetë, mendja menjëherë më shkoi tek familjarët dhe tek të gjithë kolegët, njerëzit me të cilët kisha pasur kontakt”, shprehet për Porta Vendore Beqir Gelaj, mjeku i spitalit të Durrësit. Gelaj është një nga bluzat e bardha që u prek nga COVID-19, ndërsa ndodhej në shërbim dhe tashmë, pasi ka fituar betejën me sëmundjen, ndodhet sërish në punë që prej 15 prillit.

Beqir Gelaj, mjeku Infeksionist në spitalin e Durrësit.

I specializuar si mjek infeksionist që në vitin 1993, mjeku Gelaj, i njeh mirë vështirësitë e profesionit, pasi i është përkushtuar prej një jete tashmë, por kur vjen fjala për COVID-19, ai e konsideron si një virus me një mijë të panjohura, përballë të cilit ndjeu frikë jo për vete, por për njerëzit e afërt. Më 11 mars, ai ndodhej si mjek roje në spitalin e Durrësit, ku në Repartin e Patologjisë i dha ndihmën e parë 73 vjeçares që mbërriti me probleme shëndetësore dhe që më pas humbi jetën si pasojë e COVID-19, duke u bërë viktima e parë e kësaj sëmundje në vendin tonë.

Pasi rezultoi se ishte prekur nga virusi mjeku u vetëkarantina në banesë, duke pritur me ankth përgjigjet e tamponit të bashkëshortes së tij, por dhe kolegëve, mjekëve dhe infermierëve të spitalit, me të cilët kishte ndarë ditët e punës, në shërbim të 73 vjeçares, por jo vetëm.

Si mjek, normalisht që në maksimum kam ruajtur distancat, në atë pak jetë që ne kemi jashtë spitalit. Në spital normalisht që pajisjet e mbrojtjes nuk më mungonin, por u preka dhe pikëpyetjet nuk i kisha rreth faktit se si u preka nga sëmundja, por si do të dilnin familjarët, gruaja dhe kolegët”, thotë Gelaj.

Koronavirusi kaloi tek mjeku pa pasur nevojë për ndihmë shëndetësore, por me kujdesin personal shtëpiak, por duke qenë se dhe për infeksionistin ky është një virus i panjohur, nuk dihej se çfarë mund të ndodhte nga dita në ditë, ku veç lodhjes së madhe që ndjeu si rrallë ndonjëherë, meraku ishte i madh për njerëzit e zemrës.

Edhe ime shoqe është mjeke, ndaj dhe të dy kemi pasur kujdes maksimal për familjarët tanë. Ajo ka dy muaj që nuk shkon tek prindërit e saj. Ndonëse isha i bindur që ne kishim treguar kujdes maksimal me kontaktet, me higjienën, me distancat, frika ekzistonte gjithsesi dhe kur ajo doli negative, me thënë të drejtën kam marrë frymë i qetë dhe ndoqa me rigorozitet të gjitha hapat gjatë karantinimit, derisa u riktheva në punë”, shprehet mjeku.

Mjekët e spitalit të Durrësit, janë vënë dy herë përballë rrezikut nga koronavirusi, si pasojë e ofrimit të ndihmës së parë për pacientët, të cilët më pas kanë rezultuar se ishin mbartës të COVID-19.

Pas rastit të gruas që humbi jetën në muajin mars, një tjetër rast regjistrohet në muajin prill, ku më datë 12, një djalë që shkon për ndihmë në spital, pasi u aksidentua me makinë, rezultoi pozitiv me COVID-19.

Për fat të mirë asnjë nga bluzat e bardha që i shërbyen, nuk rezultoi mbartës me COVID-19, por rreziku për ta mbetet evident në çdo moment.

Ne jemi mjek dhe betimi ynë, bluza e bardhë që mbajmë veshur, bën që jeta jonë të jetë në shërbim të pacientëve, edhe në këto ditë të vështira. Normalisht njerëz jemi dhe ne, kemi ato frikën tonë, për njerëzit tanë, por duke pasur kujdes maksimal, duke mbajtur distancimin, bëhemi më të fortë për vete dhe pacientët”, shton ai.

Mjeku Gelaj është rikthyer në punë që prej 15 prillit dhe është në shërbim të pacientëve, ndërsa shprehet se për fat të mirë gjendja në qytetin e Durrësit, është e qetë, pasi rastet e reja nuk janë shfaqur, deri më datën 25 prill, ato vijojnë që të mbeten 42, por e keqja nuk ka kaluar ende sipas tij.

Janë të vështira për të gjithë këto ditë e di, pasi nuk po mundemi të jemi pranë njerëzve tanë të dashur, por duke qëndruar sot larg tyre, ne do të kemi mundësi të ulim shansin për t’i prekur nga sëmundja, ndaj mendojë se duhet kujdes”, thotë mjeku.

