Ngjarje/Personazhe

Qyteza të gjunjëzuara!

27 prill 2020/ Esmeralda Keta/ Porta Vendore/ Krujë/ Kurbin

Të shndërruara në epiqendrën e re të shpërthimit të Covid-19, banorët e Krujës, Thumanës, Fushë- Krujës dhe Laçit, po respektojnë “shtetrrethimin”, por ndihen të pashpresë, ndërsa rastet me Covid 19 shtohen dita-ditës, duke e çuar në 92 raste Krujën dhe në 31 raste Kurbinin. Të gjunjëzuar më herët nga tërmeti i 26 nëntorit ata shprehen se virusi është i mirëpritur, pasi nuk kanë më se çfarë të humbasin.

Është ora 09: 00 e mëngjesit të së dielës dhe rrugët e Fushë-Krujës janë thuajse të boshatisura. Përveç një patrulle policie që ka ngritur postbllokun në qendër të qytetit, kalimtarët në rrugë janë fare të rrallë.

Patrulle policie që ka ngritur postbllokun në qendër të qytetit.

Dita e bukur dhe dielli joshës i pranverës nuk i tundon banorët e kësaj qyteze të vogël, të “thyejnë” rregullat strikte të vendosura nga qeveria për parandalimin e përhapjes së Covid19. Të rralla janë edhe nënat me fëmijë, që ndonëse kanë të drejtë të shëtisin fëmijët e tyre, nuk kanë guxuar të dalin jashtë pragut të shtëpisë së tyre.

Rruga kryesore e Fushë-Krujës.

Po aq të bindur duket se janë edhe banorët e Krujës. Ndryshe nga fundjavat e mëparshme, kur qyteti historik gumëzhinte nga turistët e shumtë, ndonëse është ora 11:00 e paradites, duket se qyteti ende nuk është zgjuar. Ndryshe nga pamjet që ka ofruar kryeqyteti përgjatë kësaj dite, rrugët e Krujës krejtësisht të boshatisura, tregojnë për një bindje pa mëdyshje ndaj urdhrit të qeverisë për të qëndruar brenda.

Kruja ditën e diel, datë 26 prill 2020.

Edhe Thumana e gjunjëzuar nga tërmeti, duket se tashmë ka ulur kokën edhe më shumë nga frika e virusit. Përveç një grupi djemsh që takojmë në qendër të fshatit, të cilët respektojnë distancën, të tjerët janë ngujuar brenda banesave.

Ndonëse është mesditë, qyteti i Laçit po ashtu është i heshtur. Rrugët kryesore janë të boshatisura, ndryshe nga ato të lagjeve që gumëzhijnë nga zërat e fëmijëve.

Frika nga Covid 19

Bashkim Mullaj zbret çdo ditë nga fshati Budull i Krujës dhe ashtu si çdo ditë për 20 vite, zbret në qytet për të shpërndarë qumështin pranë klientëve të tij. Ua lë te porta e shtëpisë, ndaj kjo është arsyeja sipas tij që nuk mban as dorezë e as maska. “Nuk kam frikë nga virusi sepse unë vetë nuk takoj njeri, as me klientët që u shes qumështin, pasi ua lë te dera dhe pastaj kthehem në fshat, merrem me tokën. Ndaj nuk kam përse të kem frikë”, sqaron ai, ndërsa niset t’i çojë në shtëpi një tjetër klienti qumështin e porositur.

Bashkim Mullaj, shpërndarësi i qumështit në Fushë-Krujë.

Por ai nuk është i vetmi. Gjatë mëngjesit të së dielës ndeshemi me të tjerë shpërndarës qumështi.

Një tjetër zotëri që shpërndan qumështin mëngjesin e së dielës.

Flamur Xhafa është ndër të paktët që takojmë në rrugët e Fushë-Krujës. Ai rrëfen se shpërthimi i rasteve me Covid-19 ditët e fundit nga fasoneritë e ka shtuar frikën mes banorëve. “Unë kam qëndruar në shtëpi që nga fillimi i marsit, kur edhe u vendos karantina. Daljet e mia janë vetëm të nevojshme, për të bërë Pazar apo hedhur mbeturinat siç ndodhi edhe sot. Sigurisht që shpërthimi i kaq shumë rasteve nga fasoneritë na ka trembur, pasi ne kemi edhe njëfarë moshe”, na thotë ai ndërsa shton se në qytetin e tij, thuajse të gjithë i kanë respektuar rregullat.

Flamur Xhafa duke folur për Portën Vendore.

Gëzim Çela, një tjetër banor i Fushë-Krujës, shprehet se pas kësaj pandemie shumë nga rregullat tona të përditshme do të ndryshojnë.

“Nuk do të jetë më njësoj as kur takojmë një mik, një shok apo një familjar. Unë kam mbesën ngjitur dhe më djeg shpirti për ta takuar, por duhet t’i respektojmë disa rregulla, për të mirën e shëndetit tonë. Aq më tepër që tashmë në qytetin tonë kanë dalë gjithë ato raste pozitive. Askush nuk e di, kë takon dhe nga e merr. Deri tani njerëzit i kanë respektuar rregullat, por unë shpresoj ta bëjmë deri në fund të kësaj lufte”, përfundon ai.

