Ngjarje/Personazhe

Lumi Drin ndot edhe zonat turistike të Lezhës

27 prill 2020/ Elvis Hila/ Porta Vendore/ Lezhë

Prej shumë vitesh Lumi Drin në Lezhë e ka ngadalësuar rrjedhën e tij për në det. Kjo ka ardhur për shkak të ndërprerjeve të prurjeve. Që në vitin 1950 kur u zbatua projekti i bonifikimit dhe i kullimit të zonës së Zadrimës në lumin Drin të Lezhës, nuk vjen më asnjë pikë ujë nga rrjedha e lumit të moçëm, por e gjitha kalon në det përmes Lumit Buna.

Në këtë lumë që përshkon zonën e Lezhës shkarkohen vetëm kanalet kulluese të zonave të ndryshme, duke bërë që të degradojë në kënetë e moçal që ndot mjedisin. Ekspertët e mjedisit fajësojnë papërgjegjshmërinë njerëzore për këtë situatë.

“Zhdukja e lumit Drin në mënyrë të ndërgjegjshme nga veprimtaria njerëzore është një rast i paprecedentë, pra të humbësh një dhuratë të natyrës me vlera të shumta për vetë komunitetin”, shprehet eksperti i mjedisit, Jak Gjini.

Deri para ndërtimit të Hidrocentralit të Ashtës në lumin Drin të Lezhës, vinin 2/13 e sasisë së përgjithshme të prurjeve të ujit.

“Duhet ta dimë të gjithë se nga Vau i Dejës nuk vjen asnjë litër ujë në dogën e lumit Drin të Lezhës. T’i ndërpresim prurjet lumit është diçka katastrofike, duke bërë që sipërfaqja ujëmbledhëse të zvogëlohet. 80% të kohës lumi Drin konsiderohet i vdekur dhe në zona shkarkohen ujëra të zeza, duke bërë që ndotja të jetë në nivele alarmante, pasi nuk ka rrjedhje t’i dërgojë në det e kjo po krijuar edhe aromë shumë të rëndë”, thotë eksperti Gjini për Portën Vendore.

Laguna e Kune-Vainit e ndotur. Foto:E. Hila

Sipas specialistëve, këto rezervate natyrore janë formuar në shekuj nga loja që ka bërë lumi me ujërat e veta. Dhe siç janë formuar, do të zhduken. Situata është prezantuar edhe përmes një raporti Mjedisor të Realizuar në vitin 2019 nga Klubi Ekologjik Lezhë. Në këtë raport është përcaktuar dëmi që po iu sjell lagunave lumi Drin, por edhe si mund t’i jepet zgjidhje problematikës. Drejtuesi i Klubit Ekologjik Lezhë, njëherazi dhe eksperti i mjedisit, Zef Imeraj thotë se është një burim i madh ndotje për lagunat, duke sjellë dëm të parikuperueshëm.

“Drini mbetet një oaz i ndotur nga depozitimi i mbetjeve urbane dhe derdhja e ujëra të zeza i të gjithë zonës. Ka ndryshuar florën dhe faunën e ujit e për rrjedhojë po i bëhet një dëm kolosal dhe kompleksit lagunor të Kune-Vainit. Ndotja ka pasoja të rënda për prishjen e ekuilibrave natyrore të ekosistemeve lagunore, bioekosistemeve dhe te biekocenozove. Nga ndotja e ujit ka invazion të gaforres jeshile” thotë Imeraj.

Rikthimi i prurjeve të ujit në degën e Drinit të Lezhës është zgjidhja që japin ekspertët për të shpëtimin e këtij lumi. Për këtë ka pasur disa kërkesa dhe argumentime shkencore, por që nuk janë marrë në konsideratë nga autoritetet shtetërore.

“Zgjidhja është që të risillen prurjet e lumit Drin në shtratin e tij shekullor, natyrisht në një regjim të ekuilibruar, midis kapacitetit përcjellës dhe nivelit, që të mos shkaktojë përmbytje dhe kjo është plotësisht e realizueshme” thotë eksperti i mjedisit Jak Gjini.

