Ngjarje/Personazhe

Kthim drithërues në Thumanë në pesëmujorin e tërmetit shkatërrimtar

26 prill 2020/ Elisa Gjerani/ Porta Vendore/ Thumanë

Pesë muaj pas tërmetit të 26 nëntorit, që la pas 24 viktima, Thumana duket si e dalë prej lufte. Ngado që të hedhësh shikimin, syri has në godina të shembura, pirgje të mëdha inertesh dhe nevojtarë në kërkim të hekurit. Kjo pamje s’të ngjall veçse trishtim.

Porta Vendore ka raportuar që prej datës 26 nëntor për pasojat që la tërmeti i fuqishëm me magnitudë 6,4 ballë në vendin tonë, por rikthimi në Thumanë është drithërues.

Pallatet e shpallur të pabanueshëm, të dorëzuar përpara “pirunit” të fadromës.


Ëndrrat e fëmijëve të së djeshmes dhe të së sotmes që i janë dorëzuar fatit. Rejnaldo 17 vjeçari që mbledh hekur për t’i ardhur në ndihmë familjes.

Tërmeti por edhe covid 19 kanë qenë dy goditje të rënda për Thumanën, ku familjet më të “këputura”, shohin si një mundësi të mirë mospastrimin e zonës, dhe “vjeljen” e hekurit.
Hamdi Bajrami rrëfen se e ka thyer karantinën, pasi nevoja e ka çuar në kërkim të hekurit. Ai ka tre pjesëtarë të familjes për të mbajtur, dhe meqë nuk mund të dalë më të punojë në mënyrë informale ka gjetur si zgjidhje hekurin e rrënojave të pallateve të Thumanës .


Tricikli i tij i mbushur me hekur, teksa pret të transportohet nga i zoti për skrap. Puna s’ka përfunduar, duhet edhe më shumë hekur për “bukën e gojë”.


Babë e bijë po përpiqen që të gjejnë e transportojnë në shtëpi tullat e padëmtuara nga shembja e pallateve. “Do të restaurojmë vetë shtëpinë e dëmtuar nga tërmeti”, tregon kryefamiljari, teksa vijon të ngarkojë tullat shkujdesshëm. Kjo nuk është rruga e parë e tullave që bën.


Kol Pula, një tjetër “gjuetar” tullash. 68 vjecari ka lënë karantinën për të marrë disa tulla, të cilat tregon se do t’i përdorë për një kasolle më të mirë për bagëtinë.


Lule artificiale në kujtim të viktimave të Thumanës. Banorët tregojnë se ende se kanë kapërdirë dhimbjen, teksa sytë i përloten.


Edhe më të vjetrit janë në kërkim të hekurit. Kujtim Gregu rrëmon mbi pallatet e shembura së fundmi nga IKM-të , ndërsa nuk guxon të kalojë nga ana tjetër e rrugës aty ku i vdiqën tre kushërinjtë.


Puna e rrafshimit e cila do t’i hapë rrugë projektit të vilave të vogla në të gjithë këtë hapësirë, duket se s’ka përfunduar.
Megjithatë, fadroma pasi ka rrafshuar të gjitha pallatet që kanë rezultuar të pabanueshëm, prej 2 javësh “fle”.


Ish fusha që deri në janar 2020 ishte e mbushur me çadra tani i janë rikthyer si territor kullotjes së lopëve.


Lulëkuqet kanë çelur nëpër barishtet e pakta që ia kanë shpëtuar fadromës, sikur duan të thonë: Këtu ka jetë.


Fëmijët teksa janë ende të traumatizuar nga ngjarja e tërmetit, dhe më shumë akoma nga pamja e rrënojave që janë të detyruar të shohin çdo ditë.


Shenjat e përcaktuara nga ekspertët janë ende nëpër ndërtesat e mbetura në këmbë, mbishkrimi nëpër mure nuk është “shpëlarë” nga shiu i dimrit.


Qetësia zotëron këtu në këtë të diel të datës 26 prill. Çifti i çadrave akomodon familjet me shtëpi të dëmtuara.
Njoftimet e mortit janë zëvendësuar në shtylla nga ofertat e punës . Faza e rindërtimit kërkon krah pune në Thumanë.


Koha ka fluturuar, dhe sipas banorëve procesi i rindërtimit është tejet i vonuar nga qeveria Rama. “Ka vdekur shpresa”, ironizojnë ata.


Orenditë e mbijetuara në apartamentet e shembura nga IKM-të në Thumanë.


Agim Rama po qëndron fiks mbi rrënojat ku ka qene dikur shtëpia e tij në pallatin 5- katësh, i cili u dëmtua rëndë gjatë tërmetit të 26 nëntorit: “Nuk arrita të shpëtoj asgjë, pasi u këputën shkallët kryesore. Aktualisht jemi me qira, dhe po përpiqemi të mbijetojmë”, tha ai.


Ymer Cenja, një ndër të vetmit banor që ka qëndruar deri para 10 ditësh në pallatin dy katësh që u shemb gjatë vizitës së Ramës, më 8 prill 2020. “Që prej 26 nëntorit, së bashku me gruan dhe djalin flemë në këtë çadër. Erdhën dhe i shembën për 20 minuta, dhe na ngelen brenda një pjese e rrobave, por unë doja të merrja tjegullat por nuk pata mundësi. Na thanë dy ditë para që do të shembeshin, por ne nuk e besuam se ka kohë që askush nuk është bërë i gjallë për ne. Nuk e dimë se çfare do të ndodhë, pasi askush nuk na ka sqaruar, shpresojmë që vërtet të bëhet diçka”, tha ai.

Teksa largohemi, kuptojmë që Thumana sot ka mbetur e gjunjëzuar, ku pasojat e rënda të tërmetit ende nuk janë shkulur nga mendja e njerëzve. Dhimbja qëndron këmbëkryq në këtë qytezë të vogël të Krujës, ku dikur shquhej për djemtë trima, e sot në të ka vetëm lot, trishtim, heshtje dhe gjysmë shpresa të fishkura, në pritje që projektet qeveritare në bashkëpunim me biznesmenët ndërtues tu ofrojnë përsëri një vatër të ngrohtë familjare. E ndërkohë që vijojnë ende në qiell të hapur, duket sikur asgjë nuk mund të zhbëjë dot atë që ndjehet sot në Thumanë. Dhimbja ulërin ngado!