Agimi është një tjetër banor që takojmë në Fushë-Krujë. Ai po shijon rrezet e diellit përpara pallatit dhe thotë se është i detyruar të zbatojë rregullat, por jo se ka frikë. “Unë kam frikë vetëm nga Zoti, një ditë kemi për të ikur të gjithë nga kjo botë dhe nuk ia vlen të fshihesh kështu. Kam dalë çdo ditë para pallatit të marr rreze dielli, e pse jo të takoj edhe shokët e mi”, tha ai për Portën Vendore.

Agimi nga Fushë-Kruja duke folur për Portën Vendore.

Teksa dy persona nga policia bashkiake përpiqen të “disiplinojnë” ata që kanë “thyer” karantinën paraditen e së dielës.

Policia bashkiake e Krujës duke urdhëruar banorët të shkojnë nëpër banesa.

“Është e vështirë për ne, jemi gjithë kohës në terren. Këtë punë kemi, të ndërgjegjësojmë qytetarët të futen brenda. S’kemi rrugë tjetër. Shumica janë të bindshëm e disa të tjerë na lodhin”, tregon për Portën Vendore një nga policët bashkiakë.

81-vjeçari Gjon Mark Gjoka, baba i 10 fëmijëve, thotë se nuk ka asnjë frikë nga virusi. “Njeriu duhet të ruajë veten e tij. Rregullat dihen, me maska e doreza dhe ja ku e ruajmë veten”, tha ai. I moshuari, i cili ka dalë në kërkim të një furre buke, thotë se nuk e trembin shtimet e rasteve në zonën e Krujës. “Njeriu duhet me pas kujdes, sepse siç thotë ajo fjalë e urtë ‘një dhi ta ketë zgjeben e merr e gjithë tufa’. Të respektojmë të gjithë rregullat dhe gjithçka do shkojë mirë”, sqaron ai.

Gjon Gjoka duke folur për Portën Vendore.

Vetëm disa kilometra më tutje shtrihet Kurbini. Me të hyrë në qytetin e  Laçit, ai që takojmë së pari është Landi, një punonjës karburanti, që pohon të ketë frikë ndaj koronavirusit dhe rasteve gjithnjë në rritje të qytetin e tij.

“Po kam frikë, por ja përpiqem të punoj me maskë, me masa mbrojtëse e të mos kem kontakt të afërt me klientët. Por me thënë të drejtën, jam shumë i shqetësuar që na ka mbërritur virusi edhe këtu. S’ndjehemi më të sigurt”, rrëfen ai për Portën Vendore, ndërsa vijon të mbushë me karburant një makinë.

Në lagjet e Kurbinit, fëmijët kanë preferuar të shijojnë lojën, duke zbarkuar poshtë pallateve me biçikleta e duke luajtur me njëri tjetrin.

Fëmijët zgjedhin biçikletën në vend të karantinës.

“Nuk kemi frikë nga virusi. Mua personalisht me duket një gënjeshtër e madhe. Megjithatë tregoj kujdes për gjyshërit kur shkoj në shtëpi meqë ata janë të moshuar e me sëmundje të tjera kronike, e nuk do të doja t’i çoja ndonjë infeksion. Unë teksa bëj xhiro me biçikletë mbaj distancë”, tha për Portën Vendore Bernardi.

Gerdi duhet të ishte në Universitet këtë periudhë, por është i detyruar të qëndrojë në shtëpi. “Me mungon rutina ime, universiteti, shoqëria…ndërkohë u bënë dy muaj vetëm në shtëpi dhe as nuk dalim dot”, na thotë ai ndërsa shton me pesimizëm se nuk po i ndjek mësimet online. “Nuk kam besim se do të vazhdojë shkolla këtë vit…kështu siç e kemi nisur, zor se do të mund të diplomohemi në kohë” përfundon ai.

Në bordurat e dyqaneve të mbyllur qëndrojnë disa të rinj, të cilët nuk e respektojnë distancimin fizik mes njëri-tjetrit, pasi edhe për ta Covid 19 nuk ekziston. “Ka shumë që e thyejnë karantinën por ne kemi dalë për të marrë ajër, plus ne jemi të rinj dhe energjikë, nuk na gjen gjë”, tha Reli.

Kurbin, rinia në përpjekje për të sfiduar covid 19 .

Ramazan Luku po shfrytëzon ditët e muajit të agjërimit të Ramazanit për të mbledhur ndonjë lek. Ai i bie daulles në qytetin e Laçit me shpresën se dikush do t’i falë ndonjë lek. “Deri më tani nuk kam marrë asnjë ndihmë nga bashkia për virusin. Unë nuk kam bukë që të ha, së bashku me nënën time, ndaj më mirë se të vdes nga uria le të vdesim nga virusi…së paku duke i rënë daulles e nxjerr një dy mijë lekësh (të vjetra) e mund ta ble një copë bukë”, thotë ai.

