Ngjarje/Personazhe

“Tërmeti na kurseu jetën, por godinat e shkatërruara po na rrezikojnë çdo ditë”. Banorët e Durrësit, 5 muaj pas tërmeti ankohen për sigurinë e tyre

25 prill 2020/ Erjola Azizolli/ Porta Vendore/ Durrës

20 mijë apartamente janë dëmtuar në qytetin e Durrësit nga tërmeti i 26 nëntorit të vitit të kaluar. Inerte kudo, godina që duken si të kafshuara, mungesë sigurie, kjo është pamja që paraqitet katër muaj pas tërmetit në qytetin e Durrësit, aty ku banorët çdo ditë përballen me rrezikun.

Në lagjen numër 12 në qytetin e Durrësit, në zonën e quajtur “Pranvera”, fati i një pallati pesëkatësh, me disa aktivitete private në katet e para, i dëmtuar në shkallë të lartë DC4, nuk dihet ende. Objekti si shumë të tjerë në qytetin bregdetar, i cili u godit më së shumti nga tërmeti i 26 nëntorit të vitit të kaluar që preku vendin, i është referuar Institutit të Ndërtimit për akt ekspertizë të thelluar.

Në hyrjen e pallatit, shiritat e rrezikut kanë humbur bashkë me katër muajit që lamë pas. Kabllo që varen nëpër muret e jashtme të pallatit, suva, tulla, kanë ngelur këtu, si në ditët e pas 26 nëntorit, ndërkohë që banorët pasi larguan çdo orendi, presin se çfarë do të vendoset për fatin e banesave të tyre. Në anën tjetër të pallatit, ku në katin e parë ushtronin veprimtarinë disa biznese, në trotuare, qarkullojnë njerëz. Një kryqëzim i rëndësishëm për qytetin “Pranvera” është stacioni nga ku nisen dhe ndalen të gjitha linjat e autobusëve urbanë të qytetit dhe lëvizja këtu në çdo moment është e madhe.

Nga pallati i “Pranverës” siç e njohin të gjithë, xhamat e rënë nga apartamentet e dëmtuar janë ende në tokë, ndërkohë që kalimtarët ecin shkujdesshëm. Në brendësi të lagjes, skena është e ngjashme atë të një filmi lufte, ku nuk mund të afrohesh, pasi gjithë katet e para janë të shkatërruara dhe banorët e tjerë të zonës që përdorin të njëjtën hyrje, nxitojnë sa munden. Banorët shprehen se dhe pse kanë kaluar katër muaj nga tërmeti i 26 nëntorit, zona nuk ka nisur të pastrohet dhe veç rrezikut, pamja të shkakton ende frikë.

“Po pallati i ‘Pranverës’, pësoi shumë dëme të mëdha dhe ashtu ka ngelur zona me llaç e tulla në tokë. Nuk dihet ende se çfarë do të bëhet me atë pallat, por shmangim kalimet aty, ose nxitojmë sa mundemi, por në brendësi të rrugicës është frikë fare të kalosh”, thotë Ysni Beqari, banor i zonës, ndërsa qëndron në lulishten e lagjes.

Ysni Beqari, banor i lagjes, duke folur për Portën Vendore. Foto: E.Azizolli

Në qendër të qytetit të Durrësit, në Bulevardin “Dyrrah” një pallat i dëmtuar nga tërmeti është shpallur i pabanueshëm. Pamjaftueshmëria e parkimit në këtë zonë, një nga më të populluarat në qytet, pasi është i përqendruar një numër i madh biznesesh, bën që në krah të pallatit, vargu i mjeteve të parkuara mos të mungojë. Këtu rreziku është evident, si për drejtuesit e mjeteve që parkojnë, ashtu dhe për këmbësorët. Banorët ankohen se ndihen të pasigurt dhe kësaj pasigurie i shtohet dhe rreziku që vjen nga depozitat sipër pallateve të dëmtuar.