Problematika është e njohur për autoritetet lokale. Drejtori i Agjencisë së Zonave të Mbrojtura Pjetër Toni thotë se i ka kërkuar ministrisë së linjës që të ndërhyje për të eliminuar ndotjen e lagunave që vjen përmes lumenjve.

“I kam kërkuar Ministrit të Turizmit dhe Mjedisit, por edhe bashkisë që të marrin masa për të eliminuar ndotjen e lagunave, pasi kjo vjen nga lumenjtë”, thotë Toni për Portën Vendore.

I pyetur për këtë çështje kryetari i Bashkisë Lezhë Pjerin Ndreu, thotë se shumë shpejt do të zbatohet një projekt për pastrimin dhe eliminimin e ndotjes së lumit Drin në pjesën që përshkon Lezhën.

“Në bashkëpunim me GIZ-in Gjerman do të zbatojmë një projekt për pastrimin dhe ndalimin e ndotjes në Lumin Drin. Po shikojmë mundësinë edhe të thellimit me qëllim që ta kthejmë në atraksion turistik”, thotë kryebashkiaku Ndreu.

Situata po jep ndikim mjaft negativ edhe për zonën e banuar përreth lagunës së Kune-Vainit. Banorët e lagjes Stom në Ishull-Shëngjin shprehen se problematika më e madhe është kryesisht gjatë stinës së verës. Uji i lagunës mbulohet nga algat dhe krijon aromë mjaft të rëndë në zonë.

“Unë kam 40 vite që jetoj këtu, por edhe punoj në lagunë me sektorin e peshkimit. Gjatë viteve të fundit, ndotja është shumë e madhe sidomos gjatë stinës së verës. Laguna mbulohet nga algat, duke krijuar një aromë shumë të rëndë në zonën përreth. Po ashtu ka pasur raste që kanë ngordhur edhe peshqit brenda kësaj lagune si pasojë e ndotjes. Shteti duhet të ndërhyje për të gjetur dhe eliminuar burimin e ndotjes, pasi në këtë situatë laguna po degradon, por edhe neve po na dëmton shumë sepse rrezik të na kapë ndonjë sëmundje sepse 100 metra larg lagunës janë banesat e gjithë lagjes tonë” thotë një banor i lagjes Stom.

Ndërsa zona turistike e Kunës në Shëngjin prej tre vitesh është shumë pak e frekuentuar. Komunikimi i detit me lagunën ka krijuar ndotje të madhe në këtë zonë, duke dëmtuar rëndë këtë perle natyre e duke falimentuar edhe bizneset që shtrihen përgjatë vijës bregdetare.

“Unë kam një biznes të vogël e njëkohësisht merrem edhe me sektorin e peshkimit në Shëngjin. Ka tre vite që në fillim të sezonit turistik zona këtu ndotet. Uji dhe brezi i rërës mbulohen nga algat për shkak se ka një kanal që komunikon mes detit dhe lagunës. Kjo tregon se lagunat janë të ndotura dhe kjo ndotje depërton deri në zonën e Kunës”, thotë Bert Paci për Portën Vendore.

Ai tregon se kjo po jep ndikim shumë negativ për turizmin, pasi pushuesit e kanë braktisur Kunen për shkak të ndotjes.

“Ka tre vite që këtu vinë shumë pak pushues, për shkak të ndotjes që krijohet, është tepër e vështirë të qëndrosh, pasi krijohet aromë shumë e rëndë dhe ka rrezik epidemie. Duhet të marrin masa, pasi në këtë situatë ne si biznese këtu në Kune po falimentojnë. Gjatë vitit 2019 të paktën 3 biznese nuk janë hapur fare për shkak të ndotjes sepse s’ka pasur aspak pushues. Nëse kjo gjendje do të vazhdoje atëherë zona e Kunës do të marrë fund”, shton Paci .