Ngjarje/Personazhe

Pusteci, një perlë e fundosur në prapambetje

28 prill 2020/ Gëzim Ashimi/Porta Vendore/ Pustec

Pusteci është Bashkia më e vogël dhe më e varfër në Shqipëri, një ish komunë, e cila vetëm sa ndërroi emrin dhe u quajt bashki me ndarjen e re territoriale. Me një buxhet vetëm 1 milion lekë të reja, ajo po shkon drejt falimentimit, ndërsa kërkesat janë në rritje, që nga mungesa e ujit, administrimi i mbeturinave dhe zhvillimi i turizmit që po shuhet nga dita në ditë.

Kolovitja e një motoskafi të vogël, trashëgimia e vetme në gjendje të mirë nga ndihmat e qeverisë gjermane, duket një nga punët e pakta të ditës në Pustec. Mjetin lundrues po e zhvendosin nga oborri i ish spitalit që tani shërben si qendër shëndetësorë dhe shkollë, te oborri i bashkisë. Tani do t’i bëjnë shoqëri ca pula që çepkasin rehat barin si të ndodheshin në shtëpinë e tyre. Grupi i burrave që merren me lëvizjen e motoskafit e prish herë pas here qetësinë e qendrës së fshatit, me thirrjet ubo, ubo, që në shqip do të thotë mirë, teksa e kalojnë me vështirësi mjetin në portën e jashtme të bashkisë. Nuk kuptohet se përse e qarkullojnë sa andej këtej me një punë boshe, mjetin që prej vitesh shërben më së shumti, si zbukurim. Ndoshta, që të mos shërbejë më si relike e të zërë ndryshk si autoambulanca që dergjet e braktisur në oborrin e ish spitalit. Edhe kjo dhuratë e qeverisë gjermane, por më pak jetëgjatë.

Autoambulanca e dhuruar prej qeverisë gjermane e braktisur në oborrin e ish spitalit. Fptp: G. Hashimi

Ndoshta merren me motoskafin se kështu e justifikon rrogën kapiteni i anijes, hamendësova, ndërsa shikoja organikën e punonjësve të bashkisë të afishuar në ca fletë formati në korridorin e institucionit. Në një tjetër njoftim të vendosur në stendë, thuhet se plani i të ardhurave për buxhetin këtë vit është një milion lekë të reja. Vitin e kaluar buxheti ka qenë tetëqind mijë lekë të reja.

Pusteci i quajtur edhe Liqenas është kryeqendra. Shulini ose Diellasi, Bezmishti i thirrur edhe Kallamas, Lajthiza, Zarkoshka, Gorrica e madhe dhe Gorrica e vogël. Si dhe Cerja vetëm me 12 familje, atje ku ndahen kufijtë e Prespës së Madhe mes Shqipërisë, Maqedonisë të Veriut dhe Greqisë. Rikthimi i emrave të fshatrave në gjuhën maqedonase është një nga të drejtat e pakta që kanë fituar si komunitet këto vitet e fundit. Në njërën anë të oborrit të bashkisë ngrihen flamurët e Shqipërisë, Maqedonisë të Veriut dhe Bashkimit Europian. Pranë tyre, memoriali i një heroi sllav. Çuditërisht, në ballë të ndërtesës, Bashkia Pustec shkruhet në shqip, maqedonisht dhe në gjuhën spanjolle. Ndërtesa dykatëshe, vetëm në katin e sipërm, ku ngjitesh nga ca shkallë të jashtme prej guri, ka disa zyra.

Mbishkrimi në tre gjuhë në hyrje të Bashkisë Pustec. Foto:G.Hashimi

“Kryetari ka dalë në terren”, jep përgjigjen standarde një punonjëse dhe sakaq i bashkohet shoqeve të saj që ngrohen pranë një pori (ngrohëse me dru).

Jeta në fshat duket edhe më e plogët. Tek tuk, ndonjë grua me shaminë karakteristike me ngjyra të grave të zonës shfaqet në rrugë duke transportuar me karrocë dore mbetjet shtëpiake. Po i çon për t’i hedhur në periferi, atje ku shtrihet edhe liqeni i Prespës së Madhe. Ishulli i Maligradit shfaqet si një strumbullar shkëmbor në liqen. Rrotull tij grahin vetëm barka peshkimi gjatë natës. Ishulli që mban edhe kujtimin tragjik të mbytjes së 16 gjimnazistëve nga Pogradeci në maj të vitit 1996, jo se ka stepur me këtë ngjarje të hidhur vizitorët, por edhe ai është i veçuar në harresë. Maligradi, që mbetet krenari e komunitetit këtu, është unik, ndoshta për kishat e tij eremite. Ato janë shpallur monumente kulture për trashëgiminë e rrallë historike dhe kulturore që ruajnë akoma. Ishulli i Maligradit, në një farë mënyre konsiderohet simboli i Pustecit turistik. Kulinaria tradicionale, me tavat e peshkut dhe aspekti zakonor i banorëve i japin ca vlera turizmit spontan. Sepse për standarde bashkëkohore, krahina duket vite dritë larg atyre që kërkojnë pushuesit. Ylli i turizmit në Bashkinë e Pustecit është i venitur. Që nga pastrimi publik, dukshëm i lënë pas dore. Rrangulla e pajisje të vjetra të lëna pas mureve të ndërtesave me plitharë si dhe parullat e një kohe të shkuar në muret e rrjepura të ndërtesave, e shtojnë edhe më shumë zymtësinë. Nuk duket fytyrë dhe këmbë prej të riu në rrugët e qendrës së fshatit.