Pallat i dëmtuar në qendër të qytetit të Durrësit. Foto: E.Azizolli

Po këtu në trotuar kalojmë, ku të kalojmë tjetër? Por, shikoni se si depozitat e ujit qëndrojnë ende mbi pallatin që nuk mbajnë dot më as veten e vet. A duhet të ndihemi të sigurt, kur një stuhi me erë që në Durrës si qytet bregdetar nuk mungon, apo një goditje tjetër tërmeti, do t’i shembte poshtë?” pyet me të drejtë Jonuz Pjeci, një pensionit banor i lagjes numër 3, për Porta Vendore.

Jonuz Pjeci, banor i lagjes 3,duke folur për Porta Vendore. Foto: E.Azizolli

Në lagjen numër 18, dy pallate totalisht të dëmtuar dhe të shpallur të pabanueshëm, ndodhen shumë pranë trotuarit. Së bashku me pallatet, janë dëmtuar dhe disa biznese private. Një anë e trotuarit, është mundësia e vetme për të ecur në këtë zone, ku nuk ka asnjë shenjë parandaluese për rrezikun që mbartet. Nga shiritat e kuq të rrezikut, nuk ka mbetur asnjë shenjë, ndërsa qytetarët ecin me shpejtësi. Edhe këtu, shenjat e dëmtimeve janë ende të qarta, nga xhamat që ndodhen ende në tokë, suva të rëna e kabllo që varen nga prishja e strukturës së objekteve.

Pallatet të dëmtuar në lagjen numër 18, Durrës. Foto: E.Azizolli

Shpresa Avdyli, ka një banesë private, pas pallatit të dëmtuar dhe në oborrin e saj, por dhe të disa banesave të tjera, bën hije pallati i konsideruar si i pabanueshëm.

Tërmeti i 26 nëntorit na i kurseu jetën, pasi arritëm që të dalim nga shtëpitë, ku dëmet janë të riparueshme, por rreziku që na kanoset nga pallatet e dëmtuara ende vazhdon”, thotë pensionistja për Portën Vendore.

Shpresa Avdyli, banore e lagjes 18 në Durrës. Foto: E.Azizolli

Gruaja është një ndër banorët e kësaj zonë që çdo ditë haset me rrezikun që paraqet dëmtimi i objekteve, që nuk kanë asnjë masë mbrojtëse. Muret e disa apartamenteve janë dëmtuar dhe kanë ngelur të hapur, ku tullat dhe suvaja rrezikojnë të bien nga çasti në çast. Asaj çka banorët, siç dhe thonë, i tremben më së shumti, janë pasgoditjet e tërmetit.

“Kur kanë rënë tërmetet e tjerë më pas, xhama nga pallatet e dëmtuar kanë rënë në tokë, ne lusim Zotin në çdo moment që mos të kenë më goditje, sepse këtu kalojmë çdo ditë dhe na rrezikohet jeta jonë dhe e fëmijëve”, thotë Shpresa.

Pallatet e dëmtuara në këtë zonë, si në çdo pjesë tjetër të qytetit jo vetëm që nuk janë të rrethuar, por dhe depozitat e ujit të pijshëm i kanë ende mbi tarracë dhe pse mezi mbahen në këmbë.

Pallat i dëmtuar në lagjen 18, Durrës. Foto: E.Azizolli

Nga vëzhgimi që Porta Vendore bëri, lagjja 18 rezultoi se vetëm një pallat i dëmtuar me shkallën DC4 është në ruajtje nga policia. Një uniformë blu qëndron në afërsi të tij, duke mos lejuar askënd të afrohet.

Në lagjen numër 14, ose siç quhet ndryshe zona e Shkozetit, disa pallate kanë pësuar dëmtime të mëdha, por vazhdojnë të qëndrojnë ende si në ditën e parë pas tërmetit të 26 nëntorit. Asnjë masë mbrojtje nuk është marrë për rrezikun që ata mbartin dhe pse pjesë suvaje bihen herë pas here.

Dy pallate afër me njeri-tjetrin, ndodhen në krah të trotuarit kryesor. Disa biznese kanë rinisur punën këtu, ndërkohë që zona ka prezencë llaçi, tullash, xhama dhe gjithfarë mbetjet të tjera inerte.

Pallat i dëmtuar në lagjen numër 14, në Durrës. Foto: E. Azizolli.

