Ngjarje/Personazhe

Refugjat rrugëve të botës

26 prill 2020/ Brikena Metaj/ Porta Vendore/ Gjirokastër

Jeta e tyre duket se po ndjek gjurmët e të parëve, duke u endur nga njëri vend i botës në tjetrin. Fajsal dhe Sara janë një çift të rinjsh nga Kuvajti që prej dy muajsh ndodhen në Shqipëri. Historia e tyre është si ajo e mijëra refugjatëve të tjerë të Lindjes së Mesme, që braktisën vendin e tyre në kërkim të një jete më të mirë. Pa profesion dhe pa asnjë të ardhme, ata vendosën të largohen nga Kuvajti. Endacakë, rrugëve të botës së madhe. Porta Vendore sjell një copëz të jetës së tyre në rrugëtimin rreth botës për gjetjen e një strehe.

Fejsali tregon se ata i përkasin një pakice të quajtur Beduinë (endacakë) dhe për këtë arsye jeta e tyre ka qenë përherë mjaft e vështirë. “Ne jemi të privuar nga të drejtat tona. Nuk arsimohemi, nuk punësohemi, madje as pasaporta e shtetësi nuk kemi”, tregon ai për Portën Vendore.

Rreth 100 mijë arabë pretendojnë të drejtën e shtetësisë në Kuvajt. Por autoritetet vendase thonë se paraardhësit e tyre vijnë nga vendet fqinje dhe nuk gëzojnë të drejtën e shtetësisë.

Sara dhe Fejsali janë prej të njëjtit fis dhe janë njohur herët me njëri – tjetrin, derisa një ditë Fejsali vendosi t’i kërkojë familjes dorën e saj. Jetesa në Kuvajt u vështirësua edhe më shumë pas martesës. Çifti i të rinjve panë një dritë jeshile pas nisjes së largimeve masive drejt Evropës. Ata dëgjuan për aq shumë raste bashkatdhetarësh që ia kishin dalë mbanë, ndaj një vit më parë vendosën të largohen. Me çantat e krahut në sup, vajzën 2 vjeçe dhe një shtatzëni në pritje, ata qëndruan për dy javë në Irak, prej nga kaluan në Turqi, ku ndenjën 12 ditë të tjera e më pas në një prej kampeve të Greqisë. Esina, tashmë 6-muajshe lindi në Greqi, në kampin ku prej muajsh strehohej familja e saj e vogël.

Dy muaj më parë, Esina e vogël dhe motra e saj Luxhejn e gjetën veten në një udhëtim të gjatë e të lodhshëm. Ato ende nuk e kuptojnë përse duhet të ecin e të udhëtojnë kaq gjatë ndërsa prindërit i mbajnë në krahë. Rreth tyre ka një grup të madh njerëzish që udhëtojnë me ta. Fytyra të njohura e të panjohura. Janë nisur prej Greqisë ende pa zbardhur dita. Here me makinë e herë në këmbë, mbërritën në kufirin me Shqipërinë. Synimi i të gjithëve është Europa. Ata janë të gatshëm të përballen me çdo lloj vështirësie për t’ia arritur.

Policia kufitare e kapi grupin e refugjatëve në kufirin shqiptar të Kapshticës. Pas kryerjes së procedurave, Fejsal tregon se kërkuan azil në Shqipëri dhe pas një qëndrimi disaditor në Kapshticë, i sollën në Gjirokastër, në kampin e Gërhotit, për shkak të kapaciteteve të kufizuara pritëse për azilkërkuesit në Shqipëri.

Muajt e parë të 2020-ës shënuan rritje të fluksit të emigrantëve në Shqipëri, më e shtuar kjo dukuri në qarkun e Korçës, duke vështirësuar akomodimin e tyre.

Qendra e përkohshme pritëse në Gërhot të Gjirokastrës

Qendra e përkohshme pritëse e Gërhotit u ngrit tre vjet më parë në qershor 2017, nga Organizata Ndërkombëtare për Migracionin (ONM). Qendra për regjistrimin dhe akomodimin e përkohshëm për emigrantët e parregullt, e vendosur në ambientet e Drejtorisë Rajonale të Policisë së Kufirit dhe Migracionit ka një kapacitet prej 60 personash dhe përfshin ambiente për regjistrim, akomodim si dhe tualete e shërbime sanitare.

Kampi që pret emigrantët në Gërhot të Gjirokastrës. Foto: B.Metaj

Aktualisht në të janë të strehuar 49 emigrantë nga Siria, Kuvajti, Afganistani dhe Palestina që kanë hyrë nga pika kufitare e Kapshticës. Familja nga Kuvajti do të qëndrojnë në këtë qendër pritëse deri në përfundim të procedurave të azilit. Shërbimi i epidemiologjisë dhe shëndetit mjedisor Gjirokastër, nisi fushatën e vaksinimit për 11 fëmijë të moshës 0 deri 15 vjeç, ndërsa të gjithë emigrantëve që ndodhen në këtë qendër u është hapur një kartelë personale pranë Qendrës Shëndetësore Gjirokastër. Fëmijët janë bërë pjesë e skemës bazë të imunizimit dhe vaksinimit që përfshijnë vaksina, si poliomelit, fruth, tetanoz, kolla e mirë, rubeolë etj.

Fëmijët e kampit duke u vaksinuar. Foto:B.Metaj

Esina 6-muajshe është fëmija më i vogël në këtë kamp. Drejtori i DSHP Gjirokastër, Shpëtim Novi na tregon se këta refugjatë nuk kanë asnjë dokument që të dëshmojë gjendjen e tyre shëndetësore.