Ramazani me të ëmën duke folur për Portën Vendore.

Të gjunjëzuar nga tërmeti dhe Covid

Nën rrënojat e Thumanës duket se është varrosur edhe ajo pak shpresë që iu ishte dhënë banorëve pas tërmetit të 26 nëntorit. Banorët e paktë që vijnë vërdallë lagjes ku dikur ngriheshin banesat e tyre, tashmë janë dorëzuar.

Frikë nga virusi? – na pyet Ymeri, – po çfarë do të më bëjë virusi mua, pas asaj që kam përjetuar me tërmetin. Pa shtëpi jam, u bënë 5 muaj që fle në çadër. E vetmja gjë që dua, është të di nëse do të na ndërtohen shtëpitë apo jo”, na thotë ai, ndërsa shton se në Thumanë janë disa gra të izoluara për shkak të Covid 19, por që nuk ka frikë. “Ato janë izoluar për shkak se punojnë në fasoneri dhe nuk dalin nga shtëpia, por edhe sikur…çfarë do të na ndodhë më shumë. E vetmja frikë është se për shkak të virusit po rrezikojmë të ngelemi pa shtëpi”, përfundon ai.

Ymer Cenja nga Thumana duke folur për Portën Vendore.

Agimi i druhet njësoj virusit, ndonëse trauma që i ka lënë tërmeti i 26 nëntorit ende nuk është zbehur. “Mezi arrita të shpëtoj gruan, pasi vajzën nuk e kisha në shtëpi, dhe nuk arrita të shpëtoj asgjë, përveç jetëve. Por këto jetë që i shpëtuam nga tërmeti, dua t’i ruajmë edhe nga virusi. Dalim shumë rrallë, vetëm kur kemi punë, pasi këtu në fshat ka disa gra të infektuara e normalisht edhe meraku është i madh” tha ai për Portën Vendore.

Varfëria është ulur këmbëkryq edhe në shtëpinë e Age Përgjegjas. Ajo së bashku me tre djemtë jetojnë vetëm me 80 mijë lekëshin e invaliditetit të saj. Pallati ku ajo jeton në Laç është shpallur i pabanueshëm, por ata nuk e kanë lënë shtëpinë dhe vazhdojnë e jetojnë në të. “Virusi?! Ai është i mirëpritur tek ne, le të vijë e të mbarojmë punë. Si mund të jetojmë në këto kushte? Shtëpia po na shembet, djemtë i kam pa punë, bashkia na ka sjellë një shishe vaj e ca ushqime…e si ia dalim ne me 80 mijë lekëshin tim të KEMP? Çfarë do të ndodhë me ne? Këtë dua të di unë”, pyet me të drejtë Agia.

Age Përgjegja ndësa bën apel për ndihmë.

Ajo thotë se i dëgjon çdo ditë në Tv premtimet e kryeministrit, por ka pak shpresë se do të bëjë diçka konkrete. “Vetëm llafe kemi dëgjuar që kur na ra tërmeti, por gjë nuk po bën njeri. E me këtë virusin që na ka dalë, më keq po bëhet për ne”, shprehet ajo.

Xhuljana Sulejmani, 60 vjeçe, e papunë, banon në afërsi të ish-konvikteve të Laçit. Ajo është e detyruar që të merret me qëndisma të ndryshme që ua shet vajzave për pajë e të sigurojë kështu para për të blerë ushqime e gjëra të tjera bazike. Edhe shtëpia e saj, ka dalë e pabanueshme, por si të gjithë komshinjtë e saj, as ajo nuk e ka lënë banesën. “E ku të shkojmë? Qiratë janë rritur, tani na ka dalë edhe virusi dhe askush nuk e ka mendjen tek ne. Unë s’kam frikë nga virusi, unë kam frikë vetëm nga harresa e shtetit. Ndaj unë jam e detyruar që të qëndis e të shes për të marrë ndonjë lek” tregon ajo për Portën Vendore.

Pallati në të cilin jeton Xhuljana  Sulejmani.

Nikolin Deda është një tjetër banor i ish konviktit në Laç. Pasi jetoi 3 muaj me qira ai u rikthye në banesën e prindërve, e cila ka dalë e pabanueshme. Me bashkëshorten dhe një djalë 4 muajsh, ditët e karantinës po i ngrys mes varfërisë dhe frikës nga ndonjë tërmet tjetër, i cili do të rezultonte fatal për Laçin, ashtu sikurse ndodhi edhe në Thumanë.

“Këtu jemi dy kurorë. Nana paguhet me bonus qiraje ndërsa unë jo. S’kam marrë asnjë ndihmë nga shteti, vetëm bashkia më ka sjellë një qese me ushqime, vaj e makarona. Djalin e kam me temperaturë e me ilaçe, s’kam lekë t’ia blej. Jetoj me 180 mijë lekë të raportit të lindjes, në punë nuk jam aktualisht, jam shumë keq”, tha për Portën Vendore Nikolini.