Ngjarje/Personazhe

Shijaku, “kështjella e fundit” e COVID-19 në Qarkun Durrës

26 prill 2020/ Geri Emiri/ Porta Vendore/ Shijak

Lulet shumëngjyrëshe që kanë lulëzuar me ardhjen e Pranverës në Shijak, i shoqërojnë pasthirrmat e hareshme të fëmijëve. E diela ishte e tyre, më shumë se sa e nënave. Duke pedaluar me biçikleta përreth qytetit ata ngjasonin me ndjenjën e shpresës apo triumfin përballë pandemisë botërore që shkaktoi Koronavirusi i Ri, COVID-19.

Territori i Shijakut shtrihet në një zonë fushore dhe kodrinore përgjatë lumit Erzen. Në veri dhe jug kufizohet me Bashkinë Durrës dhe në lindje me Vorën e Tiranën. Në të gjithë Qarkun Durrës, pas Durrësit dhe Krujës, Shijaku deri më tani është “kështjella e fundit” që COVID-19 nuk ka arritur ta marr, duke mos shënuar deri më tani asnjë të infektuar. Zona që sipas Censusit të vitit 2011 numëron një popullsi prej 27.861 banorësh gjendet midis dy vatrave më të nxehta të përhapjes së COVID-19, Tiranës dhe Durrësit.

Të moshuarit sipas udhëzimeve të qeverisë qëndrojnë të izoluar, duke komunikuar me miqtë e të afërmit përmes ballkoneve. Pasditja në qytetin e vogël “u ndez” nga trupa e artistëve të ardhur nga Durrësi që prej javësh po performojnë në sheshe për qytetarët e izoluar në karantinë.

Qeveria shqiptare i hapi dritën jeshile një numri të madh biznesesh që të ngrenë qepenin ditën e hënë, duke diktuar disa masa sigurie, teksa e largët duket dita e rihapjes së bareve, restoranteve dhe qendrave estetike. Pas më shumë se një muaji pezullim si kurrë më parë edhe shtypi i shkruar u rikthye. Në qytetin e vogël të Shijakut ekonomia është e orientuar kryesisht drejt tregtisë, industrisë fasone, asaj përpunuese dhe prodhuese.

Në Shijak nuk ka qenë e nevojshme vendosja e trupave ushtarake. “Shijaku është një qytet i vogël me rreth 15 mijë banorë”, analizon Armando Shika, efektiv i Policisë Bashkiake. “Qytetarët i zbatojnë rregullat e karantinës, mirëkuptohemi me ta dhe duke qenë se njihemi me pjesën më të madhe kemi tendencën t’i këshillojmë dhe jo t’i ndëshkojmë”, përfundon 28 vjeçari teksa patrullon në qytet.

Në qendër të Shijakut dallojnë godinat e shënjuara me kryq të kuq. Ato janë klasifikuar si “të pabanueshme” dhe ashtu si shumë godina të tjera në Shijak pritet të prishen. Të dhënat e qeverisë deri në dhjetor të vitit 2019 evidentuan si të pabanueshme 424 objekte, ndërsa për 900 të tjera u mendua të prishen. Teksa raportet kanë ndryshuar pas inspektimeve të thelluara, Shijaku ashtu si bashkitë e tjera të Qarkut Durrës pret të nisi rindërtimin për të sistemuar qindra familje që janë detyruar të jetojnë me qira apo të strehohen tek të afërmit.

Sheshi qendror i Shijakut u rehabilitua në kuadër të Rilindjes Urbane dhe mori një pamje krejt tjetër pas investimit me vlerë 99 milion lekë apo 803 mijë euro. Gati 5 vite pas përfundimit të investimit punëtorët e bashkisë mbeten me mistri në dorë për të zëvendësuar pllakat që thyhen herë pas herë dhe që sipas specialistëve të fushës dëshmojnë cilësinë e dobët të punimeve nga kompania “Alb Leaa International”, në pronësi të kryebashkiakut të Bulqizës sot, Lefter Alla.

Nga sheshi i qytetit u përcollën më 23 nëntor 1912 delegatët për në Kuvendin e Vlorës, me qëllim shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë dhe më 26 nëntor në sheshin e Shijakut u ngrit flamuri me shqiponjën dy krenore dhe fushën e kuqe. Qyteti nisi të formësohej pas vitit 1880 nga themeluesi i tij Sali Bej Deliallisi, ndërsa modernizmi u tentua me projektin francez të 1930-ës, nga i cili pothuajse nuk gjejmë gjurmë sot.

Bashkia Shijak përbëhet nga 4 Njësi Administrative, qyteti, Maminasi, Xhafzotaj dhe Gjepalaj. Teksa një pjesë e mirë godinave të qytetit janë të trashëguara nga periudha e socializmit, rritja e popullsisë si dhe emigrimi kanë sjellë shumë ndërtime të reja përgjatë 30 viteve të fundit, të cilat janë përqendruar në fshatra dhe pa një plan të mirëfilltë zhvillimi.

Shumë toka në zonë janë të rrezikuara nga lumi Erzen, që nga raportimet e mëhershme banorët e lagjes “Erzen” në qytet dhe në njësitë administrative janë përmbytur disa herë nga dalja e lumit nga shtrati, si pasojë e reshjeve të shumta.

Banorët e Shijakut, kryesisht të Njësisë Administrative Xhafzotaj prej të paktën 2 vitesh protestojnë për rikonstruksionin e rrugës që i lidh me Durrësin, e cila është amortizuar tërësisht.

Teksa qeveria shqiptare e ka kufizuar lëvizjen e lirë të qytetarëve me qëllim parandalimin e përhapjes së SARS-CoV-2, banorët e Shijakut e shijojnë ajrin e pastër në pragun e shtëpive dhe në bisedat e distancuara me fqinjët.