“Në këto kushte Shërbimi i Epidemiologjisë dhe Shëndetit Mjedisor të NJVKSH Gjirokastër, krahas punës për monitorimin e situatës së Covid-19 nisi dhe aplikimin e skemës së imunizimit dhe vaksinimit në kampin e refugjatëve në të cilin ndodhen 11 fëmijë nga mosha 6 muajsh deri 15 vjeç. Ne nuk kemi asnjë të dhënë mjekësore dhe në kushtet kur nuk dimë nëse janë të vaksinuar apo jo, është menduar të nisë vaksinimi i plotë i tyre. Vaksinimi do të kryhet çdo javë sipas moshës së fëmijëve. Ndërkohë të gjithë këta fëmijë do të pajisen me kartela vaksinimi dhe përveç kësaj do t’u hapim të gjithëve kartela mjekësore personale pranë Qendrës Shëndetësore Gjirokastër”, tregon Novi për Portën Vendore .

“Qëndrimi në kamp nuk është i vështirë, kushtet janë të mira, por normalisht që shtëpinë nuk e zëvendëson”, thotë Fejsal që sapo ka vaksinuar dy vajzat e tij. “Asnjë vaksinë nuk kanë bërë vajzat. Kjo është hera e parë edhe për Luxhejn që në gusht bën tre vjeç” rrëfen Fejsal dhe ul sytë.

Luxhejn dhe fëmijët e tjerë të kampit luajnë në këndin e vogël të lojërave që Bashkia Gjirokastër në bashkëpunim me ‘Save the Children’ ka vendosur në këtë kamp disa kohë pas ngritjes së tij. Kjo është e vetmja mënyrë argëtimi për ta.

Në Gjirokastër ka tre qendra pritjeje për emigrantët. Qendra e Gërhotit është më e madhja prej tyre, me kapacitet 60 shtretër, Qendra Komunitare e Bashkisë ka 15 shtretër, ndërsa qendra në Kakavijë ka rreth 15 shtretër. Të gjitha janë qendra pritëse të përkohshme ku emigrantët strehohen deri në përfundim të kryerjes së procedurave ligjore.

Qendra Komunitare e bashkisë

Kjo qendër multifunksionale, që ndodhet në lagjen “Pllakë”, një nga lagjet më të njohura të qytetit, iu nënshtrua rikonstruksionit të plotë nga UNHCR tre vite më parë. Përveçse një qendër në shërbim të komunitetit, pensionistëve dhe shtresave në nevojë, qendra shërben edhe për emigrantët azilkërkues. Bashkia Gjirokastër bashkëpunon me Policinë Kufitare për strehimin e përkohshëm të familjeve emigrante apo të emigrantëve të mitur e të pashoqëruar, të cilët hyjnë në territorin shqiptar në mënyrë të paligjshme përmes kufirit të gjelbër.

Eni Manxhari, përfaqësuese e Bashkisë Gjirokastër tregon se qëndrimi i emigrantëve pranë kësaj qendre, me kapacitet prej 15 shtretërish, është kryesisht disaditor, deri në momentin e transportimit drejt qendrave pritëse. Të gjitha ambientet janë të pajisura me orenditë bazë për funksionimin e qendrës, kuzhina dhe mjediset e tjera.

Qendra Komunitare e Bashkisë Gjirokastër për qëndrimin e emigrantëve. Foto:B.Metaj

“Bashkia Gjirokastër ka vendosur një staf të specializuar për të plotësuar nevojat dhe kërkesat e emigrantëve që akomodohen në këtë qendër. Falë një bashkëpunimi të suksesshëm që Bashkia ka me UNHCR dhe CARRITAS ne kemi mundur të plotësojmë të gjitha nevojat e akomoduesve për ushqim, veshmbathje, medikamente, paketa higjieno – sanitare apo edhe shërbim psikologjik”, shpjegon Eni.

Rreth 50 të mitur të pashoqëruar, të cilët janë trajtuar nga Njësia e Mbrojtjes së Fëmijëve (NJMF) pranë Bashkisë Gjirokastër janë strehuar përgjatë 2019, deri në muajin Mars 2020 në këtë qendër.

Të miturit akomodohen në shërbimin e emergjencës që menaxhohet nga Bashkia Gjirokastër deri në përfundim të procedurave ligjore për strehimin e tyre në Qendrën Kombëtare Pritëse të Azilkërkuesve në Tiranë.

Drejt të ardhmes së panjohur

Sara dhe Fejsal nuk kanë një destinacion të përcaktuar për të ndërtuar nga e para të ardhmen e tyre. “Vendet e Evropës në tërësi janë synimi ynë, por ne jemi gati të qëndrojmë në çdo vend që do të na plotësonte dhe respektonte të drejtat tona”, shton Fejsal, që nuk përjashton kështu edhe qëndrimin e tyre në Shqipëri.

Për çiftin e të rinjve është e vështirë të përfytyrojnë një të ardhme plot ngjyra. Jeta i ka bërë të ndihen të lodhur e më të plakur nga sa janë në të vërtetë. Të rritur në një vend ku kanë qenë përherë të nëpërkëmbur, tashmë ata ëndërrojnë për një të ardhme më të mirë për fëmijët e tyre.

“Jeta jonë…! Është pak vonë për neve, por ëndrra jonë është të arsimojmë fëmijët në shkolla të mira. Nuk duam që ata të jetojnë si ne e të përshkojnë të njëjtin kalvar vuajtjesh ku kaloi jeta jonë”, përgjigjet Fejsal.