Gelaj e ndan jetën mes spitalit dhe banesës së tij dhe koha e lirë ka vite që është e pakët për të, ndaj dhe me modestinë që e karakterizon thotë se jeta ndërthuret mes kujdesit për pacientët, leximin në shtëpi që nuk e ndan kurrë dhe kujdesit për njerëzit e dashur.

Më vjen mirë që bluzat e bardha po marrim vlerësime, e ndjeva gjatë ditëve të karantinimit me mesazhet, telefonatat që më erdhën pa fund, sepse ne për këtë kemi nevojë, për mirënjohje, pasi dihet që puna dhe gjithë jeta jonë shkon në shërbim të pacientëve”, shprehet mjeku.

Profesioni i mjekut, është në vijën e parë të përballjes me pandeminë globale të COVID-19, por dhe uniformat blu ndodhen këto ditë në terren dhe janë duke punuar në çdo moment.

Uniformat blu të policisë bashkiake në qytetin e Durrësit, pas situatës së tërmetit janë duke kaluar një situatë po kaq të vështirë. 42 efektivë të policisë bashkiake janë në terren, mes koordinimit të punës pranë tregjeve të fruta-perimeve, në mbajtjen e rregullit për respektimin e distancave në banka, dyqane, furra buke, farmaci, monitorimin e situatës së lëvizjes së qytetarëve, mbarëvajtjen e koncerteve “poshtë ballkonit”, të zhvilluara në lagje të ndryshme të qytetit, etj.

Fatjon Xhemalaj, është një ndër punonjësit më të rinj të Policisë Bashkiake, i cili e ndan punën e shërbimit në terren, mes monitorimit të situatës në tregun më të madh të qytetit, atë të fruta-perimeve dhe disiplinimit të radhëve jashtë godinave të bankave.

33 vjeçari, baba i dy fëmijëve, 5 dhe 2 vjeç, ndihet falënderues për faktin që bashkëshortja e tij ndodhet në shtëpi, pasi ka përfituar nga vendimi që një prind qëndron në shtëpi, pasi sipas tij ndryshe do të kishte qenë shumë më e vështirë.

Në punë me dy turne, në këtë situatë kaq të vështirë, ndihem i sigurt që kam bashkëshorten dhe prindërit shëndosh e mirë në shtëpi, pasi frika jonë për ta është më e madhe se për veten”, thotë Fatjoni për Porta Vendore.

Fatjon Xhemalaj, punonjës i Policisë Bashkiake, Durrës, duke folur për Porta Vendore. Foto: E. Azizolli

Që pas tërmetit të 26 Nëntorit, kur Durrësi u prek më shumë se çdo qark tjetër, Fatjoni është duke përjetuar një nga situatat më të vështira profesionale, pasi puna ka mbingarkesë dhe është fokusuar e gjitha në terren.

Ditët e punës gjatë tërmetit kishin ngarkesë shumë të madhe, kishte dhe dhimbje pa fund brenda, pasi ishte e vështirë të shikoje të shkatërruar banesa e pallate të qytetit tënd, por ngushëllohesha sepse në shtëpi më prisnin fëmijët dhe çdo përfaqim i tyre apo fjalët e ëmbla, më rikthenin buzëqeshjen. Por, kjo situatë është e vështirë, pasi pikërisht kur shkon në shtëpi duhet të tregosh kujdes për të ruajtur fëmijët, familjarët”, shton Fatjoni.

Qëndrimi jashtë shtëpisë për pjesën më të madhe të ditës, shërbimet e gjata në kontakt me njerëzit dhe pse mundohet të tregoj kujdes maksimal, bën që Fatjoni të ndihej frikë nga infektimi, ndaj dhe maska dhe dorezat janë bërë pjesë e jetës së tij.

“Për fat të mirë, një nga fasoneritë e qytetit ofroi maska për punonjësit e bashkisë dhe policinë bashkiake dhe masat mbrojtëse nuk na mungojnë, ndaj dhe kur shkoj në shtëpi, ato orë që qëndrojë me familjen dhe pse me distancë aq sa mundem, vendos maskën, sepse asnjëherë nuk i dihet, fëmijët janë të vegjël dhe prindërit në moshë, ndaj frika ime është e madhe për ta”, shprehet ai.

Por mjetet mbrojtëse: maska, doreza dhe dezinfektuesit, si masa mbrojtëse për të shmangur mundësinë e infektimit të personave të tjerë, apo mbrojtjen ndaj qëndrimit të gjatë në terren, jo të gjithë profesionistët i kanë të siguruar nga institucioni ku punojnë.

Leonidha Musaj, një nga gazetarët profesionist, i cili mbulon prej vitesh media të rëndësishme informative, i siguron privatisht mjetet mbrojtëse dhe pse nuk ka hasur vështirësi për t’i gjetur, i ka blerë me të ardhurat e tij.

Leo, siç e njohin të gjithë në Durrës, gjendet aty ku lajmi ndodh, aty ku ka probleme dhe shqetësime qytetarësh. Pas mbulimit të ngjarjeve të tërmetit të 26 nëntorit, ai është duke përballuar një tjetër sfidë profesionale, duke raportuar çdo ditë nga qarku i Durrësit, për një nga mediat informative në vend.