E gjithë zona e Pustecit ka dy lloje emigrimi, atë ditor në Maqedoninë e Veriut dhe atë afatgjatë në vendet e Bashkimit Europian, duke përfituar nga pajisja me pasaporta dhe nënshtetësi bullgare. Referuar regjistrit elektronik të gjendjes civile, Bashkia Pustec ka 5200 banorë, ndërsa sipas censusit të vitit 2010, kjo bashki rezulton me 3500 banorë pasi nuk janë regjistruar asokohe të larguarit në emigracion  E gjithë popullsia e shtrirë në fshatrat e kësaj bashkie, është e përbërë e gjitha nga minoriteti maqedonas, me përjashtim të disa ‘të ardhurve’ siç quhen nga vendasit dhe që nuk i kalojnë gishtat e një dore.

Sheshi para kishës, është i vetmi vend i paqtë nga pastërtia. Këtu zakonisht zhvillohen festat tradicionale të këtij minoriteti si dhe priten qeveritarët e lartë. Që nga ish Presidenti Rexhep Mejdani nja dy dekada më parë, kur zona e Prespës shqiptare u shpall Park Kombëtar dhe deri këtë verë kur ishte Presidenti i Republikës Ilir Meta, Pustecin e kanë vizituar të gjithë kryetarët e shtetit shqiptar dhe krerët e qeverisë. Deklaratat e tyre e vlerësojnë Pustecin si një perlë dhe nuk harrojnë premtimin për investime që zona të marrë zhvillimin e duhur turistik. Këtë e bëjnë sa herë që vizitojnë Pustecin, por asgjë nuk ndryshon për mirë. Në fakt, turizmi në sezonin e verës ka rënë ndjeshëm në krahasim me disa vite më parë. Kryetari i Bashkisë, Pali Kolevski, na tha se e shumta mund të vijnë dy autobusë me pushues në ditë në kohën e plazhit. Zahiretë e dimrit prej mollësh të prera feta-feta që thahen të varura në murin e aneksit të një shtëpie dykatëshe të vjetër, të ftojnë që të pyesësh të zonjën e shtëpisë për traditat. Askush nuk i përgjigjet thirrjes për të hyrë brenda dhe pasi përshkojmë një oborr të gjatë, i drejtohemi një dhome nga vijnë ca zëra. Një grua e moshuar rreth 80 vjeçe po ushqen një bebe të vogël dhe reagon më frikë ndaj mysafirit të paftuar. Sapo i prezantohesh, e moshuara që thotë se quhet Cveta nxiton të justifikohet se nuk di shqip. Këtë e përsërit pas çdo përgjigjeje të shkurtër që jep, e sikletosur se ka një djalë të punësuar në Tiranë dhe nuk do të merret vesh gjendja e saj. Në një sobë të vjetër po than në mënyrë primitive sallamin prej derri të përgatitur vetë. Cveta përsërit refrenin se nuk di shqip teksa na shtyn avash-avash drejt daljes së shtëpisë, duke u ndierë mbase e lehtësuar, vetëm kur i vë rrezen dhe e mbyll portën kryesore. Në rrugë shfaqet duke ecur si i kalamendur një mëso-burrë. Sapo e pyet si e kanë gjendjen, Kiçoja, kështu thotë se quhet, të merr për të treguar me një shembull se ku është katandisur gjendja e pastrimit në fshat. Jo më larg se 20 metra nga rruga kryesore, ai të tregon një pirg me fekale njerëzore të hedhura, që kundërmojnë sheshit.

Fekale të derdhura në rrugë pranë qendrës së Pustecit. Foto: G.Hashimi

Gjatë bisedës në një lokal në qendër të fshatit, që shërben edhe si dyqan ushqimesh, shitje rrobash dhe kafene, ankesat e banorëve duket sikur nuk kanë të sosur. Mungesa e ujit është ajo që e vuajnë prej vitesh. “Jo vetëm që kemi mungesë të ujit, por kur bie shi vetëm baltë pimë. Në verë kemi nga dy orë ujë në ditë, tani në dimër pak më shumë, por njerëzit gjithsesi po sëmuren”, thotë një prej banorëve.

