28 prill 2020/ Elisa Gjerani/ Esmeralda Keta/ Porta Vendore/ Krujë
Për qindra familje në zonën e Krujës fasoneritë janë i vetmi shpëtim, edhe pse së fundmi ato janë kthyer në vatrën e re të shpërthimit të covid-19. Porta Vendore shkoi në brendësi të njërës prej fasonerive, ku sjell dëshmitë e disa punonjësve. Midis frikës për jetën dhe barrës për të mbajtur familjen, ata mezi presin që të rifillojë puna, ndërkohë që janë 92 raste të konfirmuara pozitive me covid 19 në Krujë.
Lagjja “Kodra e Dervinëve” ndodhet midis Krujës dhe Fushë- Krujës. Ashtu siç ndodh thuajse në të gjithë fshatrat dhe rrethinat e kësaj zone, barra e mbajtjes së familjeve ka rënë mbi gratë, të cilat kanë gjetur “shpëtim” në fasoneritë e shumta që lulëzojnë prej vitesh në Bashkinë e Krujës.
Valentina është njëra prej tyre, ashtu siç edhe gratë e tjera të fisit, punon në fasoneri. Kushtet ekonomike të rënda dhe vetëm rroga e Valentinës nuk mjaftonte për të mbajtur familjen prej 4 anëtarësh, ndaj ajo është detyruar që prej dy vitesh të marrë në fasoneri edhe të bijën, duke i djegur ëndrrën e së nesërmes për një jetë më të mirë.
“Unë kam 8 vite që punoj, ndërsa vajza ka 2 vite…burrin dhe djalin e kam pa punë, kështu që rroga jonë që marrim në fasoneri është i vetmi burim të ardhurash”, shprehet ajo. Valentina na tregon se marsi dhe prilli kanë qenë ditë të vështira për ta, për shkak se kanë punuar shumë pak ditë, e të ardhurat që kanë futur në shtëpi janë minimale.
“Ne paguhemi për aq ditë sa punojmë, kemi punuar 10 ditë në mars dhe 4 ditë në prill. Sapo u shfaq në Krujë virusi, ne na kapi frika pasi me jetën nuk mund ta bëjmë punën. Me 10 ditë çfarë nevojash mund të plotësojmë? Duam të hamë, të pimë në shtëpi, duhen kushte shumë më të mira, duhet me u ushqy edhe më mirë që të rrisim imunitetin, ndërkohë ne nuk kemi hiç. Kur kemi punuar një muaj nuk e kemi mbajt shtëpinë me të gjitha shpenzimet, e jo me 10 ditë që kemi marrë në bankë tani.. ça me marrë, çfarë kohë lufte bëjmë ne me 10 ditë punë?” pyet me të drejtë ajo.
Në këto ditë të vështira, ata presin që të marrin pagën e “luftës” nga qeveria, në të kundërt thonë se do të dalin në protesta, pasi nuk kanë se çfarë humbasin. “Ne presim nga qeveria që të na japë pagën e luftës. Unë paguaj siguracionet prej vitesh, pronari jonë po ashtu, pse nuk paska qeveria, sot në këto ditë të vështira, të na japë 400 mijë lekë? Nëse Edi Rama nuk na paguan lekët, na ka në xhade të madhe, me gjithë gocat, do të dalim në protestë sepse me 10 ditë punë unë s’di çfarë të bëj….përderisa nuk kam qenë e zonja me dërgu vajzën në shkollë, por jam detyruar ta çoj të punojë në fasoneri”, përfundon ajo.
Adelina është vetëm 20 vjeçe dhe ëndërronte të bëhej juriste. Por ëndrra e saj u ndërpre në mes, pasi megjithëse me rezultate të shkëlqyera, dy vite më parë, kur i doli e drejta e studimit për Drejtësi pranë Universitetit të Durrësit, prindërit nuk e dërguan në shkollë për shkak të varfërisë. Që prej dy vitesh, shumë larg nga ëndrra e saj, e reja punon me të ëmën në prodhimin e këpucëve në një nga fasoneritë e zonës. Adelina nuk e fsheh trishtimin për “fatin” që po jeton.