Dy ngjarjet e fundit siç ishte tërmeti dhe tashmë koronavirusi, kanë bërë që personalisht të kem një angazhim maksimal dhe me orare të tejzgjatura, në shumë raste stresues dhe shumë intensiv. Por falë eksperiencës po përpiqem ti kaloj me sukses”, thotë Musaj për Porta Vendore.

Leonidha Mustaj, gazetar në qytetin e Durrësit.

Profesioni që ka zgjedhur nuk ka orar, ndaj dhe qëndrimi i tij jashtë shtëpisë, kontaktet me njerëzit për të cilët duhet të raportojë, ose duhet të bëhet zëri i tyre, është sfidë e përditshme, përballë faktit që ka një familje dhe një djalë të vogël, që e presin në shtëpi.

Ndryshe nga ditët normale, në këto kohë të pandemisë, të them të drejtën kontakti me qytetarët apo persona të ndryshëm ka bërë të jem më i kujdesshëm. Më tepër shqetësohem për familjen time, pasi nuk dua që në vend t’i mbroj tu përcjellë atyre këtë virus agresiv, shprehet ai.

Leo raporton nga terreni duke u kujdesur që maska dhe dorezat mos t’i mungojnë, ndërsa pranon faktin se të gjitha i ka siguruar vetë.

“Mjetet personale që shërbejnë për tu mbrojtur i siguroj në rrugë private. Nuk e kam pasur të vështirë për t’i siguruar, por janë blerë me të ardhurat personale, ndërkohë që duhet të na i siguronte redaksia”, thotë ai.

Por, ndonëse janë profesionet më me risk, në këtë përballje me pandeminë globale dhe po përballen çdo ditë të jetës së tyre me vështirësitë, me përjashtim të mjekëve të vijës së parë, të tjerët nuk kanë përfituar asgjë shpërblim, asgjë më shumë se sa paga e tyre.

Mjeku Gelaj është i informuar që do të ketë një shpërblim si mjek infeksionist, por kur Porta Vendore e kontaktoi , ai u shpreh se ende nuk e kishte marrë atë, ndërsa për profesionistët e tjerë fjala shpërblim është e panjohur.

Në përballje me vështirësitë e terrenit, në një punë pa orare dhe në shërbim të qytetit janë dhe punonjësit e pastrimit.

Ndërmarrja e Pastrim Gjelbërimit, në qytetin e Durrësit, është nën varësi të bashkisë dhe ka 415 punonjës, duke përfshirë Njësitë Administrative Sukth, Manëz dhe Katund i ri.

Kujtim Shaba punon në sektorin e dezinfektimit të Ndërmarrjes së Shërbimeve Komunale. Porta Vendore e gjeti në një ditë të zakonshme pune, gjatë dezinfektimit të tregut të fruta-perimeve.

Prej 15 vitesh Kujtimi punon në këtë sektor dhe çdo ditë duhet të dezinfektojë vendet rreth koshave, vendet e tregut dhe gjithçka tjetër që ka lidhje me shërbimit publike të qytetit.

Së bashku me tre kolegë të tjerë, ai kryen këtë punë që është jo e lehtë, pasi është në kontakt me dezinfektant të ndryshëm, por këto ditë janë shumë të vështira për të, sepse puna nuk po njeh orar.

Po nevoja për dezinfektim ka kudo. Ne mbulojmë gjithë qytetin. Kudo ku na kërkon ndërmarrja. Sot kemi dezinfektuar hapësirat jashtë hoteleve që do të jenë në pritje të emigrantëve që vijnë nga jashtë dhe që do rrinë në karantinë, ndërsa pasdite siç e shikon jemi tek tregu” thotë 62- vjeçari për Portën Vendore.

Kujtim Shaba, punonjës i pastrimit në qytetin e Durrësit duke folur për Porta Vendore. Foto: E.Azizolli

Mjetet mbrojtëse si maskë dhe doreza, nuk janë të panjohura për të, pasi nuk lidhen me koronavirusin, por me profesionin e një jete tanimë.

“Po gjithë ditën në terren. Gjithë ditën afër zonave që kanë shkallë rreziku, gjithë ditën në kontakt me njerëzit dhe normale që frika shkon atje tek familja, tek vajza dhe gruaja, ndaj i mbroj ato duke i qëndruar larg, mundohem të kem maskën së paku, pasi asnjëherë nuk i dihet”, thotë Kujtimi.

Orë të gjata në terren, përballje me mundësinë e infektimit përditë, distancë e imponuar ndaj familjarëve, frika për infektimin e tyre, e ndërthurur me kurajo, dedikim dhe profesionalitet për t’i shërbyer të tjerëve sa më mirë, pavarësisht risqeve, kundrejt pothuajse asgjëje në këmbim, veç mirënjohjes së çmuar të qytetarëve, janë këto të përbashkëtat e profesionistëve durrsakë, që përballen në vijën e parë me të panjohurat e COVID-19.