Kur pyetet për këtë realitet të hidhur të minoritarëve maqedonas që kanë mbetur prej vitesh anës liqenit të Prespës së Madhe të etur, kryebashkiaku Pali Kolevski detyrohet të pranojë se gjendja është e vështirë. Shoqata aksionere e Ujësjellës kanalizimeve Pustec ka ndërhyrë për problemin e mbartur prej vitesh, të ujit të pijshëm. “Nga 8 fshatra, 4 prej tyre kanë ujë dhe 4 të tjera e kanë zgjidhur vetë me hapjen e puseve apo çezmave”, pretendoi kryetari i bashkisë.

Sipas tij, çështja e ujit të pijshëm është në vëmendjen kryesore të bashkisë, me pastrim të depove, riparime të rrjetit të amortizuar apo gjetje alternative me furnizim nga liqeni nëpërmjet pompave të ujit. “Linjat e furnizimit me ujë janë tejet të amortizuara dhe ne nuk kemi informacion se ku janë të dëmtuara”, pohon kryetari i bashkisë. Nga ana tjetër, banorët që e kanë bërë më parë panoramën sociale të fshatit dhe bashkisë së tyre, pretendojnë se që nga viti 1970 nuk është ndërhyrë nëpër depot e ujit dhe rrjetin e ujësjellësve. Ata kanë shqetësim edhe furnizimin jo të rregullt me energji elektrike. Si të mos mjaftonin këto shqetësime kronike të Pustecit, njerëzit këtu nuk arrijnë të marrin as shërbimin farmaceutik. “Kishim dy farmaci, para 60 viteve dhe një spital. Tani njerëzit detyrohen të blejnë ilaçet në Korçë sepse këtu nuk ka as farmaci dhe as spital. Mirë që kemi një qendër shëndetësore për këtë fshat me 300 familje të mbetura në harresë”, vazhdojnë me qarjen e halleve banorët.

Ish spitali, që shërben si shkollë dhe qendër shëndetësore. Foto: G. Hashimi

Sipas tyre, nuk ka as shërbim interneti, dhe kjo i shkakton një tjetër gjendje izolimi. Ky komunitet megjithatë, mbijeton përmes sakrificave. Afërsia kufitare me Maqedoninë e Veriut, i ka ndihmuar të zhvillojnë tregtinë. Dogana e Gorricës së madhe, është pika e kalimit kufitar që i jep një mundësi punësimi nëpërmjet sjelljes së mallrave nga vendi fqinj. Kryetari i bashkisë i tha Portës Vendore se janë mbi 50 familje që jetesën e tyre e sigurojnë nëpërmjet peshkimit. Edhe këtë aktivitet nuk e kanë të lehtë kur vjen puna për ta tregtuar produktin e tyre. Në mungesë të një tregu të organizuar të shitjes së peshkut në qytetin e Korçës, gratë e zonës se Pustecit detyrohen ta shesin mallin nëpër rrugët e qytetit, ku shpesh ndalohen nga policia bashkiake dhe u sekuestrohen ato qeskat me cironka. Vitet e fundit kanë gjetur si aktivitet fitimprurës kultivimin e çajit.

“Kemi filluar të shkulim bimët sepse ka goxha prodhim dhe as me 8 mijë lekë kilogramin nuk ta merr njeri kur ca vite më parë e tregtonim me 10 mijë lekë kilogramin dhe tregtarët vinin na e merrnin prodhimin këtu në fshat”, shprehet njëra prej banoreve.

Një prej tokave të mbjella me çaj në fshatin Pustec. Foto: G. Hashimi

Një lloj statusi si zonë minoritare, dhe ndryshimi në trajtim nga periudha para viteve 1990 me këto 3 dekadat e fundit, disa prej banorëve më të vjetër i bën të tregohen nostalgjikë. “Kishim tjetër vëmendje dikur si zonë minoritare. Këtu vinin për t’u furnizuar me ushqime nga rrethet e tjera sepse nuk na mungonte gjë. Ndërsa tani, në 30 vite vetëm kjo rruga kryesore brenda fshatit është investuar, asgjë tjetër”, vazhdojnë me ankesat e tyre banorët e Pustecit. “Kur nuk ndryshoi gjendja jonë me investimet gjermane të disa viteve më parë, vështirë se do të përmirësohet tani që financimet kanë shterur”, pohon Andoni, një banor rreth 70 vjeç, që bën herë pas here krahasime të jetesës aktuale me atë të nja 40 viteve të kaluara.