“Jam vetëm 20 vjeçe, kisha ëndrra të tjera për jetën. Nuk është e drejtë të jem e detyruar të punoj në një fasoneri. Jeta është shumë e gjatë dhe unë do të doja të kisha një tjetër drejtim, ndërsa tani do të jem e detyruar të punoj gjithë jetën në fasoneri”, thotë e inatosur ajo, por plotësisht e dorëzuar përpara vështirësive ekonomike të familjes.

Sipas saj, puna në fasoneri nuk është e lehtë, por varfëria e ka detyruar. “Unë as në shkollë nuk shkova dot për shkak të ekonomisë, e normal që kjo punë nuk është e lehtë. Ëndrra ime është të kem një profesion, por gjendja ekonomike është e rëndë. Familja do pak ndihmë, dhe ajo rroga që marrim ne në fasoneri mezi del të plotësojmë nevojat minimale të familjes. E jo më të paguajmë edhe shkollën time”, pohon ajo.
E reja shpjegon se gjatë kësaj periudhe kanë qëndruar në shtëpi, për shkak të shpërthimit të Covid-19 në fasoneritë e zonës. “Jeta duhet më shumë se leku, por nuk e dimë se sa mund të vazhdojmë kështu. Nëse nuk na mbështet shteti, ne pak zgjedhje na mbeten: O të kthehemi në punë, pavarësisht rrezikut ose të dalim në rrugë të protestojmë”, na thotë e reja që ëndrrën për juriste duket se nuk ia ka vrarë ende puna e padëshiruar në fasoneri.
Edhe për Liljanën “shpëtimi” ekonomik ka ardhur nga fasoneria. Ajo punon që prej 10 vitesh dhe madje është rritur edhe në karrierë, pasi aktualisht është përgjegjëse manovie, që do të thotë se kujdeset për mbarëvajtjen e procesin të punës për disa punonjëse.
“Frikë edhe kemi, edhe nuk kemi…punojmë me maska, me dezinfektantë, me doreza, por frika është se mund ta marrim nga njerëzit e tjerë që takojmë…” shpjegon ajo, ndërsa shton se vazhdimisht i porosisin punëtorët që të ruajnë distancën. Ndonëse fasoneria e tyre është mbyllur që me datë 9 prill, ajo rrëfen se ndihet e sigurt sa kohë që në mesin e punëtoreve nuk ka asnjë rast të konfirmuar. Por pavarësisht frikës nga Covid, ajo ka më shumë frikën e mungesës së rrogës, duke qenë se ata paguhen në varësi të ditëve që shkojnë në punë.
“Shpresa jonë mbetet paga e luftës që ka premtuar kryeministri. Unë flas edhe me punonjëset e tjera dhe thuajse të gjitha kanë sitë ardhur vetëm rrogën që marrin në fasoneri dhe janë në vështirësi të mëdha ekonomike. Shpresojmë të marrim pagën e luftës, pasi besoj se e meritojmë. Përderisa janë prekur shumë veta, është frikë të dalësh të punosh”, na thotë ajo.

Flutura Hajdini ka si të vetme të ardhur për të mbajtur familjen rrogën në fasoneri. Ajo është kryefamiljare dhe ka dy fëmijë për të rritur. “Shumë e vështirë, unë kam për të mbajtur dy fëmijë dhe normal kur nuk kemi tjetër mundësi do të shkojmë në punë, pavarësisht frikës që kemi”, shprehet ajo.
“Jemi me shpresën tek paga e luftës, pasi kjo situatë na ka prekur të gjithë ekonominë familjare. Unë nuk kam para për të paguar internetin e kalamajve, ndërkohë që duhet të bëjnë mësimin on-line…shto këtu edhe 100 vështirësi të tjera. Si t’ia dal unë dhe familja ime?”, tha ajo për Portën Vendore.
Fasoneritë, ku ato punojnë deri pak ditësh janë mbyllur si pasojë e përhapjes së Covid 19 në ambientet e tyre të punës. Porta Vendore kontaktoi edhe me të tjera gra, të cilat për shkak të rrezikut për humbjen e vendit të punës nuk pranuan të jepnin një intervistë, por ato i thanë Portës Vendore se rastet e infektimeve në fasoneritë ku punojnë i kanë marrë vesh nga të tjerët, pasi fabrika është mbyllur.
Porta Vendore kontaktoi gjithashtu me një nga të infektuarit e fundit të dalë pozitiv në tamponin e ditës së djeshme, të datës 27 prill, një 21 vjeçar i cili jeton në Kodër Thumanë dhe punon prej disa kohësh në një nga fasoneritë e Krujës.