Zhani Merga, 74 vjeçe, dhe Landa Basha, 69 vjeçe, janë dy banore të lagjes, shoqe mes tyre, të cilat çdo buzëmbrëmje, bëjnë ecjen e zakonshme nga lagjja Shkozet, deri në afërsi të rreth rrotullimit.

Zhani Merga dhe Landa Basha, banore të lagjes 14, Durrës duke folur për Portën Vendore. Foto: E.Azizolli

Për to dhe banorë të tjerë të lagjes, dëmtimet që kanë pësuar pallatet janë rreziku që vazhdon pas tërmetit.

Kur ecim në rrugë, jo vetëm që nuk i ndalim këmbët, por nxitojmë hapat dhe sytë i mbajmë nga qielli, duke u lutur te Zoti, se vetëm ai na ka ngelur”, thotë Merga për Porta Vendore.

Për banorët, frika është e madhe sepse nuk kanë munguar rastet që kanë rënë pjesë nga apartamentet e dëmtuara, por dhe për faktin se pamje të tilla krijojnë vetëm panik në lagje.

Si mos të kemi frikë, as rrethim nuk ka, as siguri nuk ka, kur jo më vonë se një muaj me goditjen e fundit, atë të 28 janarit, ranë prapë pjesë nga pallati ku ne ecim çdo ditë”, thotë Landa për Porta Vendore.

Të njëjtin shqetësim ngrenë dhe banorët e lagjes numër 13, në Zonën e Plazhit, ku pasojat e tërmetit janë shumë të mëdha. Në lagjen ku pesë hotele u shembën dhe mijëra godina janë dëmtuar, vetëm në disa prej tyre ka nisur puna për riparimin e dëmeve, gjë e cila ka ulur shkallën e rrezikut.

Pallate të dëmtuar në qytetin e Durrësit, ku shihet qartë mungesa e sigurisë. Foto: E.Azizolli

Në këtë lagje kushdo që kalon, ngre kokën nga godinat e dëmtuara dhe nxiton hapat për të ecur sa më shpejt, pasi rreziku nuk mungon.

Inertet që kanë zënë trotuarin, në një nga lagjet e qytetit. Foto:E.Azizolli

Në lidhje me problemet e konstatuara, Porta Vendore iu drejtua zyrtarisht Bashkisë së Durrësit, ku Zyra për Marrëdhënien me Publikun dhe Median bëri me dije se: “Disa herë janë vendosur shiritat e kuq, ata që paralajmërojnë rrezik, por herë pas here ato hiqen, ndërkohë që në disa objekte, në të cilat ka rrezik të lartë, ende vijon patrullimi i policisë”, tha në përgjigjen e saj Bashkia e Durrësit për Porta vendore.

Por, Bashkia e Durrësit, ka dështuar me punën e nisur me ndërmarrjen në varësi të saj, për riparimet e apartamenteve të ndërtuara para vitit 1993. Ndërmarrja Rruga, nisi punën pas tërmetit. Me ekspertizën e dhënë në terren nga specialistët Izraelit.

Dëmtimet në pallatet e para viteve 90’. Foto: E. Azizolli.

Nga verifikimet në terren rezulton se puna që nisi bashkia, ka ngelur ende në lagjen numër 4, aty ku dhe ka filluar.

“Riparimet e kryera nga ana e Ndërmarrjes ‘Rruga’ janë ato të kryera tek pallati Nr.28, Kodi 26925, Rruga “Myfti Kodra”, bën me dije zyrtarisht bashkia në përgjigjen e saj të kthyer për Portën Vendore.

Zonat që Porta Vendore vëzhgoi janë të banueshme aktualisht, dhe ndaj ato përbëjnë një shqetësim të madh për banorët.

Shpresa mbetet tek vetë pronarët e objekteve që kanë nisur punën për ndërhyrjet, ku sipas bashkisë së Durrësit, janë dhënë deri tani 113 leje të përshpejtuara për 75 objekte me funksion banimi, pallate, si dhe 38 objekte shërbimesh, nga të cilat 10 hotele, restorante, tj. Pas rikonstruksionit të 75 objekteve me funksion banimi, parashikohet që të jenë gati për tu futur në banesa 2365 familje, që sot jetojnë me qira.