Ngjarje/Personazhe

Fashat e orareve shkaktojnë kaos në sportele

26 prill 2020/ Julian Hoxhaj/ Porta Vendore/ Tiranë

Gjatë javës që po lëmë pas Porta Vendore bëri një vëzhgim nëpër Tiranë në pikat e postës, në banka të ndryshme të nivelit të dytë, në tregje publike, zyrat e shërbimit ndaj klientit OSHEE, institucione shtetërore e shëndetësore apo dhe në disa pika të shitjes me pakicë të fruta-perimeve, për të parë se sa respektohen masat e distancimit fizik.

Bankat kanë qenë institucionet më të frekuentuara nga qytetarët gjatë këtyre ditëve të karantinës. Tërheqja e pagesave të rrogës, pagesave të invaliditetit, paga e ‘luftës’, pagesa këstesh kredish, etj, janë disa nga shërbimet e zakonshme që janë kryer në bankat e nivelit të dytë gjatë kësaj periudhe.

Radhët në bankat e nivelit të dytë, përkatësisht në Rrugën e Kavajës, 21 dhjetori, dhe zona e Delijorgjit. Për shkak të numrit të madh të shërbimeve që ofrojnë, bankat kanë qenë edhe institucionet me më shumë radhë gjatë kësaj periudhe.

Në filialin e Raiffeisen Bank në zonën e Astirit, gjatë kësaj jave ka pasur një numër të madh klientësh që kanë pritur në radhë. Klientët qëndrojnë jashtë bankës dhe futen brenda saj me organizim nga një punonjës i sigurisë, me qëllim që brenda bankës të mos ketë mbipopullim. Megjithatë, jashtë saj me dhjetëra qytetarë presin të mbarojnë punë, ndërsa tregojnë se presin në radhë me orë të tëra.

E njëjta situatë është edhe në një bankë tjetër, Raiffeisen pranë ETC. Ndonëse është ora rreth 9 e mëngjesit, qytetarët janë grumbulluar për të kryer shërbime e nevojshme. Edhe në këtë institucion bankar mungojnë shenjat, ku qytetarët duhet të presin në radhë, ndonëse punonjës të sigurisë private të bankës dhe policë mundohen të këshillojnë qytetarët që të respektojnë distancën.

Pak minuta më vonë, në një tjetër pikë bankare, “BKT” pranë Pallatit me Shigjeta, situata është njësoj. Disa qytetarë presin në radhë për të përfunduar punë në bankë, ndërsa qëndrojnë në pritje te dera hyrëse e saj. Të pyetur nga Porta Vendore, qytetarët pohojnë se mungon respektimi i distancimit fizik.

Porta Vendore pa nga afër situatën në disa tregje publike, por edhe në pika të shitjes së fruta-perimeve në kryeqytet.

Në zonën e “Vasil Shantos” në tregun e fruta-perimeve nuk ka tunel dezinfektimi, megjithatë janë vendosur disa shenja ku qytetarët mund të presin në radhë nëse brenda tregut ka dyndje.

Ndërsa në zonën e Don Boskos tregu i improzivuar në këtë zonë me disa tezga të vogla fruta-perimesh, janë të pajisura me rregullat e distancimit fizik.

Më tej, në zonën e “Tregut Elektrik” ku gjendet një treg publik bashkia gjithashtu ka vendosur masa për të ulur mundësinë e infektimit të qytetarëve nga koronavirusi. Në hyrje të tregut qëndrojnë disa punonjës të Policisë Bashkiake, të cilët orientojnë qytetarët të futen në treg nga tuneli i dezinfektimit, ku në raste të grumbullimeve masive janë vendosur dhe shenja ku qytetarët mund të qëndrojnë në radhë.

Edhe në Tregun e Kombinatit ekziston tuneli i dezinfektimit, për këdo nga qytetarët që futet të blejë.

Lidhur me respektimin e masave për parandalimin e përhapjes së Covid 19, Porta Vendore pyeti gjithashtu edhe pranë policisë bashkiake, për mbarëvajtjen e procesit.