“Jam mirë tani, kisha temperaturë vetëm 2 ditët e para. Tamponin ia kanë bërë të gjithë familjes sime, por vetëm unë dola pozitiv. Mezi po pres të dal nga ky burg”, tha V. J. për Portën Vendore, ndërsa thekson se po trajtohet në kushte shtëpie, i izoluar në vetëkarantinim. “Nuk e di nga e kam marrë, atë se di asnjë”, përfundon djali i ri.
Redion Roshi, drejtor i njësisë vendore të Kujdesit Shëndetësor në Krujë, rrëfen se ditët e fundit, kanë qenë shumë intensive për personelin shëndetësor, dhe fokusi kanë qenë fasoneritë. “Që prej identifikimit të rastit të parë, ne aktualisht kemi kryer më shumë se 260 testime. Kemi gjurmuar çdo rast që na është sinjalizuar nga mjeku i familjes, nga mjeku i lagjes apo nga 127, apo që kanë pasur shenja. Dhe aktualisht kemi 92 raste të konfirmuara, nga të cilat 6 rastet e para janë shëruar”, shpjegon ai.
Sipas tij, aktualisht janë konfirmuar raste pozitive në 5 fasoneri të Krujës, ndërsa janë nën monitorim edhe disa të tjera të dyshuara. “Përveç fasoneri ‘Endi’, që ka rastet më të shumta, në fasoneritë e tjera janë konfirmuar nga 2-3 raste pozitive, ndërkohë që kemi çuar mostrat edhe për një fasoneri tjetër, teksa presim rezultatet”, sqaron ai për Portën Vendore.
Sipas tij, sa i përket pretendimeve se disa fasoneri nuk kanë gjurmuar kontaktet ai sqaron se: “Ne gjurmojmë të gjitha rastet e dyshuara që na sinjalizohen dhe për sa kohë që nga fasoneritë nuk kemi sinjalizime se kanë persona të dyshuar dhe ndërkohë ato janë mbyllur, ne nuk kemi se çfarë gjurmojmë”, shpjegon ai, i cili apelon që nëse dikush ka shenja të kontaktojë menjëherë autoritete përkatëse.
Sipas tij, të gjitha rastet pozitive, po ndiqen edhe nga policia, nëse respektojnë rregullat e karantinimit apo jo, ndërsa çdo lloj ndihme po u dërgohet në shtëpi.
Në Krujë numërohen 20 fasoneri, ndërsa 6 prej tyre janë mbyllur deri më tani, pas rasteve pozitive me Covid 19 të shpallura në ambientet e tyre.
“Vendimi i mbylljes së fasonerive ka ardhur si pasojë e rasteve të Covid 19 të konstatuara në to. Deri më tani Inspektorati ka ekzekutuar vendim mbyllje në 6 fasoneri të Fushë-Krujës, kjo është bërë në ditë të ndryshme, menjëherë pas Drejtoria e Higjienës na informonte për rastet e reja të infektuara në këto ambiente”, tha Zhaneta Saliu drejtuese e Inspektoratit Shtetëror Shëndetësor të qarkut Durrës, ndërsa thekson se ka raste të reja nga fasoneritë e mbyllura dhe po bëhet gjurmimi i kontakteve.
Nga ana tjetër drejtuesit e dy prej fasonerive ku janë evidentuar raste me Covid 19 në Fushë-Krujë kanë pretendimet e veta lidhur me këtë situatë.
Luan Pistolja është administrator i fasonerisë “Endi Shpk”, ku u shfaqën edhe rastet e para të grave të infektuara, e ku sipas autoriteteve shëndetësore lokale, nga kjo vatër janë edhe rastet më të shumta të konfirmuara pozitiv me Covid 19 në Krujë.
“E kemi bërë distancimin social që në fillim kur u shfaq rasti i parë më koronavirus në Shqipëri. Kemi përgjysmuar stafin, pasi rreth 170 persona nuk vinin në punë nga frika e Covidit, gjatë muajit të parë si dhe e respektojmë distancën e vendosur nga protokolli i kuq në autobus. U bë gati dy javë që jemi mbyllur, me tu konstatuar rasti i parë me koronavirus. Maskat i prodhova vetë dhe ua shpërndava. Ndërsa materiali i tyre mund tu lante në temperaturë 90 gradë dhe të hekurosej më pas. Kam shpërndarë edhe për familjarët e punonjësve të mi”, tha administratori Pistolja për Portën Vendore.