Një nga kanalizimet e pakta në hyrje të fshatit Pustec. Foto: G. Hashimi

Pasi është zgjedhur kryetar bashkie nga zgjedhjet lokale të qershorit si përfaqësues i Partisë Socialiste, Pali Kolevski të le përshtypjen e një nxënësi që do të merret në provim kur i kërkon të japë sqarimet e tij për Njësinë e Qeverisjes Vendore që drejton. Zënia ngushtë e tij nuk ka të bëjë me mungesën e përvojës, por ngaqë tashmë është i vetëdijshëm se çfarë përgjegjësie ka mbi kurriz. Pali Kolevski tregon se puna e parë që bëri pasi mori stafetën nga paraardhësi i tij Edmond Themelko ishte shlyerja e disa borxheve të bashkisë. “Me fondet që na jep qeveria ne vetëm sa sigurojmë rrogat e punonjësve të bashkisë. Mënyra e ndarjes së këtyre fondeve duhet të rishikohet mbi bazën e kapaciteteve. Ne përfitojmë fonde mbi bazën e numrit të popullsisë”, sqaron Pali Kolevski. Sipas tij, granti i qeverisë për Bashkinë Pustec duhet të rishikohet, sepse aktualisht jepet mbi bazën e tokës, numrin e popullsisë dhe atë të nxënësve. Ai e pohon se as pastrimin publik nuk janë në gjendje ta përballojnë. “Fondi vjetor për pastrimin na vjen 4 milionë lekë të reja, kur kostoja e këtij shërbimi arrin në 6.5 milionë lekë të reja. Në këto kushte, as që mund të mendohet se përballojmë grumbullimin e mbetjeve urbane dhe transportimin e tyre për në Landfillin e Maliqit, siç bëjnë të gjitha bashkitë e tjera të Qarkut Korçë”, u shpreh për Porta Vendore kryetari i bashkisë të Pustecit. Dy vende depozitimi për mbetjet që janë caktuar nga bashkia janë thjesht si orientime sepse mbeturinat hidhen ku të munden nga banorët. Në verën që shkoi, Bashkia e Pustecit u vu edhe në provën e përballimit të zjarreve që ranë në Parkun Kombëtar të Prespës. Më shumë se sa pasojat e zjarreve, Bashkia Pustec tërhoqi vëmendjen me një automjet tip furgon të vogël, të përshtatur me një depozitë rreth 100 litra ujë, disa tuba dhe mjete rrethanore që përbënin zjarrfikësen e improvizuar të kësaj bashkie. “Për repartin e zjarrfikëses kemi caktuar një fond të veçantë për vitin e ardhshëm. Do të përpiqemi të sigurojmë një mjet dhe pajisjet e nevojshme”, premton kryetari i bashkisë. Kur ballafaqon planet dhe projektet e institucionit që ai drejton me ato që kanë treguar më parë si problematika banorët, Pali Kolevski nuk kundërshton asgjë. Të ardhurat sigurohen vetëm nga 20 biznese të vogla ose të mesme që sado të hedhin në arkën e bashkisë janë krejt të pa mjaftueshme. Edhe turizmi aq i reklamuar dhe i dëshiruar për zonën e Pustecit nuk mund të gjenerojë buxhet dhe të fuqizohet. Kolevski e pranon se nuk ka shumë kërkesa për turizëm në kushtet e zonës dhe me 60 apo 70 shtretër pushuesit janë gjithnjë e më të rrallë. “Problemi që kemi si bashki është se pronat tona nuk janë të regjistruara. Tani kemi filluar fazën e dytë me ALUIZNI-n por edhe në këtë drejtim na mungojnë fondet”, rendit një tjetër problematikë kryebashkiaku.

Qendra e Pustecit. Foto: G. Hashimi

Ngado që ta shikosh, kjo zonë minoritare duket e fundosur në prapambetje. Bashkia duket si e kapitulluar pa luftë.

Një stacion të fundit e bëjmë në shkollën e Pustecit. Pasi i bie një zileje qëmoti, për të lajmëruar përfundimin e orës së mësimit, drejtori i shkollës Trajan Nikolla, ulet dhe tregon për gjendjen. Nga natyra duket optimist, ose të paktën kështu shfaqet sepse është mësuar prej vitesh edhe ai me realitetin e vendlindjes.

“Ka një rënie të numrit të nxënësve nga largimet e shumta, ndaj shkolla që po investohet si ndërtesë e re nuk do të bëjë shumë punë. Aktualisht kemi 138 nxënës”, shpjegon ai.

Ca objekte kulti në miniaturë, që po të ishin puset kaq të shumta do të shpëtonin nga etja banorët, janë ato që të presin dhe të përcjellin në heshtje. Besimi në Zot, nuk është thjesht shprehje e identitetit dhe traditave të komunitetit në Bashkinë e Pustecit, por me sa duket është shpresa dhe ngushëllimi i tyre më i madh, në humbëtirën e civilizimit ku jetojnë.