“Policia Bashkiake ka marrë masa për ruajtjen e distancës fizike, në subjektet të cilat lejohen të japin shërbime për qytetarët. Si rezultat i masave të distancimit fizik, Bashkia Tiranë ka vendosur tunel dezinfektimi dhe shenja në tregje, ku ka pasur fluks të shtuar të njerëzve. Policia Bashkiake është e vendosur në 20 tregje Fruta-Perimesh, duke ruajtur distancimin fizik të qytetarëve, por dhe në 50 markete”, tha Toni Beni, Shef sektori në Policinë Bashkiake Tiranë, ndërsa thekson se aktualisht po punojnë me kontrollin në terren rreth 250 punonjës.

Radhët nuk mungojnë as në institucionet publike. Porta Vendore vëzhgoi situatën pranë Postës Shqiptare në qendër të Tiranës, ku në fakt as ky institucion nuk i ka shpëtuar radhëve të qytetarëve.

Në filialin kryesor të Postës Shqiptare nuk janë vendosur piketa ku qytetarët duhet të qëndrojnë dhe të presin, ndërsa distancimin fizik qytetarët mundohet ta ruajnë vetë.

Porta Vendore gjithashtu vëzhgoi një pikë tjetër po kaq të rëndësishme në zonën e stacionit të trenit, ku përveç rojës që përpiqej të mbante rregull në distancimin fizik, radha kishte vajtur deri tek shkallët, e ku qytetarët në ngutje e sipër kishin përfunduar duke u ngjeshur me njëri-tjetrin.

“Kemi marrë masa në disa nga filialet, por edhe qytetarët përpiqen t’i respektojnë radhët. Fluksi i punës tonë varet shumë nga klienti. Psh në fundin e muaji kur fluksi i qytetarëve ka pasur rritje për shkak të shërbimeve që marrin në filialet tona, kemi pasur ndihmën e policisë bashkiake ose të Policisë së Shtetit, në varësi të rastit, për të respektuar radhët dhe distancimin fizik. Ndërsa ne po operojmë në terren me të gjithë flotën tonë, ku kemi 2400 punonjës në total në të gjithë Shqipërinë”, tha Laert Duraj, Drejtor i Postës Shqiptare, ndërsa thekson se praktika për çuarjen në shtëpi të pensionit për moshën e tretë po funksionon më së miri.

Por zyrat e OSHEE gjithashtu nuk janë të pajisura të gjitha të pajisura me piketat e distancimit fizik, madje edhe në rastet kur janë, ata nuk respektohen nga qytetarët duke krijuar kaos e radhë, këtë e konfirmojnë edhe punonjëset e sportelit në zonën e 21 dhjetorit.

E njëjta situatë për sa i përket mos respektimit të distancimit fizik është edhe pranë një zyre tjetër të kujdesit ndaj klientit, në kompleksin Delijorgji. Por ndryshe nga zona e 21 dhjetorit aty nuk ka as shënjues të distancimit fizik.

Ne kemi 90 pika në të gjithë Shqipërinë, kemi shpërndarë rregulloren e brendshme për punonjësit, ku gjithçka funksionon sipas protokolleve të masave të caktuara nga qeveria, pra distancim 1.5 metra nga kolegu në vendin e punës, reduktim stafi, punë nga shtëpia, punë me rotacion, pajisja me masa mbrojtëse e dezinfektant për të gjithë stafin e OSHEE-së si dhe për lexuesit e sahatëve dhe elektricistët. Në 40 zyra kryesore në rang vendi, ku janë sportelet kryesore ndaj klientit janë vendosur shënjues për distancimin fizik”, thanë burime zyrtare të OSHEE-së.

Në qendrën e Gruas në maternitetin “Mbretëresha Geraldinë”, gjatë vëzhgimit tonë konstatuam një numër të konsiderueshëm piketash të vendosura në këtë institucion, por shumë pak respektim të tyre.

Ndërsa në Institutin e Sigurimeve Shoqërore në rrugën që lidh Drejtorinë e Policisë me rrugën “Myslym Shyri”, radha e njerëzve që qëndrojnë për të bërë pagën e sigurimeve, është e konsiderueshme.