I pyetur nga Porta Vendore se në cilin moment precipitoi situata për përhapjen e Covid 19 në fasonerinë e tij, ai tregon se: “Rreth 170 persona prej një muaji nuk vinin në punë nga frika e Covidit, por kur situata po zgjaste më shumë seç pritej, ata filluan avash-avash t’i riktheheshin punës. Aty mendoj ka qenë ndokush i infektuar dhe pa dijeninë e tij ka infektuar edhe persona të tjerë. Ne pas rastit të shfaqur në fasoneri u vetëkarantinuam të gjithë. Unë si administrator i fasonerisë i kërkova drejtorisë së higjienës që t’i bënte tamponin të gjithë stafit, por nuk e di çfarë kanë bërë dhe se sa persona kanë dalë të infektuar”, shfajësohet administratori Pistolja, duke shtuar se këtë detaj do ta mësojë në datën 4 maj kur t’i rikthehen punës.
“Më vjen keq që ndodhi në fasonerinë time. 25 vite punë dhe përkushtim në këtë sektor. Numëroj 1300 punonjës në 3 fasoneritë e mia, dhe gjithë ky emër i mirë të shuhet për dy sekonda në Shqipëri, a thua se faji i infektimit ishte i imi?”, tha ai.
Në Krujë, bizneset fasone që operojnë në këtë zonë prej vitesh kanë punësuar rreth 5 mijë gra e vajza të zonës, ndërsa këto fasoneri prodhojnë kryesisht këpucë pune për Italinë. Pronarët vetë pranojnë se ka treg për të gjithë ndaj nuk ka konkurrencë midis tyre, por si në çdo sipërmarrje tjetër edhe biznesi fason në Krujë është i ndarë në 2 klane.
Muharrem Hoçja është administrator i një tjetër fasonerie në Fushë-Krujë. Ai na hap dyert e biznesit të tij për të parë nga afër kushtet e fasonerisë, megjithëse të mbyllur me urdhër të ISHSH-së që në datën 20 prill 2020.
“Puna ka ndalur që në datën 9 prill. Unë e kam mbyllur sepse edhe Italia me situatën që po kalon na ka anuluar porositë, plus po punonim me staf të reduktuar. Më kanë ardhur nga Inspektorati dhe më kanë vendosur letrën e mbylljes tek dera pa më dhënë asnjë vendim”, tha Muharremi për Portën Vendore, teksa na tregon ambientet e punës.

Ai ka 10 vite që merret me fasoneri, ku fillimisht ka pasur një në Lezhë e në vitin 2014 ndërtoj një fasoneri 5700 metra katrorë në rrugën Fushë-Krujë – Krujë. Ai ka të punësuar 350 punonjësit nga zona të ndryshme, si Lezha, Kurbini, Thumana, Kruja, e Fushë Kruja. Hoçja shprehet kundër protokollit të kuq të miratuar nga qeveria dhe që kërkon zbatim nga biznesi fason. Sipas tij, ka një sërë gjërash që duhet të ndryshohen, përndryshe biznesi fason do të falimentojë e do të shkojë drejt mbylljes së aktivitetit të paktën deri në përmirësimin e situatës.

“Përsa i përket zbatimit të protokollit të kuq të qeverisë më duket e pamundur. Manovia (rreshti i tavolinave në fasoneri) është e standardeve europiane dhe ka distancën e vet prej 1.3 metrash. Kjo është punë në proces dhe unë s’mund të lë tavolina bosh që të krijoj distancë prej 2 metrash, plus ato punojnë me maska dhe me kurriz nga njëra-tjetra. Ndërsa për sa i përket distancimit fizik në furgonët e fasonerisë sërish është e pamundur, sepse unë kam gra nga Fushë-Kruja, Thumana, Lezha, e disa zona të tjera, i bie unë gjithë ditën të merrem vetëm me transportin e tyre. Nëse kjo situatë vazhdon atëherë po rrimë edhe një muaj tjetër mbyllur dhe të hapemi e të punojmë tamam, jo kështu me reduktim stafi pasi nuk na leverdis fare”, tha ai për Portën Vendore.

Protokolli i kuq për biznesin fason kërkon një punonjës shëndetësie të kontraktuar nga kompania për monitorimin e punonjësve, matjen e temperaturës së tyre dhe mbarëvajtjen shëndetësore, ndërsa vë theksin te distancimi fizik në ambientet e punës dhe të furgonit të transportit për në punë. Në protokollin e kuq parashikohet gjithashtu ndjekja e rregullave të vendosjes së dorezave, maskave, dezinfektimin e ambientit para nisjes së punës dhe pas mbarimit të saj, si dhe dezinfektimi i tavolinave të punës etj.

“Maska kemi mbajtur gjatë punës, ndërsa doreza jo, pasi është e pamundur të punosh me to në rrobaqepësi, pengojnë. Por unë i kam krijuar kushte punonjësve me sapun e dezinfektant, si dhe e kam dezinfektuar ambientit e punës herë pas here”, tha administratori Hoçja, ndërsa na tregon se 9 nga 20 fasoneritë në zonën e Krujës i kanë dërguar një letër të përbashkët institucioneve kryesore, në datë 24 prill me 4 kërkesa të tyre.
- Qeveria të marri përsipër me fondet e saja, kostot shtesë për realizimin e masave të punës ndaj
- parandalimit të COVID-19, dhe këto masa duhet të jenë teknikisht të arritshme për Ne.
- Kryerjen e Transport të Punonjësve, sipas Lejes së ka thënë Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transport Rrugor (DPSHTRR), Numri i punonjësve ‘pasagjerëve’ në Mjetet e Transport, nuk duhet të ndryshojë.
- Të qartësohet mbështetja Financiare e Qeverisë ndaj Punonjësve të Sektorit “FASON”.
- Qeveria në mënyrë të veçantë dhe urgjente, duhet të harmonizojë punën në Sektorin Fason, përballë Kontratave me Porositësit që ka ky Sektor.
Muharremi na tregon se puna e tij është e fokusuar kryesisht me disa klientë në Padova dhe në zonën e Brindisit, dhe gjithçka funksionon me kontrata 1 vjeçare, ku për një muaj vetëm një nga kompaninë kërkon 80 000 palë këpucë.

“1.5 euro marr unë për një palë këpucë pune teksa mallin e marrim nga kompania por që ka kosto se më duhet ta transportoj, ta pres, ta qep, ta montoj dhe ta transportoj sërish. Si këto këpucë nëse punoj me kapacitet të plotë mund të bëjmë në ditë 400 këpucë të tilla. Por ata normal zgjedhin Shqipërinë se ka krahë të lirë pune, por qeveritarët mendojnë se ne bëjmë raketa këtu dhe kushedi sa fitojmë. Kam bërë investime dhe kam kredi 900 mijë euro ndaj më duhet të punoj, ti rikthehem punës dhe normalitetit”, rrëfen Muharremi për Portën Vendore.

Por kur flitet për të drejtat e punonjësve të tyre, pronarët e fasonerive bëhen të ndjeshëm, ndaj kërkojnë nga qeveria pagën prej 40 000 mijë lekësh edhe për ata.
“Unë i kam heq nga puna të 250 veta në datën 9 prill, dmth të gjithë përveç atyre që kisha me raporte. I hoqa pas shpalljes së paketës së dytë të qeverisë ku fasonët nuk u përfshin. Por në sistem për shkak të ngarkesës ato janë konfirmuar 10 ditë më mbrapa tek tatimet, dhe ndaj nuk përfitojnë gjë. Por unë do e kërkojë deri në Strasburg të drejtën e punëtorëve të fasonerisë për të marrë pagën nga paketa nr. 2 e qeverisë. Gjithsesi unë si pronar nëse qeveria nuk i jep pagesë, do të marr kredi dhe nga një 200 mijë leksh do t’ia jap për këto kohë që kanë mbetur pushim”, tha Muharrem Hoçja, pronari i fasonerisë me të njëjtin emër.
Edhe Luan Pistolja ndan të njëjtin mendim me Muharremin në këtë pikë. Përsa i përket pagës prej 40 mijë lekësh të reja, Luani gjykon se qeveria duhet të vërë dorën në zemër e të bëj një lëshim për fasonët. “Gjynah janë, duhet t’ia jap qeveria një pagesë për këto kohë që kanë qëndruar në shtëpi. Nëse qeveria nuk i jep asgjë, atëherë unë do ti jap një pagesë nga vetja punëtorëve të mi, ashtu siç kam ndihmuar edhe shumë prej tyre pas tërmetit të 26 nëntorit, ashtu do të veprojë edhe për këtë situatë të koronavirusit”, tha ai për Portën Vendore.
Fasoneritë e mbyllura po bëhen gati të hapen e të rifillojnë punën normalisht në datën 4 maj, pasi atëherë janë sinjalet e para të hapjes edhe në shtetin fqinj Italinë, me të cilën fasoneritë e Krujës bashkëpunojnë.
“Në datën 4 maj kur ta hap do të kërkoj inspektim tërësor të ambientit, si dhe do ti kërkoj çdo punonjësi letër nga mjeku i familjes. Do të angazhojë gjithashtu edhe dy infermierë që të kontrollojnë temperaturën e punonjësve dhe gjendjen e tyre shëndetësore. Do t’i respektoj të gjitha masat që protokolli i kuq ka përcaktuar. Po jam i detyruar ti respektojë se s’na lë më kush”, tha Administratori i “Endi Shpk-së”.
Porta Vendore pyeti mbi këtë çështje drejtuesen e Inspektoratit Shtetëror Shëndetësor, se sa e mundur dhe e lejueshme është hapja e këtyre bizneseve në këtë datë. “Askush nuk mund të hapi fasonerinë pa dërguar një kërkesë tek ne që të shkojmë për inspektim, dhe vendimi i hapjes merret pasi konfirmohet që nga mostrat e reja të analizave të marra nuk ka punonjëse pozitive nga Covid 19”, përfundon Zhaneta Saliu drejtuesja e ISHSH-së Durrës.
Edhe opozita ka kërkuar një javë më parë, mbylljen e fasonerive pas shfaqjes së rasteve të para me Covid 19.
Orjola Pampuri, thotë se e ka ndjekur nga afër situatën me fasoneritë e Krujës. “Situata atje është vërtetë e tmerrshme, rastet e konfirmuara janë vetëm maja e ajsbergut”, thotë ajo. Sipas saj, vetëm nëse bëhen testime masive mes punonjësve të fasonerive, situata do të shkojë drejt normalizimit. “Ka fasoneri që askush nuk e dinte që ka të infektuar, fasoneritë janë mbyllur, ndërkohë që ata tani po qëndrojnë në shtëpi, mund të takojnë edhe persona të tjerë të lagjes, dhe të kthehen kështu në burim infeksioni pasi ata vetë nuk e dinë. Ndaj unë këmbëngul se duhet testime masive, madje edhe testi serologjik”, tha Pampuri për Portën Vendore.
Sipas saj është absurd edhe fakti që qeveria nuk po u jep pagën e luftës. “Pjesa më e madhe e tyre janë të rrënuar ekonomikisht dhe iu takon paga e ‘Luftës’. Çfarë shteti jemi, nëse ata kanë një jetë që paguajnë siguracione ndërsa ne s’u japim dot një muaj rrogë? Në kushtet kur ata kanë mbetur pa paga, fasonët po rishikojnë mundësinë për t’u hapur me datë 4 maj, por kjo është e pamundur në këto kushte. Shteti duhet ta marrë seriozisht situatën në fasoneritë”, përfundon Pampuri.
Pano Soko , ekspert ekonomie tha për Portën Vendore se është kundra karantinimit, pasi sipas tij e gjitha kjo nuk është ndalimi i aktiviteteve sesa distancim social.
“Jam kundra vendimeve të mbylljes për të gjithë bizneset jo vetëm për fasoneritë. Nuk është mbyllja e tyre zgjidhje, se kjo çon në një “vdekje klinike” nga pikëpamja ekonomike. Unë jam i mendimit që ato duhet të qëndrojnë hapur por të kenë masa rreptësisht të respektueshme. Qëllimi i karantinës në vetvete nuk është që të shpëtojmë nga covid19 por që të ulim mundësinë e infektimit, duke respektuar distancimin. Kjo mund të zgjidhet nga biznesi duke reduktuar stafin e duke shtuar turnet”, shprehet Soko për Portën Vendore.
Kruja ka 92 raste të konfirmuara me covid19, ku sipas institucioneve kryesore rastet e dala pozitive kanë lidhje vetëm me vatrat e krijuara në fasoneri.